Ermelinda Meksi (emri i plotë: Ermelinda Ahmet Meksi) lindi më 5 janar 1957Tiranë. Është një politikane shqiptare.

Ermelinda Ahmet Meksi

Ermelinda Meksi është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1979. Në vitet 1986 dhe 1993 ka fituar gradën “Doktor” në ekonomi-statistikë dhe demografi. Në vitin 1994 merr titullin “Asistent Profesor” dhe një vit më pas titullin “Profesor”.

Karrierën profesionale e ka filluar në vitin 1980, si pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, ku ka punuar deri në vitin 1996. Gjatë vitit akademik 1992-1993, ka qenë pjesë e programeve të UNDP duke u angazhuar si lektore e jashtme dhe pjesëmarrëse në punë kërkimore në Departamentin e Demografisë pranë Universitetit La Sapienza, Romë, Itali.

Në vitin 1992, zj. Meksi është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ku ka vijuar të punojë për 6 legjislatura të njëpasnjëshme deri në nëntor të vitit 2011, moment në të cilin ndërpreu mandatin parlamentar për t’u zgjedhur nga Kuvendi në detyrën e anëtares së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Në vitet 1997-1998, ka mbajtur postin e ministrit të Shtetit për Ndihmën e Huaj dhe Zhvillimin, ndërsa nga viti 1998 deri në vitin 2002 ka shërbyer si ministre e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë. Në periudhën shkurt – qershor 2002, zj. Meksi ka qenë ministre e Ekonomisë dhe më pas në qershor – dhjetor 2003 zëvendëskryeministre dhe ministre Shteti për Integrimin Evropian. Nga dhjetori 2003 deri në shtator të vitit 2005, zj. Meksi ka mbajtur funksionin e ministres për Integrimin Evropian dhe njëkohësisht të kryetares së Ekipit Negociator Shqiptar me Bashkimin Evropian. Në vitet 2010 –2011, ka qenë kryetare e Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Integrimin Evropian.

Zj. Meksi ka pasur ndër vite edhe një sërë angazhimesh të tjera profesionale në borde e këshille, si kryetare dhe anëtare e Bordit të Fondit Shqiptar për Zhvillim, koordinatore kombëtare e OKB-së dhe Programeve Phare/Cards në Shqipëri, guvernatore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, guvernatore e Bankës Islamike për Zhvillim, kryetare e Ekipit Negociues në Organizatën Botërore të Tregtisë që udhëhoqi me sukses anëtarësimin e Shqipërisë në OBT në shtator të vitit 2000, koordinatore kombëtare e Paktit të Stabilitetit, kryetare e ekipit negociator shqiptar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe anëtare e bordit të Universitetit Marin Barleti.

Njëkohësisht, ajo ka vijuar edhe veprimtarinë akademike si lektore në nivel studimesh universitare dhe pasuniversitare pranë Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Universitetit Marin Barleti, Zonja e Këshillit të Mirë, ISSAT, Magis në lëndët: ekonomi ndërkombëtare, statistikë, demografi, ekonomi dhe zhvillim, dhe cikli i menaxhimit të projekteve. Ajo ka zhvilluar edhe cikle leksionesh në disa universitete të huaja në Itali, SHBA, Belgjikë, për çështje të veçanta të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri. Zj. Meksi është autore e një numri të madh botimesh, në tekste universitare, studime, artikuj politikë dhe shkencorë në shtypin vendas dhe të huaj.

Njeh mirë gjuhët angleze, italiane dhe franceze.

Zj. Ermelinda Meksi është zgjedhur anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.

Edukimi

Redakto
  • Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë.
  • Universiteti "La Sapienza", Itali - Mbrojtje Doktorature në Demografi dhe Statistikë.
  • Doktor i Shkencave Ekonomike; Doktor në Demografi; Profesor Doktor

Veprimtaria profesionale

Redakto
  • Profesioni: Ekonomiste.
  • 1998-2002: Guvernatore e Bankës Islamike për Zhvillim ; Guvernatore e Bankes per Rinderitim dhe Zhvillim
  • 1997-2002: koordinatore kombëtare e OKB-së për Programin PHARE-Cards për Shqipërinë ;
  • 1997-2002: Guvernatore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ;
  • 1996 e vazhdim: eksperte-këshilltare për BE-në dhe Universitetin "La Sapienza" të Romës ;
  • 1980-1992: pedagoge e statistikës dhe demografisë në UT, Fakulteti i Ekonomisë ;
  • 1978-1980: ekonomiste në Ndërmarrjen Gjeologjike, Tiranë.

Veprimtaria politike

Redakto
  • 1991: anëtare e Kryesisë së PS-së që nga themelimi i saj ;
  • 1992-2001: deputete dhe anëtare e APF-së (Asamblea Parlamentare e Frankofonisë) ;
  • 1997-1998: Ministre Shteti për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik ;
  • 1998-2001 dhe 2001-2002: Ministre e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtisë dhe Ministre e Ekonomise ;
  • 2000-2002: koordinatore kombëtare për Paktin e Stabilitetit ;
  • 1998--2002: kryetare e grupit Negociator për OBT-në ;
  • 2003 (korrik-dhjetor): Zv/kryeministre dhe Ministre e Integrimit Evropian ;
  • 2003 (korrik)-2005 (shtator): Ministre e Integrimit Evropian.
  • 2005-2009 Deputete ne Kuvendin e Shqiperise,Nenkryetare e Komisionit Parlamentar te Integrimit Europian
  • 2009-2011 Deputete ne Kuvendin e Shqiperise,Kryetare e Komisionit Parlamentar te Integrimit Europian
  • 2011-2015 Anetare e Keshillit Mbikqyeres se Bankes se Shqiperise dhe Profesore ne Universitetin e Tiranes,Fakulteti Ekononmise
  • 2015 e vazhdim Zv Koordinatore e OCEEA dhe kryetare e aktiviteteve ekonomike në Sekretariatin e OSBE ne Viene

Zgjedhur në

Redakto
  • Legjislatura: XVIII
  • Zona zgjedhore: Fier dhe 5 here ne zonen zgjedhore ne TIRANE
  • Deputete edhe në Legjislaturat XIII, XIV, XV ,XVI,XVII,XVIII
  • Grupi parlamentar: PSSH
  • Komisionet parlamentare: Komisioni për Ekonomine dhe Integrimin Evropian - Zv kryetare dhe Kryetare.