Bashkim Ziberi (11 shtator 1974, Tetovë, Maqedonia e Veriut) është profesor universitar nga Maqedonia e Veriut.[1]

Biografia

Redakto

Bashkim Ziberi u lind më 11 shtator 1974 në fshatin Radiovcë të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje kurse të mesmen në Tetovë. Studimet në fushën e fizikës i kreu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Fillimisht punoi si asistent i fizikës në Universitetin e Tetovës dhe në mars të 1999 vijoi studimet e magjistraturës në fushën e fizikës Universitetin e Lajpcigut në Gjermani. Në të njëjtën kohë ka punuar si punonjës shkencor në Fakultetin e Fizikës në Universitetin e Lajpcigut. Është doktoruar në vitin 2006 po në Universitetin e Lajpcigut në fushën e Nanoteknologjisë gjegjësisht të inxhinieringut të materialeve me anë të rrezatimit jonik. Nga viti 2002 deri në korrik të 2010 ka punuar si punonjës dhe si udhëheqës shkencor në Institutin për Modifikime Sipërfaqësore në Lajpcig të Gjermanisë. Nga viti 2010 kthehet në vendlindje dhe punon si profesor në Universitetin e Tetovës. Ka qenë përgjegjës i Katedrës së Fizikës dhe udhëheqës i Zyrës për Hulumtime Shkencore dhe Inovacione në Universitetin e Tetovës. Për disa vite ka ligjëruar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe ka dhënë kontribut të çmuar në themelimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Profesor Bashkimi ka qenë anëtar i grupeve të punës për Infrastrukturën Shkencore Bio dhe Nanoteknologji (RTD-NMP) në kuadër të programit kornizë HORIZON2020 dhe është evaluator i projekteve në programin CEEPUS. Bashkim Ziberi është fitues i bursës Fulbrajt të Qeverisë Amerikane që i mundësoi të merret me punë kërkimore shkencore në Universitetin e Harvardit në Boston të SHBA-ve, në fushën trajtimit të sëmundjeve kancerogjene me anë të nanoteknologjisë. Ka mbi 40 punime shkencore në revista me renome botërore dhe mbi 100 pjesëmarrje në konferenca të ndryshme të botës. Arritjet shkencore të Dr. Ziberit janë vlerësuar me tri çmime në arenën ndërkombëtare. Dr. Ziberi nga 2010 është anëtar i Kryesisë së Institutit Alb-Shkenca për bashkëpunimin e diasporës shkencore shqiptare dhe shkencëtarëve nga trojet tona, aktualisht edhe përgjegjës i Seksionit të Shkencave të Natyrës. Prej vitit 2019 dr. Ziberi është përfshirë në mënyrë aktive në grupin e punës së Seksionit NanoAlb të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndër të tjera si përfaqësues nga Maqedonia e Veriut.[2]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ OMK-RKS (2021-09-27). "Prof. Dr. Bashkim Ziberi - Ligjërues i ftuar në Kongresin e dytë të mjekësisë, Onkologji". Oda e Mjekëve te Kosovës. Marrë më 2024-11-06.
  2. ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 68, ISBN 9789951518208