Haxhi Faik Hoxha (Shkodër, 14 prill 1930 - 12 maj 2011) ka qenë predikues, alim dhe myfti i Shkodrës.[1]

Biografia

Redakto

Mësimet i filloi në "Shkollën e Kuqe" të Tiranës, që e përfundoi në vitin 1939. Mësimet e para fetare i mori në shtëpi nën kujdesin e babait dhe të rrethit familjar. Ky mjedis familjar, dëshira e të atit për t'i dhënë dije fetare djalit të tij dhe sidomos vizitat e shumta të dijetarëve dhe hoxhallarëve më të shquar të kohës në shtëpinë e tij, nxitën interesimin për arsimimin fetar. Ai vazhdoi shkollën e mesme në "Medresenë e Përgjithshme" në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1948 me rezultate të shkëlqyeshme. Në këtë vit, Sheh Qazim Hoxha dëbohet nga Tirana dhe e gjithë familja zhvendoset në Shkodër.

Në vitin 1950 emërohet profesor në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku dha lëndë fetare dhe të përgjithshme. Në vitin 1954 kreu shërbimin ushtarak dhe menjëherë filloi punën në kooperativën e artizanatit të Shkodrës si llogaritar, detyrë që e vazhdoi deri në vitin 1966, kur e arrestojnë dhe vuajti vitet e burgimit deri në 1989. Për 23 vite rresht, Haxhi Faik Hoxha vuajti dënimin si i burgosur nga regjimi komunist.

Ndryshimet shoqërore që ngjanë pas viteve '90 me proceset demokratike, krijuan mundësi të reja për Haxhi Faikun. Ai u angazhua me të gjitha energjitë për rizgjimin e ndjenjave të qytetarëve në besimin te Zoti. Në mbledhjen e parë të përfaqësuesve të rretheve të vendit tonë, në shkurt të vitit 1991, Haxhi Faiku u emërua Myfti i Shkodrës. Ndërkohë, ai ka kryer edhe detyrën e Imamit dhe të Vaizit në Xhamitë e Plumbit, Parrucës dhe Ebu Bekër në Fushë-Çelë. Me organizimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të këtij Komuniteti. Haxhi Faik Hoxha vlerësohet shumë për punën e tij në mirëkuptimin mes besimeve fetare në Shkodër. Në detyrën e Myftiut punoi për bashkimin dhe vëllazërimin ndërmjet besimtarëve. Interesimi i tij ka qenë i madh pas viteve 1991 dhe sidomos në vitet 1997 dhe 1998, për të kapërcyer problemet e hasura e jo pak të vështira. Hoxha u tregua tolerant dhe bashkëpunoi vazhdimisht me komunitetet fetare, atë katolik dhe ortodoks, me përfaqësuesit e këtyre komuniteteve, Arqipeshkvinë e Shkodrës dhe Famullinë Ortodokse të Shkodrës. Jeta e Haxhi Faik Hoxhës mund të përkufizohet: "Një jetë e tërë në shërbim të Zotit dhe të njerëzve"

Referime

Redakto
  1. ^ Dizdari, Islam (16 prill 2017). "Faik Hoxha (1930-2011)". shkodradaily.com. Arkivuar nga origjinali më 27 janar 2022. Marrë më 27 janar 2022.