Eni Çobani
Eni Çobani është një juriste, pedagoge dhe personalitet televiziv.
Ajo u lind më 8 qershor 1977 në Fier, dhe nga ana e nënës është nga Kukësi. Tashmë ajo është personazhi kryesor tek rubrika "Shihemi në Gjyq", një gjykatë ndërmjetësuese si pjesë e emisionit E diela Shqiptare në TV Klan, që nga viti 2013. Ajo ka zgjidhur shumë çështje të cilat jo vetëm ishin të vështira, por edhe shumë të lodhshme, dhe herë-herë të pazgjidhshme nga gjykatat shqiptare.
Pas përfundimit të studimeve të larta, u emërua menjëherë pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Departamentin e së Drejtës Publike. Më pas, paralelisht me këtë rol, u emërua Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, e para në këtë post, që e mbajti për 3 vjet. Sapo ishte shpallur ligji i nëpunësit civil dhe debutimi në këtë post, ishte një sfidë e dyfishtë. Më pas ka qenë Avokate e Përgjithshme e Shtetit pranë Gjykatës së Lartë dhe Këshilltare e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, deri më 2005. Kohë nga e cila ka vijuar të jetë avokate dhe pedagoge dhe së fundmi dhe ndërmjetëse.