Jusuf efendi Tabaku i njohur edhe si Myfti Plaku (Shkodër, 1797 - 2 korrik 1904) ka qenë myfti dhe myderris në Medresenë e Qafës dhe veprimtar i Degës së Shkodrës të Lidhjes së Prizrenit.

Leu në lagjen Tabake të Shkodrës, i biri i Abdullah Këlliçit. Sipas shënimeve të vetë Jusuf efendisë, kujtesa familjare gjurmonte të parin që mbahej mend Osman Këlliçin që kishte qenë terzi/rrobaqepës. I biri i tij, Hasan Këlliçi, kishte qenë gjyqtar/kadi i Shkodrës më 1793 dhe pas tij i biri, Abdullahu. Familja Këlliçi, siç quhej më parë, mori mbiemrin e lagjes dhe të esnafit të Tabakëve. Sipas të dhënave të Esat efendi Myftisë, të parët e kësaj familjeje patën ardhur prej Ulqinit. Llagapi i parë ka qenë "Këlliçi", por mbasi Jusuf Efendia qëndroi për shumë vjet Myfti, i ngeli mbiemri "Myftia" dhe të gjithë pasardhësve të tij.

Jusuf Tabaku studimet e para për gjuhën arabe dhe mësimet fetare i ka marrë prej Sali Efendisë së Madh, një nga myderrizët më të shquar të Medresesë së Qafës, pastaj shkoi në Stamboll për të vazhduar studimet e larta në teologji. Për këtë flet edhe Daut Boriçi në ditarin e tij. Jusuf Efendia u pat emëruar në fillim imam i xhamisë së Oxhakut (Oxhaku i Tabakëve), më vonë në xhaminë e lagjes Tabakë (prej emrit të lagjes mori edhe mbiemrin Tabaku).

Jusuf efendia përkrahu jo vetëm kryengritjet e fuqishme që plasën në Shkodër kundër Tanzimatit të udhëhequra nga Hamz Kazazi etj, por edhe revoltën e vegjëlisë qytetare shkodrane, që drejtohej nga Haxhi Hasan Sheh Shamia që shpërtheu në pazarin e Shkodrës më 7 gusht 1854. Mbledhja e pare u organizua në Medresenë e Pazarit, ku ishte myderriz edhe Jusuf efendi Tabaku. Të nesërmen u organizua një mbledhje e gjerë në sheshin e Teqes së Pazarit, ku mbas shumë diskutimesh u vendos që "Mbas sodit të mos lejohej shitja e drithit në vende të hueja dhe bajnë të ndëshkoheshin në mënyrë shembullore ata persona që spekullime e veprime të shëmtueme..." Qeveria mori masa ndaj të gjithë pjesëmarrësve të krerëve të lëvizjes në Shkodër.

Me 22 tetor 1856 Jusuf Efendi Tabaku u internua në Stamboll së bashku me Hamz Kazazin, Ahmet ef. Kalanë, Hasan agë Hotin, Osman agë Hotin, Halil Spahinë, Sali Ef. e Madh, Sali Ef. e Vogël e shumë të tjerë.

Me 1859 lirohet nga internimi. Më 6 mars 1861 emërohet anëtar i këshillit të ri administrativ të Shkodrës, por, sepse kundërshtoi masat e egra dhe sistemin e ri të taksave ndaj populisisë, me urdhër të Marshallit Ismail Pasha, me 14 nëntor 1863, së bashku me krejt këshillin shkarkohet nga detyra. Më 1861 emërohet Myfti i Shkodrës, detyrë që e ushtroi derisa vdiq me 1904.

Mbas demonstratës në oborrin e Bibliotekës së Vakëfit në Pazar, më 15 qershor 1878 u hartua një memorandum i Komitetit Ndërkrahinor - siç quhej Dega e Shkodrës për Lidhjen e Prizrenit. Firma e Jusuf efendisë ishte fill pas asaj të drejtuesit të Komitetit, Daut efendisë.[1]

Referime

Redakto
  1. ^ Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi (1997). Në kujtim të brezave. Shkodër: Shtëpia botuese "Rozafat". fq. 11–25. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)