Gjon Gazulli (latinisht: Johannes Gazulus, Gasulus, kroatisht: Ivan Gazulić;[1][2] ~ 1400 - Raguzë, 19 shkurt 1465) ka qenë frat dominikan, humanist dhe diplomat i republikës së Raguzës me prejardhje arbërore.

Gjon Gazulli
Portret nga Pjerin Sheldija
U lind më1400
Vdiq më19 shkurt 1465
Raguzë, Republika e Raguzës
Nënshtetësiaraguzan
Gjinitë letrareastrologji

Biografia

Redakto

Në njërin prej dokumenteve juridike të lëshuar prej tij si prokura përmendet emri i të atit, i quajtur Gino ose Đivo de Gaxolis, përcaktuar shprehimisht nga Dubrovniku. Jireçek propozoi se Gazullorët ishin arbërorë, duke iu referuar një pronari në kadastrën venedikase të Shkodrës më 1416 dhe mbiemrit Gasoli në afërsi të Lezhës.[3] Sipas studimeve të fundme, gjasat janë që të mos ketë lindur në Raguzë, por të ketë shkuar herët dhe të ketë ndjekur shkollimin në qytetin bregdetar. Dikur më 1426 qe bërë prift. Më 1427 së bashku me të vëllanë, Paulus, përcaktohet si zbatues të testamentit të të ungjit, Don Mateus Gaxuli. njeri i përmendur dhe i kamur, me dy shtëpia, dy vreshta, huadhënës dhe zotërues i shumë librave.[4]

Për Gazullin dihet se u doktorua në filozofi në Padova më 1430, dhe se zotëronte një sasi të madhe librash që i kishte lënë në një kuvend benediktin atje; asokohe nëpër dokumente referohej si vir prudens i magister. Më 1432 u urdhërua nga senati i Raguzës që të shkonte në Itali për të takuar perandorin Sigismund, gjatë kohës që kurorëzohej, në mënyrë që të ndërmjetësonte tek Papa Eugjeni IV që të miratonte lëvizjen e tregtarëve raguzanë drejt Lindjes për të bërë tregti, ashtu sikur lejoheshin tregtarët venedikas, gjenovez, etj. Gjasat janë që të ketë kaluar shumicën e këtij viti dhe të vitit pasardhës në Itali në oborrin e Sigismundit. Mundet që edhe të ketë marrë pjesë në kurorëzimin e tij majin e 1433.[4] Më 1433 shkoi për të dhënë mësim matematikë dhe astronomi në Universitetin e Padovës. Përfaqësonte interesat e republikës raguzane, Skënderbeut dhe Lidhjes së Lezhës nëpër oborret e principatave italike.[5] Më 1435 u përzgjodh të shkonte në një tjetër mision diplomatik për llogari të republikës raguzanë tek princi i Tarantos, por iu pezullua misioni me ardhjen e të dërguarve të vetë këtij princi në Raguzë. Më 1436 qe po ashtu me mision për të takuar Banin e Sllavonisë, Matko Talovac. Është menduar se ka shkuar po ashtu për të përfaqësuar punët e arbërorëve.[4]

Më 1439 qe sërish në Padova, ku përcolli doktorimin e një prifti nga Korçula dhe pas dy vjetëve, më 1441, shkoi sërish për hir të doktorimit të një prifti nga Novo Bërda. Më 1445-1446 shkoi sërish për punë diplomatike të republikës raguzane.[4]

Me vizitën e Skënderbeut në Raguzë më 1450, është më se e mundur që të jetë takuar me Gazullin - me të cilin kishte pasur të bënte në të kaluarën - dhe e ngarkoi me një udhëtim drejt Romës. Republika përfitoi nga rasti për t'i ngarkuar mision për interesat e saj që t'ia falte për jubileun e vitit 1450-51 detyrimet që i kishte papatit prej rrezikut që i kanoste Perandoria Osmane republikës si dhe ndihmës që i kishte dhënë ajo Skënderbeut; Gazulli me sukses ia arriti të bindte Kurinë majin e 1451, dhe Papa Nikolla V dekretoi që pagesat e indulgjencave për atë vit republika t'i ndante me Skënderbeun; në kthim nga papati, Gazulli takoi edhe njëherë prijësin arbëror.[4]

Më 1459 nga nami i tij si astrolog, iu bë ftesë prej mbretit të Hungarisë, Mati Korvinit, që t'i bashkohej oborrit të tij mbretëror me postin e astrologut të oborrit, por Gazulli nuk e pranoi për shkak të moshës dhe shëndetit të tij,[6] duke i dhuruar disa libra oborrit mbretëror.[4] Gazulli dha kontribut në përpunimin e metodave të Campanus-it të Novarës dhe Regiomontanus-it mbi ndarjen e qiellit në "shtëpi qiellore".[2]

Shkroi traktate mbi matematikën dhe astronominë në gjuhë latine, më i shquari De astrolabii utilitatibus (shqip: Mbi dobinë e astrolabëve).[7] Në testamentin e tij përmenden "disa vëllime me libra që kanë të bëjnë me gramatikën, retorikën dhe poetikën," edhe të marrë borxh. Duke ia lënë kështu librat e tij katedrales së Raguzës, shprehu dëshirën që biblioteka e tij personale me libra teologjie dhe të së drejtës kanonike të bëhej baza e një biblioteke publike.[8] Duke u bërë kështu themeluesi i bibliotekës publike të Raguzës/Dubrovnikut. Zbatuesi i testamentit të tij, Nikola de Tanus, mendohet se ka qenë po ashtu arbër.[3]

Vëllai i tij, Pali qe po ashtu përfaqësues i Skënderbeut nëpër republikat detare të Adriatikut.

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 757. ISBN 978 99956 10 27 2
  2. ^ a b "Gazulli (Gazulić), Gjin (Ivan, Joannes) Ažurirano: 20. veljače 2014. (pristupljeno 9. lipnja 2016.)". proleksis.lzmk.hr (në kroatisht). Arkivuar nga origjinali më 11 qershor 2022. Marrë më 11 qershor 2022.
  3. ^ a b Jurić, Šime (1962). "Prilozi biografiji Ivana Gazulića". Anali Historijskog instituta u Dubrovniku (në kroatisht). 8–9: 447–79.
  4. ^ a b c d e f Krekić, Bariša (1998). "Albanians in the Adriatic cities". Χοι Αλβανοί στο Μεσαίωνα [The Medieval Albanians] (në anglisht). Athens: National Hellenic Research Foundation: Institute for Byzantine Research. fq. 221. ISBN 960-371-004-0.
  5. ^ Murzaku, Ines Angeli (2015). Monasticism in Eastern Europe and the Former Soviet Republics (në anglisht). Routledge. fq. 251. ISBN 9781317391050.
  6. ^ Mala, Muhamet (2016). "Cultural relations between Hungary and Albania during the period of Humanism and Renaissance" (PDF). Academic Journal of Business, Administration, Law and Social Sciences (në anglisht). 2 (2): 139–142.
  7. ^ Bazala, Vladimir (1977). "Nekoliko hrvatskih prirodoslovaca-filozofa" (në kroatisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ Malinar, Smiljka (2013). "Tideo Acciarini, un magister scholarum d'Oltreadriatico nella Dalmazia umanistica". SRAZ (në italisht). LVIII: 76.