Fuqizimi i skllavopronarisë në Ilirinë Antike
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. |
Lulëzimi i qyteteve. Pamja e tyre
RedaktoPeriudha midis viteve 335-230 p.e.s. është koha e shtrirjes së mëtejshme të jetës qytetare në Iliri, e zhvillimit të vrullshëm dhe e lulëzimit të qytetit ilir. Ajo përputhet me fuqizimin më të madh të shtetit ilir. Jeta qytetare u zhvillua veçanërisht në krahinat e ultësirës bregdetare, në shpinë të Dyrrahut e Apolonisë, zonë që përbënte tani qendrën e shtetit ilir. Për Damastionin dhe qytetet e tjera të brendshme në burimet nuk bëhet më fjalë. Duket se pas hyrjes së disa krahinave lindore në përbërjen e shtetit maqedon, këto qytete e humbën rëndësinë që kishin në kuadrin e shtetit ilir. Qytete të tjera, si Bylisi, Amantia, Kanina (Thronioni ?) janë ndër ato qytete të vjetra, që u rritën e u zhvilluan dhe luajtën në këtë kohë një rol të dorës së parë. Krahas tyre lindën në këtë zonë edhe një varg qytetesh të reja, si Dimli, Olympe (Mavrovë-Vlorë), Gurzeza (Cakran), Antipatrea, qytetet në Zgërdhesh (Albanopoli ?), në Gradishtën e Belshit, në Selcën e Poshtme, në Irmaj, etj., të panjohura më parë. Që nga kjo kohë jeta qytetare shtrihet edhe në krahinat bregdetare në veri të lumit Mat. Qendrat e para urbane në këto anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni, etj., lindën vetëm në fundin e shek. IV - fillimin e shek. III p.e.s. Por në krahinat e brendshme të luginës së Matit e të Drinit të mesëm nuk ka ende dëshmi të qendrave urbane dhe duket se jeta qytetare këtu nuk u zhvillua.
Qytetet e reja si edhe më parë, zënë një vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së tyre ndjek në përgjithësi rrugën e njohur të zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve të fortifikuara të epokës së hekurit, por në disa raste si në Dimale, Olympe, Selcë e Poshtme etj., qyteti lind mbi një truall të ri. Karakteristikë e veçantë e qyteteve në veri të lumit Mat është se ato janë të kthyera me fytyrë nga deti. Për ndërtimin e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve, vende të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura nga rreziqet dhe të papriturat e tij.
Pamja e përgjithshme urbanistike nuk është e njëjtë për të gjitha qytetet ilire të kësaj kohe. Ato dallohen sipas madhësisë dhe rolit ekonomik e politik të tyre: ka qendra të mëdha qytetare, si Bylisi, Dimale, Nikaja, Amantia, Antigona, Skodra, Lisi etj., ka edhe qendra më të vogla prodhimi, si Albanopoli, Belshi, Irmaj, Symiza, Gurzeza, Kanina, Treporti, Çuka e Ajtojt, etj. Një kategori tjetër formojnë qendrat me fizionomi qytetare, por me funksione ushtarake dhe administrative, si Beltoja, Xibri, Dorezi, Peshtani, Rabija, Cerja, Lekli, Selo, Ripsi etj.
Duke u mbështetur në kushtet e terrenit dhe të rrethanave në të cilat lindi dhe u zhvillua qyteti ilir mund të veçohen tre tipa qytetesh.
Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të cilat kanë një akropol në majë dhe qytetin poshtë tij. Të tilla janë Lisi, Zgërdheshi dhe ndonjë qendër tjetër që u ndërtuan në faqe kodrash. Qendrat e vjetra që u dhanë jetë këtyre qyteteve zinin më parë majat e kodrave. Me kalimin e kohës kufijtë e ngushtë të këtyre qendrave u kapërcyen dhe qyteti u shtri nëpër faqet e kodrave. Kur u forcuan ekonomikisht qytetet rrethuan sipërfaqen e re me mure mbrojtëse, duke i zgjatur ato në vijim të mureve ekzistuese të vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm i qendrës së vjetër u kthye në këtë rast në një mur të brendshëm të tërthortë, që ndante qytetin në dy pjesë: në atë të sipërm - akropolin, dhe në atë përfund tij - qytetin e poshtëm. Në Lis, ky tip qyteti pati një zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar një ndarje të tretë, qytetin e mesëm, që veçohej prej pjesëve të tjera të qytetit me një mur të dytë të brendshëm.
Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën e vogël të një kodre të veçuar me faqe të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu rreth e qark qendrës së vjetër. U krijua kështu një tip qyteti me akropolin në mes dhe qytetin rreth tij. Qytetet e këtij tipi duket se nuk kishin një mur të jashtëm rrethues për lagjet e jashtme dhe mjaftoheshin vetëm me fortifikimin e akropolit. Ndryshe prej këtyre qyteteve, Antipatrea, Dimale, Margëlliçi, Irmaj etj., u ngritën mbi kodra që kishin një syprinë kryesisht të rrafshtë me kurrize e thyerje të buta. Këto qytete që lindën mbi një truall të ri duket se nuk kanë pasur akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin me një mur të vetëm. Ato përbëjnë tipin e tretë të qyteteve ilire.
Prej qyteteve të vjetra Bylisi ndoqi një rrugë të veçantë në zhvillimin e tij. Kodra e Klosit, mbi të cilën ishte ngritur qyteti i vjetër, në fund të shek. IV nuk i plotësonte më nevojat e zgjerimit të kësaj qendre. I vetmi vend që paraqiste kushte më të përshtatshme për këtë qëllim ishte kodra e Hekalit, 1500 m prej Klosit, ku filluan të vendosen qytetarët, duke i dhënë jetë një vendbanimi të ri. Që nga kjo kohë të dyja qendrat u zhvilluan paralelisht si dy pjesë të veçanta, por të ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi epërsinë dhe u bë më përfaqësuesi. I parë më vete Bylisi ka të gjitha tiparet e qyteteve të tipit të tretë, pa akropol. por së bashku me Klosin ai përbën një kategori të veçantë qyteti.
Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme që mund t’u bëhen qyteteve ilire, trajtimi i tyre urbanistik u përgjigjej disa kërkesave themelore, siç ishin vendosja e qendrës së banuar në një terren jo të sheshtë, rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në tri pjesë kryesore, për banim, për veprimtari shoqërore e mbrojtje dhe krijimi sipas kushteve të terrenit, i unitetit midis agorasë dhe komplekseve të banimit.
Një nga kriteret bazë të qytetit ilir të asaj kohe ishte modelimi sipas vijës së jashtme i mureve rrethuese, traseja e të cilëve shfrytëzon sa më mirë mundësitë mbrojtëse të terrenit. Në këtë sistem fortifikimi muret e qendrave të vjetra të epokës së hekurit shfrytëzoheshin vetëm pjesërisht. Qytetet e ngritën mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt të re që u përgjigjej nivelit dhe kërkesave të kohës. Muret rrethuese të Lisit dhe të Shkodrës u ndërtuan në stilin e njohur trapezoidal-poligonal, kurse ato të Bylisit, Dimales, Margëlliçit, Irmajt e të Zgërdheshit, ndiqnin stilin kuadratik. Këto ishin mure të fuqishme të ndërtuara me blloqe të mëdha e të skalitura me një trashësi prej 2,70-3,50 m dhe që në kohën e vet arrinin një lartësi prej 10-12 m. Ato përforcohen tani me kulla të shumta.
Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose dy porta, qytetet që kanë tani një jetë më të dendur dhe lëvizje të madhe kanë porta të shumta, të mëdha e të vogla, për të lehtësuar hyrjen e daljen e qytetarëve. Meqenëse portat përbënin pikat më të prekshme, mbrojtjes së tyre i kushtohej një kujdes i veçantë. Ato zakonisht vendoseshin midis dy kullave dhe në rastin kur mbroheshin nga një e tillë e vetme, atëherë kulla ngrihej në anën e djathtë të hyrjes, me qëllim që të shfrytëzohej krahu i zbuluar i armikut. Nuk njihet ende në masën e duhur ndërtimi i brendshëm i këtyre qyteteve, por edhe ato të dhëna të pakta që kemi dëshmojnë se ato janë ndërtuar sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse në Greqi, Maqedoni dhe në Epir, në bazë të parimeve urbanistike të njohura të kohës helenistike. Përveç ndarjeve të mëdha, akropolit dhe qytetit të mesëm e të poshtëm, në këto qytete dallohet edhe pjesa ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu i qytetit. Skodra e Lisi dhe qytete të tjera të ngritura buzë detit apo lumenjve, kishin edhe skelat e tyre.
Rrugët ishin një element themelor urbanistik që e ndanin qytetin në insola, që niseshin nga hyrjet kryesore apo të dyta, përshkonin qytetin në drejtime të ndryshme dhe lidhnin në mënyrë organike pjesët përbërëse të tij.
Vendet më në dukshme janë përdorur në qytetet ilire për ndërtimin e godinave të rëndësishme shoqërore. Vende të tilla zinin tempujt, teatrot, portikët, stadiumi në Bylis, Amantie, Dimale etj., varret monumentale në Selcë të Poshtme etj. Kur terreni ishte i pjerrët, ai sistemohej për nevoja të ndërtimeve qytetare me anë tarracash.
Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes së qytetit me kanale kulluese, të cilat shkarkonin ujërat jashtë mureve rrethuese. Furnizimi me ujë të pijshëm mbështetej kryesisht në sterat dhe rezervuaret që ndërtoheshin brenda qytetit ose në trashësinë e mureve rrethuese.
Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire e japin hapësira që ato zinin dhe perimetri i mureve të tyre rrethuese. Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe prej rreth 20 ha dhe muret e tij kishin një gjatësi prej 2 200 m; Bylisi shtrihej mbi një sipërfaqe prej 28 ha, ndërsa muret ishin 25 550 m të gjatë, kurse Klosi kishte pushtuar në kodrën e vet 18 ha tokë, që rrethoheshin prej muresh me një gjatësi prej 1 850 m. Nuk dimë shtrirjen e saktë të Skodrës, por duket se ka qenë pak më e madhe se ajo e Lisit. Qytetet e tjera, si Antipatrea, Dimale, Zgërdheshi kishin një madhësi mesatare: sipërfaqja e shtrirjes së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse muret perimetrale nuk i kalonin të 1 400 m. Një grup i tretë qytetesh, si Irmaj, Margëlliçi etj., ishin më të vegjël; muret e tyre ishin nën 1 400 m të gjatë dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej 5-7 ha. Megjithëse qytetet e kësaj kohe shtriheshin edhe tej mureve rrethuese (jashtë tyre gjejmë dendur gjurmë banesash, tempuj e ndërtime të tjera), prapëseprapë truallin kryesor të qytetit e përbënte territori brenda mureve rrethuese.
Muret rrethuese dhe godinat shoqërore që janë ruajtur dëshmojnë se ndërtimet e tyre u nënshtroheshin parimeve të njohura të urbanistikës antike. Vetëm ndërtues të aftë dhe me njohuri të thella teknike mund të zgjidhnin detyrat e ndërlikuara që paraqisnin ndërtimet mbrojtëse dhe ato me karakter publik e privat, në atë shkallë të gjerë dhe në atë nivel të lartë që njohin qytetet ilire që nga fundi i shek. IV deri në mesin e shek. III. Jeta dhe kërkesat e kohës i përgatitën këta ndërtues midis vetë popullsisë ilire. Realizimi i këtyre ndërtimeve ishte vepër e një shoqërie skllavopronare që kishte mundësitë e organizimit dhe të sigurimit të materialeve për një veprimtari kaq të gjerë ndërtuese.
Procesi i shndërrimit të disa qendrave të fortifikuara të epokës së hekurit në qytete nuk përfshin dhe as që mund të përfshinte të gjitha këto qendra. Midis tyre u veçuan dhe u kthyen në qytete vetëm ato që kishin një pozitë gjeografike të përshtatshme për një zhvillim më të lartë. Pjesa tjetër, më e madhja e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me një jetë ekonomike të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë bënë, nga ana tjetër, që krahas këtyre qendrave të lindin në rrugët e komunikacionit ose rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të vogla, të fortifikuara, me funksione ushtarake e administrative. Të tilla mund të konsiderohen kalaja e Xibrit në Mat, e cila zinte një pikë kyçe në rrugën që të çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore nëpër Shkallën e Tujanit - Qafë Murrizë - Dibër - Maqedoni; qyteza e Shkamit në rrugën e Krrabës, kulla e Kamunaut në Sulovë, në rrugën që lidhte ultësirën bregdetare pas Apolonisë me luginën e Devollit; pikëvrojtimi i Rabies në Mallakastër, në rrugën që ndjek krahun e djathtë të Vjosës e të tjera si këto, të cilat gjenden pa përjashtim në të gjitha rrugët e dorës së dytë që përshkonin truallin e vendit tonë. Tek autorët antikë dhe në burimet epigrafike këto qendra përmenden si kështjella apo fortesa rreth qyteteve me termat castellum apo peripolia. Ato janë në funksion të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike dhe administrative, qoftë nga ajo ekonomike. E para duket në vendosjen e tyre pranë qafave ose rrugëve që të çojnë drejt qytetit, duke krijuar një kurorë fortifikimesh në zonën gjeografike ku qyteti mbizotëron me ekonominë e vet. E dyta shprehet në faktin se ato më tepër konsumojnë prodhimet e qytetit sesa prodhojnë vetë.
Rritja e prodhimit zejtar dhe e tregut
RedaktoNë fushën e prodhimit kjo periudhë shënon përparime të dukshme. Punishte të shumta metalesh funksiononin në çdo qytet. Mbeturinat e farkave, zgjyrat, të cilat janë ndër gjetjet e zakonshme në trojet e këtyre qyteteve, dëshmojnë qartë për këtë. Pasuritë minerale të Ilirisë së Jugut, veçanërisht ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë të parë të bollshme. Në këto punishte farkëtoheshin veglat e punës, armët dhe punoheshin stolitë e enët metalike që u nevojiteshin qytetarëve dhe banorëve të rretheve në jetën e tyre të përditshme. Gjetja me shumicë e këtyre sendeve në qytetet dhe në varrezat e kësaj kohe dëshmon për karakterin intensiv të prodhimit zejtar dhe për konsumin e gjerë të këtyre mallrave.
Në qytete kishte edhe punishte zejesh të tjera si ato për regjjen e lëkurave, punimin e veshmbathjes, endjen dhe thurjen e rrobave etj. Një nga zejet më të rëndësishme ishte ajo e gurgdhendësve, të cilët angazhoheshin në ndërtimet monumentale të qytetit, si në ndërtimin e mureve rrethuese të qytetit, në godinat shoqërore, në ngritjen e varreve monumentale etj. Veprimtaria e grupeve të specializuara të gurgdhendësve provohet nga guroret e zbuluara në Selcë të Poshtme, Bylis, Amantia, në shkallët e Konispolit etj. Zhvillim të dukshëm mori edhe zejtaria e prodhimeve qeramike. Enët prej balte që dilnin tani nga punishtet e qyteteve ishin të punuara kryesisht me çarkun e poçarit, kurse sasia e atyre të punuara me dorë është tepër e kufizuar. Kalimi në teknikën e re të prodhimit të enëve u shoqërua me largimin nga format tradicionale dhe me përshtatjen në shkallë të gjerë të formave greke. Nuk mungojnë edhe përpjekjet për të zhvilluar format e vjetra, por zakonisht ato çojnë në ndërthurje eklektike që nuk gjejnë përhapje të gjerë, me sa duket për shkak se nuk u përgjigjeshin kërkesave të tregut dhe shijeve të kohës. Prodhimi i enëve me forma greke merr përhapje të gjerë. Kështu nga furrat e punishteve qeramike të qyteteve ilire dalin tani enë të llojeve të ndryshme, duke filluar prej atyre të mëdha, si pitosa e amfora e deri tek enët e përdorimit të gjerë apo të luksit të lyera me vernik të zi apo të pikturuara. Një vend me rëndësi në këtë kohë zë edhe prodhimi i tullave e sidomos i tjegullave, që përdoreshin në ndërtimin e banesave dhe të godinave shoqërore. Sot njihen pothuajse për çdo qytet punishte qeramike të tilla që ishin pronë private e qytetarëve ilirë. Sipas vulave që kanë enët apo tjegullat del se një punishte në Lis ishte pronë e një farë Ortai; në Irmaj pronarët e punishteve quheshin Trito, Pato, Bato dhe Pito; një vulë me emrin e Kleitit, nga rrethi i Gramshit i takon një punishteje në Irmaj. Një Plator vulos buzën e një pitosi të gjetur në Tren të Korçës, kurse një Epikad te një enë tjetër e këtij lloji nga rrethi i Pogradecit. Pronari i një punishteje qeramike në Selcë të Poshtme (Polion) quhej Gent , në Bylis (Klos) një punishte e tillë i takonte Balaneut , kurse në Dimal kemi pronarët Epikad dhe Olnio. Në qytete të tjera, si në Zgërdhesh e Margëlliç vulat e pronarëve janë të shënuara me monograme apo shenja simbolike. Krahas këtyre, nëpër këto qendra ka edhe vula që mbajnë emra grekë e maqedonë. Prania e këtyre emrave në vulat e punishteve qeramike të qyteteve ilire nuk është domosdo e lidhur me qytetarë të origjinës greke apo maqedone në këto qendra. Në periudha të caktuara dhe aty ku pati vend një pushtim i qëndrueshëm maqedon, kjo gjë padyshim edhe mund të ketë ndodhur. Por kjo dukuri lidhet kryesisht me ndikime të karakterit kulturor, si pasojë e të cilave këta emra u përhapën dhe u adaptuan nga popullsia ilire. Dëshmi të gjalla të kësaj dukurie vihen re në mbishkrimet varrimore të Apolonisë e të Dyrrahut ku emri i parë është grek, kurse i dyti, ai i atit, është ilir ose anasjelltas. Në Apoloni kemi emra të tillë, si Nikanori i Gentit, ose në Dyrrah Anaia e Glaukisë, Epiktesi i Tritos, Teutaia e Aristionit, Euklidi i Tritos, Teutaia e Aleksenit, Brygu i Afrodisit etj.
Rritja e prodhimit zejtar i dha hov qarkullimit më të dendur të mallrave dhe zgjerimit të tregtisë. Prodhimet e zejtarisë së qyteteve ilire mbulojnë tani rrethin e tyre të ngushtë dhe lëvizin në drejtimet më të ndryshme për të ushqyer reciprokisht tregjet e njëri-tjetrit; jo rrallë ato shtrihen në krahina të brendshme. Në qoftë se deri në fund të shek. IV popullsia e këtyre krahinave të largëta kënaqej me prodhimet e qeramikës lokale të punuar me dorë ndërsa prodhimet e importit ishin sende luksi tepër të rralla, më vonë prodhimet e qeramikës qytetare ilire depërtojnë gjerësisht në këto anë dhe hyjnë në konsumin e përditshëm të popullsisë. Zonat e thella të dasaretëve dhe të fiseve të tjera më të vogla që banonin në krahinat malore të rrjedhjeve të sipërme të Shkumbinit, të Devollit dhe të Osumit furnizonin me prodhimet e tyre qytetet e jugut, të cilat ishin më të dendura dhe më të zhvilluara.
Marrëdhëniet e botës ilire me Dyrrahun e Apoloninë bëhen më intensive. Megjithëse këto nuk janë më qendrat e vetme që furnizojnë tregun ilir, prapëseprapë vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm. Midis tyre duket se ka një ndarje të qartë të zonave të tregtimit: ndërsa Dyrrahu shtrin veprimtarinë e vet kryesisht mbi krahinat në veri të Shkumbinit, në orbitën e Apolonisë hyjnë ato në jug të këtij lumi. Përmes këtyre dy qendrave përhapen gjerësisht në Iliri edhe prodhimet e qyteteve të Apulisë. Mallrat e qendrave greke që gjenden krahas tyre janë përkundrazi më të rralla, kurse ato maqedone dhe të Epirit ndeshen kryesisht në zonat kufitare.
Rrugët kryesore nëpër të cilat lëviznin mallrat dhe zhvillohej tregtia me botën ilire ishin luginat e lumenjve; ndër to ajo e Drinit, e Shkumbinit, e Devollit, e Osumit dhe e Vjosës formonin arteriet më të rëndësishme. Rrugë të tjera të shumta, të dorës së dytë, përshkonin grykat e ngushta dhe qafat e maleve për të lidhur njërën krahinë me tjetrën. Sado të vështira që ishin këto rrugë, asnjë krahinë e Ilirisë Jugore nuk mbeti në këtë kohë e izoluar dhe jashtë ndikimit të marrëdhënieve tregtare me qytetet. Më e rëndësishmja është se në tregun e brendshëm mbizotëronin prodhimet lokale, të cilat konkurronin si me prodhimet që vinin nga Dyrrahu e Apolonia, ashtu edhe me ato të importit dhe që ishin kryesisht sende luksi.
Fuqizimi ekonomik dhe rritja e prodhimit zejtar u lejoi qyteteve Skodra, Bylis, Amantia e Olympe të presin gjatë gjysmës së parë të shek. III monedhat e tyre prej bronzi në emër të bashkësive qytetare përkatëse.
Organizimi shoqëror e politik
RedaktoBurimet nuk hedhin dritë plotësisht mbi strukturën shoqërore dhe organizimin politik të qytetit ilir. Megjithatë nuk është vështirë të kuptohet se një bazë ekonomike e tillë si ajo që u krijua në Iliri në kohën e lulëzimit të jetës qytetare i takonte një shoqërie antike të zhvilluar me të gjitha tiparet e saj.
Duke qenë qendra ekonomike, një vend me rëndësi në popullsinë e qyteteve zinte shtresa e prodhuesve zejtarë dhe e mjeshtërve ndërtues, të cilët mund të ishin qytetarë të lirë ose dhe skllevër. Prania e këtyre të fundit dëshmohet në qytetet ilire vetëm përmes burimeve që lidhen me ngjarjet e mbarimit të shek. III dhe ato të fillimit të shek. II p.e.s., por nuk ka dyshim se në këtë kohë ato nuk janë një dukuri e re, ashtu si nuk janë vetë qytetet që përmendëm. Shtresën tjetër të popullsisë e përbënin pronarët e punishteve zejtare, tregtarët dhe në qytetet bregdetare, detarët. Krahas tyre, në qytetet ilire jetonin, me sa duket, edhe përfaqësues të aristokracisë së vjetër fisnore që mbështeteshin në pronën e tokave dhe të blegtorisë. Si e tillë popullsia e qyteteve paraqitej në këtë etapë e diferencuar shumë qartë në shtresa shoqërore me interesa të ndryshme.
Nga pikëpamja e organizimit politik mbi bazën e federalizmit qyteti së bashku me rrethinat fshatare dhe kështjellat që formonin sistemin e tij mbrojtës dhe u shërbenin nevojave të tregtisë, përbënin koinonin që mbante emrin e qytetit kryesor, i cili ishte qendra e kësaj njësie. Koinoni kishte organe që zgjidheshin çdo vit nga eklesia ose mbledhja e përgjithshme. Prej saj dilte këshilli legjislativ ose buleja, si dhe organi përfaqësues i njësive i përbërë nga damiorgët. Zbatimi i vendimeve bëhej nga një kolegj nëpunësish, të quajtur prytanë që zgjidheshin çdo vit, të shoqëruar nga një sekretar. Në krye të koinonit qëndronte strategu. Në koinonin e bylinëve strategu ishte një nëpunës ushtarak që shoqërohej në këtë funksion edhe nga hiparku, komandanti i kalorisë. Pastaj vinin me radhë nëpunësit e ngarkuar me edukimin e rinisë (gymnasiarkët), me organizimin e festave dhe të garave sportive (epimeletët), me drejtimin e rojeve (toksarkët, peripolarkët) etj.
Koinoni duke qenë një organizëm autonom përbënte një njësi administrative të shtetit ilir. Si rrjedhim, shteti përbëhej nga disa koinone të organizuara mbi bazën e federatizmit.
Veprimtari e rëndësishme e qyteteve ishte emetimi i monedhave. Skodra, Lisi, Bylisi, presin monedhat e tyre në emër të bashkësive qytetare, gjë që dëshmon jo vetëm për fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve, por edhe për një autonomi politike që ato gëzonin në kuadrin e shtetit ilir. Simbolet e monedhave të tyre hedhin dritë, mbase edhe mbi karakterin e pushtetit politik në këto qytete. Pasqyrimi i anijes në monedhat e Skodrës ka mundësi të përfaqësojë një shenjë për tregtinë detare që zhvillonte qyteti dhe të jetë, në këtë mënyrë, një e dhënë e tërthortë për peshën sunduese të shtresës tregtare në qytet. Në Bylis, përkundrazi, përdoret si simbol fytyra e themeluesit legjendar të qytetit, duke theksuar me këtë traditën, me të cilën lidhej kryesisht shtresa aristokratike e qytetit.
Pak më i qartë bëhet ky problem në burimet e çerekut të fundit të shek. III. Këtu për herë të parë bëhet fjalë se në krye të qyteteve qëndronin polidinastet (sundimtarë të qyteteve), të cilët i nënshtroheshin plotësisht pushtetit të mbretit.
Dyrrahu dhe Apolonia
RedaktoPërfshirja e Dyrrahut dhe e Apolonisë në gjirin e shtetit ilir pati pasoja të rëndësishme si për jetën e këtyre qyteteve, ashtu edhe për vetë shtetin ilir.
Të dhënat arkeologjike tregojnë se qysh nga çereku i fundit të shek. IV p.e.s., lidhjet e këtyre qyteteve me botën ilire bëhen më të dendura dhe më të drejtpërdrejta. Tregtisë së Dyrrahut dhe të Apolonisë iu hapën lirisht rrugët e gjera të tregut ilir. Që nga kjo kohë në krahinat e brendshme ilire fillojnë të depërtojnë me lehtësi prodhimet e zejtarisë së zhvilluar të tyre. Nëpërmjet këtyre qyteteve, në Iliri hynin mallrat e importit, midis të cilave vendin më të rëndësishëm e zinin ato që vinin nga brigjet e përtejme të Adriatikut.
Dyrrahu dhe Apolonia fillojnë të hedhin në treg monedha të reja argjendi, ndër të cilat përhapje të gjerë merr drahma e argjendtë e këtyre dy qyteteve. Ajo ishte destinuar kryesisht për tregtinë me botën ilire, prandaj edhe me të drejtë është pagëzuar “drahma ilire”. Shfaqje e re e kësaj kohe është prerja nga këto qytete e monedhave të bronzit. Vënia në qarkullim dhe pranimi në masë, siç tregojnë gjetjet, i këtyre monedhave me vleftë shumë herë më të vogël se monedhat e argjendit, tregon se ekonomia monetare ishte zhvilluar në një shkallë të gjerë në Iliri.
Gjatë kësaj kohe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë një periudhë të vërtetë lulëzimi. Ndërtimet më të rëndësishme e më monumentale në këto qytete i përkasin periudhës pas mesit të shek. IV p.e.s. Forcimi ekonomik dhe pasurimi i tyre nga tregtia me botën ilire u lejuan të ndërtonin mure të fuqishme mbrojtëse, që përfshinin në gjirin e tyre sipërfaqe shumë më të mëdha nga ato që njihnin më parë, të ngrinin tregje e sheshe publike, shëtitore, tempuj, gjimnaze e godina të mëdha administrative.
Një dukuri e re filloi të përshkojë dhe të ndryshojë në një drejtim të caktuar jetën shoqërore të këtyre qyteteve dhe përbërjen e mëparshme etnike të tyre. Emrat ilirë që janë gjetur vitet e fundit mbi gurët e varreve të zbuluara në nekropolin e Dyrrahut, përbëjnë mbi 1/3 e tërësisë së emrave të njohur në këtë qytet nga monumentet epigrafike. Këto emra dëshmojnë praninë në masë të popullsisë ilire në to. Emrat ilirë të prytanëve dhe të nëpunësve monetarë që gjenden në të dyja faqet e monedhave prej argjendi dhe bronzi dhe emrat në vulat e tjegullave të Dyrrahut dhe të Apolonisë, tregojnë se popullsia ilire kishte një peshë me rëndësi në jetën ekonomike, dhe kishte siguruar të drejta qytetare të plota deri në zënien e posteve më të larta në jetën administrative e politike të qytetit.
Kështu qysh nga fundi i shek. IV p.e.sonë, Dyrrahu dhe Apolonia humbasin karakterin tipik të një kolonie, mbasi popullsia e tyre përbëhet në një përqindje të madhe edhe nga ilirët. Procesi i ilirizimit të këtyre qyteteve, rezultat i shtrirjes së sovranitetit ilir mbi to, ushtroi një ndikim të thellë mbi gjithë jetën sociale-politike e kulturore të Ilirisë në shekujt e mëpastajmë. Rezultati i këtij procesi qe shkëputja e plotë e Dyrrahut dhe e Apolonisë nga qytetet mëmë dhe integrimi i tyre i plotë në jetën ekonomike e politike të shtetit ilir. Këtë integrim e favorizonte përputhja e interesave të tyre ekonomike e politike me ato të shtetit ilir. Mbreti dhe shtresa sunduese e shtetit ilir lakmonin fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve të mëdha, kurse skllavopronarët e Dyrrahut dhe të Apolonisë pushtetin e fuqishëm të sundimtarëve ilirë mbi një krahinë shumë më të gjerë se sa territoret e ngushta të qyteteve-shtete të tyre me pasuri dhe treg të gjerë. Rezultati u arrit, siç tregojnë faktet, sado të pakta, nëpërmjet një lufte të ashpër politike, mjaft të ndërlikuar, ku u përzien edhe fuqi të jashtme, por edhe si rrjedhojë e një domosdoshmërie të diktuar nga kushtet objektive të kohës.