Elsa Morante
Elsa Morante (Romë, 18 gusht 1912 – 25 nëntor 1985) ka qenë një nga shkrimtaret italiane më të rëndësishme pas Luftës së Dytë Botërore. Ka qenë shkrimtarja e parë femër fituese e çmimit të rëndësishëm letrar Strega ndërsa romani i saj La Storia (Historia) është vlerësuar si njëri nga romanet më të rëndësishëm të shekullit XX.
Morante lindi në lagjen (rione-n) Transtevere por u rrit në atë Testaccio. Ishte fëmija e dytë e Irma Poggibonsit, një mësueseje shkolle fillore me prejardhje hebreje nga Modena, shoqe e Maria Montessorit, dhe një punonjësi postash nga Siçilia, Francesco Lo Monaco-s.[1] Morante dhe katër fëmijët e tjerë të Poggibonsit me Lo Monacon morën mbiemrin e të shoqit të Poggibonsit, një siçiliani tjetër të quajtur Augusto Morante, punonjës në një qendër riedukimi për të mitur në zonën Porta Portese të Romës.[2][3][4] Biografët tregojnë për një marrëdhënie të çuditshme mes Poggibonsit dhe Augusto Morantesː ai duhet të ishte impotent, por dhe shumë i dhënë pas të shoqes, dhe ishte mësuar të duronte poshtërimet dhe talljes prej të gjithë anëtarëve të familjes. "Por po ta kisha lënë, do kishte vrarë veten," citohet të ketë thënë Poggibonsi. Fëmijët mësojnë për babain e tyre natyral, i cili vrau veten në vitin 1943, vetëm në adoleshencë[5].
E ëma arriti të bindte një aristokrate romane, Maria Guerrieri di Gonzaga-s (Donna Gonzaga) t'i bëhej kumbarë që në lindje. Megjithëse familja jetonte kryesisht në lagjen popullore Testaccio, Elsa kalonte shpesh ditët në vilën e Donna Gonzagas në rionen ekskluziv Nomentana.
Morante nisi të shkruajë që herët dhe filloi të botonte në revistat për fëmijë Il corriere dei piccoli dhe I diritti della scuola. Nga familja shkëputet që mbas shkollës së mesme. Studimet për letërsi në Universitetin e Romës i lë në mes dhe jeton duke përkthyer, botuar shkrime dhe duke dhënë mësime private.
Në vitin 1936, Morante njihet në një mbrëmje miqsh me shkrimtarin Alberto Moravia, me të cilin lidhet menjëherë duke lënë një marrëdhënie me një burrë mjaft më të madh se veten. Martohet me Moravian në një ceremoni katolike në Romë në vitin 1941. Po në vitin 1941, boton përkthimin në italisht të librit Scrapbook të prozatores neozelandeze Katherine Mansfield dhe një libër me tregime, Il gioco segreto ("Loja e fshehtë"), kurse një vit më vonë fabulën Le bellissime avventure di Caterì dalla trecciolina ("Aventurat e mrekullueshme të Katerinës me bishtalec").
Në shtator të vitit 1943, pas grushtit të shtetit që largoi Benito Musolinin nga pushteti dhe pas dorëzimit të Italisë ndaj forcave aleate të zbarkuara në jug të ishullit, Gjermania naziste pushton vendin nga veriu. Për shkak të prejardhjes hebreje, Morante dhe Moravia marrin trenin për të kaluar në pjesën e kontrolluar nga aleatët në Napoli, por detyrohen të ndalin në Fondi, qytetth në krahinën e Çoçarisë në jug të Lacios pasi shinat e trenit ishin shkatërruar nga luftimet. Në atë zonë qëndrojnë deri në maj të vitit 1944, pak para hyrjes zyrtare të aleatëve në Romë. Frondi dhe zona përrreth do jenë sfond për romane të rëndësishëm të të dy autorëve, Çoçaren e Moravisë dhe Historinë e Morantes.[6][7]
Mbas lufte, në vitin 1948, boton romanin e saj të parë, Menzogna e sortileggio, me të cilin merr çmimin e rëndësishëm Viareggio. Pavarësisht pati mëdyshje për librin--pati nga ata që nuk ja pëlqenin stilin e stërholluar dhe realizmin--, kritiku shumë i rëndësishëm hungarez György Lukács e pati konsideruar romanin më të mirë modern italian. Në vitin 1957 do të fitojë çmimin tjetër të rëndësishëm, Strega, me romanin e dytë, L'isola d'Arturo ("Ishulli i Arturos").[8]
Morante dhe Moravia patën martesë të hapur. Ajo mbanti një lidhje erotike të fortë me regjizorin Luchino Visconti në vitet pesëdhjetë.[9] Por u nda nga Moravia, pa u divorcuar asnjë herë ligjërisht, vetëm në vitin 1961, kur ai vendosi të jetojë me shkrimtaren e re Dacia Maraini,[10][11] kurse Morante vazhdonte një lidhje me një piktor amerikan të quajtur Bill Morrow. Vetëvrasja e Morrow-it në vitin 1962 e dëshpëroi shumë Moranten.
Nxjerr vëllimin me tregime Lo sciallo andaluso ("Shalli andaluzian") në vitin 1963, pesë vjet më vonë, Il mondo salvato dai ragazzini ("Bota e shpëtuar nga kalamajtë").
Por është viti 1974 kur do botojë kryeveprën e saj La Storiaː Uno scandalo che dura da diecimila anni (botuar në shqip në vitin 2019 si "Historiaː një skandal i vjetër sa bota"),[12] një narrativë komplekse mbi një familje romane nën nazizëm dhe fill pas Luftës së Dytë Botërore, nën thundrën e pamëshirshme të 'forcave të Historisë'. Libri pati sukses të jashtëzakonshëm dhe të menjëhershëm në publik, megjithë vështirësinë fillestare të pranimit nga kritika italiane. Në vitin 1985, në një sondazh të së përditshmes italiane Corriere della Sera, doli si romani më i dashur dhe më i lexuar i letërsisë italiane të pasluftës.[13] Një sondazh i vitit 2002 me letrarë i organizuar nga Klubi norvegjez i librit për "100 librat më të mëdhenj të të gjithë kohërave" e përfshiu Historinë në listë.
Në mars të vitit 1980, në një restorant në lagjen e getos hebreje të Romës, Morante rrëzohet nga shkallët dhe thyen femurin. Kjo nisi një seri përkeqësimesh fizike të saj. Një përpjekje për vetëvrasje në vitin 1983--mbyllet në shtëpi, pi tre pilula barbiturate dhe hap gazin e sobës--i bën mjekët që e trajtuan t'i zbulojnë një hidroqefali, mbledhje lëngu në tru. Operacioni që pasoi nuk pati sukses dhe ajo lëngoi në gjendje të tillë për dy vjet.
Roman ishte libri i saj i fundit, Aracoeli, i botuar tre vjet para se të vdiste, për të cilin mori çmimin Prix Médicis étranger në Francë.
Dy nga romanet e Morantes janë kthyer në filmaː në vitin 1962, regjisori Damiano Damiani bëri Ishullin e Arturos, kurse Historinë Luigi Comencini e pati kthyer në film televiziv në vitin 1982.
Elsa Morante është vlerësuar si ikonë kulturore në Evropë. Në Itali, emrin e saj e mbajnë shkolla, rrugë, sheshe apo institucione kulturore. Elsa Morante quhet një rrugë në lagjen (arrondissement) 13 të Parisit.
Referime
Redakto- ^ "Chi è Elsa Morante?". Liceo Statale "Elsa Morante" di Napoli (në italisht). Arkivuar nga origjinali më 12 janar 2021. Marrë më 10 janar 2021.
- ^ "Elsa Morante sul Dizionario biografico delle donne". La Scuola per i 150 anni dell'Unità d'Italia - Portale sul Risorgimento Italiano (në italisht). Marrë më 5 janar 2021.
- ^ Garboli, Cesare. "Elsa Morante -- Cronologia della vita e delle opere" (në italisht). Romë, Itali. Arkivuar nga origjinali më 7 shkurt 2010. Marrë më 5 janar 2021.
- ^ Tuck, Lily (2008). Woman of Rome (në anglisht). New York: Harper. fq. 272. ISBN 9780061472596.
- ^ de Cecatty, René (2018). Elsa Morante: Une vie pour la littérature (në frëngjisht). Paris: Tallandier. fq. 7. ISBN 9791021022171.
- ^ https://www.nybooks.com/articles/2009/02/12/the-dark-in-the-piazza/
- ^ http://www.conjunctions.com/print/article/alberto-moravia-c38
- ^ https://www.einaudi.it/autori/elsa-morante/
- ^ https://libri.robadadonne.it/elsa-morante-lartista-la-femminista-e-quei-giochi-erotici-con-luchino-visconti/
- ^ "Elsa Morante su Italibri" (në italisht).
- ^ https://greencardamom.github.io/BooksAndWriters/emorante.htm
- ^ https://botimetliving.al/drame/historia-nje-skandal-i-vjeter-sa-bota/
- ^ https://www.pnreview.co.uk/cgi-bin/scribe?item_id=4911