Hamami i Çarshisë

monument kulturor në Elbasan

Hamami (Banja) i Pazarit është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Elbasanit, në qarkun e Elbasanit, Shqipëri [1]. Ky monument është miratuar me numër "586 më 16.10.1948 " nga Instituti i Shkencave.[2] Është ndërtuar në qendër të qytetit ku ishte pazari dikur, nga i cili merr emrin.

Hamami I Pazarit (Elbasan)
VendndodhjaElbasan, Elbasan, Shqipëri
Organi drejtuesDRKK Durrës
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI
Përcaktuar17.03.1948 e 23.09.1971
Nr. i referencësEL031

Historiku

Redakto

Hamami i pazarit është ndërtuar nga gjysma e dytë e shek. XVI. Në dokumentat historike thuhet se në vitin 1606 në godinën e madhe të hamamit të Elbasanit, qiraja shkonte deri në 1300 akçe në vit, d.m.th. gati 5 akçe në ditë. Kjo banjë publike ka funksionuar deri në vitet 40 të shek. XX. Ajo ka qenë tek hamam, d.m.th. mund ta përdornin vetëm burrat. Një herë në javë, të enjteve, përdorej vetëm nga gratë.[3]

Hamami është pronë private e familjes Shabanaj. Ato e kanë blerë rreth vitit 1850. Shabanajt me origjinë ishin nga Dibra. I pari i këtij fisi pasi kreu 6 vjet shërbim ushtarak në Azinë e Vogël, në Arabi e në Egjipt, kthehet në fillim në Manastie e më pas në Elbasan si fillrojtës (teknik që merret me mirëmbajtjen e rrjetit telefonik e telegrafik). Nga mesi i shek. XIX, një zjarr i fuqishëm dogji thuajse gjysmën e qytetit. Hamami nuk u dogj, por u mbulua me plehra e mbeturina. Shabani e bleu hamamin nga trashëgimtarët e familjes së Avlla Pashallinjve. Pasi u pastrua nga plehrat, hamami u bë funksional nga familja Shabanaj.[4]

Arkitektura

Redakto

Kjo banjë ka një skemë funksionale. Ajo përbëhet prej dy volumesh kryesore, nga volumi që krijon ambienti i zhveshjes (hyrjes) me përmasa në planimetri 11,3 x 12,4 m mbuluar me çati druri dhe nga volumi ku përfshihen ambientet e larjes, të mbuluara me kupola, me përmasa 13,5 x 13, 6 m. Ky volum falë kupolave të vogla ka një siluetë horizontale arkitektonike të larmishme dhe thyen monotoninë e sipërfaqeve të mbyllura të mureve.

Sipas radhës funksionale ambientet që përbëjnë hamamin janë:

  1. Ambienti i zhveshjes (hyrjes), ku qëndronin klientët para e pas banjës për çaj e biseda. Këtu kryhej zhveshja e pjesshme dhe pajisja e personave me inventarin e nevojshëm për larjen: si nallane, peshqirë etj.
  2. Ambienti ndërmjetës, ku në një sofat të ngritur nga dyshemeja klienti përgatitet për banjë. Ky ambient shërben dhe për adaptimin e klientit që kalonte nga temperatura e zakonshme e ambientit të hyrjes në temperaturën e lartë të ambienteve të larjes si dhe anasjelltas.
  3. Nyja sanitare.
  4. Ambienti i pastrimit. Të dy këto ambiente (nyja sanitare dhe ambjenti i pastrimit) lidhen direkt me ambientin ndërmjetës.
  5. Ambienti kryesor i djersitjes dhe i larjes, ku nëpër vaska kryhej larja. Dy rubineta derdhin ujin e ftohtë e të nxehtë në vaskë, ku klienti i ulur mbi fron pasi e përgatiste e hidhte me tas mbi trup.
  6. Në shpinë të ambientit të sipërpërmendur ndodhen dy ambiente të veçanta për larjen, të pajisura me nga dy vaska secila.
  7. Depozita e ujit.

Hamami i pazarit i ruan të gjithë elementet e ngrohjes e të furnizimit me ujë si furrën nga prapa për ngrohjen e ujit të depozitës, kanalet e nën dyshemesë për ngrohjen e ambjenteve me gazet e furrës, tubat anësore vertikale prej qeramike në mure për daljen e tymrave të furrës pas qarkullimit nën dysheme, tubacionet e qeramikës për furnizimin me ujë të vaskave, etj.[5]

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ LISTA E MONUMENTEVE: RRrethi i Elbasanit (PDF). Instituti i Monumenteve të Kulturës - Ministria e Kulturës. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 3 shtator 2018. Marrë më 17 qershor 2017.
  2. ^ "Map - IMK WebGIS". imk.gov.al. IMK. Arkivuar nga origjinali më 16 korrik 2019. Marrë më 17 qershor 2017.
  3. ^ Shtylla Valter (1979). Monumentet 17. fq. 83.
  4. ^ Dedej Sulë. Abedin Çaushi në gjurmët e traditës elbasanase. Onufri. fq. 47.
  5. ^ Shtylla Valtet (1979). Monumentet 17. fq. 83–84.