Fadil Bekteshi
Fadil Bekteshi u lind në fshatin Muhoc të komunës së Bujanocit në Kosovën Lindore në vitin 1955. Familja e tij në vitin 1960 u shpërngul nga ky fshat dhe u vendos në fshatin Llopat të komunës së Kumanovës, në Maqedoni. Shkollën fillore e kreu në Llopat dhe Kumanovë, të mesmen në Kumanovë ndërsa Fakultetin filologjik, dega për letërsi shqipe e kreu në Prishtinë. Punoi në Televizionin e Prishtinës në redaksinë për fëmijë, e pastaj në Shkup redaktoi revistat për fëmijë. Prej vitit 1992 u kthye në Kumanovë ku udhëhoqi vite me radhë Klubin e Shkrimtarëve Shqiptar të Kumanovës "Jehona e Karadakut". Po aty themeloi Manifestimin kulturor-letrar “Takimet Poetike të Karadakut”, u morr me botimin e librave si dhe themeloi e redaktoi revistën e parë të pavarur kulturore në Maqedoni - “Doruntina”. Degdisjet e tij nëpër këto qytete për të punuar i bëri për t’i bishtnuar pushtetit të atëhershëm, i cili përcillte veprimtarinë patriotike të tij dhe të motrës së tij. Me shkrime ka filluar të merret që nga shkolla fillore. Vdiq në fshatin Llopat, në vitin 1998.
Fadil Bekteshi | |
Emri | Fadil |
Mbiemri | Bekteshi |
Lindur më | 1955 |
Lindur në | Muhoc, Bujanoc |
Vdiq më | 1998 |
Vdiq në | Llopat |
Kombësia | shqiptare |
Profesioni | shkrimtar |