Ibrahim Guri
Ibrahim Guri - Pas lëçitjes së një antologjie poetike me kopertina të bukura që ta përkujtojnë Hazbi Shaqirin me flamur në dorë, duke shfletuar pastaj shënimet e shkëputura nga ditari, kuptojmë se autori i librit Mërgimtari, Ibrahim Guri, ka lindur në Shipkovicë, më 20 mars të vitit 1949. Nuk e dimë në do na hidhërohet po qe se themi të vërtetën, se ka lindur në Izerishte, është shkolluar në Puçalen, dhe ka vajtur për të siguruar ekzistencën, së pari në fshatrat vllehe të Maqedonisë, pastaj në Istri, Suedi, dhe më në fund, në Hamburg të Gjermanisë. E mbajmë mend si nxënës i klasës së katërt. Rrinte në një bangë, duke pasur për roje mënjanë, Habibin e las Shuip, ndërsa në anën tjetër, Reshatin e rojtarit të pyllit. I kishte qejf shakatë dhe ato nuk i ka braktisur as tani, kur kanë filluar t’i thinjen flokët. Shkrimtari që e braktis humorin, më mirë e ka ta thejë pendën, thotë një fjalë e urtë. Dhe ka të drejtë, autori në fjalë, kur i përqesh ata që i harrojnë etërit e vet, që i rritën duke shitur krande, te Xhamia e Pashës. Mërgimtari i Hamburgut shqiptar Ibrahim Guri, veprimtar i dalluar i Shoqatës Shqiptare “Verrat e Llukës”, merr guximin dhe shkruan vjersha patriotike, për t’i përmbledhur ato në një vëllim simpatik, që t’i përkujtojnë veprat e para të rilindësve tanë. Librin e boton në kuadrin e Editurës Konica, që funksiononte në Tetovë, në kohën kur ajo drejtohej nga ish-kryetari i Shoqatës së të persekutuarve politikë shqiptarë, Xhevat Ademi (1998). Është fjala pra, për vëllimin poetik Mërgimtari, e shkruar në një gjuhë të kuptueshme, e ngarkuar me motive fshatarake, ku predominojnë ato të atdhedashurisë.
Bëre Zemrën Gur, si Shqipja mbi Flamur! E preferojmë këtë lojë fjalësh, duke i shënuar emrat me shkronjë të madhe. Tekefundit, kështu veprojnë edhe gjermanët, që ua dhanë shansin prindërve tanë, ti përjetojnë ca vite, në kuadrin e Shqipërisë Reale (1941-1945). Pastaj, pse mos t’i respektojmë me shkronjë të madhe, do emra me domethënie të madhe: Zemra, Zoti, Guri, Qielli, Shqipja, Dielli, Flamuri…Vepra në fjalë, ngërthen në vete rreth dyzet poezi, përmes të cilavet, gjatë kohë para vitit të botimit (1998), autori e parandjen të vërtetën se Do të na çlirojë Amerika, duke ia ngritur moralin shqiptarit përmes sintagmave lirike Bëre zemrën gurë/ si shqipja mbi flamur/…ti tregojmë botës mbarë/ se jemi gjak shqiptar. Shqiptarë sipas tij, janë trima krenarë, të fortë, të urtë, të dashur, zemër-bardhë. Janë sokola malesh, të gatshëm për ta derdhur gjakun si ar, për bashkimin kombëtar. Frymëzimet lirike të autorit, ndërlidhen ngushtë me kontributet e tij konkrete, që ka dhënë për themelimin e një varg shoqatash shqiptare në Suedi dhe Gjermani: Verrat e Llukës, Ibe Palikuqi, Bashkimi, Hasan Prishtina, Jusuf Gërvalla, etj. Në kuadrin e tyre, ka pasur fatin të njohë intelektualë e atdhetarë të dëshmuar: Adem Demaçin, Ramadan Osmanin, Ajdin Abazin, etj. Amaneti i nënës, Dashuria për fëmijët, Flamuri Shqiptar, fshati im i dashur, Liria, Gjuha Shqipe, Mërgimtari, O Atdhe i dashur, Populli i ndaluar, Porosia, Shekujt po kalojnë, Simbolet kombëtare, Universiteti i Tetovës, Zëri i shqiptarit – ja vetëm disa nga titujt e vjershave të tij, që tingëllojnë si një poezi në vete. Po ndalemi vetëm te njëra prej tyre, titulli i së cilës ndërlidhet me emrin e katundit ku kemi parë për herë të parë, dritën e diellit shqiptar:
Shipkovica
Shipkovica tokë shqiptare. Me shekuj su trembe fare. Nëpër përpjekje ke qenë : Gjithmonë krenare. Në luftë me pushtuesit, Dole fitimtare. Dhe kurrë s’u përkule : As nga osmanët, As nga krajlët. Gjithmonë Marshon përpara, Ti Shipkovicë e kuqe, Do të mbetesh krenare Deri në fitore.
Defilon këtu pra, historia e fshatit shqiptar, dhe e shpirtit të tij, përherë fitimtar. Për t’u bërë anëtar i Shoqatës të Shkrimtarëve të Shipkovicës, duhet të kesh së paku dy libra të botuar. Të mirëseardhur për një shoqatë të këtillë të imagjinuar, janë edhe Sadudini, edhe Lazimi, edhe Ibrahimi, edhe Jetmiri, edhe ndonjë autor tjetër, që mund të ketë vetëm një libër të botuar, apo një dorëshkrim libri të pabotuar, siç është rasti i Lazim Rexhepit. Ibrahim Guri, që e braktisi nga trojet e mbiemrit një mbiemër me konotacione të pushtuesit osman, është një poet i ri shqiptar, me pak shkollë dhe me shumë shpirt. Është shqiptari që zhurritet nga malli i mërgimtarit, për t’i parë shtëpitë tona, me flamur mbuluar, për ta parë flamurin e ngritur, përmbi majë të Sharrit, në qendër të Shkupit, dhe kudo që shqiptarët, këto simbole të shenjta, i mbajnë me krenari, për të luftuar për Shqipëri.