Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë

This is the stable version, checked on 5 mars 2022. 1 pending change awaits review.

Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë Gjinia: Enciklopedi. Autori: Andrea Shundi. Shtëpia botuese: "Vllamasi". Viti i botimit 2012. Faqe 870. ISBN 978-9928-140-78-4

Mbi librin

Traktat madhor dhe udhërrëfyes për botën mbarëshqiptare të kulturës dhe të shkencës e teknologjisë, për vreshtarët e verëtarët, për njerëzit e biznesit dhe dashamirët e verës. Kemi të bëjmë me një botim të një rëndësie praktike edhe për investitorët, për kantinat/bodrumet në përmasa industrial dhe ato të prodhimit shtëpiak.Ekonomia e vendit dhe tregu i globalizuar, me konkurenca dhe natyra të sofistikuara, kërkojnë biznese me përgatitje maksimale edhe në vështrimin shkencor e praktik. Kjo Enciklopedi pasuron dhe nderon bibliotekat vetjake, të institucioneve, të biznesit etj.

Botim mëse cilësor në përmbajtje dhe paraqitje. Në të gjëndet gjithçka për vreshtarinë dhe verëtarinë, shpalosen njohuri për historinë dhe kulturën vreshtare-verëtare, shtjellohen mendësi dhe praktika për to. Gjithë këto, spikaten në 870 faqe ku përmbahen 3200 artikuj/terma që shoqërohen me 3800 sinonime dhe me 750 fjalë të urta-doke-gjëza, çka përbëjnë visare të qëmtuara nga autori nëpër botime dhe të mbledhura nëpër Shqipëri e Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në Çamëri, Mal i Zi, Maqedoni, Luginë e Preshevës, arbëreshët (Itali), arbërorët (Greqi), arbnorët (Kroaci). Recenzentët e mirënjohur (profesorët Renata Kongoli, Agim Zajmi, Bashkim Koronica në universitetet e Tiranës dhe të Prishtinës) dhe redaktorët e përkryer sikurse gjuhëtarët elitarë profesorët Emil Lafe dhe Jorgo Bulo, "Enciklopedisë" ia përsosën vlerat. Po ashtu: 500 fotot teknike me ngjyra, kapaku i fortë dhe me lidhje, letra me shkëlqim.

Dallojë dhe risi të "Enciklopedisë" janë shqipja mëse e dëlirë dhe e kulturuar, konceptimi i lartë shkencor-teknik dhe shprehja thukët e qartë e një shumësie teorish dhe të dhënash për secilën veprimtari vreshtare-verëtare. Gjithashtu paraqiten: 135 kultivarë dhe ekotipe hardhie shqiptare dhe ndërkombëtare, 15 institucione dhe 38 kantina/bodrume të shquara, 60 agronomë-enologë-someljé të shquar shqiptarë dhe arbëreshë. Çdo artikull shoqërohet me barazvlerësin në gjuhën angleze dhe italiane.

Këtë Enciklopedi, prof. dr. Andrea Shundi e ka mëkuar me nektarin e vreshtarisë dhe të verëtarisë mbarëshqiptare, me frytet e teorisë dhe të praktikave më bashkohore. Në një farë mënyre, lexuesit do ta shohin vehten të përfaqësuar permes ndonjë praktike dhe/ose sinonimi e fjale të urtë që lidhet me vreshtaribë-verëtarinë.