Dita e Verës

Ditë feste në Shqipëri

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimet kryhen në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashmë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në disa vende të tjera Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues për t'i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse. Sipas bestytnive, ne nuk duhet të sforcohemi këtë ditë apo të bëjmë ndonjë gjë që të ndihemi të lodhur. Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet fort në qytetin e lashtë të Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan, por edhe në vendet e tjera. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, "14 mars"). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në veri edhe në jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Si dëshmi po sjellin këtu dy përshkrime të kuptimit dhe kremtimit të "Ditës së Verës" njëra për krahinat jugore, tjetra për malësitë veriore. Janë përshkrime të botuara në kohën, kur në Shqipëri nuk kishte parti politike, madje në kohën kur as institucionet klerikale nuk ndërhynin në kremtime të ashtuquajtura pagane. Përshkrimin e parë e kemi nga i madhi Faik Konica, Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës. Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë. (Faik Bej Konica, Botuar më 1911) FAIK KONICA - DITA E VERËS i cili gati 100 vjet më parë, në kohën e sundimit osman, shkruante me atë stilin e vet elegant.

Disa ballokume të gatuara


Përshkrimin e dytë, i cili flet për kremtimin e "Ditës së Verës" nga malësorët katolikë të veriut, e kemi nga At Berdardin Palaj. Ai shkruante dy dekada pas Faik Konicës:

"Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese : gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darkë, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave ! Unë pak e Zoti shum! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë"[1].

Festimet e kësaj ditë në Dibër fillojnë dy javë përpara, ku djemtë e rinj gjatë ditës shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i sjellin në fshat, për të formuar një ose më shumë mullarë. Këta mullarë me dëllinja vendosen kryesisht në pika më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë duke u bërë konkurrencë të dukshme fshatrave të tjerë për rreth.

Kur, Dielli ulet dal nga dal nga horizonti duke u zëvendësuar nga hëna, të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me bahe (është mjet i trashëguar brez pas brezi dhe që bëhet në mënyrë artizanale, e cila hedh prej një distance relativisht të largët gurë që kanë përmasa mesatare) për të larguar dhe vrarë të keqen, në mënyrë që pranvera të jetë më reshje të bollshme, për siguruar të korra të mira me shumë "bereqet", nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për të kaluar periudhën e gjatë të dimrit. Kurse, vajzat këndojnë rapsodi të trashëguara dhe të transmetuara brez pas brezi që i kushtohen "Ditës së Verës". Ky ritual vazhdon deri me datë 14 mars.

Me "14 mars" në mëngjes vendoset një garë e pashpallur kush zgjohet më shpejt në mëngjes (sipas traditës ai që zgjohet më vonë do t'i shkojë i gjithë viti në të shumtë në kohës në gjumë), familjet që zgjohen më vonë zakonisht kanë edhe një ndëshkim simbolik, iu mbyllet nga jashtë dera e shtëpisë.Pasi zgjohen, të rinjtë dalin për të mbledhur lule si kukreka, lulethane, shelgje etj, të cilat i vënë mbi portën hyrëse si dhe brenda shtëpisë. Kurse vajzat ziejnë vezët, dhe i ngjyrosin me mozaikun e ngjyrave. Vezët rroken mes të rinjve me fitimas (që do të thotë se ai që ka vezën me të fortë ja fiton dhe ja merr ati që i thyhet).

Këto ngjarje ndodhin zakonisht në një livadh ose në qendër të fshatit, ku përvec këtyre riteve bëhen edhe mjaft lorja të tjera si : "Kala Dibrane", mundje mes djemve të rinj e etj. Gjatë paradites nënat përgatisin drekën e bollshme, ku një vend të veçante zë flija (gatim tradicional kryesisht i zonës së Dibrës). Pas drekës, njerëzit dalin për vizita tek të afërmit. Kështu mbyllet festimi i Ditës Verës, si një festë që sjell vetëm gëzim, harmoni dhe lumturi në familjet tona.

Vitet e fundit "Dita e Verës" është bërë me të vërtet një festë mbarëkombëtare, ku festohet masivisht nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor. Kjo tregon se shqiptarët edhe në festa janë të bashkuar, si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm një identitet, atë shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë "Dita e Verës" është shumë e lashtë për nga koha e kremtimit dhe mënyra. Është festë pagane që rrjedh nga lashtësia dhe që është ruajtur me shumë fanatizëm deri në ditët tona. Natyrisht që nga fillimet e kremtimit të saj deri sot, kohët kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e festimit, por forma e saj bazë është po e njëjta, ka qenë dhe mbetet një festë pagane, me origjinë dhe traditë shqiptare dhe që i dedikohet stinës së pranverës, me të cilën rigjallërohet gjithçka pas një gjumi të lodhur dhe të gjatë dimëror.

Dita e Verës njihet si festa e gjithë shqiptareve, por Elbasani dhe ballokumja është zemra e saj. Një feste pagane, që e ka origjinën në kohën, kur njerëzit i faleshin perëndive. Tempulli ka qenë në zonën e Çermenikës, në afërsi të Librazhdit të sotëm. Në kalendarin e vjetër, njerëzia orientohej me diellin, hënën dhe gjelbërimin. Ndërsa sot është fiksuar 14 marsi, ditë e festës së lashtë, që shënon ndryshe fundin e dimrit të acartë dhe hyrjen e pranverës së çeljes së luleve. Në kohën antike, të parët tanë, ilirët, udhëtonin nga të katër anët për t'ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, Diana Candieviensis. Dita e Verës është festë e të gjithëve, e të pasurve dhe të varfërve, është festë mbarëpopullore ku të gjithë gëzojnë. As feja, as ideologjia dhe së fundi as politika, nuk mundën ta kenë të tyre. Kohët shkuan dhe tempulli i festës qëndroi në Elbasan, në qytetin e luleve dhe këngës, të dashurisë dhe begatisë. Duhet theksuar dhe një herë që data 14 mars thjesht hap festivalin njëjavor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar drejt 21 marsit, që është Dita kalendarike diellore e Verës. 14 marsi është Dita e Verës për Shkumbinin dhe, për shumë vjet me radhë dhe Tiranën, por krahinat e tjera shqiptare kanë secila Ditë të tyre të Verës brenda kësaj jave që mbahet në formë festivali në gjithë trojet. Vjet p. sh. qyteti i Shkodrës festonte në dt. 15 mars. Caktimi i datës kryhet krejt nga ana praktike duke marrë parasysh ditën më të qëndrueshme me diell brenda kësaj jave për secilën krahinë. N.q.s. vihet re në krahinat e Shqipërisë së Mesme, 14 marsi ka qenë gjithnjë ditë me diell dhe e ngrohtë, ndërsa ditët e mëpasme shpesh janë me re dhe madje dhe shi.

Duke synuar një ditë të tillë, secila krahinë në bazë të nën klimës së vet cakton një datë me ditën më të qëndrueshme të dielltë, brenda kësaj jave. Data mund të puqet dhe me një a më shumë krahina të tjera, por gjithnjë në varësi të anës praktike dhe nuk është e thënë që secila krahinë të ketë doemos datën e vet. Është klima vendore që ka fjalën e fundit dhe për këtë është e nevojshme njohja e zonës, pasi festimi është organik dhe jo artificial. Për këtë arsye dhe mënyra e festimit ndryshon sipas krahinave, gjë që i jep dhe bukurinë e vet festivalit në rang kombëtar.

Lule të mbledhura për ditën e verës

Një sqarim tjetër që shpeshherë është i nevojshëm. Pse dita quhet e Verës, kur në fakt festivali është pranveror. Kjo ndodh sepse në kalendarin diellor ilir/shqiptar (dhe të disa popujve të tjerë), ka vetëm dy stinë, Verë dhe Dimër, dhe stinët nisin me barasnetët (ekuinokset) në mars e shtator dhe arrijnë mesin me solsticet në qershor e dhjetor, atëherë kur festohet përkatësisht Mesvera dhe Mesdimri. Shkruar nga Arta Kryeziu.

Shpjegimi sipas Konicës

Redakto

Faik Konica, shkrimtari ynë i ndjenjës, arriti të shpjegojë shpirtin e Ditës së Verës. Ai e përkufizonte kështu këtë feste : "Dita e Verës është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur skish lindur Krishtërimi, kremtonin bashkë me romaket dhe grekerit e vjetër perëndite e luleve, të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyrë, t'u faleshin perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës." Sipas shkrimtarit, kjo është një feste e vjetër e racës sonë. "Nuk i bëjnë dëm njeriu, sjellin gëzim të kulluar në shtëpi. Në një vend ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rast të rrallë për t'u dëfryer. Për më të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike, të hollë e të rrallë", shkruan Konica.

Shpjegimi sipas llogjikes. Prejardhja e Ditës së Veës është e lidhur me illirët të cilit festonin Ditën e Verës më 15 mars në shenjë adhurimi ndaj diellit, po të shohim ballakumet kanë ngjyrën dhe formën e diellit.

Ballokumja

Redakto
 
Ballokumja Elbasanit

Ballokumja është ëmbëlsire karakteristike vetëm në Elbasan. Ka qenë dhe është sinonim i Ditës së Verës. Ka një formulë të veçantë gatimi, e njohur vetëm në këtë qytet. Në vija të përgjithshme, një ballokume përgatitet:

Në një enë të posaçme prej bakri futen sipas radhës gjalp i freskët, sheqer, vezë, majë miell misri dhe pak finjë. Të gjitha asortimentet përzgjidhen në kushte natyrale. Gjalpi duhet të jetë prodhuar në fshat dhe të këtë një ngjyrë të veçantë. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset në enën e ballokumes. Mbi gjalpë hidhet pak e nga pak sheqer dhe të dyja rrihen gjatë nga një luge druri. Më pas hidhen vezët një e nga një ndërkohë që rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e majës së miellit të misrit me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjtë. Në masën e formuar hidhet pak finje zjarri. Rrahja duhet të behet me dore. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret me lugë druri dhe vendoset në topa në tepsi dhe futet ne furrën me dru zjarri. Piqet dhe shërbehet në formën e kulaçeve.

Rituali i Ditës së Verës, katër fazat e festës

Redakto

Festa pagane ka ritualin e saj. Ritet janë trashëguar brez pas brezi ndoshta për 24 shekuj me radhë. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Diana, sot ato praktikohen për një jetë më të mirë të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati. Studiuesi dhe muzikologu i njohur Thanas Meksi e ndan në katër faza Festën e Ditës së Verës. Faza e pare është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireteve qe janë te nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dyte është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e trete mëngjesi i Ditës së Verës qe nis me 14 mars dhe se fundi pikniku i Ditës së Verës ne mesditën e 14 marsit. Ne vigjilje te natës se Ditës së Verës, çdo shtepi e këtij qyteti është e mbushur me një gëzim te veçante, është një ndjesi qe i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit te farës dhe sytheve qe janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë. Shtëpia mbushet plot me gjera te mira dhe me bollëk. Porta zbukurohet me lule dhe lastarë te gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjate kësaj nate te afërmit, por edhe shoke e miq te ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra te shoqëruar me kuzhinën me nam te Elbasanit. Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjate kësaj nate fillon te ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit me te afërm. Mëngjesi është i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars dhe me një përkushtim te veçante hapin derën qe te futet e mira dhe te dale e liga.

Buka e derrit

Redakto

Sytë lahen me lulet e verës, me manushaqe dhe me karakafte (lloj luleje) dhe me pas pihet ujë ne "bukën e derrit", që është një zhardhok qe gjendet nen toke ne zonat me pyje dhe gjelbërim. Uji ne "bukën e derrit" simbolizon një vit te shëndetshëm dhe te begate. Gjithashtu, nje zakon tjeter qe ruhet ne kte dite, është zjerja e vezeve naten e dates 13, dhe larja e syve me ujin e vezeve te zjera ne mengjesin e dites se veres. Vec kesaj, diten e veres, lidhet ne dore nje "verore" qe është si byzylyk i formuar prej nje fijeje te kuqe dhe nje fijeje te bardhe. Verorja hiqet kur sheh dallendyshen e pare, dhe hidhet ne ferra qe dallendyshja ta marre per te bere fole. Te gjitha keto jane rite qe kryhen per te kremtuar ardhjen e pranveres, celjen e luleve, rikthimin e dallendysheve e gjallerimin e jetes.

Kopshtaret e luleve dhe këngët e traditës

Redakto

Dita e Verës nuk ka kuptim pa lulet dhe këngët. Prej kohesh elbasanasit njihen si kopshtare me nam dhe këngëtare te shpirtit. Lulet me karakteristike ne Elbasan janë jasemini, karafili, trëndafili, zymbyli, karakaftet etj. Kultivuesit kujdesen për lulet ne mënyre qe ato te shpërthejnë Ditën e Verës. Vitet e fundit ansambli i luleve është pasuruar me trëndafila dhe karafila te ardhur nga disa vende te botes, nga Egjipti deri ne Holandë. Gjate natës dhe Ditën e Verës këndohen me pasion te veçante këngët e mjeshtrit te muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit. Kënge te tilla si ; "Një lulishte me trëndafila", "C'u deshiruesh me te pa", "Ma mire n'pyll se sa n'qytet, "Si bilbili ne pranvere" etj., këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por ne mbare trojet shqiptare.

Koha dhe ritet sot, çfarë ka ndryshuar

Redakto

Nga viti ne vit, festa pasurohet me gjerat qe burojnë nga shpirti i vete njerëzve. Me 14 mars, Elbasani kthehet ne epiqendrën e pelegrinazhit. Festa ka një ndikim te çuditshëm tek te gjithë. Jo vetëm shtëpitë, por i gjithë qyteti vishet me dekor shumëngjyrësh, ashtu si lulet e pranverës. Ne vigjilje te festes, ndërmarrja e dekorit zbukuron rrugët dhe sheshet kryesore te qytetit. Ndërsa ndërmarrja e gjelbërimit mbjell lule dhe siperfaqe te gjelbëruara. Për çdo vit bashkia Elbasan akordon një fond te veçante për festen. Ne pikat turistike dhe ne parqe janë programuar te organizohen koncerte, lojëra popullore, pjese humori etj.

Dibër

Redakto

Përvec Ditës se Verës, dibranet festojnë dhe Natën e Verës ku gjithë qyteti duket sikur e ka pushtuar djalli me zjarret e ndezur. Ku fëmijët e vegjël bëjnë parapërgatitje 1 vit përpara duke mbledhur goma qe pikërisht te ndezën Natën e Verës ! Pas kësaj vjen dhe me e bukura, ku njerëz nga me te ndryshëm bëhen te gjithë rebela për një nate duke u mbyllur dyert e shtëpive ne qytet dhe fshatrave. Te nesërmen është dita kur thyhen me mijëra veze derisa te dal veza fituese me e forta nga te gjitha! Është dita kur nena na bene (siç thonë dibranet) "ferci, ferci nona, u befsh ma i fort se thona". Është dita kur njerëzit dalin dhe festojnë fushave te bukura me lule dhe gjelbërim, jo asfalteve te mbushur me pluhur !

Nartë, Vlorë

Redakto

Në fshatin Nartë çdo vit si një shenjë mirëseardhjeje të ditëve verore, organizohen karnavalet, një festë kjo që tashmë bashkon komunitetin e kësaj zone në fshatin që po braktiset. Banorët thonë se kjo festë fetare ka marrë jetë nga viti 1922. Sipas banorëve dhe gjatë regjimit komunist ku të tilla festa u ndaluan, karnavalet në Nartë bëheshin edhe fshehurazi. Besimtarët ortodoks në këtë fshat janë shumë të dhënë pas kësaj feste, çka duket tek mënyra se si i organizojnë, pjesëmarrja e tyre masive, madje dhe shqiptarët emigrantë vijnë nga vendet fqinje për të qenë të pranishëm në këtë ditë pranë vendit te tyre.Tradicionale për festimin e Pashkëve janë karnavalet të cilat zgjasin 3 ditë e 3 netë pa pushim dhe nën petkun e tyre këndohet dhe kërcehet në gjithë fshatin. Tipike janë maskat e shumta të përdorura, të cilat përfshijnë nga figura të njohura popullore e deri tek kafshët apo personazhe filmash vizatimorë. Përveç veshjeve në këto karnavale janë karakteristike vezët e kuqe të Pashkës, të cilat shpërndahen nëpër familje të ndryshme duke i shkëmbyer mes tyre. Traditë gjithashtu është edhe bërja kurban e mishit të qengjit. Si çdo vit edhe këtë herë atmosfera në fshatin Nartë, njohur ndryshe si fshati i traditës së karnavaleve, ka qenë e ndezur. Krishti u ngjall, ka përcjellë sipas traditës mijëra ngjyra e kostume të karnavalit, ku protagonistë kanë qenë kryesisht djem të këtij fshati. Nën maskat e kostumeve të ritualit, ku dallohet veshja popullore e luftëtarit, veshja tradicionale e Nartës, kostumet e grave, apo dhe figurave të kafshëve, të rinjtë kanë kërcyer të shoqëruar nga sazet.

Historia e festës tradicionale

Redakto

Që në kohët antike, tempulli i 14 marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë. Zanafillën "Dita e Verës" e ka në faltoren Zana e Çermenikas, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por, festa e Verës që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe "qyteti në kërthizë të Shqipërisë", nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, "goditen" ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve. Të parët tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehëronin portokallet dhe ullinjtë.[2]

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri- tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Simbolika e Ditës së Verës

Redakto

Kushdo që ka kaluar këto ditë Urën e Zaranikës, për të hyrë në qytetin e Elbasanit, ka ndjerë qysh në derën e këtij "oborri-qytet" aromën e ballokumeve, si simbol i festës së Ditës së Verës. Prej vitesh 14 marsi është shndërruar edhe zyrtarisht në një festë zyrtare. Ajo, në një mënyrë apo një tjetër, ka filluar të kremtohet kudo. Megjithatë, të paktë janë ata që e dinë se ç’përfaqëson Dita e Verës. Pra, ç’është Dita e Verës ?

Nga pikëpamja historike, Dita e Verës është shumë e lashtë. Është një festë pagane e kremtuar nga shqiptarët qysh në antikitet, pra para lindjes së krishterimit. Nga pikëpamja gjeografike, ajo festohej nga mbarë shqiptarët, në qytet e në fshat, në fushë e në malësi, në atdhe apo edhe në mërgim. Fakti që kremtimi i Ditës së Verës është bërë edhe nga arbëreshët (aq sa disa autorë e kanë quajtur "festë arbëreshe"), është dëshmi e përhapjes së saj të hershme ndër shqiptarët. Prof. Mark Tirta, studiuesi i shquar i etnografisë, pra i kulturës popullore, i riteve e zakoneve të shqiptarëve dhe popujve të tjerë, tregon se përgjithësisht Dita e Verës ka të bëjë me ringjalljen, me ringjalljen pranverore të natyrës në raport me dimrin që jep shpirt. Në këtë kontekst, shpjegon prof. Tirta, ritet e kësaj natyre janë të dokumentuara të paktën prej tre mijë vjetësh. Ato janë pasqyruar në mitologji, në veprat e Homerit etj. Kemi të bëjmë, kështu me një traditë mesdhetare, për të mos shkuar më tej. Sidoqoftë, Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit. Në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit. Kjo sipas kalendarit Julian. Siç dihet, në Evropën Perëndimore, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos kalendari Gregorian. Por në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian. Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Të tillë kanë mbetur emrat e tyre edhe pse, nga 15 tetori i vitit 1582, kohë në të cilën hyri në fuqi reforma gregoriane, ata janë respektivisht, muajt e nëntë, i dhjetë, i njëmbëdhjetë dhe i dymbëdhjetë.

Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit. Dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte, sikurse edhe sot, fillimin e stinës së pranverës. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e sotme (ngrohja globale nuk kishte filluar ende). Njerëzit mezi prisnin që të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qengjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë. Sshkurt, Dita e Verës simbolizonte ringjalljen e natyrës. Tradicionalisht dalja nga dimri shoqërohej me një bilanc, sidomos për gjënë e gjallë. Aq sa edhe në gjuhën e përditshme të shqiptarëve, sidomos të zonave të thella malore të izoluara gjatë dimrit, ishte bërë zakon që njerëzit të pyesnin njëri-tjetrin : "Si dole në verë ?", ose "Sa nxore në verë ?" (sa bagëti ?) etj. Pra "me dalë në verë" kishte kuptimin me mbijetue, me ia arrit asaj dite (Ditës së Verës). Vera simbolizonte të mirën, mbarësinë, dritën, gëzimin. Kjo, kundrejt dimrit, të egrit, kiametit, gazepit. [3] Ja disa shprehje, si për të ilustruar këtë ide : "Asht si vera", "Ka një djalë e një çikë si vera", "Tu bëftë jeta verë/behar", "Asht rritë jetim, pa verë në jetë të vet", "Ajo punë iu ba verë" (iu pri mbarë) etj. Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të maleve, në majën e Tomorrit, të Çikës, të Gramozit, të Korabit, të Dejës, Krujës, Dajtit, Gjallicës, të majës së Hekurave etj. Kjo, për të qenë sa më afër Perëndisë së Diellit, jetëdhënësit, para të cilit luteshin për begatinë përgjatë vitit të ri. Madje adhurimin e tyre për perëndinë e tyre "Diell", shqiptarët e përjetësuan me emrin "e diel" (sikurse anglezët), ndryshe nga popujt e tjerë evropianë, të cilët e kanë emërtuar Dita e Zotit.

Dita e Verës shoqërohej me zjarre (zakonisht dëllinjash) mbrëmjeve, në mes të fshatit, të cilët i kapërcenin burrat e djemtë, si për t’i lënë lamtumirën dimrit. Dita e Verës ishte dita e verojkave (ose veroreve). Nëse i referohemi "Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe" (viti 1980, faqe 2135), verojka ishte një gjalmë i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë). Por, siç shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve të nderura. Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat. Kjo është bërë, deri vonë, edhe në Tiranë. Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare. Megjithatë, kremtimet kanë pasur nuanca të ndryshme për krahina të ndryshme. Etnologu i mirënjohur Bernardin Palaj, njohës i thellë i trashëgimisë kulturore sidomos të malësisë së Veriut, ka shkruar që në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, për mënyrën se si festohej atje Dita e Verës. Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet klerikale e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore. Si festë pagane, ajo është kremtuar që në lashtësi.

Mëse një shekull më parë, kur Shqipëria ishte ende nën sundimin osman, Konica shkruante, për shembull, se "Dita e Verës është një ditë në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve..." Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë (mbarë)shqiptare? Të paktën në atë masë që ajo (referuar prof. Kristo Frashërit), ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Edhe nëse në disa vise ajo filloi të venitej, përsëri duhet të rigjallërohet dhe të kthehet në një festë mbarëshqiptare, mbasi është më tradicionale se të kremtet fetare. Dita e Verës, ashtu sikurse edhe Viti i Ri, është festë e të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, ideje, bindjesh, përkatësish, apo besimi fetar. Por në të vërtetë kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani. Pse ? Sepse gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më. Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë. Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit. Tani ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Por ndryshe është të festosh e ndryshe është të bësh një pushim zyrtar. Madje ndryshe është të festosh, ndryshe të ndjesh me të vërtetë. Elbasani, pra ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.

Për të kuptuar ndryshimin midis kremtimit "alla-elbasançe" të Ditës së Verës, me atë që bëhet gjetkë, nëpër Shqipëri apo ndër shqiptarë, mjafton t’u referohemi ballokumeve. Në Elbasan përgatitjet për ballokumet të bëhen me kohë. Dihet se ku do të merret mielli i misrit për to, ku do të merret gjalpi, ku do të merret sheqeri. Dihet si do të rrihen, si do të shtrihen, si do të piqen. Me ç’gradacion, me ç’ritëm kohor. Të gjithë e dinë, për shembull, se ballokumet bëhen me miell misri. Por pak e dinë se një kg miell ballokumesh del (pas një cikli sitjesh) nga 7–8 kg miell misri. Edhe sheqeri ndryshon (është i imët), edhe gjalpi... Pra recetat për ballakumet nuk funksionojnë kudo. Unë kam vrojtuar, madje prej shumë vitesh, përgatitjen e ballokumeve të Elbasanit. Dhe mund të pohoj me bindje se edhe sikur gjithçka materiale të jetë njësoj (duke përfshirë edhe profesionalizmin e atij që i përgatit), përsëri ballokumet e Elbasanit ndryshojnë. Ato kanë gjithnjë diçka më shumë. Sepse Elbasani fut një "element" plus në recetën e ballokumeve. Kjo është dashuria. Ballokumet e Elbasanit kanë brenda shumë, shumë dashuri. Sikurse vetë Dita e Verës në Elbasan është një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Le të përpiqemi që t’i afrohemi Elbasanit në dashurinë që jep ai në Ditën e Verës. Sado vështirë që është.

Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë : "Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar..." Le të urojmë, sërish me gjuhën e Konicës : "Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari !".

Dita e verës, si festohet nga veriu në jug

Redakto

Ca pikla uji mbi fytyrë dhe kur hap sytë shikon lulet e para të verës mbi jastëk. Ky është zgjimi i një fëmije në fshatrat e Tropojës në Ditën e Verës. Nënat që si zakonisht zgjohen herët për të kryer punët e shtëpisë mbledhin lule, gjethe dhe fije bari. Këto pastaj i hedhin me kujdes mbi fytyrat e fëmijëve dhe mbi jastëk kur ata ende flenë. Dhe zgjimi bëhet me ca pikla uji mbi fytyrë. Në skajin verior të Shqipërisë, fëmijët gjatë gjithë ditës këpusin dëllinja dhe i bashkojnë ato në një vend në formën e mullarit. Pavarësisht se data ndryshon nga ajo që është zyrtarizuar në kalendar, atje 22 marsi simbolizon ditën e verës, ndoshta kjo vonesë vjen për shkak të klimës paksa më të ftohtë krahasuar me Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut. Dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje dhe fëmijët bërtasin, këndojnë dhe hedhin valle rreth flakëve të larta.

Tropojë

Redakto

Kjo stinë në Tropojë grumbullon shumë njerëz në fshatin Luzhë ku ata kërkojnë ndihmë dhe mbarësi nga tyrbe të kthyera tashmë në idhuj. Të mëdhenj dhe të vegjël udhëtojnë me kilometra ne terrene malore për të mbërritur ne këto tyrbe vërtetë të shenjta dhe hyjnore.

Dibër

Redakto

Zjarri në fakt është karakteristikë e pothuaj gjitha trevave shqiptare. Edhe në Dibër fëmijët ndezin zjarre në mbrëmje. Por një tjetër karakteristikë për këtë krahinë të madhe shqiptare të bën të mendosh për natyrën pagane të kësaj feste dhe mbi të qanit supersticioz të shqiptarëve. Rreth orës katër të mëngjesit njerëzit atje zgjohen "për të mbyllur dyert". Ky term do të thotë që të zgjohesh herët dhe kyçin e portës ta lidhësh me penj. Simbolika e këtij veprimi nuk dihet vetëm se është trashëguar ndër vite. Vezët e ziera gjithashtu janë tregues i kësaj dite.

Shqipëri e mesme

Redakto

Këtu edhe mendohet se ka lindur e ashtuquajtura dita e verës. Në Elbasan përmasat festive janë më të mëdha se kudo tjetër. Ato marrin karakter popullor dhe pjesëmarrja është në nivel shtetëror. Këngë, valle, turma që mbushin qytetin, vezë të ziera të lyera me lloj lloj ngjyrash, dhe ëmbëlsirat e famshme të quajtura Ballokume që mbushin tregjet. Kjo festë në fakt quhej e tillë vetëm në Elbasan dhe për zyrtarizimin e kësaj feste nga Elbasani pati xhelozira. Qytetin e Elbasanit e vizitojnë këtë ditë qytetarë nga shumë qytete të vendit.

Elbasan

Në Elbasan Dita e Verës është bërë festë popullore e mbarësi familjare e festuar nga të gjithë pa dallim. Zakoni i festimit të Ditës së Verës tek myslimanët e Elbasanit qëndron i pazhdukur dhe vazhdon të ruhet edhe sot me të njëjtën madhështi si dikur. Për festimin e kësaj dite populli i Elbasanit shpenzonte shumë para. Këto shpenzime ishin baraz me shpenzimet e Bajramit të Madh e të Vogël.[4] Festohet më 14 mars (1 mars allaturka), kohë kur ka çelur gjethi, ka mbirë bari, kanë çelur karakaftet dhe manushaqet. Dita e Verës mbeti festë unikale, që kremtohej sipas kodit tradicional me zakone e norma të veçanta, me këngë motmoti. Për këtë ditë ruhej e gjithë zahireja e motit të shkuar: palat e fikut, arrat, mollët, ftonjtë, mjalti dhe pekmezi.  Rituali niste  një javë përpara me përgatitjen e revanisë e të ballakumeve. Ishin të posaçme enët (prej bakri) për këto ëmbëlsira. Nuk mund të quheshe zonjë shtëpie pa njohur recetat e tyre. Traditë ishte edhe gatimi i gjelit të detit. Festimet fillonin që në darkë, në datën 13 me shtrimin e sofrës së madhe për familjarët e miqtë që kishin ardhur në Elbasan. Po në darkë përgatiteshin hiset (pjesët) të  gjitha të barabarta. Këto pjesë përbëheshin nga: ballokumet, palat e fikut, arrat, kofshët e gjelit të detit (për brezin e ri), vezët e ziera, simite, misra të zier.[5] Hiset do të merreshin me vete të nesërmen në piknik jashtë qytetit.

Festa më 14 mars nis me zgjim të hershëm. Fëmijët pajiseshin me verore. Në ritualin e Ditës së Verës, Kama (të bërit këmbë) shënonte solemnitet të veçantë. Ky gjest është detaji që dallon kremtimin e kësaj feste nga të gjithë festat që i kushtoheshin pranverës në Shqipëri e gjetkë. KAMA dëshmon një vëmendje të posaçme për të forcuar e mbajtur në vazhdimësi lidhjet mes brezave, krushqive, farefisit dhe miqësive. KAMA është shpërndarja e “hiseve”  nëpër krushqi dhe fisni. Për të bërë atë dërgoheshin fëmijë djalë apo vajzë, një apo disa kur të vegjëlit vinin njeri pas tjetrit nga mosha. Fëmija që do të bënte këmbë futej në derë me këmbën e djathtë. Për këtë arsye dhe rituali ka marrë këtë emër. Në këtë rit dërgohej hise dhe merrej hise duke uruar: Për shumë vjet! Palët konkuronin mes tyre, kush e kush të dërgonte hisen me të majme[6]. Ky rituar bëhej herët në mëngjes të datës 14 mars.

Për Ditën e Verës bëhej dhe një KAME tjetër: ajo e shkëmbimit të dhuratave ndërmjet të fejuarve.

Në Ditën e Verës të gjithë familjet dilnin që në mëngjes jashtë qytetit, për piknik, në vendet me të bukura të tij: Bysheku, Rrapi i Manzit, Ullini i Qejfit, Teferiçi, Shijoni, Krasta e Madhe, Hamlli i  Tabakëve, Burim i Bankës, Tepja e Zaranikës, Çarja e Stringës, Burimi i Ali Xhinsit, Kroi i Kalit, etj. E gjithë dita kalon duke luajtur, kënduar dhe vallëzuar. Festa mbaronte kur dielli fillonte të perëndonte. Disa nga këto grupe familjare merrnin me vete orketra popullore dhe këngëtarë, të cilët këndonin këngë si : “Me dyzinë po vjen vera”, “Ishje i sëmurë”, “Larpoi dimri”, “M’udhe dola” etj.[7]

Skrapar dhe Lushnjë

"Verore" quhet peri që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shikohet dallëndyshja e parë. Veroret bëhen me pe ngjyrë të bardhë dhe të kuqe. Këto dy ngjyra simbolizojnë pastërtinë e shpirtit dhe shëndetin. Pasi zgjidhet mendohet një dëshirë dhe më pas peri hidhet në një ferrë ose trëndafil, apo vendoset në degën e një peme me shpresën që një dallëndyshe të vijë ta marrë për të ndërtuar folenë e saj dhe kështu të realizoj dëshirën e menduar. Kjo praktikohet në Skrapar dhe në Lushnje.

Në këtë ditë fëmijët në Skrapar shkojnë derë më derë duke kënduar këngën e ditës së verës, ndërsa ju jepen si dhurata vezë të ngjyrosura te cilat i thyejne nëpër koka. Gatimi tipik i Skraparit për këtë festë, përvec ballokumeve është edhe anak (lakrorë) me hithra. Ashtu si edhe ne Tropojë dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje, për të bërë sa më shumë tym dhe me tymin t'i jepet lamtumira të vjetrës dhe të këqijave, ndërsa fëmijët këndojnë dhe hedhin valle rreth zjarrit.

Lushnje bashkë me vezët zihet edhe misri e gruri, se sa misër zihet e dinë gratë lushnjare që duhet tu japin fëmijëve që vijnë duke këndur dhe dukë përplasur dy gurë më njëritjetrin. Ata kërkojnë misër ose vezë të ziera. Megjith ate ne lushnje dita e veres nuk festohet gjithmon ne 14 mars,ne fakt per ortodoksit festohet ne 1 mars ,ne 14 e festojne myslimanet.

Pogradec

Redakto

Qyteti piktoresk e feston këtë ditë më vezë të ziera të lyera në të kuqe. Fëmijët ndezin zjarre dhe vejnë në duar "veroret". Elementët e përbashkët nga veriu në jug i japin kësaj dite një unitet që tregon për karakterin pagan shqiptar. Ilirët, të cilët mendohet të jenë paraardhësit e shqiptarëve kanë qenë popull pagan që kanë adhuruar dhe besuar shumë "hyjni". Ritet e lashta kanë mbërritur deri në ditët e sotme dhe në familjet shqiptare tashmë vështirë se mund të bëhet diferencimi.

Peqin : Festohet "Nata e Verës"

Redakto

Banorët e qytetit të Peqinit kanë festuar mbrëmë Natën e Verës. Nën kujdesin e bashkisë janë organizuar aktivitete të shumta për këtë festë e cila në këtë zonë dhe në gjithë rajonin e Shkumbinit ka një traditë mjaft të hershme. Me këtë rast në sheshin qendror të qytetit të Peqinit mbrëmjen e djeshme është organizuar "Nata e Verës 2009".

Veprimtaritë i ka hapur panairi i prodhimeve të kuzhinës tradicionale të zonës së Peqinit. Të pranishmit dhe vizitorët kanë vlerësuar cilësinë dhe shijen e kuzhinës tradicionale. Në vijim nxënësit e shkollës 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit të Peqinit kanë zhvilluar parakalimin karnaval. "Nata e Verës" është mbyllur nga bashkia me një koncert festiv në shesh.

Kosova feston Ditën e Verëzës

Redakto

Dita e Verëzës është festuar edhe në krahinën e Opojës me 19 fshatra shqiptare, mbi 1000 metra lartësi mbi nivelin e detit, në komunën e Sharrit, po ashtu edhe në lokalitete të tjera të Prizrenit, në jug të Kosovës, sipas një tradite të lashtë, e ngjashme si Dita e Verës në Elbasan. Pjesë e festimeve janë daljet e të rinjve e të rejave në sheshe fshatrash, në bjeshkë, mbledhja e luleve të para, vallëzimi e këndimi, ndezja e zjarreve dhe gatimet speciale me miell misri e gruri, të cilat kanë ngjashmëri po nuk janë si ballokumet e Elbasanit.

Në këto anë me blegtori të zhvilluar, ndër shumë bereqetet që shtrohen në sofër janë mishi i qengjit dhe flija. Kjo festë bëhet me besimin se Dita e Verëzës sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore dhe ritet ndërlidhen me zgjimin e bimësisë, gjallimin dhe kalimin nga dimri në pranverë.

Berat, Ditra e Verës ndërthuret me karnavalet

Redakto

Festa e Ditës së Verës, e cila simbolizon ndryshimin mes stinëve, asaj të dimrit të acartë dhe pranverës së luleve, ka nisur që nëmëngjes edhe në Berat.

Në këtë festë pagane dhe tradicionale për qytetin e Beratit, mijëra banorë të qytetit muze kanë festuar në sheshin qendror edhe karnavalet e organizuara në këtë ditë. Karnavalet në këtë qytet tashëm janë bërë ritual. Festa ka filluar që herët ne mëngjes me grupet e fëmijëve të lagjeve dhe të shkollave 9- vjeçare të këtij qyteti. Grupe të fëmijëve, të veshur si në ditën e karnavaleve duke improvizuar djallin janë shfaqur me maska të ndryshme në simbol të festës të Ditës së Verës.

Grupe të ndryshme fëmijësh të kopshteve, shkollave 9- vjeçare dhe të mesme me maskat e tyre kanë përshkuar të gjitha rrugët që të çojnë në sheshin qendror të qytetit, duke kryer xhestet e humorit, nga ana tjetër është shfaqur një makinë, e cila në karrocerinë e saj kishte portretin e djallit para së cilën udhëtonte një pajton me nuse që simbolizon ditën e festës.

Festa e organizuar nga bashkia dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve ka vijuar me paradën e karnavaleve dhe më pas koncertin festiv dhe konkurrues.

Për konkursin janë ndarë dhe çmime për kopshtin dhe shkollën më të mirë në interpretim.

Festën e luleve, banorët e kanë festuar edhe në lokalet dhe në kodrat e qytetit si dhe në pikat turistike jashtë tij. Ndërsa në këtë ditë nuk kanë munguar edhe vizitat në familje.

Gostivar, Karshiakë, Kërçovë

Redakto

Shkup, 13 mars - Ekuinoksi pagan i pranverës, e quajtur Dita e Verës troket më 14 mars. Kalimi nga një stinë në tjetrën mbetet një prej festave që shqiptarët vazhdojnë ta kremtojnë në formë dhe përmasa të ndryshme. Diku më pak e diku më shumë tradita vazhdon.

Më shumë në fshatra dhe disa qytete. Gostivari, Karshiaka, Kërçova e të tjera janë disa prej zonave të cilat më së shumti kremtohet. Piknikët familjare nëpër parqe dhe pika të tjera turistike janë një prej aktiviteteve më popullorë, në Shkup destinacioni i preferuar është Kalaja.

Menyja e festës ka gatesën tradicionale për këto zona, specialiteti prej brumi i pjekur në saç - flia, si edhe disa lloje ëmbëlsirash.

Tipike për këtë ditë janë edhe frekuentimet e "vendeve të mira". Përkatësisht shpellave të njohura për efektet shëruese dhe fatsjellëse. Etnologu Afet Jashari se për këtë festë, që nga forma e organizimit mund të quhet grarishte, vizitohen shpella të ndryshme si Shpella e Vërtekicës, apo edhe ajo e Ujit të kuq. Besohet se larja me ujin e saj, sidomos në Ditën e Verës sjell pjellorinë dhe fatin e mirë për gratë, shëndet për fëmijët.

Megjithatë, Dita e Verës, si një prej festave pagane ka filluar të kremtohet gjithnjë e më pak. Një traditë që vjen duke u zbehur nga viti në vit e nga gjenerata në gjeneratë.

"Festohet gjithnjë e më pak, këto festa vijnë duke humbur, traditat harrohen dhe një prej arsyeve është se njerëzit duke u lidhur gjithnjë e më shumë me besimin fetar, i largohen festave pagane, që nuk janë fetare. Vetëm më të vjetrit kanë dëshirë t'i festojnë, ndoshta si një traditë që e kanë aplikuar që në fëmijëri", thotë Jashari. Dita e Verës është një festë që daton që në lashtësi, si një traditë mesdhetare. Ritet e saj që lidhen me ringjalljen pranverore të natyrës dhe datojnë që prej mitologjisë, të pasqyruara edhe në veprat e Homerit.

Duke iu referuan sociologut Lekë Sokoli Festa e Verës nga pikëpamja gjeografike festohej nga mbarë shqiptarët, në qytet e në fshat, në fushë e në malësi, në atdhe apo edhe në mërgim. Fakti që kremtimi i Ditës së Verës është bërë edhe nga arbëreshët aq sa disa autorë e kanë quajtur "festë arbëreshe", është dëshmi e përhapjes së saj të hershme ndër shqiptarët. Ndërsa etnologu Bernardin Palaj, njohës i thellë i trashëgimisë kulturore sidomos të malësisë së Veriut, ka shkruar që në fillim të viteve '20 të shekullit të kaluar, për mënyrën se si festohej atje Dita e Verës. Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet klerikale e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore.

Dita e Verës përfshin festime të të dy kulteve tona të vjetra, të Diellit dhe të Gjarpërit. Sot ndizen flakadane në majat e maleve dhe të kodrave, në shumë krahina bëhen zjarret e kashtës, lidhen gjarpërinjtë, thuren e jepen veroret, shëtitet në natyrë, mblidhen familjet e fiset, sepse është ditë begatie. Në zjarret e kashtës kjo mblidhet si shtëllungë në fundin e një shkopi apo litari dhe rrotullohet në ajër duke lëshuar flakë e shkëndija derisa digjet.Pak a shumë duke qenë se festa shënon fundin e dimrit dhe fillimin e verës kryhen gjithë ritet e Diellit, majave të maleve dhe Zjarrit. Në Hyllveg festa është standardizuar në datë 21 mars kur arrihet dhe barasnata, ndërsa tradicionalisht për disa krahina festimet fillojnë në dt. 14, një javë më parë për të hapur festimin javor. Dt. 14 është njohur dhe nga shteti kështu që është shpallur ditë pushimi.

Korçë
Redakto

Korca se bashku me Kolonjen jane zona qe perdorin te dyja kalendaret per festimin e dites se Veres. Ne keto zona festohet edhe ne 1 mars edhe ne 14 mars. Vecanerisht ne daten 14 mars ne keto zona celet vertet moti dhe mbremjen para se te bjere dielli i dites se 14 marsit te vegjlit dhe te rinjte e Korces dalin neper lagjet e qytetit dhe ndezin zjarre. Tradicionalisht femijet neper mehalla bejne gare kush e kush te gjeje me shume shkarpa te beje zjarrin me te madh. Pastaj per mbaresi te gjithe perpiqen te kapercejne zjarrin si simbol i kapercimit me sukses te te ftohtit te dimrit dhe rigjallerimit dhe ndezjes se gjakut qe sjell Vera. Nenat dhe gjyshet neper shtepira bejen kulece me kripe ose te embla duke nenkuptuar jeten, gjallimin dhe bollekun. Ne date 14 femijet dhe jo vetem dalin me veze te ngjyera neper duar dhe me verore. Verorja - Zakon popullor. Më 1 mars, në fshatrat dhe qytetet krahinës së Korçës, fëmijëve dhe beqarëve djem e vajza u jepej një si rreth dore a varëse, e bërë me fill të tjerrur të kuq e të bardhë, term që ndoshta ka lidhje me emrin e stinës 'verë' në shqip. Në fund të ditës, vajzat i linin ato në degë peme ose në shkurre. Në qoftë se zogjtë i merrnin ato verore për të bërë fole, atëherë mendohej se vajza do të martohej brenda vitit.Ky zakon ruhet akoma per te gjitha moshat. Zakonisht besimtaret bektashinj e heqin veroren ne date 23 mars, diten e Sulltan Nevruzit dhe e vendosin ate ne pemet e Teqese se Turanit, nje fshat afer Korces, ose e heqin me te paren e dallendyshes se pare. Nqs nuk shkohet dot ne Teqe verorja e hequr vendoset ne nje shkure a peme.

Referime

Redakto
  1. ^ Për kremtimin e "Ditës së Verës" nga malësorët katolikë të veriut, e kemi nga At Berdardin Palaj
  2. ^ ''Dita e Verës'' e ka në faltoren Zana e Çermenikas, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit
  3. ^ Argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit
  4. ^ Vini, Leksi. Traditat zakonore të qytetit të Elbasanit. Rama Graf. fq. 57.
  5. ^ Bashkia, Elbasan (2003). Elbasani-Enciklopedi. Sejko. fq. 131.
  6. ^ Bashkia, Elbasan (2003). Elbasani-Enciklopedi. Sejko. fq. 132.
  7. ^ Vini, Leksi. Traditat zakonore në qytetin e Elbasanit. Rama Graf. fq. 58–60.