Karnarvon
Më 12 maj 1929 në Tiranë u zhvillua ceremonia e përurimit të bibliotekës "Për Djelmninë" e quajtur edhe me emërtimin Karnarvon. Biblioteka u ndërtua me ndihmën financiare të mikes së madhe dhe fisnike të Shqipërisë, anglezes Elisabeth Kontes of Karnarvon. Kjo bibliotekë ishte destinuar për nevojat e studentëve të rinj dhe për zgjerimin e kulturës së tyre. Biblioteka brenda një kohe të shkurtër, arriti të bëhet një nga faktorët kryesorë të jetës kulturore në Tiranë. Godina e ndërtesës filloi të ndërtohet në vitin 1928, në një truall të blerë nga Kontesha Karnarvon, sipas një projekti të arkitekturës së kohës. Pjesa kryesore e ndërtesës ishte salla e leximit. Ky mjedis ndriçohej prej 9 dritaresh të mëdha dhe kishte 20 sergjente për libra me nga 7 dollapë. Në sallën e leximit ndodhej një oxhak i madh me fytyrën e Aubrey Herbert-it të gdhendur në gur. Salla e leximit gjatë veprimtarive të bibliotekës u përdor edhe për të shfaqur filma kinematografik edhe si mbledhje për të tjera aktivitete. Përveç sallës së leximit, ndërtesa kishte edhe disa dhoma për administratën e bibliotekës. Në mjedisin e jashtëm të bibliotekës u krijua edhe një fushë, për të luajtur tenis.
Me pushtimin e Shqipërisë në prill 1939 nga Italia fashiste, nisi edhe procesi i mbylljes së kësaj biblioteke. Këshilli i Ministrive të Qeverisë së parë fashiste vendosi pa asnjë të drejtë, që biblioteka "Për Djelmëninë"-Instituti Herbert", e cila deri në atë kohë ishte privat, t'ia merrte në dorëzim Prefektura e Tiranës, e kjo t'jua dorëzonte Institutin në fjalë Komandës së Përgjithshme për Djalërinë. Librat e bibliotekës që tashmë nuk funksiononte u vendosën në 23 arka, nga të cilat 12 thuhet se i mori Pariani me vehte, kur u emërua Guvernator në Korfuz, përveç atyre që u dogjën si të papërshtatshëm për kulturën fashiste. Ndërsa në kohën e luftës të Italisë fashiste me Greqinë, Komanda vendosi atje për fjetje skuadrën kundër ajrore dhe prej këtyre filloi edhe prishja e brendshme e bibliotekës.
Mbasë mbarimit të luftës së II-të botërore godina e biblotekës u bë Kinema “Ali Demi”. Sot godina nuk ekziston më.