Dëbimi i shqiptarëve
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Dr. Vaso Čubrilović ka qenë këshilltar i regjimit monarkist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj ministër, akademik, drejtor i Institutit të Ballkanologjisë dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Memorandumi i tij "Dëbimi i shqiptarëve" që iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadonoviç-it më 7 mars 1937, ka shërbyer dhe shërben edhe sot e kësaj dite si platforma kryesore për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk është ngritur dje. Ai ka luajtur një rol madhor në jetën tonë në Mesjetë, por rëndësia e tij bëhet edhe më vendimtare në fund të shekullit të XVII-të, në kohën kur masa të popullit serb u zhvendosën në veri të territoreve të tyre stërgjyshore të Rashkës dhe u zëvendësuan nga malësorët shqiptarë. Këta të fundit gradualisht zbritën nga malet e tyre poshtë në fushat pjellore të Metohisë dhe Kosovës. Duke depërtuar në veri, ata u shpërndanë në drejtimin e Moravës së jugut dhe të perëndimit dhe, duke kaluar Malet e Sharrit, zbritën drejt Pologut dhe, që këtej, në drejtim të Vardarit. Në këtë mënyrë, aty nga shekulli i XIX-të, u formua një trekëndësh shqiptar, një pykë me bazën në boshtin Dibër-Rogozna që u fut thellë në territoret tona, duke arritur Nishin, dhe i ndau territoret tona të vjetra të Rashkës, Maqedonisë dhe Luginës së Vardarit.
Kjo pykë shqiptare e banuar nga elementët anarkistë shqiptarë pengonte çdo lidhje të fortë kulturore, arsimore dhe ekonomike midis territoreve tona veriore dhe jugore në shekullin e XIX-të. Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse Serbia ka qenë e pastabilizuar, deri në vitin 1878, kur ajo mundi të vendoste dhe të mbante lidhje të vazhdueshme me Maqedoninë përmes Vranjës dhe Malit të Zi të Shkupit, të ushtronte influencën kulturore dhe politike në Luginën e Vardarit. Kjo gjë pritej të ndodhte për shkak të lidhjeve të favorshme gjeografike dhe rrugore dhe traditave historike në këto zona. Megjithëse bullgarët e kanë filluar jetën e tyre shtetërore më vonë se serbët, në fillim ata patën sukses më të madh. Kjo shpjegon përse ka ngulime të përhershme sllavësh të jugut nga Vidini në veri deri në Ohër në jug. Serbia filloi të këpuste copa të kësaj pyke shqiptare që gjatë rebelimit të parë, duke dëbuar banorët shqiptarët që ishin më në veri nga Jagodina.
Falë koncepteve të gjera shtetërore të Jovan Ristiçit, Serbia këputi një copë tjetër të kësaj pyke pas aneksimit të Toplicës dhe Kosanicës. Në këtë kohë, rajonet midis Jastrebacit dhe Moravës jugore qenë spastruar në mënyrë radikale nga të gjithë shqiptarët.
Nga viti 1918 e këtej ka qenë detyra e shtetit tonë të tanishëm të shkatërrojë mbeturinat e këtij trekëndëshi shqiptar. Ai nuk e bëri këtë gjë. Ka disa arsye për këtë, por ne do të përmendim vetëm më të rëndësishmet prej tyre :
1. Gabimi kryesor i autoriteteve në fuqi në atë kohë është se, duke harruar se ku ndodheshin, ata deshën t’i zgjidhnin të gjitha problemet madhore etnike të Ballkanit të turbulluar dhe të gjakosur me metodat Perëndimore. Turqia solli në Ballkan zakonet e Sheriatit, sipas të cilave, fitorja në luftë dhe pushtimi i një vendi të jep të drejtën e jetës dhe të pronës mbi subjektet që e banojnë. Bile edhe të krishterët e Ballkanit mësuan nga turqit se jo vetëm pushteti dhe sundimi shtetëror, por edhe shtëpijat e pronat janë të fituara apo të humbura si shpërblim. Koncepti i raporteve të pronësisë private mbi tokën në Ballkan u zbut në një farë shkalle nëpërmjet ligjeve, urdhëresave dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare të lëshuara nën presionin e Evropës, por ky koncept ka qenë në një farë shkalle leva kryesore e shtetit turk dhe e shteteve të Ballkanit deri në ditën e sotme. Nuk kemi nevojë t'i referohemi një të kaluare të largët. Ne do të përmendim vetëm disa raste të kohëve të fundit, shpërnguljen e grekëve nga Azia e Vogël në Greqi dhe të turqve nga Rumania në Turqi. Ndërsa të gjithë shtetet e Ballkanit që nga viti 1912 i zgjidhën ose janë në rrugën e zgjidhjes së problemeve të pakicave kombëtare me anë të shpërnguljeve masive, ne kemi mbetur në metodat e ngadalshme dhe të ngathëta të kolonizimit gradual. Rezultatet e kësaj kanë qenë negative. Që kjo është kështu e tregojnë më së miri statistikat nga 18 distriktet që përfshijnë trekëndëshin shqiptar. Nga këto shifra del se në këto krahina shtimi natyral i popullsisë shqiptare është më i madh se rritja totale e popullsisë sonë nga shtimi natyral plus banorët e rinj (nga 1921 deri më 1931 popullsia shqiptare u rrit 68.060, ndërsa ajo serbe tregon një rritje prej 58.745, një diferencë prej 9.315 vetësh në dobi të shqiptarëve). Duke marrë parasysh karakterin e vështirë të shqiptarëve, rritjen e theksuar të numrit të tyre dhe vështirësitë gjithnjë në rritje të kolonizimit me metodat e vjetra, me kalimin e kohës ky çpërpjestim do të bëhet edhe më i madh dhe eventualisht do t'i japë fund kolonizimit tonë që nga viti 1918 e këtej.
2. Bile edhe metoda e kolonizimit gradual nuk u aplikua si duhet. Akoma më keq, në një problem kaq të rëndësishëm, nuk ka pasur një plan të përcaktuar shtetëror, në të cilin do të aderonte dhe të cilin do ta aplikonte çdo qeveri dhe regjim. Puna është bërë me ndërprerje, me hope, çdo ministër i ri çbënte atë që kishte bërë parardhësi, ndërkohë që vetë nuk krijonte asgjë të qëndrueshme. Qenë shpallur ligje dhe rregullore, por edhe ashtu të dobëta, siç ishin ato nuk zbatoheshin. Disa persona, sidomos deputetë nga krahina të tjera, kur nuk arrinin të siguronin mandatin në krahinën e tyre, shkonin në jug dhe merrnin me të mirë elementët jo nacionalë për të siguruar mandatin, duke sakrifikuar në këtë mënyrë interesat kombëtare dhe shtetërore. Aparati i kolonizimit ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm, i fryrë dhe i ngarkuar me njerëz që ishin jo vetëm inkompetentë, por shpesh ishin pa skrupull, kështu që veprimtaria e tyre përbën vërtet një problem të veçantë. Më në fund, mjafton të mbledhim shumat e mëdha që ka investuar shteti për kolonizimin dhe ta pjesëtojmë rezultatin me numrin e familjeve të vendosura, për të provuar se sa e kushtueshme ka qenë vendosja e një familjeje të re që kur ka mbaruar lufta, pa marrë parasysh nëse këto shpenzime janë bërë nga kolonët vetë apo nga shteti. Po ashtu, do të jetë interesante të krahasojmë shumat e paguara për shpenzimet personale dhe ato për materialet e përdorura nga kolonizimi ynë. Serbia ndaj këtij problemi ka patur qëndrime krejt të ndryshme në të kaluarën. Karageorge gjatë kryengritjes së parë, sikundër Milloshi, Mihajllo dhe Jovan Ristiç nuk kanë patur një ministri të veçantë për reformën e tokës, inspektorë të përgjithshëm të tokës ose ndonjë aparat të kushtueshëm.
3. Madje edhe ato pak mijë familje që u vendosën pas luftës nuk u ngulën aty ku ishin vendosur. Ka patur më shumë sukses në Kosovë, sidomos në Luginën e Llapit, ku Toplicanët hynë nga veriu në jug. duke u marrë vesh vetë midis tyre. Ngulimet tona më të vjetra dhe më të qëndrueshme, me elementë nga krahinat tona të ndryshme, u vendosën pikërisht atje. Në Drenicë dhe Metohi ne nuk patëm sukses. Kolonizimi nuk duhej të ishte bërë kurrë vetëm me malazezët. Nuk mendojmë se ata janë të përshtatshëm si kolonë për shkak të plogështisë së tyre baritore. Kjo mund të thuhet vetëm për gjeneratën e parë. Gjenerata e dytë është krejt tjetër, më aktive dhe më praktike. Fshati Petrovo në Miroc, sipër Danubit, fshati më i avancuar në Krahinë, është i banuar pa përjashtim me malazez. Sot në Serbi ka mijëra biznese të përparuara, sidomos në Toplicë dhe Kosanicë, që kanë qenë krijuar nga malazezët, të cilët janë përzier me elementë më të përparuar. Kjo vlen sidomos për Metohinë, ku zakonet e vjetra, duke qenë të bazuara direkt në origjinën e tyre stërgjyshore, kanë mundur të mbijetojnë. Një vizitë në kafenetë e Pejës është e mjaftueshme për të bindur çdo njeri për këtë. Kjo është arsyeja përse kolonizimi ka patur kaq pak sukses në të gjithë Metohinë. Duhet pranuar, nga ana tjetër, se këto koloni ishin vendosur shumë keq, në një tokë jopjellore, të mbuluar me shkurre, dhe mbi të gjitha pa asnjë agregat të domosdoshëm bujqësor. Këtyre kolonive u duhej dhënë më shumë ndihmë se të tjerave për shkak se ishin të përbëra nga elementi më i varfër malazez.
4. Padyshim, shkaku kryesor që kolonizimi ynë pati pak sukses në këto rajone është fakti se tokat më të mira mbetën në duart e shqiptarëve. E vetmja rrugë e mundshme për kolonizimin tonë masiv të këtyre rajoneve është t'u marrim tokën shqiptarëve. Pas luftës, në kohën e rebelimit dhe të veprimtarisë së kryengritësve, kjo do të mund të arrihej lehtë duke dëbuar një pjesë të popullsisë shqiptare në Shqipëri, duke mos legalizuar uzurpimin e tyre dhe duke blerë kullotat e tyre. Këtu ne duhet të kthehemi përsëri tek gabimi i madh i konceptit tonë të pasluftës lidhur me të drejtën e posedimit të tokës. Në vend që të përfitonim nga koncepti i vetë shqiptarëve lidhur me pronësinë e tokës që ata kishin uzurpuar (vështirë që ndonjëri prej tyre të ketë pasur tapi të dhëna nga turqit, përveç për tokat e blera, për të keqen e shtetit dhe kombit tonë), ne jo vetëm i legalizuam të gjitha këto uzurpime, por ç'është më e keqja i mësuam shqiptarët me idetë evropiano-perëndimore lidhur me pronësinë private. Më përpara ata as që mund të kishin ide të tilla. Në këtë mënyrë, ne u dhamë vetë atyre një armë për të mbrojtur veten, për të mbajtur tokat më të mira për veten dhe për ta bërë të pamundshëm nacionalizimin e një prej rajoneve më të rëndësishme për ne.
Nga e gjithë kjo del se metodat e politikës sonë të kolonizimit në jug deri në ditën e sotme nuk kanë dhënë rezultatet që ne do të duhej të kishin arritur dhe të cilat po na imponohen vetiu si domosdoshmëria më e madhe shtetërore.
Kolonizimi i krahinave të jugut
RedaktoDuke lexuar pjesën e parë të këtij dokumenti, mund të vëreshë menjëherë se duke shqyrtuar problemin e kolonizimit të rajoneve jugore, problemi prek kryesisht rajonet në veri dhe në jug të Maleve të Sharrit. Kjo nuk është e rastit. Ky bllok shqiptarësh rreth Maleve të Sharrit ka një rëndësi të madhe kombëtare, shtetërore dhe strategjike për shtetin tonë. Ne tashmë e kemi përmendur mënyrën se si ai u krijua dhe rëndësinë e këtij rajoni për lidhjen e rajoneve përreth Luginës së Vardarit në më mënyrë të qëndrueshme me territoret tona të vjetra. Forca më e madhe e ekspansionit serb që në fillimet e shtetit të parë serb në shekullin e IX-të ka qenë bazuar gjithmonë ne vazhdimësinë e këtij ekspansioni, sikundër dhe në zgjerimin e territoreve të vjetra të Rashkës në të gjitha drejtimet, duke përfshirë këtu edhe zgjerimin e tyre në drejtim të jugut. Kjo vazhdimësi është ndërprerë nga shqiptarët dhe deri sa lidhja e vjetër e pandërprerë e Serbisë dhe e Malit të Zi me Maqedoninë gjatë të gjithë shitrirjes së saj nga Lumi Drin deri në Moravën e Jugut nuk do të jetë rivendosur, ne nuk do të jemi të sigurtë për posedimin e këtij territori. Nga pikëpamja etnike maqedonasit do të bashkohen plotësisht me ne vetëm kur ata do të kenë mbështetjen e vërtetë etnike nga ana e atdheut serb, e cila u ka munguar deri në ditët e sotme. Ata do ta arrijnë këtë vetëm nëpërmjet shkatërrimit të bllokut shqiptar.
Nga pikëpamja ushtarake-strategjike, blloku shqiptar zë një nga pozicionet më të rëndësishme në vendin tonë, pikën nisëse nga e cila lumenjtë e Ballkanit rrjedhin në Detin Adriatik, Detin e Zi dhe Detin Egje. Nga fakti se kush e ka këtë pozicion strategjik përcaktohet në një shkallë të gjerë fati i Ballkanit qendror, sidomos fati i vijës kryesore ballkanike të komunikacionit nga Morava në Vardar. Nuk është e rastit që shumë beteja me rëndësi vendimtare për fatin e Ballkanit (e Nemanjës kundër grekëve, e serbëve kundër turqve në vitin 1389, e Huniadit kundër turqve në vitin 1446) janë zhvilluar këtu. Në shekullin e XX-të, vetëm një vend që banohet nga njerëzit e tij mund të mos ketë frikë për sigurimin e tij. Prandaj është detyrë imperative e ne të gjithëve që të mos lejojmë që këto pozita me një rëndësi kaq të madhe strategjike të jenë në duar armiqësore apo të elementit të huaj. Aq më tepër që një element i tillë ka përkrahjen e një shteti kombëtar të të njëjtës racë. Elementi ynë që do dhe është në gjendje të mbrojë tokën e tij, shtetin e tij, është mjeti më i sigurtë kundër këtij penetrimi.
Përveç këtij blloku me 18 distrikte, shqiptarët dhe pakicat e tjera kombëtare në pjesët e tjera të rajoneve jugore janë të shpërndarë dhe si rrjedhim nuk janë aq të rrezikshëm për jetën tonë kombëtare dhe shtetërore. Të nacionalizosh rajonet përreth Maleve të Sharrit do të thotë të varrosësh përgjithmonë çdo irredentizëm, të sigurosh përgjithmonë pushtetin tonë mbi këto territore.
Kolonizimi nga veriu do të reduktohet në rajonet e banuara nga maqedonët. Në këto rajone toka është e pakët, këto janë rajone të qeta dhe, për këtë arsye, maqedonasit i bëjnë rezistencë fluksit të kolonëve nga veriu, aq më tepër që në këto veprime ata shohin një mosbesim nga ana jonë kundrejt tyre. E vërteta është se kjo shkallë e vogël kolonizimi na bën më tepër keq se sa mirë. Në rast se do të dërgohen njerëz në jug të Maleve të Sharrit të Shkupit, këta njerëz do të jenë nga Vranja, Leskovci, që janë më afër maqedonasve për nga mentaliteti dhe kultura, dhe patjetër njerëz nga rajoni Dinarik me temperamentin e tyre të irritueshëm, të pakontrolluar, sepse njerëz të tillë nxisin urrejtjen midis popullsisë vendase. E përsërisim se ky problem do të zgjidhet vetëm kur kolonitë tona, duke avancuar nga veriu, përmes Kosovës dhe Metohisë, drejt Maleve të Sharrit, Pologut, do të takohen me ngulimet maqedonase.
Problemi i Sanxhakut të Novi Pazarit është duke u zgjidhur vetiu dhe nuk luan më në jetën tonë shtetërore rolin që ka luajtur deri në vitin 1912. Ne do të kujtojmë vetëm se me shpërnguljen e shqiptarëve është prerë lidhja e fundit midis myslimanëve tanë në Bosnje e Novi Pazar dhe pjesës tjetër të botës myslimane. Ato janë duke u bërë pakica fetare, e vetmja pakicë myslimane në Ballkan, dhe ky fakt do të përshpejtojë nacionalizimin e tyre.
Para pak kohësh Mali i Zi është bërë një problem mjaft i rëndë. Një tokë e varfër nuk mund të mbajë një popullsi që është rritur 16 përqind nga viti 1912 deri në vitin 1931. Gjatë shekujve, ky element turbullues dhe baritor ka kontribuar me karakteristika esenciale në racën tonë. I kanalizuar në drejtimin e duhur, energjitë e tij nuk do të jenë shkatërrimtare, por do të shfrytëzohen për të mirën e përgjithshme të shtetit në qoftë se ai do të drejtohet nga juglindja.
Shqiptarët nuk mund të dëbohen vetëm me anën e kolonizimit gradual. Ata janë i vetmi popull, i cili gjatë mijëvjeçarit të fundit mundi jo vetëm t'i rezistojë bërthamës së shtetit tonë, Rashkësh dhe Zetës, por edhe të na dëmtojë, duke i shtyrë kufijtë tanë etnikë më në veri dhe më në lindje. Përderisa në mijëvjeçarin e fundit kufijtë tanë u zhvendosën në Suboticë në veri dhe Kupë në veriperëndim, shqiptarët na dëbuan nga Shkodra dhe krahina e saj, ish kryeqyteti i Bodinit, nga Metohia dhe Kosova. E vetmja mënyrë dhe të vetmet mjete për të qëruar hesapet me ta është forca brutale e një shteti të organizuar. Ne nuk kemi pasur sukses në drejtim të asimilimit të shqiptarëve në favorin tonë. E kundërta, për shkak se ata mbështeten tek Shqipëria, vigjilenca e tyre kombëtare është zgjuar dhe në qoftë se ne nuk i lajmë hesapet me ta në kohën e duhur, brenda 20 30 vjetëve ne do të përballemi me një irredentizëm të tmerrshëm, shenjat e të cilit janë tashmë të dukshme dhe ato në mënyrë të paevitueshme do të vënë në rrezik të gjitha territoret tona të jugut.
Problemi ndërkombëtar i kolonizimit
RedaktoNë qoftë se nisemi nga hipoteza se shpërngulja graduale e shqiptarëve nëpërmjet kolonizimit tonë gradual është jo efektive, atëherë ne na është lënë vetëm një rrugë, ajo e shpërnguljes së tyre në masë. Në këtë rast, ne duhet të marrim në konsideratë dy shtete, Shqipërinë dhe Turqinë.
Me popullsinë e saj të rrallë, me moçalet e padrenazhuara dhe luginat e pakultivuara gjatë lumenjve, Shqipëria do të jetë në gjendje të pranojë disa qindra mijë shqiptarë nga vendi ynë. Me territoret e saj të gjera dhe të pabanuara dhe tokat e papunuara në Azinë e Vogël dhe Jurdistan, Turqia moderne ka mundësi të pakufizuara për një kolonizim të brendshëm. Megjithatë, pavarësisht nga përpjekjet e Kemal Ataturkut, turqit nuk e kanë mbushur akoma vakuumin e krijuar si rezultat i shpërnguljes së grekëve nga Azia e Vogël në Greqi dhe të disa prej kurdëve në Persi. Që këtej del se mundësia më e madhe është që pjesa më e madhe e shqiptarëve të shpërngulur të dërgohet atje.
Së pari, ne theksojmë se nuk do ta kufizojmë veten vetëm në hapat diplomatikë me qeverinë e Ankarasë, por do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet për të bindur Tiranën për të pranuar disa nga këta njerëz të zhvendosur. Unë besoj se kjo do hasë vështirësi në Tiranë, për shkak se Italia do të përpiqet ta pengojë këtë proces. Por paratë luajnë një rol të madh në Tiranë. Në bisedimet lidhur me këtë çështje, qeveria shqiptare do të informohet se ne nuk do të ndalemi para asgjëje për të arritur zgjidhjen finale të kësaj çështjeje. Eventualisht, në mënyrë sekrete zyrtarë të lartë në Tiranë mund të binden se do të kenë përfitime materiale në rast se nuk do ta kundërshtojnë këtë pazarllëk.
Sikundër kemi dëgjuar, Turqia ka rënë dakord të pranojë fillimisht afro 200.000 persona të shpërngulur prej nesh, me kusht që ata të jenë shqiptarë, gjë që është shumë e favorshme për ne. Ne duhet të konformohemi me këtë dëshirë të Turqisë menjëherë dhe të nënshkruajmë një marrëveshje për shpërnguljen e popullsisë shqiptare sa më shpejt që të jetë e mundur. Lidhur me shpërnguljen e popullsisë shqiptare, ne duhet të studiojmë konventat që Turqia ka nënshkruar kohët e fundit lidhur me këtë çështje me Greqinë, Rumaninë dhe Bullgarinë, duke i kushtuar vëmendje dy gjërave: se Turqia do të pranojë mundësisht kontigjentin më të madh, ndërsa nga pikëpamja e aspektit financiar do t'i jepet ndihma maksimale, sidomos në fushën e organizimit të transportimit të tyre sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk ka dyshim se ky problem do të ngjallë një farë shqetësimi ndërkombëtar, që është i paevitueshëm në raste të tilla. Në njëqind vjetët e fundit, sa herë që të është ndërmarrë ndonjë veprim i tillë në Ballkan, gjithnjë ka pasur disa fuqi që kanë protestuar për shkak se veprime të tilla nuk përputhen me interesat e tyre. Në rastin e dhënë, Shqipëria dhe Italia do të bëjnë ndonjë protestë. Për sa i përket Shqipërisë, e kemi theksuar edhe më lart se duhen bërë përpjekje për të nënshkruar me të një konventë lidhur me këtë problem dhe nëse nuk e arrijmë dot këtë, ne do të bëjmë që ajo të heshtë lidhur me shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. E përsërisim se një aksion i kryer me mjeshtëri dhe paratë e përdorura si duhet në Tiranë do të jenë vendimtarë në këtë problem. Opinioni botëror, sidomos ai i financuar nga Italia, do të zemërohet pak. Megjithatë, bota sot është mësuar me gjëra që janë shumë më të këqia se kjo dhe është e zënë kaq shumë me problemet e përditshme sa që ky aspekt i problemit nuk do të jetë shkas për shqetësime. Në kohën kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijë ebrejë dhe Rusia mund të shpërngulë miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, shpërngulja e disa qindra mijë shqiptarëve nuk do të shpjerë në shpërthimin e luftës botërore. Por ata që do të vendosin duhet ta dinë se çfarë duan dhe të këmbëngulin për arritjen e qëllimit, pavarësisht nga pengesat e mundshme ndërkombëtare.
Italia padyshim do të nxjerrë më shumë vështirësi, por në momentin e dhënë ajo është jashtëzakonisht e zënë me problemet e veta lidhur me Abisininë dhe Austrinë dhe nuk do të guxojë të shkojë shumë larg në kundërshtimin e saj. Të them të vërtetën, rreziku kryesor qëndron në mundësinë se aleatët tanë të mëdhenj, Franca dhe Britania, mund të ndërhyjnë. Atyre mund t'u jepet një përgjigje e ftohtë dhe e vendosur se sigurimi i vijës Moravë-Vardar është në interesin e tyre, gjë që u konfirmua gjatë luftës së madhe të fundit, dhe ajo mund të bëhet më e sigurt, për ne dhe për ata, vetëm kur ne të dominojmë plotësisht rajonin përreth Maleve të Sharrit dhe Kosovës.
Mënyra e shpërnguljes
RedaktoSikundër e kemi theksuar tashmë, shpërngulja në masë e shqiptarëve nga trekëndëshi i tyre është i vetmi kurs për ne. Për të realizuar shpërnguljen e një popullsie të tërë kërkesa e parë është që të krijohet një mendësi e përshtatshme. Ajo mund të krijohet në mjaft mënyra.
Sikundër e dimë, masat myslimane përgjithësisht influencohen lehtë sidomos nga feja, paragjykimet dhe fanatizmi. Prandaj, gjëja e parë që duhet të bëjmë është që të bindim klerikët dhe njerëzit e tyre me influencë me anë të parave ose kërcënimeve që ata të përkrahin shpërnguljen e shqiptarëve. Duhet të gjenden sa më shpejtë që të jetë e mundur agjitatorë nga Turqia, në qoftë se ajo do të na i japë, për të përkrahur shpërnguljen. Ata duhet të flasin për bukuritë në tokat e reja në Turqi, për jetën e lehtë dhe të rehatshme që bëhet atje, për fanatizmin fetar dhe të ngjallin krenarinë për shtetin turk midis masave. Shtypi ynë mund të japë një ndihmë të jashtëzakonshme në përshkrimin e shpërnguljes së njerëzishme të turqve nga Dobruzha dhe se sa mirë janë vendosur ata në tokat e reja. Këto përshkrime do të krijojnë midis masave të shqiptarëve predispozicionin e domosdoshëm për t'u shpërngulur atje.
Një mjet tjetër do të jetë shtrëngimi i ushtruar nga aparati shtetëror. Ligji duhet zbatuar deri në një për ta bërë qëndrimin e shqiptarëve të padurueshëm: gjobat, burgosjet, zbatimi i egër i urdhëresave të policisë, si ndalimi i kontrabandës, prerja e pyjeve, dëmtimi i bujqësisë, lënia e qenëve zgjidhur, puna angari dhe mjete të tjera që mund të përdorë një forcë policore me përvojë. Nga pikëpamja ekonomike: mospranimi për të njohur tapitë e vjetra të tokës, puna me regjistrimin e tokës që duhet të përfshijë menjëherë vjeljen e pamëshirëshme të taksave dhe shlyerjen e të gjitha borxheve private dhe publike, rekuizimi i të gjitha kullotave shtetërore apo komunale, shfuqizimi i koncesioneve, heqja e lejeve për ushtrimin e profesionit, pushimi nga puna në zyrat shtetërore, private apo komunale etj, do të shpejtojnë procesin e shpërnguljes së tyre. Masat në fushën e shëndetësisë: zbatimi me dhunë i të gjitha dispozitave madje edhe brenda shtëpive, duke rrëzuar të gjitha muret dhe gardhiqet rrethuese, zbatimi me rreptësi i masave veterinare që do të rezultojnë në ndalimin e shitjes së bagtive në treg gjithashtu do të aplikohen në një mënyrë efektive dhe praktike. Kur vjen puna tek feja, shqiptarët janë shumë të prekshëm, prandaj ata mund të ngacmohen në këtë drejtim gjithashtu. Kjo mund të arrihet me një keqtrajtim të klerikëve të tyre, shkatërrimin e varrezave, ndalimin e poligamisë, dhe sidomos zbatimin e rreptë të ligjit që detyron vajzat të ndjekin shkollën fillore kudo që janë.
Iniciativa private gjithashtu mund të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Ne mund t'u shpërndajmë armë kolonistëve tanë sipas nevojës. Format e vjetra të veprimit çetnik do të organizohen dhe do të mbështeten në mënyrë të fshehtë. Në veçanti, do të organizohet një vërshim i malazezve nga kullotat malore për të krijuar një konflikt në shkallë të gjerë me shqiptarët në Metohi. Ky konflikt do të përgatitet me anën e njerëzve tanë të besuar. Ai do të inkurajohet dhe kjo mund të bëhet më lehtë në kohën që shqiptarët do të jenë revoltuar vërtetë, atëherë e gjithë grindja do të paraqitet si një konflikt midis klaneve dhe do të shpjegohet me arsye ekonomike po të jetë nevoja. Më në fund, mund të sugjerohen rebelime lokale. Ato do të shtypen me gjak me anë të klaneve dhe të çetnikëve më tepër se sa me anë të ushtrisë.
Mbetet akoma një mjet, të cilin Serbia e ka përdorur me një efekt të madh pas vitit 1878, dhe kjo është djegia fshehurazi e fshatrave dhe lagjeve shqipare nëpër qytete.
Organizimi i shpërnguljes
RedaktoNga harta e bashkëngjitur del e qartë se cilat rajone duhet të pastrohen. Ato janë: Dibra e Epërme, Pologu i Poshtëm, Pologu i Epërm, Malet e Sharrit, Drenica, Peja, Istogu, Vuçiterni, Stavica, Llapi, Graçanica, Nerodimja, Dalovia, Podgori, Gora, Podrimja, Gjilani dhe Kaçaniku. Midis këtyre rajoneve, që përbëjnë të gjithë bashkë pykën shqiptare, më të rëndësishmit për ne tani janë: Peja, Gjakovica, Podrimja, Gora, Podgori, Sharri, Istogu dhe Drenica në veri të Maleve të Sharrit, sikundër dhe Dibra e Epërme dhe dy Pologët në jug dhe Malet e Sharrit. Këto janë zona kufitare që duhet të pastrohen nga shqiptarët me çdo çmim. Rajonet e brendshme si Kaçaniku, Gjilani, Nerodimja, Graçanica, Llapi, Vuçiterni etj, mundësisht duhet të dobësohen, sidomos rajonet e Kaçanikut dhe të Llapit, ndërsa të tjerët duhet të kolonizohen gradualisht dhe sistematikisht në një periudhë prej dhjetra vjetësh.
Mjetet e përmendura më lart do të përdoren në radhë të parë në rajonet kufitare, në rast se ne duhet t'i pastrojmë ato nga shqiptarët.
Gjatë ripopullimit duhet të mbajmë mend këto që vijon
RedaktoNë radhë të parë, ripopullimi duhet të fillojë në fshatra dhe pastaj në qytete. Duke qenë më kompaktë, fshatrat janë edhe më të rrezikshëm. Pastaj gabimi i shpërnguljes së varfanjakëve vetëm do të shmanget : shtresat e mesme dhe të pasura përbëjnë shtyllën kurrizore të çdo kombi, prandaj ato duhen persekutuar dhe duhen pastruar. Duke mos pasur mbështetjen e bashkëpatriotëve që janë të pavarur ekonomikisht, varfanjakët nënshtrohen më lehtë. Kjo çështje ka një rëndësi të madhe dhe po e theksoj këtë për arsye se një nga shkaqet kryesore që kemi pak sukses në kolonizimin tonë të jugut është se të varfërit u dëbuan, ndërsa të pasurit mbetën, kështu që ne nuk bëmë përpara, sepse fituam fare pak tokë për vendosjen e kolonistëve tanë. Gjatë krijimit të mendësisë për shpërnguljen, duhet të bëhet çdo gjë e mundur për të shpërngulur fshatra të tërë ose të paktën familje të tëra. Një gjendje e tillë, në të cilën një pjesë e familjes largohet kurse pjesa tjetër mbetet duhet të mënjanohet me çdo kusht. Shteti ynë nuk ka ndërmend të shpenzojë miliona për ta bërë jetën më të lehtë për shqiptarët, por të heqë qafe sa të jetë e mundur më shumë prej tyre. Për këtë arsye blerja e tokave të shqiptarëve që shpërngulen nga ata që mbeten prapa duhet të ndalohet në mënyrë absolute. Largimi i individëve dhe i fshatrave të tërë mund të lidhet edhe me pyetjen nëse ata duan ta kenë më të lehtë procesin e shpërnguljes.
Me të dhënë pëlqimin për shpërngulje, atyre u duhet dhënë e gjithë ndihma e duhur. Procedura administrative do të thjeshtëzohet, prona e tyre do të paguhet në vend, dokumentat e udhëtimit do të lëshohen pa asnjë formalitet, dhe atyre do t'u jepet ndihmë për të shkuar në stacionin më të afërt të trenit. Trenat do të jenë gati për t'i dërguar deri në Selanik, nga ku ata do të hipin menjëherë në anije për në Azi. Ka shumë rëndësi që udhëtimi i tyre të jetë i lehtë, i rehatshëm dhe i lirë. Mundësisht udhëtimi me tren të jetë pa para dhe ata të ndihmohen me ushqime, sepse nga kjo do të varet shumë nëse do të shpërngulen masa të mëdha njerëzish apo jo. Frika e vështirësive të udhëtimit do të jetë pengesa kryesore në lëvizjen e tyre. Prandaj ajo mund të kapërcehet duke zgjidhur të gjitha problemet e lidhura me udhëtimin shpejt dhe energjikisht. Një kujdes i veçantë duhet të bëhet për të siguruar se ata do të kenë sa më pak vështirësi në udhëtim, sepse njerëzit e thjeshtë orientohen me vështirësi. Prandaj do të jetë e këshillueshme të studiohet sistemi i transportit nga agjenci të mëdha udhëtimi dhe të përdoret ky studim. Personi i shpërngulur duhet të kalojë nga dora në dorë pa e ndjerë barrën e kësaj çvendosjeje. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur të krijohet ai vërshim shqiptarësh të shpërngulur që do të zbrazë jugun tonë prej tyre.
Popullimi i rajoneve të shpopulluara
RedaktoProblemi i vendosjes së kolonive në rajonet e çpopulluara nuk është më pak i rëndësishëm se shpërngulja e shqiptarëve.
Lind pyetja e parë: Kush do të vendoset atje? Gjëja më e natyrshme do të ishte që ato të popullohen me elementin tonë nga rajonet pasive. Në radhë të parë më të përshtatshmit janë malazezët sepse Metohia, Drenica dhe Kosova janë vendet më të natyrshme, ku ata mund të vërshojnë prej maleve të tyre të varfëruara. Rritja e popullsisë në Mal të Zi ka sjellë një varfëri, e cila kohët e fundit ka shkaktuar trazira të vazhdueshme social-politike të disfavorshme për fuqinë e shtetit tonë dhe shumë të rrezikshme për ligjin dhe rregullin në të ardhmen. T'u japësh atyre misër dhe pensione është pa dobi. E vetmja zgjidhje është t'i dërgosh ata në rajonet pjellore të Metohisë, Drenicës dhe Kosovës. Pastaj, meqënëse ata janë të afërt me shqiptarët për sa i përket mentalitetit dhe temperamentit, malazezët janë instrumenti më i përshtatshëm për t'i mundur ata. Së pari, ata mund të përdoren në rajonet në veri të Maleve të Sharrit. Ndërkohë, krahas tyre, edhe disa njerëz nga Liçani, Krajsinca, Serbia, Kaçaku, Uzhica dhe Toplica duhet të përdoren si kolonistë. Kjo është e domosdoshme për të krijuar zakone më të mira pune dhe organizimi midis malazezëve, për të thyer psikologjinë e tyre të grupeve baritore dhe frymën e kolektivitetit që karakterizon malësorët me anën e përzjerjes dhe të ndërmartesave me njerëz të rajoneve të ndryshme dinarike. Në këtë mënyrë, do të formohet një tip i ri malazezësh me një këndvështrim më pak lokal dhe më të gjerë serb.
Kushte të përshtatshme do të krijohen për emigrantët serbë të jugut që banojnë në rajonet në jug të Maleve të Sharrit, kështu që ata do të mund të vënë në posedim tokat pjellore. Ata janë njerëz të ndershëm e punëtorë që do t'i jenë mirënjohës shtetit për gjithë jetën në qoftë se do të krjohen për ta kushte të pëlqyeshme jetese në zonat fshatare. Serbët fshatarë të jugut në përgjithësi kanë të drejtë të presin më shumë kujdes dhe vëmendje se ç'po u kushtohet sot.
Kolonizimi i Pologut (i Epërm dhe i Poshtëm) dhe i Dibrës me këta paupers (varfanjakë, përkth.), si dhe dhënia e kullotave atyre dhe jo shqiptarëve, do t'i bëjë ata që ta ndjejnë se ky është shteti i tyre dhe do t'i mbrojnë kufijtë e tij.
Përveç atyre, kolonizimi në jug të Maleve të Sharrit dhe të Malit të Zi të Shkupit mund të bëhet me serbë nga Vranja, Leskovci, Piroti dhe Blasenica, sidomos me ata që janë nga fshatrat malore pasive. E përsërisim se dinarikët nuk do të lejohen të shtrihen në jug të vijës së formuar nga Mali i Zi i Shkupit dhe Malet e Sharrit.
Gjatë kolonizimit të fshatrave të boshatisura nga shqiptarët, është me rëndësi të mënjanohen vonesat burokratike dhe formalitetet e mërzitshme. Veprimi i parë i menjëhershëm është që t'u jepet kolonistëve e drejta e posedimit mbi tokat ku janë vendosur. Një nga arsyet kryesore për mossuksesin e kolonizimit ka qenë fakti se kolonistët nuk e kanë fituar menjëherë të drejtën e posedimit dhe në këtë mënyrë ajo është keqtrajtuar në duart e zyrtarëve dhe politikanëve të paskrupullt. Fshatarët e ndjejnë veten të sigurt në posedimin e tokës vetëm kur ata e dinë se askush nuk mund t'i largojë më prej saj. Prandaj, atyre do t'u jepet një garanci e tillë menjëherë. Por në të njëjtën kohë, është e rrezikshme t'u japësh kolonistëve të drejtën e plotë të pronësisë mbi tokën. Në parim, ekonomitë e kolonistëve kanë misionin e tyre shtetëror dhe nacional, dhe ai që merr një ekonomi të tillë duhet ta shpjerë misionin deri në fund. Prandaj, ai nuk mund të ketë një pronësi të pakufizuar mbi këtë pronë. Sepse ka njerëz mjaft të ndryshëm midis tyre, si proletarë të fshatit të cilët kanë humbur ndjenjën e tyre të pronësisë mbi tokën ose barinjë që duhet të përshtaten me bujqësinë. Ata duhet të lidhen me tokën me anën e forcës së ligjit. Sepse ata mund të fillojnë ta duan krahinën dhe shtëpinë e tyre të re dhe nëqoftëse ata vetë nuk mund ta arrijnë këtë, sidoqoftë fëmijtë e tyre do të mund ta bëjnë. Për këtë arsye duhet të mënjanohet me anën e ligjit që kolonistët të fitojnë pronësinë e plotë mbi tokën në jo më pak se 30 vjet, megjithëse e drejta për posedim do t'u jepet menjëherë. Sipas ligjit tonë, gratë në vendin tonë duhet të përjashtohen nga trashëgimia në tokat e kolonizuara, me përjashtim të rasteve kur kolonisti nuk ka pasardhës meshkuj dhe gruaja ka ndërmend të sjellë një dhendër në shtëpi. Pronat që u janë dhënë kolonistëve deri tani kanë qenë të vogla. Duke patur parasysh metodat ekstensive të bujqësisë, rënien e çmimeve të produkteve bujqësore, sikundër dhe familjet e medha të kolonistëve, 5 deri 10 hektarë tokë janë të pamjaftueshëm për të siguruar kushtet për zhvillimin ekonomik të kolonistëve.
Është më mirë të popullosh një rajon me një numër më të vogël kolonistësh me kushte më të mira zhvillimi se sa ta popullosh atë me një numër të madh apo me gjysëmproletarë fshati. Ky gjithashtu ka qenë një shkak madhor përse nuk kemi patur sukses deri tani në kolonizimin e jugut dhe të veriut.
Elementë kaq të përshtatshëm për kolonizim në kushte kaq të vështira që kemi sot janë të rrallë midis popujve të tjerë. Këto pak suksese që kemi arritur në politikën e kolonizimit janë rezultat i këtyre cilësive kolonizuese të racës sonë. Vetëm fshatarët tanë, të cilët luftojnë me tokat e mbuluara me shkurre ose që nuk kanë qenë punuar asnjëherë dhe janë zhvendosur nga një mjedis në një tjetër, kanë qenë në gjendje të mbijetojnë në kushte kaq të vështira. Çfarë nuk do të bënin ata në qoftë se shteti do t'u jepte gjërat që e ka për detyrë t'u japë.
Me 10 shkurt 1865, qeveria e princit Mihajlos nxori një ligj mbi vendosjen e të huajve në Serbi. Sipas këtij ligji, qeveria serbe u dha kolonistëve të varfër nga krahinat fqinje 3 hektarë tokë të punueshme dhe 3 hektarë tokë të papunueshme, një shtëpi, një pendë qe, një qerre, dy dhi ose dele, një parmendë, veglat e nevojshme të punës dhe 120 grosh para në dorë. Përveç kësaj, u dha mjaft misër si ushqim deri në të korrat e para. Një plug u dha për çdo dy familje. Ky inventar i luajtshëm dhe i paluajtshëm iu dha kolonistëve nga ana e jonë pa të drejtën për t'i shitur për një afat prej 15 vjetësh. Në fund të këtij afati ato u bënë pronë e tyre. Në 5 vjetët e parë kolonistët ishin të përjashtuar nga të gjitha llojet e taksave shtetërore, për 10 vjet ata ishin të përjashtuar nga shërbimi i përgjithshëm ushtarak në ushtrinë e rregullt dhe të përjashtuar nga shërbimi në milicinë popullore për 5 vjet. Përgjigja nga të gjitha anët qe e tillë që brenda disa muajve të gjitha vendet u mbushën dhe u kolonizua më shumë territor se ç'kishim qenë në gjendje të kolonizonim ne gjatë disa vjetëve pas luftës. Në qoftë se shteti kishte krijuar këto kushte të favorshme për kolonistët pas vitit 1918, gjendja jonë si në Vojvodinë ashtu dhe në Serbinë e jugut nuk do të ishte ashtu sikundër është. Ja, pra, si duhet të veprojmë në të ardhmen, në rast se ne duam të kemi sukses.
Metoda e kolonizimit të Toplicës dhe Kosanicës pas vitit 1878, kur shqiptarët u dëbuan nga këto rajone, është gjithashtu e mbushur me mësime. Metoda për kolonizimin e këtyre rajoneve u parashtrua në ligjin e 3 janarit 1880. Me 3 shkurt të të njëjtit vit, Këshilli i Popullit aprovoi ligjin mbi amendamentin e marrëdhënieve agrare sipas parimit "toka fshatarëve". Pa hezitim, Serbia mori borxhin e parë të huaj për të paguar Turqinë për tokat që kishte marrë. Ajo nuk formoi ndonjë ministri të reformës agrare apo ndonjë aparat të kushtueshëm për problemin e kolonizimit, por çdo gjë u bë në një mënyrë të thjeshtë dhe praktike. Organet e policisë ua shpërndanë tokat të gjithë atyre që donin ta punonin. Erdhën njerëz nga Mali i Zi, Sjenica, Vranja, Kosova, Peja etj. gjatë 30 vjetëve pas vitit 1878. Toplica dhe Kosanica, dikur rajone shqiptare me reputacion të keq, i dhanë Serbisë regjimentin më të mirë në luftërat e viteve 1912-1918, Regjimentin e Dytë të Hekurt. Toplica dhe Kosanica paguan dhe stërpaguan me gjakun e bijve të tyre ato dhjetë milionë dinarët që Serbia pati shpenzuar për ripopullimin e tyre.
Vetëm duke ndjekur këtë shembull dhe duke ditur se çfarë kërkohet, duke mos kursyer as paratë as gjakun, mund të krijojë shteti ynë një Toplicë të re në Kosovë dhe Metohi.
Që këtej del se në qoftë se ne duam që kolonistët të qëndrojnë atje ku janë, ata duhet të jenë të sigurt se do t'i kenë të gjitha mjetet për të jetuar për disa vite. Ne duhet të ndalojmë rreptësisht çfarëdo spekullimi me shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve të shpërngulur. Shteti duhet t'i rezervojë vetes të drejtën e pakufizuar për të disponuar pronat e tundshme dhe të patundshme të njerëzve të shpërngulur dhe duhet të vendosë kolonistët e vet menjëherë pas nisjes së shqiptarëve. Kjo duhet të bëhet sepse do të jenë të rralla rastet kur do të niset një fshat i tërë njëherësh. Të parët që do të vendosen në këto fshatra duhet të jenë malazezët, që janë një popull arrogant, gjaknxehtë dhe i pamëshirshëm. Ata do t'i dëbojnë shqiptarët e mbetur me sjelljen e tyre dhe këtu mund të sillen pastaj kolonistë nga rajone të tjera.
Ky dokument merret vetëm me problemin e kolonizimit të Serbisë së Jugut. Problemi i Vojvodinës, sidomos i trekëndëshit hungarez në Backë, Senta-Kula-Backa Topola, nuk është më pak i rëndësishëm për ne. Për të shkatërruar këtë trekëndësh në Vojvodinë është njëlloj si të shkatërrosh bllokun shqiptar përrreth Maleve të Sharrit. Duke ndjekur ndarjen e pronave të mëdha, atje mbesin dhjetëra mijëra ferma hungareze që janë sot një barrë e rëndë për fshatarët e mesëm serbë dhe gjermanë të Vojvodinës. Disa nga këta punëtorë gjermanë apo hungarezë, që janë punëtorë bujqësie apo pronarë të vegjël, mund të dërgohen në jug, sepse në Backë, në kufirin me Hungarinë, ata paraqesin rrezik, aq më tepër që serbët e Backës përbëjnë vetëm 25 përqind të popullsisë. Në Serbinë e Jugut, duke i mbrojtur pronat e tyre kundër Shqipërisë, ata do të bëhen shtetas të mirë, që do të integrohen me masat e popullit tonë dhe, ç'është edhe më e rëndësishme, duke qenë më të përparuar dhe në një nivel më të lartë kulturor se fshatarët tanë, ata do të japin shembullin e metodave të përparuara në kultivimin e tokës. Ne theksojmë në mënyrë të veçantë se serbët e Vojvodinës nuk duhet të dërgohen në jug për kolonizim. Në Vojvodinë ka akoma tokë për kolonizim. Prandaj atyre u duhet dhënë tokë atje. Theksojmë gjithashtu se gjatë periudhës 1928-1929 atje pati një lëvizje të gjerë midis hungarezëve. Një përpjekje tjetër në këtë drejtim duhet të pengohet dhe publiku ynë duhet të udhëzohet si të përkrahë një lëvizje të hungarezëve dhe të gjermanëve nga Vojvodina dhe sidomos nga Backa në jug.
Aparati i kolonizimit
RedaktoNjë rëndësi të veçantë për zgjidhjen e çështjes që po diskutojmë ka ekzistenca e një aparati për ta drejtuar këtë punë. Puna e dobët e aparatit që ka zbatuar politikën tonë të kolonizimit është në një shkallë të madhe shkaku që deri tani ne nuk kemi patur sukses. Për ta manjanuar një gjë të tillë në të ardhmen, duhet bërë riorganizimi.
Asnjë punë tjetër nuk kërkon më shumë vazhdimësi zbatimi sa ç'kërkon kolonizimi. Ne kemi theksuar se një nga arsyet kryesore të mungesës së suksesit në kolonizimin tonë në veri dhe në jug është puna e pakët dhe ndryshimi i politikës me ndryshimin e qeverive. Në rast se kjo duam të mënjanohet në të ardhmen, kolonizimi duhet t'i besohet Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Pse? Thjesht për arsye të mbrojtjes. Ushtria jonë është e interesuar në vendosjen e elementit tonë përgjatë kufirit, sidomos në sektorët më delikatë. Për këtë qëllim ai do të bëjë ç'është e mundur për të siguruar kufijtë me anë të një kolonizimi sa më të qëndrueshëm. Shtabi i Përgjithshëm, si institucioni i paë i mbrojtjejes së interesave tona kombëtare, mund të kontribuojë shumë në tërë politikën tonë të kolonizimit. Shtabi i Përgjithshëm do të dijë si të mbrojë zbatimin e politikës së kolonizimit nga ndërhyrjet private të atyre që duan ta përdorin atë në interesin e tyre dhe nga çdo ndikim i jashtëm. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se do të jetë më lehtë për Shtabin e Përgjithshëm të bindë institucionet me përgjegjësi për rëndësinë e çështjes dhe t'i bëjë ata që marrin vendimeve efektive. Këshilli i Popullit do të ketë më besim tek ai dhe do t'i japë kreditë e nevojshme më lehtë se të tjerëve.
Shtabi i Përgjithshëm do të udhëheqë të gjithë punën nëpërmjet Këshillit Shtetëror të kolonizimit. Ky këshill do të jetë krejt i pavarur, por drejtëpërdrejtë nën kontrollin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe do të ketë të gjitha organet e kolonizimit tonë nën kontrollin e tij. Përfaqësuesit e disa ministrive të interesuara, shoqata kombëtare, organizma teknike dhe institucione shkencore do futen në këtë këshill.
Gabimi më i madh i politikës sonë të kolonizimit qëndron në faktin se burokracia e pastërvitur dhe jo kompetente ka thënë fjalën kryesore në këtë punë dhe është marrë me të jo vazhdimisht dhe pa e eksploruar atë tërësisht. Le të përmendim kolonizimin e vullnetarëve tanë nga Hungaria në Ovce Polje, Kadrifikovo ose emigrantët nga Istra dhe Gorica që u vendosën përreth Demir Kapijas. Kjo kërkon një lidhje të ngushtë midis forcës së shtetit, iniciativës private dhe institucioneve shkencore me politikën tonë të kolonizimit. Iniciativa mund të veprojë në shumë drejtime. Mbrojtja Popullore, Sokolasit, Shoqatat Çetnike etj. duhet të ndërmarrin kundër shqiptarëve veprime, në të cilat është mirë që të marrë pjesë edhe shteti. Shoqatat e agronomëve, doktorëve, inxhinjerëve, kooperativave etj. mund të ndihmojnë shumë mirë nëpërmjet këshillave teknike për të zgjidhur shumë probleme që dalin gjatë procesit të kolonizimit. Edhe shoqatat kulturale, si Prosveta në Sarajevo, Matica Srpska në Novi Sad, shoqatat Sveti Sava në Beograd etj. gjithashtu kanë detyrat e tyre në lidhje me këtë çështje.
Nuk ka dyshim se institucionet tona më të larta shkencore kanë filluar të humbasin prestigjin e tyre të dikurshëm. Shaku kryesor për këtë është se universiteti dhe Akadamia e Shkencave po largohen gjithnjë e më shumë nga jeta reale dhe janë duke neglizhuar detyrën Themelore që kanë ata në një vend relativisht të prapambetur si ky i yni, duke hapur rrugën për zbatimin e realizimeve shkencore të shekullit XX-të. Miliona do t'i ishin kursyer këtij vendi, shumë gabime do të kishin qenë mënjanuar, duke përfshirë dhe politikën e kolonizimit, sikur problemet të ishin studiuar me seriozitet dhe objektivitet nga punonjësit tanë shkencorë kompetentë para se ato të shtroheshin për zgjidhje. Politika jonë e kolonizimit po ashtu do të kishte pasur një vlerësim më serioz, një vazhdimësi më të madhe dhe zbatim më efektiv, sikur ekspertët dhe punonjësit tanë shkencorë të jepnin paraprakisht mendimin e tyre. Në radhë të parë, Akademia Mbretërore Serbe e Shkencave e Beogradit duhet të marrë iniciativën të organizojë një studim tërësor shkencor për të gjithë problemin e kolonizimit të vendit. Kjo do të kishte qenë e mundur për shumë arsye. Në universitet ne kemi ekspertë për çdo çështje që është e lidhur me kolonizimin e vendit tonë. Mësueset dhe akademikët e universitetit janë punonjës të pavarur, të cilët i nënshtrohen më pak ndikimeve të jashtme politike. Ata tashmë kanë një përvojë të mirë në një punë të tillë dhe veprimtaria e tyre shkencore është një garanci e objektiviteti të tyre. Prandaj ata do të marrin iniciativën për të themeluar një institut të kolonizimit, detyrë e të cilit do të jetë angazhii në studimin e kolonizimit. Shteti nga ana e tij do të shkëpusë nga ministri të ndryshme të gjitha ato institucione që kanë qenë të angazhuar me këtë problem dhe me to të krijojë një institucion të posaçëm, Zyrën e Inspektimit të Kolonizimit.
Zyra e Inspektimit të Kolonizimit do të kryesohet nga Inspektori i Përgjithshëm i caktuar me dekret me propozimin e Ministrit të Luftës, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm dhe Kryeministrit. E gjithë veprimtaria e institutit dhe e Zyrës së Inspektimit të Kolonizimit do të zhvillohet sipas urdhrave dhe mbikëqyrjes të Këshillit të Shtetit, ndërsa Inspektori i Përgjithshëm do të përgjigjet para Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Instituti i kolonizimit do të jetë i ndarë në këto seksione: 1) organizimi; 2) edukimi dhe kultura;3) financa; 4) bujqësia; 5) ndërtimi; 6) higjiena etj. Në marrëveshje me shoqatat shkencore dhe kulturore-edukative, seksionet do të studiojnë problemet e kolonizimit dhe do të përatisin direktivat, duke e pajisur kështu politikën tonë të kolonizimit me një plan të shëndoshë dhe shkencërisht të përpunuar, i cili do të shërbejë për marrjen e vendimeve. Në krye të këtij instituti do të jenë njerëz të emëruar nga Këshilli i Shtetit, që përbëhet nga përfaqësues të ministrive të përmendura, universiteti, Akademia e Shkencave dhe ato organizata private, nacionale dhe kulturore-organizative që do të zgjidhen apo do të emërohen në këtë këshill. Në këtë rast duhet të bëhet kujdes që atje të caktohen njerëz jo për të fituar nder, por njerëz që e duan dhe janë të dedikuar në këtë punë.
Kryetarët dhe nëpunësit e Institutit do të caktohen nëpërmjet konkurrimit.