Hamami i Mitrovicës

monument kulture në Kosovë

Hamami i qytetit në Mitrovicë është një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore.

Hamami
Ndërtesa
Ambienti i brendshëm i hamamit

Historiku

Redakto

Hamami i Mitrovicës daton nga shekulli XVIII. Dikur përbënte një pjesë esenciale të qendrës së qytetit të vjetër otoman. Sipas pronarëve të tij, hamami ishte ndërtuar nga Sulejman Pashë Berisha dhe nipi i tij Zejnullah Beg Berisha. Ndërtimi i kësaj banje me stil tipik oriental zgjati dy vite. Hamami ishte funksional deri në maj të vitit 1959. Disa muaj më pas, Muzeu dhe Arkivat e qytetit u vendosën brenda premisave të hamamit. Për gjysmë shekulli, Muzeu i Mitrovicës i vendosur në të ofronte një ekspozitë interesante të veglave nga epoka neolitike brenda kësaj banje të vjetër otomane.[1]

Hamami i Qytetit përjetoi disa herë ndryshime dhe rekonstruim, në emër të modernizimit, punë të cilat u kryen pa përgjegjësi dhe pa profesionalizëm, me çka Hamami i Qytetit përjetoi dëmtime si konstruktive ashtu edhe arkitektonike estetike, artistike dhe në vlera ambientale. Punët në emër të rekonstruimit, restaurimit dhe konservimit në Hamam të Qytetit u kryen në vitet 1876, 1936, 1958, 1980 dhe 2009. Me propozimin e komisionit komunal për nacionalizimin e objekteve dhe tokës ndërtimore, Kuvendi Popullor i Komunës së Mitrovicës me vendimin nr: 178/59 me datë 17 shtator 1959 mori vendimin për legjitimimin si pronar - shfrytëzues të këtij objekti Muzeun dhe Arkivin e Qytetit të Mitrovicës. Objekti i hamamit ishte në përdorim si Muze i Qytetit (muze arkeologjik, historik, numizmatik dhe etnografik) deri nëntor 2009.[2] Kulmi i hamamit është riparuar kohëve të fundit, në maj të vitit 2009 nga UNESCO. Përveç problemeve me sistem të drenazhit, hamami tani është në përgjithësi në gjendje të mirë. Nga nëntori i vitit 2009 objekti i është kthyer trashëgimtarëve të ish pronarit dhe tani ka funksionin e lokalit gastronomik.

Përshkrimi

Redakto

Kompozicioni arkitektonik i Hamamit të Qytetit, me një shprehje specifike, përkundër objekteve tjera publike dhe sociale të cilat janë të mbuluara me një kupolë si xhamitë, teqet, bezistanët etj., ka disa kupola të vogla dhe qemeret e tij të cilat me madhësitë e veta të brendshme funksionale shprehin ritëm të një proporcioni. Ky ritëm i mbulimit horizontal i kundërvehet këtij kubusi nga gurët e ftohtë (pa hapje-pjesa e ftohtë dhe e vaktë), ashtu që në arkitekturë fitohet një karakter i kompozicionit arkitektonik me një shprehje skulpturale. Hamami i Qytetit gjendet në një kompleks arkitektonik që dikur ishte i rrethuar me objektet dhe zgjedhjet hapësirore të arkitekturës ambientale. Para dhe pas objektit të Hamamit të Qytetit gjendet oborri i formëzuar dhe i kultivuar me gjelbërim të lartë dhe të ulët. Nga ana lindore dhe perëndimore, objektin e Hamamit e përkufizojnë objektet fqinje të banimit dhe afarizmit dhe si e tillë, parcela përshkohet nga dy anët me rrugët e qytetit një dhe dy shiritore. Hamami është ndërtuar si hamam për meshkuj, si objekt publik i tipit sanitar "tek".

Hamami përbëhet nga pjesa e ftohtë, pjesa e vakët, pjesa e nxehtë si dhe nga pjesa teknike.

  1. Pjesa e ftohtë “Apodyteriumi” (hyrja, garderoba me fontanë, shatërvani)- është me bazë drejtëkëndëshe e ndërtuar me mure prej gurëve në dy kate (kati në formë galerie) dhe e mbuluar me kulm katërfaqësor me konstruksion klasik nga druri. Mbulesa është me tjegulla të argjilës së pjekur. Pjesa e ftohtë ka dy hyrje. Në hyrje mu në mes gjendet shadërvani i ndërtuar nga mermeri. Dritaret e mëdha janë nga ana veriore dhe ajo jugore. Në anën e djathtë të përdhesës janë shkallët e drurit për ngjitje në kat (galeri). Dyshemeja është me pllaka të gurit, ndërsa suvatimi është me llaç gëlqeror.
 
Pamje brenda Hamamit
  1. Pjesa e vakët “Frigidariumi” (zhveshja, rekuizitat-sanitaret) -
  2. Pjesa e ngrohtë “Tepidariumi” (larja, djersitja, masazha dhe pushimi) – si dhe
  3. Pjesa teknike (Kaldatorja ose “Caldariumi”) - “Mutvak çulhan” – përbëjnë një strukturë të muratuar nga gurët mollozë të mbuluar me çemer dhe nëntë kupola, të cilat nga jashtë janë të mbuluara me kulm trefaqësor, kurse mbulesa është me pllaka të petëzuara të plumbit. Nga kjo sipërfaqe e kulmit depërtojnë kupolat të cilat po ashtu janë të veshura me pllaka të petëzuara të plumbit.

Venddepërtimet e dritës – “okuluset” në sipërfaqet e kupolave dhe qemerëve janë të punuara nga korniza metalike me xham. Përfundimi i mureve me kurorë (rekonstruimi i kulmit në vitin 1936) të formuar nga tullat e plota dhe pllakëzat e pjerrëta të gurit bëjnë lidhjen e murit të objektit me kulmin. Megjithëse hamami ishte shndërruar në muze pjesa e vakët dhe pjesa e ngrohtë kryesisht janë ruajtur siç kanë qenë. Kaldatorja shfrytëzohej për depo të nevojave të muzeut me qasje nga jashtë. Ndërsa pjesa e ftohtë në dy katet ishte shndërruar në hapësirë për ekspozim të eksponateve muzeale. Në pjesën e ngrohtë të hamamit zënë vend katër hapësira të ngrohta për pushim dhe katër hapësira për larje – “halvet”. Në çdo halvet gjenden nga dy govata të ujit - “kurna” nga mermeri. Çdo hapësirë e larjes dhe e pushimit është e mbuluar me nga një kupolë të vogël. Hapësira qendrore – “mejdani” e pjesës së ngrohtë është e mbuluar me një kupolë qendrore më të madhe. Muret ndarëse po ashtu janë nga guri, kurse hapjet përfundojnë në formë harkore të përpunuara në mënyrë plastike. Pjesa e vakët – “kapalluk” është e mbuluar me qemer sikurse edhe kaldatorja. Ngrohja e hapësirave të hamamit bëhej përmes teknologjisë së kanaleve nën dyshemenë e pjesës së ngrohtë të hamamit – “hipokaust”, të cilat janë jashtë përdorimit nga koha kur hamami pushoi së funksionuari. Ndërsa sistemi i tubacionit nga qeramika në kuadër të mureve po ashtu u largua në kohën kur Hamami i Qytetit pushoi së funksionuari.[2]

Galeria

Redakto

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto

42°53′17.0″N 20°52′14.5″E / 42.888056°N 20.870694°E / 42.888056; 20.870694