Demetra

perëndeshë greke e të korrave ,drithërave dhe bujqësisë

Demetra (greqisht: Δημήτηρ) - e bija e Titanit Kron dhe gruas së tij Rea, hyjneshë e plleshmërisë të tokës dhe e bujqësisë.

Posa lindi e gjet i njëjti fat si edhe i motrave të saj Hestisë e Herës dhe i vëllazërve Hadit dhe Poseidonit: i ati i saj Krona, nga frika prej kryengritjes së mundëshme - i gëlltiti. Mirëpo, Demetra si qenie hyjnore jetoi edhe më tej në barkun e tij dhe priti ditën kur e shpëton Zeusi, vëllau i saj më i vogli, i cili i ik fatit të vëllazërve të vet, sepse e ëma fshehurazi e lind dhe e fsheh në ujëdhesën Kreta. Kur Zeusi e rrëzon Kronin dhe shpallet zot suprem, e merr Demetrën në Olimp dhe me rastin e ndarjes së funksioneve në mes zotërave ia beson kujdesin për plleshmërinë e tokës. Qe kjo plleshmëri mos të jetë e kotë, Demetra i mësoi njerëzit ta punojnë tokën dhe kështu u bë jo vetëm themelues i bujqësisë, por edhe e mënyrës së re të jetës së njerëzve, të jetës sedentare në vendbanimet e përhershme, e cila ka zëvndësuar blegtorinë dhe gjuetinë e deriatëhershme endacake. Njrëzve ua jep edhe ligjet, të cilat kane qenë të detyruar t'i përfillin në këto rrethana të reja të jetës. Ndonëse Demetra ishte dhuruese e jetës së qetë dhe të rehatshme, vetë nuk qe në gjendje të realizojë. Me Jazionin, zot më pak i rëndësishëm ose gjysmëzot ka pasur djalin Pluton, i cili u bë zoti i pasurisë dhe shkak i dhëmbjes së saj të madhe. Kur, në të vëtretë, Zeusi mësoi për lindjen e Plutonit, me rrufe e mbyt Jazionin, sepse më parë kot orvatej që ta fitojë dashamirësinë e Demetrës. Pas kësaj Demetra nuk mundi t'u kundërvihej sulmeve të Zeusit dhe ia lind bijën Perzefonën, e cila pas gëzimit të shkurtër nënës së vet i shkaktoi vuajtjen dhe dhëmbjen e re. Kur Perzefona një herë luante me nimfat në livadhet e ulta para saj u hap toka dhe nga thellësia u paraqit Hadi, zoti i botës nëntokesore, e kap dhe zhduket me të në humnerë. Demetra e ndien britmën e saj trishtuese dhe i shkon në ndihmë, por nga Perzefona nuk kishte kurrfarë gjurme. Nëntë ditë Demetra bredhi nëpër botë pa ushqim dhe pije duke e kërkuar bijën e vet derisa, më në fund, Heli, zoti i gjithëdijshëm nuk ia zbuloi fshehtësinë e zhdukjes së Perzefonës. Atëbotë e ëma e saj e mjerë shkon në Olimp dhe vendosmërisht kërkon prej Zeusit që si zot suprem të ndërmarrë diç lidhur me veprën e dhunshme të Hadit dhe t'ia kthejë vajzën. Mirëpo, Zeusi pothuajse asgjë nuk ka mundur të ndërmarrë më sepse Hadi, në ndërkohë, martohet me Perzefonën, i jep të shijojë kokrrat e bërthamës së shegës, dhe kushdo që shijon diçka në botën nëntokësore, nuk ka mundur më të kthehet në tokë. Demetra, pas kësaj, e braktis Olimpin, mbyllet në tempullin e vet në Eleuzinë dhe lëshon në botë një shterpësi, e cila ka pasur pasoja katastrofale jo vetëm për njerëzit, por edhe për zotërat - njerëzit, në të vërtetë, më nuk i adhuronin zotrat dhe nuk u ofronin më flijime. Kur gejndja u bë e padurueshme, Zeusi e zgjidhi me një kompromis. E detyroi Hadin që ta japë fjalën se do ta lëshojë Perzefonën dy të tretat e vitit në botë, ku do të jetojë me nënën e vet, ndërkaq Demetra u pajtua që Perzefona të kalojë me burrin e vet në botën nëntokësore një të tretën e vitit. Kështu edhe ndodhi: kur fshatari në vjeshtë e hudh farën në tokë, Perzefona shkon në botën e të vdekurve, kurse Demetra e pikëlluar natyrës ia merr plleshmërinë. Mirëpo, kur në pranverë bija e saj sërish kthehet në tokë, e ama e përshëndet me lule dhe gjelbërime në të cilat natyra vishet përsëri. Njeriu i parë të cilin Demetra e mësoi të kultivojë bimët ishte Triptolemi, i biri i Keleut, mbretit të Eleuzinës. Demetra këtë e bëri nga mirënjohja që prindërit e Tripolemit në pikëllimin e saj të thellë për Perzefonën e kishin pritur mirë në pallatin e tyre, ndonëse as që e kanë marrë me mend se janë duke e pranuar hyjneshën. Tripolemit ia dhuroi kokrrat e drithit dhe e mësoi se si ta lëvërojë tokën. Me urdhërin e saj Tripolemi e përhap anë e mbanë tokës mjeshtrinë e vet. Demofontit, djalit të dytë të Keleut, Demetra donte që t'ia falte pavdekshmërinë. Mirëpo, kur e ëma e tij Metanira e vëren se si hyjnesha e farkon djalin në zjarr, bërtet e tmerruar dhe Demetra e frikësuar e lëshon në zjarr dhe Demofoni digjet. Pas largimit të Demetrës, për nderë të saj, mbreti Kele urdhëron që në Eleuzinë të ndërtohet një faltore madhështore, e cila më vonë u bë qendër e kultit të saj. Shjetnorja e Eleuzinës, të cilën e njohim nga gërmimet arkeologjike është e kohës së sundimit të Pizistratit në Athinë, përkatësiht nga gjysma e dytë e shek. VI para e.s. Në gjysmën e dytë të shek. V para e.s. e rekonstrukton Perikliu sipas planit të arkitektit Koroib. Shejtnorja e ka pasur planimetrinë drejtkëndëshe dhe në të kanë mundur të qëndrojnë madje 4000 njerëz. Në qendër të tempullit ishte skena në të cilën në kohën e mbajtjes së kremteve të Eleuzines janë zhvilluar pamjet nga jeta e Demetrës. Këto kremte në fillim kanë qenë të thjeshta, kurse ritualet simbolizonin punët bujqësore dhe të fushës. Më vonë në to shpjegohej vdekja dhe ringjallja e vegjetacionit, dhe në fund përpiqej që të shpjegohej misteri i jetës së njeriut dhe fati i njeriut pas vdekjes, kurse ritet kanë qenë të afërta vetëm për priftërinjët. Kremtet kryesore për nderë të Demetrës janë quajtur misterie, fillonin kah mbarimi i shtatorit dhe zgjatnin nëntë ditë, ndërsa në muajin para zhvillimit të tyre shpallej paqja e shenjtë e gjithmbarshme (Ekekria) në gjithë qytetet greke qytetarët e të cilave merrnin pjesë në këto solemnitete. Demetra është njëra prej hyjneshave më të lashta greke. Emrin e saj e gjejmë, madje, në pllakat e të ashtuquajturit tempulli Nestor në Pilos, të shkruar me shkrimin linear „B", që janë përafërsisht të shek. XIV-XIII, para e,s. Është adhuruar në të gjitha vendet ku jetonin grekët në pajtim me rëndësinë që në ekonominë greke fitonte bujqësia. Përmes Sicilisë dhe Italisë së Jugut Demetrën e njohin edhe romakët, të cilët e kanë identifikuar me Ceren, hyjneshën e tyre të vegjetacionit dhe të plleshmërisë së fushave. Më vonë kulti i Demetrës u shkri me kultin e nënës tokë, Gea dhe hyjneshës, Rea dhe pjesërisht me ate të Kibelës. Artistët antikë e paraqesin Demetrën të ngjashme si edhe Herën, bashikëshorten e Zeusit. Mirëpo, figurës se saj i kanë dhënë më pak elemente sunduese e më tepër ato të nënës. Simbolet e saja ishin kurora me kallinjët e grurit, shporta me frute dhe pishtarët. Na është e njohur në saje të shumë pikturave në vazat greke prej të cilave më e lashta është e shek. VIII para e.s., në saje të pikturave murale romake në Pompejë nga fillimi i erës sonë, kuptohet kopjet e origijnaleve të lashta helenistike. Më të famshmët janë skulpturat e saja të ashtuquajtura Demetra e Knidit, origjinali grek për afërsisht nga viti 330 para e.s., me siguri punim i Leoharit, që sot gjendet në Muzeun Britanik në Londër dhe në agorë në Smirna e shek. III para e.s., prej relieveve dallohet vepra e shkollës së Fidisë, e gjetur në gërmadhat e tempullit të Eleuzinës, Triptolemi në mesin e Demetrës dhe Korës, (i vitit 440-430 para e.s., dhe që sot gjendet në Muzeun Kombëtar Arkeologjik në Athinë). Prej tempujve dhe shejtnorëve të Demetrës kryesisht janë ruajtur vetëm gërmadhat (në Knid, Prieni dhe në akropolin e Pergamit; ky i fundit për nga aspekti turistik është më atraktiv).