Gjendja kishtare në Shqipëri shek.XI - XIV
Ndarja e kishave (1054). Përparimet e katolicizmit në Shqipërinë e Epërme
RedaktoNë kapërcim të shek. X-XI, trevat shqiptare ishin nën juridiksionin kishtar të tri kryepeshkopatave, të cilat drejtonin një numër të madh selish peshkopale vartëse (sufragane). Këto qenë kryepeshkopata e Naupaktit, ajo e Durrësit dhe kryepeshkopata e Ohrit. Kjo e fundit, e krijuar dhe e fuqizuar si e tillë nga carët bullgarë, mundi të tërheqë nën juridiksionin e vet një numër peshkopatash, deri atëherë sufragane të dy mitropolive fqinje. Të tilla qenë peshkopatat e Himarës, Butrintit, Drinopojës e Kozilit (pranë Prevezës), që iu shkëputën Naupaktit, apo selitë e Vlorës, Glavinicës e Cernikut që deri atë çast i përkisnin Durrësit. Në këtë mënyrë kryepeshkopata e Ohrit përmblodhi numrin më të madh të peshkopatave shqiptare. Përveç selive që iu shkëputën Durrësit e Naupaktit, ajo kishte nën vete edhe selitë peshkopale të Nishit, Prizrenit, Shkupit, Dibrës, Kërçovës, Përlepit, Devollit, Kolonjës, Manastirit etj. Kryepeshkopata e Ohrit e ruajti këtë shtrirje edhe pas rënies së Perandorisë Bullgare (1018). Perandori Bizantin Bazili II ia rikonfirmoi kishës së Ohrit të gjitha sufraganet që i ishin akorduar nga carët bullgarë, përfshirë selitë e shkëputura nga Naupakti e Durrësi, me gjithë protestat e kryepeshkopëve të këtyre të fundit.
Juridiksioni i Durrësit, që fillimisht shtrihej prej Tivari në Vlorë vazhdoi të zvogëlohej derisa aty nga viti 1143, nga 14 sufragane që kishte më parë, i kishin mbetur vetëm 4 sufragane: Kruja, Kunavia, Stefaniaka dhe Lezha. Rëndësi të madhe pati shkëputja prej tij e selive peshkopale të Dioklesë (Gentës), të cilat përpiqeshin të krijonin një dioqezë kishtare më vete me qendër Tivarin. Në kuadrin e luftës për një autonomi politike nga Bizanti, princërit e Dioklesë i shfrytëzuan dhe i inkurajuan përpjekjet e klerit të tyre për një shkëputje kishtare nga Konstandinopoja. Rezultati i përpjekjeve të tilla ishte shkëputja më 1022 e peshkopatave të Ulqinit e të Tivarit nga Durrësi dhe rikthimi i tyre në sferën e kishës së Romës. Papa Benedikti VIII i shpalli në atë kohë dy peshkopatat shqiptare si sufragana të kryepeshkopatës së Raguzës.
Shembulli i Tivarit dhe i Ulqinit u ndoq në vitet e mëvonshme edhe nga peshkopatat e tjera shqiptare të veriut. Në këtë mënyrë, ndarja zyrtare e kishës (1054), në kishë katolike të Perëndimit, me qendër në Romë, e në kishë ortodokse të Lindjes, me qendër në Konstandinopojë, i gjeti trojet shqiptare të ndara midis dy qendrave të mëdha të botës së krishterë. Pjesa më e madhe e tyre vazhdoi të qëndrojë e lidhur me Patriarkatin e Konstandinopojës. Por në skajin veriperëndimor ishte kristalizuar një enklavë katolike e përfaqësuar nga peshkopatat diokleate të Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Pultit, Drishtit që njohën autoritetin kishtar të Papës së Romës.
Një funksion të rëndësishëm, si bërthama të besimit katolik, zhvillonin në Diokle e në trevat e tjera veriore të Shqipërisë manastiret e mëdha benediktine, ndër të cilat shquheshin manastiri i Shën Serxhit e Bakut (Shirgjit) në derdhjen e Bunës, ai i Shën Mërisë së Rotecit afër Tivarit, si dhe manastiret e Shën Lleshit në Orosh (San Alexandro in monte), i Shelbuemit në Rubik, i Shën Mërisë së Ndërfandes (Mirditë), e të Shën Kollit (Mat). Pushteti jo vetëm shpirtëror, por edhe ekonomik i këtyre abacive qe aq i madh, sa që Papati i shkëputi ato nga juridiksioni i kryepeshkopit të Tivarit dhe i vuri nën administrimin e vet të drejtpërdrejtë.
Në çështje të organizimit të kishave katolike shqiptare të veriut Papati, ashtu si dikur Patriarkati i Konstandinopojës, u përpoq të evitonte një autonomi të madhe të tyre. Ndonëse më 1077 papa Grigori VII shpalli krijimin e kryepeshkopatës së Tivarit, kësaj nuk iu dhanë kompetencat e një mitropolie, në radhë të parë nuk iu njoh e drejta e emërimit të peshkopëve në selitë varëse. Së bashku me kishat e Ulqinit, Shkodrës, Shasit (Suaçit), Drishtit e Pultit, kryepeshkopata e re e Tivarit u vu në varësi të kishës së Raguzës. Për më se një shekull peshkopatat shqiptare luftuan për t’u shkëputur nga varësia e Raguzës, duke hyrë në konflikt jo vetëm me këtë, por edhe me vetë Papatin. Papa Anastasi IV më 1153 e, pas tij, papa Aleksandri III më 1167 kaluan deri në masa ekstreme, duke shkarkuar nga funksionet peshkopët e Ulqinit, Tivarit, Drishtit e duke kërcënuar me të njëjtën masë edhe prelatët e tjerë, që refuzonin të njihnin si autoritet epror kryepeshkopin e Raguzës.
Kjo luftë e gjatë e peshkopatave katolike shqiptare për një autonomi nga qendrat e huaja kishtare, përkatësisht nga Raguza, u kurorëzua më në fund me sukses në kohën e pontifikatit të papës Inocent III (1199-1211).
Kjo kthesë në politikën e Papatit ndaj kishës katolike shqiptare përkonte me një fazë të re zhvillimi për Kishën Katolike në përgjithësi. Dobësimi i Perandorisë Bizantine nga gjysma e dytë e shek. XII, që çoi në shembjen e saj më 1204 nga kryqtarët perëndimorë, i hapi rrugë strategjisë së Papatit për shtrirjen e ndikimit të vet në trevat ballkanike, që ishin nën juridiksionin e Patriarkut ortodoks të Konstandinopojës.
Në kuadrin e një strategjie të tillë, këndi i peshkopatave katolike shqiptare në veriperëndim të vendit fitoi rolin e një baze operacionale të katolicizmit kundër ortodoksisë. Duke u nisur nga kufijtë e dioqezës së Tivarit, kisha katolike depërtoi në thellësi, në drejtim të Lindjes (Kosovë) e të Jugut (Principata e Arbrit). Në fillim të shek. XIII, më saktë në vitin 1204, burimet historike flasin për herë të parë për ekzistencën e selive peshkopale katolike në Kosovë, si në Prizren e në Shkup. Në vitet e mëvonshme kisha katolike dëshmohen edhe në qendra të tjera, si në Graçanicë, Trepçë, Novobërdë, madje edhe në lokalitete e deri në fshatra të vogla, gjë që flet për një përhapje të gjerë të ritit katolik në ato treva, që 5-6 shekujt e fundit, të paktën administrativisht, kishin qenë të lidhura me kishën ortodokse të Lindjes.
Shtrirja e ritit katolik në viset e Dardanisë së vjetër (Kosovë), të banuara kryesisht nga popullsi shqiptare, përkon me kalimin e tyre dhe të Dioklesë (Gentës) nga sundimi bizantin nën pushtimin e shtetit serb të Rashës. Politika kishtare e mbretërore serbe synonte që kisha ortodokse serbe, qysh prej vitit 1219 autoqefale, të zinte në këto hapësira vendin e Kishës së Konstandinopojës. Themelimi dhe kthimi në ritin serb i një sërë manastiresh e kishash në Kosovë, Maqedoni e në Diokle (Gentë), si dhe zhvendosja në Pejë e selisë së Patriarkatit serb i shërbenin pikërisht këtij qëllimi.
Megjithatë, të ndodhur nën presionin dhe kërcënimet e Papatit e të fuqive katolike të Evropës, mbretërit dhe kisha serbe u detyruan së paku fillimisht ta tolerojnë deri diku praninë e kishës katolike në viset e pushtuara sërishmi. Kjo vlen sidomos për viset e Dioklesë, tradicionalisht të lidhura me Romën. Për të shmangur ballafaqimin me popullsinë vendase dhe me botën katolike të përtejdetit, mbretërit e parë serbë të dinastisë Nemanja ua njohën për ca kohë atyre autonominë kishtare që kishin gëzuar edhe më parë, në kohën e sundimit bizantin. Në këtë kuadër, për gjithë gjysmën e dytë të shek. XIII, edhe pushteti laik në Diokle iu besua një princeshe katolike, gruas franceze të mbretit Stefani I Urosh, Helenës. Në kujtesën e popullsisë shqiptare të Dioklesë, emri i mbretëreshës Helena u ruajt për shumë kohë si bamirëse e mbrojtëse e besimtarëve dhe e objekteve të kultit katolik. Një mbishkrim mbi gur nga manastiri benediktin i Shën Serxhit e Bakut (Shirgjit), që ruhet sot e kësaj dite, kujton se në vitin 1290 mbretëresha Helenë e rindërtoi nga themelet këtë vend të shenjtë për besimtarët e zonës.
Sidoqoftë, qëndrimet tolerante ndaj katolikëve shqiptarë në viset e pushtuara përbënin vetëm një përjashtim në politikën e Nemanjëve serbë dhe lidheshin me rolin dhe ndikimin e mbretëreshës franceze, Helenës.
Qysh kur serbët e Stefan Nemanjës u shfaqën në viset e Kosovës e të Dioklesë (Gentës), fillojnë të duken dëshmitë e para historike mbi “persekutimet e Zhupanit të madh” (1173), si dhe për “ankthet e vuajtjet e katolikëve të robëruar” (1199). Politika e shtetit serb ndaj popullsive katolike të viseve shqiptare të pushtuara u kristalizua sidomos në kohën e sundimit të mbretërve Stefan Uroshi II (1282-1321), Stefan Uroshi III (1322-1331) e Stefan Dushani (1331-1355). Koha e sundimit të këtyre sovranëve është periudha e përqendrimit dhe e konsolidimit më të madh të mbretërisë serbe. Ajo përkon gjithashtu me prishjen përfundimtare të marrëdhënieve të kësaj me Papatin dhe me fuqitë katolike, siç ishin Hungaria dhe anzhuinët francezë. Duke i konsideruar shqiptarët katolikë si një element destabilizues dhe aleat i natyrshëm i këtyre fuqive, mbretërit serbë zbatuan një politikë të tërë, që erdhi duke u përpunuar dora-dorës e që gjeti shprehjen më të qartë në “Kodin e Stefan Dushanit” (1349). Disa nga nenet më të rëndësishme të këtij kodi, i kushtoheshin “shkuljes së herezisë katolike” dhe veprimeve kundër besimtarëve dhe klerikëve katolikë, që nuk dëgjonin të konvertoheshin në ortodoksinë serbe. Për këta shpallej hapur përvetësimi dhe prishja e kishave, sekuestrimi i pasurisë, damkosja me hekur të nxehtë, dëbimi dhe deri ndëshkimi me vdekje. Dokumente të shumta të asaj kohe provojnë se këto masa të parashikuara kundër katolikëve në kodin e së drejtës mesjetare serbe, u zbatuan në praktikë me egërsinë më të madhe, duke shkaktuar kryengritjet e popullsisë shqiptare si dhe protestat e ashpra të Papatit, që më se një herë shpalli deri organizimin e kryqëzatave perëndimore për të shpëtuar popullsitë katolike që vuanin nën shtypjen e mbretërve “skizmatikë” të Rashës.
Kisha e Arbrit në shek. XII-XIII
RedaktoDrejtim tjetër i përhapjes së ritit katolik në trevat shqiptare qe ai i territoreve në jug të rrjedhës së lumit Drin, ku në kapërcim të shek. XII-XIII fillonin kufijtë e Principatës së Arbrit. Ashtu si në trevat më veriore shqiptare, edhe në shtrirjen e Principatës së Arbrit, përhapja e ritit katolik u kushtëzua së tepërmi nga rrethanat politike që u krijuan këtu pas mesit të shek. XII e që lidhen me krizën e përgjithshme të Perandorisë Bizantine dhe tronditjen e pozitave të shtetit e të kishës bizantine në Shqipëri. Nuk përjashtohen këtu ndikimet që vinin nga Durrësi. Prania e kolonive tregtare italiane, siç qe ajo e venecianëve dhe e amalfitanëve, nënkuptonte dhe praninë e kishave të posaçme, rreth të cilave grumbulloheshin dhe organizoheshin këto komunitete të huaja. Të tilla kisha përmenden që më 1081, si kisha e Shën Mërisë së Amalfitanëve dhe ajo e Shën Andresë, kjo e fundit ndërtuar nga venecianët. Pas venecianëve dhe amalfitanëve, në Durrës nuk vonoi të shfaqej edhe një komunitet katolik vendas. Por, nga ana tjetër, ndryshimi i orientimit fetar në këtë trevë ishte shprehje e ndryshimit të orientimit politik të aristokracisë së Arbrit, që pas mesit të shek. XII merr nuanca të qarta properëndimore.
Ndikimet e katolicizmit në trevën e Arbrit përcilleshin, pra, nëpërmjet kishës së Dioklesë (Gentës), nga veriu, dhe nëpërmjet kishës katolike të Durrësit, nga perëndimi. Për më tepër, ashtu si në Dioklenë fqinje, në Arbër ekzistonin prej kohësh shumë të vjetra një numër abacish të urdhrit të benediktit të themeluar nga misionarë perëndimorë. Ndonëse nën hije, këto vazhduan të funksionojnë edhe pas ndarjes së kishave, më 1054, duke mbajtur gjallë orientimin roman (katolik) të tyre e duke shërbyer si pikëmbështetje e Papatit në këto treva. Të tilla manastire qenë, p.sh., manastiri i Shën Lleshit në derdhjen e poshtme të Matit, i Shën Pavlit në Blinisht, i Shën Mërisë së Ndërfanit buzë Fanit të Madh, manastiri i Shën Lleshit në Orosh, i Shën Kollit në Breg-Matë, i Shënepremtes në Kurbin e së fundi, manastiri i Shelbuemit në Rubik. Këto abaci nuk përmenden përpara vitit 1166, por elementë të veçantë, si shtresat me mozaikë, afresket apo mbishkrimet e mureve, dëshmojnë qartë për një hershmëri shumë të madhe të tyre. Pas ndarjes së kishave, më 1054, këto manastire u kthyen në avanposte të katolicizmit roman në sferën ortodokse, duke luajtur rolin e tyre në ndryshimin e raportit të forcave midis ritit ortodoks dhe atij katolik në zonën e Arbrit. Aty nga mesi i shek. XIII, kisha ortodokse kishte humbur tashmë mjaft terren në këtë zonë. Në vitin 1143 arkimandriti Nil Doksopatri kumton se mitropolisë ortodokse të Durrësit i kishin mbetur vetëm 4 sufragane nga 14 që kishte pasur dikur. Nga këto, tre i përkisnin territorit të Arbrit dhe qenë peshkopatat e Krujës, Kunavisë dhe Stefaniakës, që edhe gjeografikisht ndodheshin më pranë Durrësit. Ndërkaq, më 19 qershor të vitit 1166, titullari i kishës së Arbrit, peshkopi Lazar, i shoqëruar nga abati i manastirit benediktin të Shelbuemit (Rubik), Gjergji, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të kishës katolike të Shën Trifonit në Kotorr, ku iu rezervua nderi i veçantë i konsakrimit të njërit prej altareve të kishës. Në ceremoninë në fjalë ndodheshin edhe përfaqësues të peshkopatave dhe të abacive të tjera katolike shqiptare nga Drishti, Shirgji, Ulqini, Tivari, Shasi si dhe “priori Andrea i Arbrit” që me sa duket përfaqësonte pushtetin laik të asaj krahine. Një vit më vonë, papa Aleksandri III, në një letër dërguar peshkopit Llazar të Arbrit, lëvdon angazhimin e tij për ta shkëputur kishën e tij nga ortodoksia bizantine e për ta lidhur atë me Romën. Me atë rast e fton Llazarin të njohë si epror të tij, të caktuar nga Selia e Shenjtë, mitropolitin e Raguzës.
Ashtu si selitë e tjera peshkopale shqiptare, edhe peshkopata e Arbrit nuk pranoi të vihej nën urdhërat e kryepeshkopatës dalmatine. Por ajo nuk u shpall as sufragane e kryepeshkopatës së Tivarit, kur kjo e fundit fitoi atribute mitropolitane dhe grumbulloi rreth vetes qendrat peshkopale të Dioklesë. Një dokument papal i vitit 1188 bën të ditur se peshkopata e Arbrit ishte vendosur në atë kohë nën varësinë e drejtpërdrejtë të Selisë së Shenjtë. Emërimi dhe shugurimi i kreut të saj bëhej vetëm nga Papa i Romës. Peshkopata e Arbrit ishte e vetmja ndër të gjitha peshkopatat katolike të pellgut dalmato-shqiptar që gëzonte një status të tillë.
Është jashtë çdo dyshimi se lëvizjet e kishës së Arbrit përcaktoheshin në një masë të madhe nga vullneti politik i krerëve të Arbrit. Orientimi i ri i kishës së Arbrit nga Roma katolike, si dhe organizimi i saj i pavarur nga qendrat fqinje, i përgjigjej drejtimit të ri properëndimor e autonomist të politikës së tyre.
Akti i fundit i këtij orientimi ishte edhe braktisja e ritit ortodoks dhe konvertimi në katolicizëm nga vetë krerët e Principatës së Arbrit. Një hap i tillë u ndërmor në vitin 1208 nga princi Dhimitër. Në një letër për papën Inocenti III, Dhimitri i shfaqte kreut të kishës katolike vendimin për t’u futur bashkë me vasalët e tij, në gjirin e kishës katolike. Papa nisi që atë vit në drejtim të Arbrit dy emisarë të tij, ndër të cilët njëri ishte arkidhjaku katolik i Durrësit, që do të merreshin me përgatitjen doktrinale të princit të Arbrit e të njerëzve të tij. Ceremonia solemne e bashkimit të tyre me kishën e Romës do të zhvillohej në një fazë të dytë, në praninë e një legati apostolik, të dërguar posaçërisht nga Papa.
Traktaktivat midis Papatit e princërve të Arbrit u ndërprenë si rezultat i rrethanave të reja politike që u krijuan në krejt zonën e Durrësit e të Arbrit pas vitit 1210. Këto u përfshinë përsëri për rreth gjysmë shekulli në sferën e ndikimit bizantin e gjatë kësaj kohe kisha e Arbrit u lidh sërish me botën ortodokse. Megjithatë, prirjet pro-katolike mbetën gjithmonë të fuqishme si në Arbëri, ashtu dhe në Durrës. Këtu, krahas kishës ortodokse, vazhdoi të funksionojë pandërprerë edhe kisha katolike, që, në mungesë të kryepeshkopit, drejtohej nga një arkidhjak i zgjedhur nga mbledhja e klerit vendas. Në këtë kohë në Durrës duken edhe shenjat e para të mbërritjes së misionarëve të urdhrave të rinj, dominikanë e françeskanë. Në zonat periferike të Arbrit, në kufi me Pultin e Shkodrën, kisha katolike i ruajti të paprekura pozitat e saj. Vetë peshkopi i Arbrit, i përsëriti më 1250 papa Inocentit IV dëshirën për futjen e dioqezës së tij nën tutelën e Romës. Kësaj iu paraqit një rast ideal për konsolidimin e pozitave të katolicizmit në një zonë kaq të kontestuar nga të dy kishat rivale, atëherë kur anzhuinët e Napolit morën Durrësin dhe e shtrinë juridiksionin e tyre në të gjitha viset e Principatës së Arbrit (1272). Në atë kohë u derdhën në Shqipëri një numër i madh fretërish dominikanë e françeskanë, që u vendosën në abacitë e vjetra benediktine ose themeluan qendra të reja manastirore. Ata u kthyen në një mjet aktiv të propagandës papale, e cila ndikoi mjaft në konsolidimin dhe në shtrirjen e mëtejshme të pozitave të katolicizmit në Shqipëri. Megjithatë, përsa i përket shtrirjes së ngushtë të Arbrit, këtu riti katolik nuk arriti të zhvendoste plotësisht besimin ortodoks. Qoftë për traditë, qoftë si rrjedhojë e ndikimit, që kisha ortodokse ushtroi vazhdimisht në këtë bërthamë qendrore të trojeve shqiptare, këtu u arrit të realizohej një simbiozë e deri një përzierje e të dy riteve, për të cilën papët e Romës u ankuan më se një herë. Një simbiozë e përzierje e tillë u shpreh materialisht në ekzistencën e funksionimin paralel të kishave e manastireve katolike e ortodokse në gjithë zonën e Arbrit si dhe në Durrës. Nuk janë madje të rralla rastet kur brenda të njëjtit tempull të gjenden së bashku elementë simbolikë, ikonografikë, ritualë e kulturorë që i përkasin njërit apo tjetrit rit. Shembull tipik në këtë drejtim ishte kisha e hershme e Shën Mërisë në Brrar afër Tiranës, një themelim i bujarëve Skurra, ku skenat biblike në afresket e mureve, ose mbishkrimet latine apo greke, dëshmojnë për një pozitë të papërcaktuar të gjithë kësaj treve midis katolicizmit e ortodoksisë e në një kuptim më të gjerë midis qytetërimit perëndimor e atij bizantin. Pikërisht për këtë arsye, një misionar katolik, që vizitoi Arbërinë më 1308, konstatonte se banorët e këtij vendi qenë “sa katolikë, aq edhe ortodoksë”. Edhe më kuptimplote për çështjen e prirjeve kulturore e fetare që mbizotëronin në atë kohë në trevën e Arbrit është shembulli i Karl Topisë, princ i Arbrit në vitet 1350-1385. Edhe pse botërisht shpallej si princ katolik e ithtar i Papës, Karl Topia në praktikë u shqua si themelues (ktitor) kishash e manastiresh ortodokse e në përgjithësi si mbrojtës e përkrahës i kulturës bizantine në principatën e tij.
Kristalizimi i sferës ortodokse në shek. XIII-XIV
RedaktoPavarësisht nga dobësimi apo humbja e pozitave në treva të caktuara, fakti është se përtej brezit Durrës-Ohër pozitat e kishës ortodokse në Shqipëri nuk u rrezikuan asnjëherë seriozisht nga mësymja e katolicizmit roman.
Aty ndihej fuqishëm veprimi i qendrave të mëdha të ortodoksisë bizantine, siç qenë kryepeshkopatat e Durrësit, Naupaktit, dhe sidomos ajo e Ohrit. Një numër i madh kishash e manastiresh bizantine, të ndërtuara që në shekujt e hershëm të mesjetës e që ruhen ende sot në vende të tilla, si në Ohër, Korçë, Elbasan, Pojan, Berat, Ballsh, Përmet, Gjirokastër, Sarandë, dëshmojnë për ndikimin e plotfuqishëm që kisha ortodokse bizantine ushtronte në këto vise. Disa nga këto manastire administroheshin e drejtoheshin drejtpërdrejt nga Patriarku i Konstandinopojës e gëzonin kështu statusin e lakmuar të manastirit stavropegjiak. Të tillë dëshmohen të kenë qenë manastiri i Shën Kollit në Mesopotam (Delvinë), një fondacion i hershëm i perandorit bizantin Konstandini IX Monomak (1042-1054), apo manastiri i Labovës së Kryqit dhe ai i Hoteahovit (Çamëri).
Ndryshe nga viset e tjera shqiptare në veri të vijës Durrës-Ohër, në territoret në jug të saj kriza e Perandorisë Bizantine në shek. XII dhe shembja e saj më 1204 nga kryqtarët nuk i tronditi pozitat e ortodoksisë bizantine. Për më se gjysmë shekulli pas rënies së Konstandinopojës, e gjithë shtrirja prej Durrësit në Prevezë u përfshi në kufijtë e Despotatit të Epirit, një formacion që në pikëpamje shtetërore e kishtare qe një imitim i Perandorisë Bizantine. Nën tutelën e Despotëve të Epirit, peshkopatat e Durrësit, Ohrit, Kaninës, Beratit, Devollit, Drinopojës, Himarës, Butrintit, Eurojës etj., njohën një periudhë lulëzimi të veçantë. Pas vitit 1260, pjesa më e madhe e këtyre trevave u përfshi edhe për gati një shekull tjetër (deri më 1346) në kuadrin e Perandorisë së rindërtuar Bizantine, gjë që ndikoi akoma më shumë në forcimin e karakterit ortodoks të besimit në to. Rrethanat politike bënë shpesh që familjet fisnike Matrënga, Muzaka, Zenebishi, Spata, Losha të kishin marrëdhënie me fuqitë katolike si anzhuinët e Napolit ose Venediku, madje dhe me vetë Papatin. Si rezultat ndodhi që në pikëpamje kishtare ndonjë pinjoll i tyre të kthehej në katolik. Një dokument i vitit 1290 jep pikërisht emrat e një grupi “neofitësh” katolikë që u përkisnin familjeve në fjalë. Pavarësisht nga episode të tilla, trevat jugore shqiptare dhe banorët e tyre qëndruan, në përgjithësi, të lidhura me ritin ortodoks.
Pavarësisht nga fakti që ndarja kishtare që prej shek. XI u bë një realitet në jetën shoqërore në Shqipëri, ajo nuk arriti asnjëherë të ushqejë shfaqje të intolerancës e të fanatizmit fetar. Përgjatë gjithë mesjetës këtu s’ka asnjë të dhënë që të pohojë ekzistencën e ballafaqimeve e të konflikteve fetare midis shqiptarëve ortodoksë dhe atyre katolikë. Kjo bashkëjetesë e ky mirëkuptim u ruajt edhe kur struktura fetare në Shqipëri ndryshoi në mënyrë radikale dhe kur pjesa më e madhe e popullsisë u konvertua në islamizëm.