Jani Vreto
Jani Vreto (Postenan, 14 janar 1822 - Athinë, korrik 1900) ishte atdhetar dhe mendimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.
Biografia
RedaktoLindi në fshatin Postenan, pranë Leskovikut, në Vilajetin e Janinës më 14 janar 1822. Mësimet i ndoqi në një shkollë greke në Vurban afër Konicës, kurse nga 1843 deri 1847 ndoqi gjimnazin e mirënjohur "Zosimea" në Janinë[1].
Më 1854 u shpërngul në Konstantinopojë, ku i ati merrej me tregti. Atje punoi si sekretar në një shoqëri duhanesh dhe me fillimin e viteve shtatëdhjetë ishte njohur e lidhur me figurat udhëheqëse të lëvizjes kombëtare shqiptare: Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Pashko Vasa dhe Ferid pashë Vlora. Gjithashtu mbante letërkëmbim me figura të shquara shqiptare në Egjipt si Thimi Mitko, Spiro Dine dhe Thimi Thoma Kreji si dhe me Dhimitër Kamardën dhe Jeronim De Radën në Itali[1].
Në vjeshtën e vitit 1877 u bë anëtar themelues i Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe punoi aktivisht për përmbushjen e qëllimeve të tij. Në maj 1878, pas daljes së një radhe artikujsh polemikë në shtypin grek, sidomos në gazetën "Neologos", Vretoja botoi veprën "Apologia", Konstantinopojë 1878, në greqishte, në të cilën shtjellon prejardhjen e shqiptarëve, gjuhën, trevat e banuara prej tyre e të drejtat e tyre. Në fillim të vitit 1879 u caktua anëtar i komisionit të ngritur nga Komiteti qendror për të vendosur për alfabetin përfundimtar të shqipes. Anëtarët e këtij komisioni prej kohësh kishin mendime të ndryshme e nuk pajtoheshin në këtë çështje shqetësuese të alfabetit, gjë për të cilën Vretoja ishte për alfabetin grek.
Më 12 tetor 1879 mori pjesë në themelimin e Shoqëri e të shtypuri shkronja shqip, e cila do t'ia kushtonte energjitë e veta botimit të librave shqip, sidomos të teksteve shkollore, si dhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe. Vretoja qe autor i një statuti (Kanonizmë) të shoqërisë, së cilës i ra barra të reagonte me zgjuarësi e në mënyrë diplomatike ndaj kundërshtimeve Osmane e, sidomos, ndaj qëndrimeve armiqësore greke për çështjen e zgjimit kulturor shqiptar. Pikërisht në këtë kohë ai u shkishërua nga mitropoliti ortodoks i Gjirokastrës, sepse paskësh bërë herezi 'duke krijuar një çështje shqiptare'. Në verë të vitit 1881, Vretoja shkoi në Bukuresht që të zgjonte interesimin për lëvizjen kombëtare ndër shumë shqiptarë që ishin ngulur me banim aty e nëpër Rumani, dhe themeloi në Bukuresht një seksion të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Pas kthimit në Stamboll, Vretoja punoi me energji për botimin e organit periodik "Drita", që më pas mori emrin "Dituria", e cila doli në Konstantinopojë nga gushti 1884 deri në korrik 1885. Në dhjetor 1884 ai bashkëpunoi për themelimin e shoqërisë Drita të Bukureshtit dhe shërbeu si sekretar i saj duke bërë praktikisht gjithçka në shtypshkronjë[1].
Ndërroi jetë në korrikun e vitit 1900 në Athinë[1].
Vepra
RedaktoI ndikuar nga kultura helene që në kohën e studimeve në Zosimea (gjë për të cilën Konica do ta quante grekoman), ai hartoi një vjershë më 1847 për Skënderbeun me alfabet grek dhe nisi të mbledhë fjalë të urta e këngë popullore shqiptare. Botimi i parë i Vretos ishte një gramatikë e greqishtes e përkthyer shqip, "Grammatikê tês omilumenês hellênikês glôssês eis tên albanikên", Konstantinopojë 1866 (Gramatikë e greqishtes së folur në gjuhën shqipe). Me shoqërinë "Drita" të Bukureshtit u botuan dy libra të Vretos: "Mirëvetija" dhe "Numeratoreja" më 1886. Një vit më pas ai botoi një vepër 158 faqesh me titull "Radhuashkronjë", Bukuresht 1889 (Llogaritje), për tregtarët dhe biznesmenët shqiptarë në Rumani[1].
Më 1888 përshtati veprën "Erveheja" të Muhamet Kyçykut me alfabetin e Stambollit dhe e purifikoi me njëfarë mase nga orientalizmat - sipas Elsie varianti i Vretos rreket ta paraqesë veprën në një formë më epike me epitetet përkatëse[1][2].
Veprimtaria studimore
RedaktoMirënjohje
RedaktoPresidenti i Shqipërisë, Bamir Topi më 13 janar 2012 i akordoi Jani Vreton (pas vdekjes) Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Figurë e shquar e kombit, një nga veprimtarët e ndritur të Rilindjes, që çështjen kombëtare e pa të lidhur njësh me krijimin dhe zhvillimin e arsimit kombëtar dhe përpjekjet për krijimin e alfabetit shqiptar dhe botimin e abetares së parë shqipe i konsideronte si beteja të mëdha për fitoren e pavarësisë dhe krijimin e shtetit shqiptar.” [3]
Referime
Redakto- ^ a b c d e f Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.
- ^ H.T. Norris (1993). Islam in the Balkans: religion and society between Europe and the Arab world. University of South Carolina Press. f. 80. ISBN 0-87249-977-4.
- ^ Presidenti Topi dekoron Jani Vreton (pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit” Arkivuar 11 shkurt 2012 tek Wayback Machine, Web faqaja president.al, 13 janar 2012