Dimitri Stepanoviç Çuvahini
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Dimitri Stepanoviç Çuvahini ishte një diplomat sovjetik-stalinist karriere, profesionist i mirëfilltë. Oksidentalist për nga përgatitja speciale dhe anglo-saksone për nga kultura arsimore vetjake. Ishte një folës i gjuhës angleze deri diku i kompletuar dhe e kuptonte atë me hollësitë e nuancat e një intelektuali të mirëfilltë.
Nga vitet 1938 deri në vitin 1942 D. S. Çuvahini ka shërbyer në përfaqësinë e BRSS në ShBA, në Uashington. Më pas, prej viteve 1942 e deri në vitin 1945, sipas rregullit të njohur tashmë, ka shërbyer në aparatin qendror të Komisariatit të Popullit të Ministrisë të Punëve të Jashtme të BRSS pra, nuk ka marrë pjesë aktive në Luftën e Madhe Patriotike të Popullit Sovjetik.
Në vitin 1945, jo pa paramendim profesional, u emërua si këshilltar i ambasadës së BRSS në RPF të Jugosllavisë, në kryeqytetin e saj, në Beogradin e porsa çliruar nga trupat sovjetike të Frontit të III-të të Ukrainës nën komandën e mareshalit të BS F. I. Tollbuhin. Në këtë mënyrë ai po përgatitej paraprakisht nga dikasteri i tij për t'u emëruar si përfaqësues i BRSS në Shqipërinë e porsa çliruar. Deri atëherë në Tiranë shërbente si përfaqësues i ushtrisë sovjetike, koloneli S. V. Sokolov
Më pas ai shërbeu nga viti 1953-1958 si ambasador i BRSS në Kanada. Në vitin 1958-1964 ishte punonjës me përgjegjësi në aparatin qendror të ministrisë së Punëve të Jashtme të BRSS. Në vitin 1964 u caktua ambasador i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë i BRSS në Zanzibar. Në 1964-1967 emërohet ambasador i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë në Izrael, kurse nga viti 1967-1970 punoi në aparatin qendror të ministrisë së Punëve të Jashtme të BRSS ku, në vitin 1970 doli në pension në rangun e ambasadorit fuqiplotë.