Gjykata e Lartë e Shqipërisë

This is the stable version, checked on 21 nëntor 2019. 2 pending changes await review.

Gjykata e Lartë, zyrtarisht Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, me seli në Tiranë, është shkalla më e lartë e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Misioni i saj kryesor është rishikimi, me kërkesën e palëve, i vendimeve të gjykatave të shkallëve më të ulta.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë
Krijuar më: 1998
Vendodhja: Tiranë
Kryetar: vakant
Nr. i anëtarëve: 17
Mandati i anëtarëve: 9 vjet
Faqja zyrtare: www.gjykataelarte.gov.al

Nëpërmjet këtij procesi, ajo merr në shqyrtim çështjet e zbatimit të ligjit pa gjykuar faktet duke garantuar me anë të jurisprudencës së saj zbatimin uniform të ligjeve.

Për të siguruar një proces sa më transparent dhe një akses të gjerë të publikut, Gjykata e Lartë vendos në shërbimin tuaj këtë faqe zyrtare ku cilido mund të informohet në mënyrë të vazhdueshme mbi veprimtarinë e saj gjyqësore dhe administrative.

Historiku

Redakto

Periudha 1912—1920

Redakto

Shpallja e pavarësisë, shënoi hapat e para në krijimin e institucioneve të shtetit të ri shqiptar, ku Kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, krahas iniciativave të rëndësishme për krijimin e organeve kryesore të pushtetit legjislativ e ekzekutiv, u fokusuan dhe mbi riorganizimin e pushtetit gjyqësor.

Kështu, në 10 maj 1913 u miratua “Kanuni i Zhurisë”, akti i parë dhe guri i themelit për organizimin dhe funksionimin e gjykatave në sistemin gjyqësor shqiptar. Në “Kanunin e Zhurisë” u parashikua krijimi i Gjykatës së Diktimit, Gjykatave të shkallës së parë të nënprefekturave, të cilat ishin kompetente për gjykimin e çështjeve civile dhe kundërvajtjeve e delikteve, si dhe Gjyqi Popullor me zhuri, i cili do të gjykonte çështjet penale me përfaqësues të popullit.

Ky sistem, për të cilin kemi informacion se u zbatua të paktën në një çështje në Elbasan, nuk dha rezultatet e duhura dhe u shfuqizua me dekretin datë 4 qershor 1914, ku u vu në zbatim ligji për gjykatat e drejtësisë në Shqipëri, sipas të cilit u krijuan Gjyqi Fillor i Apelit dhe Diktimit.

Periudha 1920—1939

Redakto

Në vitet 1920-1939 problemet kryesore në fushën e së drejtës, që paraqisnin rëndësi të madhe për shtetin tonë, ishin reforma ligjore, riorganizimi i organeve gjyqësore dhe aftësimi i kuadrove të tyre. Gjatë kësaj periudhe filloi të kristalizohej më mirë organizimi dhe funksionimi i sistemti gjyqësor.

Miratimi i Statutit Themeltar të Republikës së Shqipërisë, i vitit 1925, parashkoi në nenin 102 të tij se çdo gjyqtar e prokurorë do të emërohej në detyrë nga kryetari i Republikës, mbi propozim të Ministrit të Drejtësisë. Gjatë kësaj periudhe sistemi gjyqësor ishte i organizuar në:

  • Gjykata Fetare , të secilit prej tre besimeve. Vendimet e këtyre gjykatave ekzekutoheshin nga zyrat e përmbarimit pranë gjykatave të nënprefekturave
  • Gjykata Ushtarake e Posaçme , e krijuar për herë të parë në Shkodër, përbëhej nga tre oficerë, dy anëtarë civilë dhe një prokuror civil. Kjo gjykatë hetonte e gjykonte të gjitha çështjet për krime të cilët kishin “shaktue prishjen e qetësisë së brendshme”, dënonte të pandehurit pavarësisht nga grada ose cilësia e tyre, dënonte jo vetëm oficerët që kishin luftuar kundër forcave zogiste, por edhe të gjithë shtetasit që i ishin kundërvën nëpunësve të qeverisë.
  • Gjykata e Posaçme Politike , kryesohej nga një oficer dhe përbëhej nga dy gjyqtarë dhe dy oficerë të zgjedhur nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Vendimet e kësaj gjykate ishin të formës së prerë dhe miratoheshin nga Ministri i Punëve të Brendshme, ndërsa në rastin e dënimit me vdekje kërkohej miratimi i Kryetarit të Parlamentit.
  • Gjykata e Lartë e Shtetit , përbëhej nga pesë senatorë dhe nga kryetarët e degëve të Gjykatës së Diktimit. Krijohej si gjykatë “ad hoc” për të shqyrtuar dhe zgjidhur çështjet që kishin të bënin me krime të tradhëtisë së lartë, krime të tjera politike ose krime në ushtrimin e detyrës të kryera nga ministrat ose funksionarë më të lartë të shtetit.

Ndryshimet e rëndësishme që ndodhën në vitin 1928, ku Shqipëria kaloi nga sistemi parlamentar i qeverisjes, në sistemin monarkikë të qeverisjes, u pasqyruan edhe në mënyrën e funksionimit të pushtetit gjyqësor, veçanërisht miratimi më 1 prill 1929 i ligjit “Mbi organizimin e drejtësisë”, sanksionoi ndarjen e gjykatave në:

  • Gjykatat e Paqit , vepronin në qëndrat e çdo prefekture dhe nënprefekture, dhe sipas rëndësisë ndaheshin në tre klasa.
  • Gjykatat e Shkallës së Parë , vepronin në çdo qendër prefekture, dhe si gjykatë kolegjiale e shtrinin veprimtarinë në të gjithë juridiksionin administrativ të prefekturës. Këto gjykata ndaheshin në Gjykatat Fillore dhe Gjykatat Kolegjiale:
    • Gjykata Fillore , gjykonin në shkallë të parë të gjitha çështjet penale të kompetencës së Gjykatës së Paqit, por me kusht që ato vepra të kishin ndodhur brenda kufijve të prefekturës.
    • Gjykata Kolegjiale , përbëhej nga një kryetar dhe dy anëtarë dhe kishte në kompetencë gjykimin e të gjitha çështjeve penale për krime (delikte), të cilat dënoheshin me burg mbi tre vjet.
  • Gjykata e Diktimit (sot Gjykata e Lartë), ndahej në dy degë: Dega e çështjeve Civile, Dega e çështjeve Penale. Çdo degë e saj përbëhej prej një Kryetar, katër Anëtarë, një Ndihmës-Anëtar, një Kryesekretar dhe numri i nevojshëm i sekretarëve, ftuesve dhe shërbëtoreve. Pranë Gjykatës së Diktimit ndodhej një Kryeprokuror, një Nënkryeprokuror, një sekretar, një protokollist-arshivist dhe një shërbëtor.

Gjykata e Diktimit mund të mblidhej dhe në Mbledhjen e Përgjithshme, ku detyra e Kryetarit ushtrohej prej Kryetarit të Degës Civile Karakteristikë e vendimeve të Gjykatës së Diktimit ishte garantimi i proçesit të rregullt ligjor, paanshmëria dhe pavarësisa e gjyqtarëve.

  • Këshilli i Shtetit, i cili kryente funksionet e Gjykatës së Lartë Administrative, ndahej në seksionin e Drejtësisë, të Administratës dhe Financës, dhe Ekonomisë e Komunikacioneve.

Periudha 1944—1990

Redakto

Me ligjin për organizimin gjyqësor në 1951, Gjykata e Lartë ndahej në këto Kolegje gjyqësore:

  • Kolegji Penal
  • Kolegji Civil
  • Kolegji Ushtarak
  • Kolegji Disiplinor

Secili prej Kolegjeve shqyrtonte çështjet e veta të kompetencës lëndore me trup gjykues të përbërë nga Kryetari, një Anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe dy ndihmësa.

Interesant është fakti se kolegji disiplinor shqyrtonte shkeljet disiplinore të gjyqtarëve popullorë, të kryetarëve dhe anëtarëve të gjykatave ushtarake dhe të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, me një trup gjykues të përbërë nga Kryetari ose zëvendësi i tij dhe dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, të caktuar nga Kryetari.

Gjykata e Lartë gjykonte gjithashtu në Plenumin e saj, i cili përbëhej nga Kryetari, nën-kryetarët dhe gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Udhëzimet e Plenumit të Gjykatës së Lartë, ashtu si mendimi juridik në tërësi, ishin të udhëhequra nga politika dhe ideologjia e regjimit komunist.

Përgjithësimet e praktikës gjyqësore, të bëra nga Gjykata e Lartë, kanë shërbyer për t’i orientuar gjykatat e shkallëve me të ulëta për gjykimin e çështjeve sipas kërkesave politike, ideologjisë dhe legjislacionit të kohës.

Periudha 1990—2008

Redakto

Përmbysja e sistemit totalitar komunist u shoqërua me nevojën e ndryshimeve të mëdha në të gjitha fushat e jetës dhe përshtatje me sistemet demokratike bashkëkohore. Në fushën e drejtësisë u ndje nevoja e ndryshimeve rrënjësore për të vendosur një sistem gjyqësor të pavarur, në mënyrë që drejtësia ti përmbahej parimeve të ligjshmërisë dhe barazisë së personave para ligjit, mbi bazën e respektimit të së drejtës.

Me Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese”, Kuvendi Popullor vendosi që sistemi gjyqësor në Shqipëri të përbëhej nga Gjykata e Kasacionit, Gjykata e Apelit, gjykatat e shkallës së parë dhe gjykatat ushtarake.

Me ketë ligj Kryetari dhe zv.kryetarët e Gjykatës së Kasacionit zgjidheshin nga Kuvendi Popullor me propozim të Presidentit të Republikës. Gjyqtarët zgjidheshin nga Kuvendi Popullor. Ata zgjidheshin në detyrë një herë në 7 vjet më të drejtë rizgjedhjeje. Gjykata e Kasacionit nuk mund të shqyrtonte asnjë çështje në shkallë të parë, kurse në shkallë të dytë gjykonte vetëm çështjet e parashikuara me ligj.

Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, saksionoi një sistem prej tre shkallë gjykimi, duke parashikuar se “Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj...”.

Gjykata e Lartë, përbëhet prej 17 anëtarësh, të emëruar në detyrë me Dekret të Presidentit të Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, me një mandate 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi.

Gjykata e Lartë, në bazë të Kushtetutës, ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Kështu, ajo gjykon si shkallë e parë akuzat penale kundër Presidentit të Republikes, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, shqyrton në juridiksion rishikues të gjitha rekurset e paraqitura kundër vendimeve të gjykatave më të ulta. Gjithashtu, për njesimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejëe të tërheqë për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara /ështje të caktuara gjyqësore.

Për të përcaktuar më qartë mënyrën e organizimit dhe funksionimit të këtij institucioni të pavarur kushtetues, më datë 15.03.2000 u miratua ligji organik i tij, nr. 8588, dt.15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. Ky ligj parashikon se Gjykata e Lartë gjykon çështjet në dy Kolegje Civile dhe një Kolegj Penal, si dhe në Kolegjet të Bashkuara për unifikimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore.

Kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet në detyrë me Dekret të Presidentit të Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, nga rradhët e anëtarëve ekzistues, dhe e ushtron këtë detyrë brenda mandati të anëtarit të gjykatës. Ky i fundit, krahas funksioneve gjyqësore, ka në kompetencë përfaqësimin e institucionit, emërimin dhe shkarkimin e ndihmësave ligjor e personelit ndihmës, si dhe administrimin e fondeve buxhetore të vëna në dispozicion.

Struktura

Redakto

Gjykata e lartë përbëhet nga Kryetari, Anëtarët, Kabineti, Kancelari, dhe katër Drejtori.

Skeda:Struktura e Gjykates se Larte.PNG

Kryetari i Gjykatës së Lartë

Redakto

Kryetari i Gjykatës së Lartë drejton gjithë veprimtarinë e institucionit, miraton rregulloren e brendshme, lëshon urdhëra dhe udhëzime të karakterit administrativ dhe kërkon llogari nga vartësit për zbatimin e detyrave, drejton Kolegjet e Bashkuara, bën ndarjen e gjyqtarëve në kolegje, emëron dhe shkarkon ndihmësit ligjorë dhe personelin e shërbimeve ndihmëse, bën kërkesat për buxhetin vjetor të Gjykatës së Lartë dhe mbikëqyr zbatimin e tij, miraton strukturën, organikën dhe rregullat e brendshme të Gjykatës së Lartë.

Kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet në detyrë me Dekret të Presidentit të Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, nga rradhët e anëtarëve ekzistues, dhe e ushtron këtë detyrë brenda mandatit të anëtarit të gjykatës.

Kryetari aktual i Gjykatës së Lartë është gjyqtar Xhezair Zaganjori.

Kabineti i Kryetarit

Redakto

Këshilltarët e Kryetarit të Gjykatës së Lartë ndihmojnë Kryetarin, nëpërmjet dhënies së mendimeve me karakter juridik apo administrativ, për probleme që paraqesin interes për drejtësinë e për Gjykatën e Lartë. Kryejnë çdo detyrë tjetër që u ngarkohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë. Ndihmësi ligjor i Kryetarit të Gjykatës së Lartë kryen po ato detyra që kanë edhe ndihmësit ligjorë të gjyqtarëve. Sekretari i Kryetarit të Gjykatës së Lartë vepron në çdo rast sipas porosive të Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë

Redakto

Gjykata e Lartë përbëhet nga 17 anëtarë. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar që e kanë ushtruar këtë profesion jo më pak se 15 vjet. Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi. Anëtarët e tanishëm të Gjykatës së Lartë janë:

Këshilltarët ligjorë

Redakto

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ka deri në dy këshilltarë ligjorë, të cilët përzgjidhen nga vetë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë ndërmjet juristëve që plotësojnë kushtet ligjore për t`u emëruar gjyqtarë të gjykatës së shkallës së parë ose të gjykatës së apelit. Ata emërohen nga Kryetari i Gjykatës së Lartë.

Këshilltarët ligjorë studiojnë ankimet, dosjet gjyqësore, përgatisin relacionet për çështjet që janë në gjykim duke dhënë mendimin e tyre, u përgjigjen ankesave, përgatisin materialet e nevojshme, si dhe kryejnë çdo detyrë tjetër që u ngarkohet nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë.

Kancelari i Gjykatës së Lartë

Redakto

Kancelari i Gjykatës së Lartë emërohet dhe shkarkohet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë. Ai varet nga Kryetari dhe nën autoritetin e tij drejton veprimtarinë administrative të Gjykatës së Lartë. Kancelari drejton shërbimet ndihmëse në Gjykatën e Lartë.

Kancelar emërohet një jurist, i cili e ka ushtruar profesionin e juristit për një periudhë jo më pak se 7 vjet.

Drejtoritë e Gjykatës së Lartë që varen nga Kancelari janë:

  • Drejtoria Ekonomike, Personelit dhe Shërbimeve
  • Drejtoria e Studimeve, Publikimeve dhe Informatikës
  • Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, me Publikun dhe Median
  • Drejtoria e Administratës Gjyqësore

Lidhje të jashtme

Redakto

Faqja zyrtare në web

Referime

Redakto