Gjovalin Gjadri (Shkodër, 2 korrik 1898 - Tiranë, 13 mars 1974) ka qenë profesor, inxhinier, konstruktor i shquar në projektimin dhe ndërtimin e urave.

Biografia

Redakto

Gjovalin Gjadri ka lindur më 2 Korrik 1898 në një familje të thjeshtë në lagjen Arra e Madhe të qytetit të Shkodrës.[1] Shkollën e mesme dhe të lartë i kreu në Vjenë në sajë të njërës prej bursave të shumta që pushtim-administrimi austro-hungarez dha ndër shqiptarë.

Mbas kryerjes së studimeve u kthye në Shqipëri më 1926-27, ku bashkëpunon në zbatimin e projektit për Urën e Matit. Në vitet 1927-31 jetoi në Moskë, ku punoi në Institutin e Projektimit të Urave 'Mostovoi Byro' në Bashkimin Sovjetik. Prej një sëmundje mushkërish u kthye në Shqipëri më 1932, ku i rikthehet projektimit të urave, dhe konkretisht projektimin e Ures ne Bulevardin Deshmoret e Kombit qe ne ate kohe mbante emrin e mbretit Zog,kjo ure u ndertua prej betoni te armuar dhe vecantia e saj eshte se eshte me shume e gjere se sa e gjate, kjo ure ka nje gjatesi prej 30.3 m dhe gjeresi 35 m. Por Ura e Gomsiqes e projektuar prej tij ishte vepra inxhinierike qe perfundimisht e klasifikon figuren e Ing Gjovalin Gjadrit si Themelues dhe Aplikues i metodave me moderne te ndertimit te urave ne Shqiperi! Duhet nenvizuar se me projektimin e Ures se Gomsiqes nga Ing Gjovalin Gjadri lidhet nje moment teper i rendesishem ne karierren e tij inxhinirike, qe ishte pjesmarrja e tij ne Kongresin e dyte te Shoqates boterore te ndertimit te Urave dhe strukturave te tjera Inxhinierike qe u zhvillua ne Berlin nr vitin 1936! Gjate punimeve te kongresit Ing Gjovalin Gjadri paraqiti studimin e tij qe kryesisht kishte te bente me projektimin e Ures se Gomsiqes, projekt ne te cilin ai kishte perdorur nje metode teper origjinale e cila konsistonte ne perllogaritjen e vijave influentike te harkut te mberthyer, dhe qe u kondiderua nga komisioni shkencor i ketij Kongresi si inovacion si shpikje e Ing Gjovalin Gjadrit.Studimi i Ing Gjadrit u botua ne vitin 1937 ne raportin perfundimtar te punimevete kongresit.tsAGjadri[2] Në administratën e qeverisë Vërlaci pas pushtimit italian, ishte drejtor i Kontrollit Teknik.[3]

Mbas Luftës së Dytë Botërore mori pjesë në rindërtimin dhe projektimin e disa urave kryesore të Shqipërisë. E një rëndësie të veçantë mbetet monografia "Shkenca e konstruksionit " e shkruar në tri vëllime. "Studime mbi gjendjen e urave në Shqipëri", etj.

Në periudhën 1946-1956 Prof. Gj. Gjadri punoi në Ministrinë e Ndërtimit si përgjegjës i sektorit të projektimit "Ura-Porte" dhe shef i sektorit të kontrollit teknik. Nga viti 1955 e në vazhdim ai vazhdoi aktivitetin studimor e projektues, duke qenë tashmë i atashuar në punë mësimore-shkencore pranë katedrës së Rezistencës së materialeve të Fakultetit të Inxhinierisë - Tiranë (sot Departamenti i Mekanikës të strukturave në Fak. Inxh. Ndërtimit). Në fillim të viteve 1970 inxh. Gjovalin Gjadrit iu akordua, ndonëse me shumë vonesë, titulli akademik "Profesor". Ndërkohë aty, për fushat e Rezistencës së materialeve dhe Shkencës së konstruksioneve ishte emëruar një autoritet i kohës, ish-rektor, me të cilin Prof. Gj. Gjadri ka pasur debate të gjata, duke iu kundërvënë veçanërisht një teorie mbi "bazat e reja materialiste" që pretendonte se kishte ngritur autoriteti për këto fusha. Në ato debate - të cilat janë ndjekur jo vetëm nga pedagogë, por edhe nga brezi i studentëve të Inxhinierisë të fundviteve '60, drejtpërdrejt në sallën ku zhvilloheshin në universitet dhe nëpërmjet publikimeve të tyre - do të spikaste edhe një herë karakteri parimor, thellësia e mendimit dhe autoriteti i vërtetë shkencor i Prof. Gjadrit. Punëtor i madh i shkencës e njeri i progresit, ai njëherësh mbahet mend dhe si njeri i drejtë, tepër kërkues ndaj vetes, por dhe i pakompromis e i paepur në mbrojtje të lirisë së mendimit dhe së vërtetave shkencore, pavarësisht kohës, dallkaukëve, servilëve dhe pengesave që haste në punën dhe jetën e tij.

Në vitin 1965 Prof. Gj. Gjadri botoi vëllimin I të veprës madhore të tij "Shkenca e Konstrukcioneve". Kjo është monografia e parë shqiptare në këtë fushë. Ajo dallohet jo vetëm për analizat e thelluara teorike, por dhe për aplikimet fine inxhinierike. Prof. Gj. Gjadri e kishte konceptuar veprën e tij "Shkenca e Konstrukcioneve" në tri vëllime. Por vdekja në vitin 1974 nuk e lejoi që ta dërgojë për botim vëllimin II, ku trajtoheshin edhe teoritë e Mekanikës së trojeve dhe as të përfundojë vëllimin III, ku do të përfshihej i plotë studimi origjinal i tij mbi analizën statike të strukturave tip-hark.

Në një recension publik botuar në shtypin e kohës në shtator 1966, duke komentuar vëllimin I të veprës së Prof. Gj. Gjadrit, një inxhinier tjetër, konstruktor i talentuar dhe studiues i apasionuar i fushës së konstruksioneve të ndërtimit, Haxhi Dauti (1921 - 1969) shprehej se: "Libri i inxh. Gjadrit është shkruar me dinjitet teknik dhe karakterizohet nga një nivel i lartë teorik, si nga pikëpamja e thellësisë së argumentimit, ashtu dhe nga ajo e rrobës matematike... Lënda e trajtuar në të është mjaft e gjerë dhe aktuale... Libri ka rëndësi të madhe të dyfishtë, për inxhinierët dhe studentët e Inxhinierisë...". Me shumë elegancë, por dhe me admirim të dukshëm profesional, vlerësimin e lartë për këtë libër - mendoj se ky libër mbetet gjithnjë fort i rekomandueshëm për t'u studiuar nga studentët dhe konstruktorët e ndërtimit - inxh. Dauti e shprehte kështu: "Libri i inxh. Gjadrit është gur themeli për zhvillimin e kulturës sonë teknike... Të studiosh librin e inxh. Gjadrit është sikur të ngjitësh një mal të lartë, i cili kërkon durim, këmbë të shëndosha dhe zemër të fortë. Por lodhja vlen, pasi në majë të malit njeriu zotëron një pamje të gjerë e të bukur dhe u afrohet majave të tjera më të larta...".

Një vlerësim ky që mund t'i dedikohet dhe gjithë veprës madhështore të Prof. Gjovalin Gjadrit, i cili mbetet vetë një majë e ndritur dhe frymëzuese e shkencës inxhinierike shqiptare.


Ai konsiderohet si Inxhinieri qe aplikoj ne Shqiperi, metodat me inovatore dhe bashkohore te ndertimit te Urave, gjithashtu se bashku me shkencetare te tjere te shquar Shqiptare si Aleks Buda, Aleksander Xhuvani etj ,eshte dhe nje nga themeluesit e Insitutit te Shkencave qe u krijua ne vitet e para te pasclirimit ne Shqiperi, gjithashtu eshte themelusi kryesor i katedres se rezustences materiale ne Fakultetin e Inxhinierise se Ndertimit.

Ka ndërtuar Urën e Matit, Prenkova, Mbrostar, Rrogozhinës, Urën te Bulevardi Dëshmorët e Kombit në Tiranë.

Më 1943 shkroi "Briefe an meine tote Frau" me pseudonimin G. Maranaj, me letrat që i shkroi të shoqes së tij pasi kishte ndërruar jetë.[4] Vëllimi u botua për herë të parë më 1998, përkthyer nga Petraq Kolevica me titullin "Letra e gruas sime të vdekur".[5] U ripërkthye në gegërishten letrare më 2017 nga Ardian Ndreca me titullin "Letra shoqes seme të vdekun".[4]

Në fondin e Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit ruhen projekte të mbi 75 veprave inxhinierike të tij të ndërtuara në rajone të ndryshme të Shqipërisë, midis të cilave spikasin: Ura e Lanës (në bulevardin e madh të Tiranës - v. 1932), Ura e Bunës (Shkodër - v. 1934), Ura e Zaranikës (Elbasan - v. 1934), Ura e Gjanicës (qyteti i Fierit - 1940), Ura e Mbrostarit (Fier - v. 1945), Ura e Mezhgoranit (Tepelenë - v. 1947), Ura e Rrogozhinës (v. 1948), Ura e Bahçallëkut (Shkodër - v. 1949), Ura e Mokrës mbi Shkumbin (Pogradec - v. 1951), Kullë e lartë uji për lokomotivat (Durrës - v. 1951), Ura e re e Mifolit mbi Vjosë (Vlorë - v. 1952), Centrali i Rubikut (1952), Urë tip pasarelë mbi Vjosë (Memaliaj - v. 1953), Oxhak i lartë në Rubik (v. 1954), Ura mbi Dunavec (Maliq - v. 1957) e shumë e shumë vepra të tjera, kryesisht nga infrastruktura e transportit si dhe objekte industriale. Një pjesë e mirë prej tyre janë projektuar e realizuar në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, me qëllim rindërtimin e objekteve të shkatërruara nga lufta. Dhe veçanërisht në to shkëlqyen fantazia, talenti, guximi inxhinierik, por dhe patriotizmi i madh i Gj. Gjadrit, që realizoi konstruksione të vështira në kushtet po aq të vështira, të një kohe kur kishte mungesa të shumta deri dhe në materiale ndërtimore.

Më 1949-ën, Prof. Gj. Gjadri do të shquhet përsëri, me një studim tjetër origjinal mbi funksionin e adezionit në lëvizjen e trenave në hekurudhat malore. Ky studim me 46 faqe, i botuar në vitin 1949 në Buletinin e Institutit të Shkencave - Tiranë, e kapërcente kontekstin e angazhimeve të "zakonshme" të tij që ishin strukturat e urave. Gj. Gjadri shfaqet aty si një personalitet poliedrik, me dije të thelluara edhe në fushat e Matematikës së aplikuar, Fizikës dhe Mekanikës.

Me argumente shkencore dhe duke iu referuar studimeve të shkencëtarëve e inxhinierëve të shquar të botës, si Dalamber, Kulon, Stefenson etj., në këtë studim të shkëlqyer Prof. Gj. Gjadri vlerëson zgjidhjet e drejta e të guximshme të bëra rreth një shekull më përpara (v. 1854) për projektimin dhe ndërtimin e së parës hekurudhë malore (alpine), Semmeringut, duke u mbështetur në rolin e adezionit midis rrotave të lokomotivës dhe shinave të hekurudhës. Për atmosferën skeptike të kohës kur po ndërtohej ajo hekurudhë, Gjadri shprehet se "njerëz me autoritet teknik nuk i kanë besue adezjonit dhe kanë propozue për linjën e Semmeringut një hekurudhë me rrota me dhambë". Sikurse dihet, hekurudha e Semmeringut është vepër e inxhinierit me famë botërore, Karl Gega (Carl Ritter von Ghega, 1802-1860), që njihet për origjinën shqiptare të tij. Lidhur me këtë fakt, në dy-tri faqet e fundit të studimit, Prof. Gjadri, mbështetur dhe në afirmime nga autorë të huaj, nënvizon: "Nuk ka dyshim se Karl v. Ghega ka qënë shqiptar. Ky fakt atestohet në qarqet austriake pa kontestime...". Më tej, në dialektin karakteristik gegënisht të shqipes dhe me një frazë elokuente, ai vazhdon: "Në çështje hekurudhash, mund të themi pa ra në gabime se, në qoftë se nuk kemi ndërtue me kohë hekurudha në Shqipëri, kemi ndërtue me kohë hekurudha në vënde të huaja. Me këto fjalë mund të mburremi me të drejtë, por këto fjalë të bukura nuk mund t'i folshim, në qoftë se nuk kishim pështetje n'emnin e Karl v. Ghegës".

Referime

Redakto
  1. ^ A. Ndreca, "Letrat" e Gjovalin Gjadrit - nji himn dashunie, parathënie e vëllimit Gj. Gjadri, Letra grues seme të vdekun, Tiranë: Onufri, fq. 6. ISBN 978-9928-226-74-7
  2. ^ N. Pojani, Gjovalin Gjadri, inxhinieri i urave të para shqiptare: [portret], Tiranë: Gazeta shqiptare. - Nr. 6211, 16 dhjetor, 2013, f. 16 - 17.
  3. ^ Annuario del Regno d'Albania (PDF). Milano: Ravagnati. 1940. fq. 101. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b B. Andoni, T’i shkruash dhimbjes me dashuri, javanews.al, 14 dhjetor 2017.
  5. ^ Fondi online i Bibliotekës Kombëtare, bksh.al.