Karnevalet e ShkodrësRedakto

 
Karnevalet Shkodër 1897
 
Karnevalet Shkodër 1910

Nuk ka dyshim se Shkodra ȃsht qyteti ma i vjetër i trashëgimisë së festimit të karnavaleve në Shqipëri. Ato kanë qenë prezent në gjysmën e shekullit të 19-të, rreth viteve 1860-61. Kto te dhena i konfirmojnë disa studiues si Gjon Karma,”Karnevalet e Shkodrës”, po edhe studiues si Lec Zadeja “Luigj Zadeja bejtexhi shkodranë, Filip Ndocaj, “Nëntori”,1958, Nr 6. si dhe Gjon Stefa-Missagli në librin studimor “Historiku i Karnevale Shkodrane”: ”Të parët që kanë sjellë në Shkodër maska karnavali dhe që i kanë ekspozue në dyqan, kanë qenë dy këpucarë, njeni dalmatin e tjetri hungarez. Kjo rreth viteve 1860. Kurse i pari që njihet në Shkodër që asht veshë karnaval ka qenë Zef Gjon Mala....” Kështu vëreheshin persona të veshur karnaval, por që populli i quante “surreten”. Vetë paraqitja sillte gëzim tek shikuesit por edhe nji lloj shpotitjeje e cila shpesh merrte kundër përgjigjen e “surretenve”, ashtu siç e kishte zakon shkodrani, me bejten “qit e prit”. E ku ma bukur do të gjente terren kjo festë masive kristiane, se në Shkodrën e humorit të çiltërt, therës e goditës. Janë të njohur e të lakuar më shumë se 150 humorist brenda këtyre dy shekujve deri në ditët tona në Shkodër. Shtojmë faktin se Shkodra kishte të veçantë edhe se ajo me disa rrethina , paten qenë nën posedimin e influencës së Republikës së Venedikut,. Qytet ky, ku të jetë zanafilla e festimeve moderne të këtij aktiviteti, ku edhe mori emrin “Carnem-levare” (festimi para periudhes 40 ditore se Kreshmeve ku heqja e mishit ȃsht obligatore), shtojmë këtu aktivitetin e dendur tregtarë si dhe shkollimin e studentëve të shumtë që sillnin kulturën përendimore, ndër to edhe këtë festë masive të gëzueshme. Kjo festë në Shkodër e ka zanafillën tek celulat familjare e ma tej tek ata farefisnore, apo edhe të lokalizuara në rrugica e lagje.[1].


Me kalimin e viteve, kryesisht mbas 1900-ës, kjo festë filloi të vetorganizohej dhe të përcaktohej. Kështu ajo u nda në dy ditë. Në ditën e parë, që ishte e diele (para të merkurtës së të lidhurave) festonin fëmijët, në një organizim jo të përgjithshëm kolektiv, por kryesisht në grupime rrugësh e rrugicash, apo edhe rrethesh farefisnore. Shëtitnin dhe i binin dyerve të shtëpive plot zhurmë e hare, këndonin e kërcenin,por edhe kërkonin shpërblimin, kryesisht petullat karakteristike, por edhe fruta të thata dimërore, si fiq të thatë, bukë-fike, kumbulla të thata, arra e lajthija. Në shumicën e rasteve veshja e tyre ishte sajuar nga shtëpitë. Kjo sepse aq ishin mundësitë e kohës. Ky lloj festimi i fëmijëve është trashëguar ndër vite , deri në ditët tona. Dita e dytë e festimit ishte e martja, para së Merrkurrës së të Lidhurave. Kjo ishte dita e të rriturve. Emrohej kjo “Dita e Karnevaleve”, por edhe e “Martja e Majme”. Në Shkodër, ashtu si dhe në shumicën e popujve që e festojnë, data e tyre përcaktohet nga kremtimi i festës katolike të Pashkëve, por që në të vërtetë asnjëherë nuk është paraqitur si aktivitet fetar dhe s’ka pasur asnjë ngjyrë a material fetar. Në këtë ditë, ma masivja, me pjesëmarrje të gjerë të popullit, prezantimi behej vetjak, po edhe i organizuar, sidomos mbas formimit të shumë shoqërive kulturore të asaj kohe si “Rozafat”, “Bogdani”, “Antonjane”,”Vllaznia”,”Nji tubë djelmëri shkodrane” etj. Shumica e karnevalistëve lëviznin në këmbë, por edhe me karroca, pajtone e ndonjë rast edhe me makina. Festimi vazhdohej deri afër “akshamit”(në të ngrysur). Ai përfundonte me një ceremoni mbylljeje, që për shumë vite u ba në dy qendra të qytetit, në qendren e lagjes “Serreq” dhe tek “Ara e Pashës”. Në mënyrë demonstrative digjej “”dordoleci”, personifikim i të këqijave të atij viti. Shoqërohej ky veprim me bejta thumonjëse, e vaje, por edhe kërcehej e hidheshin valle rreth tij[1].


Nga viti në vit “karnavalet shkodrane” merrnin tipizimin e vet, mbështetur kryesisht tek humori shpotitës (ironizues) i bejtave “qit e prit”(bejtë-nga fjala orientale që do të thotë vjershë), përherë në antitezë e kundërshti me të metat e kohës, qofshin këto të sistemit qeverisës, apo të metave social-ekonomike të kohës. Po kështu u veprua edhe kur ato qenë të organizuara dhe jo spontane, por tashmë të parapërgatitura, bilëz edhe të prezantuara në fletë palosje apo broshura, kjo mbas viteve 1913 sipas dëshmive. Po prezantojmë një fragment që fletë qartë për të kaluarën e perspektiven e këtyre festimeve në Shkodër:

         Të gjithë bota karnavalin
         Me gjithë shpirt e ka hatre(miratuar)
         Dhe për sa shekuj të dalin                  Madje edhe kah Shqipnija
         Kurr nuk ka per t’u harrue.              Kurr na mbrapa s’e kem lanë
                                                                       Si të mdhajt, ashtu dhe fmija 
                                                                       T’gjithë të mirat ia ka lanë
          Kemi ra si peshku n’zall
          Festa e jonë tri javë ma s’met
          Karnavalit me çue fjalë                     Unë jam gjallë e fortë si curr
          E je gjallë ndokund sivjet.                 Nuk jam kenun kurrë ma mirë
                                                                       Simjet po i lus si çmos kurr,
                                                                       Me Shqipni n’vedi e t’lirë.
           I madh e i vogël t’bajnë gajret
           Se asht festa lanë prej t’parvëve:
           E u dhashtë Zoti bereqet
           Rrnoftë Shqipnija e Shqiptarëve! 
 
Karnevalet Shkodër 1922
 
Karnevalet Shkodër 1937

Në këte kontekst, pra në atë të demaskimit (kritikimit), paraqitej shpesh edhe veshja, apo objektet e shumtë butaforikë, karrocat, makinat etj. Siç qenë “globi” tek kriza botnore, “Shtëpi banimi” tek kriza e banesave, e famshmja “lopa që vjelin ministrat”e bejtexhiut e organizatorit me emër Kol Shirokës, “vaporrit”për përmbytjet në Shkodër, “Tezgjahut”të Kol Topit për modën e tjetërsuar etj. Krahas këtyre ata këndonin e kërcenin, bënin zhurmë gjatë gjithë lëvizjes së tyre në formë karvani lëvizës, ma e ndjeshme kjo në ata grupe që ishin të organizuara në shoqëri kulturore [1].

Edhe pergjat pushtimit fashist të Italisë, në Shkodër nuk reshten së festuari karnevalet, gjithherë mbi tradicionin që ato kishin, me gjithë se shoqëritë kulturore nuk funksiononin të gjitha[1].

Në situatat e njohura të viteve të para mbas 1944-es, të mbarsura me shumë vështirësi e rreziqe, askush nuk kishte guximin me ndërmarrë një manifestim të tillë. Çdo gjë pritej e kërkohej të lejohej nga diktatura e hekurt e vendosur në Shkodër, që shfaqte fobi deri në masa represive ndaj shumëçkaje të traditës shkodrane të së shkuares në kulturë e art. E megjithatë edhe në monizëm do të manifestoheshin karnavalet. Do të jenë pesë të këtilla. E para do të jetë iniciativa e Klubit të Punëtorëve “Vaso Kadija” me 21 shkurt 1951 dhe mbas kjo veprimtari me 28prill 1957, me 20 maj 1962, 26 prill 1964 dhe e fundit me 22 prill 1967. Deri në këte periudhë ky manifestim karnevalesk u pa i dobishëm, për t’u shfrytëzuar si pjesë e propagandës së Partisë-Pushtet, duke e drejtuar përmbajtjen e bejtës dhe të gjithë aksesorëve të tjerë të kësaj veprimtarie në dobi të agjitacionit të saj. Siç edhe vërehet, nuk respektoheshin datat e festimit të kësaj feste, por data të veprimtarive politike si kongrese, zgjedhje etj. Por edhe kjo ka pozitiven e vet. Fakti që ato zhvilloheshin dhe trajtoheshin në stilin e karnavaleve tipike shkodrane bënte, të ruhej kështu tradicioni i vazhdimësisë.[1]

Mbas rrëzimit të komunizmit dhe kalimit të Shqipërisë në sistemin politik demokratik, mbas vitit 1992, po rilindënin traditat e bukura të ruajtura e të trashëguara që luanin një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar e në mbijetesën e kombit tonë. Po vononte pak risjellëja e traditës së bukur të këtij festimi, e jo vetëm për këtë festë, pa u ndalur në shumë arsye politike e social-ekonomike. E vetmja shenjë e dukshme e lidhjeve me të kaluarën e festimit ishin lëvizjet sporadike të disa grupeve të vogla fëmijësh, sigurisht me inisiativën private të prindërve apo gjyshërve që sillnin me nostalgji kujtimet e asaj kohe të bukur të festimeve.

Do të ishte Shoqëria Kulturore “Illyricum” miq të shën Françeskut që mori iniciativen e ripërtëritjes së festimeve karnevaleske me iden e presidentit të saj Gjon Stefa-Missagli që për 8 vite do të jetë dhe drejtuesi organizativ – artistik, kjo për faktin se shoqëria kishte anëtarësim artistësh të shumë profileve si dhe për arsyen se asaj i qenë krijuar kushte të favorshme nga Vëllëzërit e Kuvendi Françeskan të Gjuhadolit.

 
Karnevali Shkodër vitet 70
 
Karnavalet Shkodër 2006

Viti i parë i ripërtëritjes do të jetë 1999-ta për të vazhduar rregullisht nga kjo shoqëri, çdo vjetë deri me 2009, çdo herë në datën e caktuar ndërkombëtarisht të kësaj feste si dhe e trajtuar tradicionalisht si karnevale tipike shkodrane. Gjë që do të thotë që kritika e humori do të zinte vendin kryesor nëpërmes bejtes së karnavalit si dhe të demonstrimit figurativ të çdo forme. Aktiviteti do të zhvillohej duke lëvizur neper disa rrogë e sheshe kryesore në një karvan zhurmëmadh si dhe do të prezantohej bejta në ndalesën përfundimtare tek qendra e qytetit, nga grupi i interpretuesve. Nga ana e demonstrimit figurativ, karvani qe i ndërtuar në një paradë grupesh kamësorë gjithherë të tipizuar si “grupi i fshesaxhijve” ,”gjimnastet me xhufka”, “patinatorët”, “Grupi i zhurmonjësve”, “akrobatet e vogla”, “gjel kokoshi me pula”, “Grupi i skeletorve”, “banda e qytetit”,etj e etj. Karvanit nuk do ti mungonin dhe makinat apo karrocat alegorike të tipizuara ku ironizohej aktualiteti, kujtojmë “gjeneratorin e mungesës së dritave”, “Rozafen e rrethuar drejt asfiksimit nga indiferenca qeveritare”, ndër më të gjeturat “ Shqipëria drejt Europës “, pa harruar “Dordolecin” personifikimin e të metave të vitit,etj.

 
Karnevalet Shkodër 2010

[1] Mbas vitit 2010 dhe deri në vitin 2015, veprimtaria e festimit të karnavaleve ju besua një administrimi të ri nga Bashkia e Shkodres. Ajo prezantohej nga Firma Venice_art (arlekini) që merrej me prodhimin e maskave dhe veshjeve karnevaleske veneciane ku edhe i tregtonte ato, me pronar Edmond Angoni që një heri qe edhe drejtor i Teatrit “Migjeni”. Ky tjetërsim solli ndryshime të dukshme në trajtimin e karnavaleve shkodrane. Ato kryesisht tingëllonin më së shumti si një imitacion e festimeve veneciane, ku ana demonstrative e tyre qe e bukur, po pa ndonjë domethanje demaskuese dhe jo në antitezë me të metat e kohës të cilat ishin me bollek, që simbas traditës prezantoheshin me “bejten” dhe demonstrimet alegorike. Po ndryshim pati dhe gjeografia e prezantimit, ay nuk qarkullonte nder rrugë e sheshe, po përqendrohej në qender të qytetit, Një anë pozitive e kësaj kohe qe angazhimi i institucioneve shtetërore, kryesisht ato të shkollave që shtonin dukshëm pjesëmarrjen, si dhe një buxhet financiar mjaft i mirë. Prezenca e punimeve të kësaj firme, si dhe prurjet e emigrantëve, pasuronin dukshëm veshjet karnevaleske dhe beri që të shtoheshin e të pasuroheshin më shumë lokale që festoheshin mbremje me maska, ndër to Bar-restorant “Legjenda”, bar-restorant-hotel “Tradita” që prej vitesh organizonin mbremje me maska, u shtuan dhe Grand Hotel “Europa”, Qendra Rinore “Arka” si dhe shoqëri në ambiente private . etj.

Në vitet e fundit, 2016 e në vazhdim, përsëri festimi i karnavaleve shkodrane ju besua, nga Bashkia e Shkodrës, trajtesës së tyre në mbështetje të traditës tipike të po ati stafi të para 2010 që administrohej nga Shoqëria Kulturore “Illyricum”, po që tani vepronte tek Shoqata Kulturore Teatrore “Zef Jubani”, nen drejtusin organizativ artistik te Gjon Stefa-Missagli, si libretisti i bejtës Tonin Çekliqi, piktori karikaturist Pjerin Sheldija, grupi i interpretuesve tradicional Drande Xhaj, Qazim Çela, Gac Kodrina, dhe të rinjt Marko Paplika, Aleksandra Gjoni, Edon Tahiri etj. Nuk mungonte “bejta” si dhe karvani zhurmëmadh demonstrativ që qarkullonte në qytete, për ta bërë të ndjeshme më shumë këtë festë kaq të bukur masive të trashëguar brez mbas brezi. Veprimtaria gjatë këtyre viteve është e shtrirë në kater aktiviteti e ndarë “dita e bijave” të ejeten, sfiladë e shkollave 9 vjeçare të shtynden, sfiladë të shkollave të mesme të dielën dhe të martën “karvan karnaval” me spektaklin tradicional. [1]

  1. ^ a b c d e f g Stefa-Missagli, Gjon (2017). HISTORIKU I KARNEVALEVE SHKODRANE - trashëgimi në vazhdimësi. Shkoder: Shtëpia botuese “Gjergj Fishta". f. 482. Te parametri |title= ndodhet simboli i padukshëm "horizontal tab character" - Pozicioni: 37 njësi duke numëruar nga e majta (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)