Katedralja e Shën Shtjefnit
Kisha e Madhe, siç njihet përgjithësisht Katedralja e Shkodrës, është një kishë katedrale katolike romane kushtuar Shën Shtjefnit, shenjtit pajtor i qytetit sipas Kishës Katolike, e ndërtuar më 7 prill 1858 në periudhën e Perandorisë Osmane.
Historia
RedaktoKisha e Madhe u themelua në oborrin e të quajturit Palok Krandja te Ura e Martin Gjonejt. Pas disa rrethanave politike të brendshme dhe paraqitjes së kërkesës dy-tri herë për ta ndërtuar, më 7 prill 1858, me një ceremoni fetare, u vu kryqi aty ku sot është altari i madh dhe u ngulën piketat. Në ceremoninë e themelmit morën pjesë personalitetet vendore të autoriteteve: valiu Abdi pashë Çekrezi, lexoi fermanin e Sulltanit. U bekua guri i parë prej arqipeshkvit Topiç dhe u çelën themelet dhe Daut efendi Boriçi, si drejtor i arsimit i asaj kohe dhe në emër të qeverisë e valillëkut, mbajti fjalimin e rastit. Pjesëmarrës ishin edhe trupi konsullor i atashuar në qytet, konsulli i Britanisë së Madhe Spiridon Bonatti, i Francës Hiasint Hekard (Hyancithe Hecquard), i Greqisë Apostolaqi dhe i Perandorisë Austriake, Ballarini.
Gjatë punimeve dy herë rresht u shemb gunga e kishës. Më së fundi u soll një inxhinier nga jashtë dhe godina u lartua më 1867. Në ndërtimin e saj kontribuoi pothuajse i gjithë elementi katolik i qytetit dhe krahinës. Kupola e drunjtë pas 35 vjetësh u pa me rrezik të binte, u morën masat dhe u riparua.
Kolë Idromeno u pajtua që të bënte zbukurimet dhe figurat e apostujve mes harqeve. Vetëm më 1890 përfundoi kumbonarja dhe u pajis me tri kumbonë, të blera në Venedik nga bamirësit Filip Parruca dhe vëllezërit Mark e Pjetër Pema.
Me tërmetin e madh të 1905, kishës iu shkaktuan disa dëme të cilat iu ndreqën. Idromeno u kujdes sërishmi për dekorimet e pikturat; në gungën e kishës pikturoi të ikunit të Zojës së Këshillit të Mirë nga Shkodra, e ndjekur nga dy qytetarë të veshur me tesha shkodrane katolike dhe në sfond qytetin e vjetër të Shkodrës, me kështjellën në krye.
Lufta Ballkanike
RedaktoGjatë rrethimit në Shkodër, kisha pësoi shumë dëmtime: tri gjyle që e goditën më 12 mars 1913 sollën djegien e kumbonares së sakristisë, shembjen e kumbonëve dhe prishjen e sahatit, dhuruar nga vëllezërit Kakarriqi.
Më 1924-5 po kjo familje i mundësoi katedrales një sahat të ri që punoi deri kur u shkatërrua sërish kumbonarja[1] me Revolucionin Kulturor të 1967.
Regjimi komunist
RedaktoMe revolucionin kulturor të vitit 1967, Katedralja u shndërrua në Pallat Sporti, ku, në vitin 1973, u zhvillua Kongresi i grave komuniste. Rënia e murit të Berlinit dhe shembja e komunizmit sovjetik solli një frymë lirie edhe në Shqipëri në 1990-1991 u kthye liria dhe besimi zuri përsëri vendin e vet.
Rihapja e Katedrales
RedaktoMë 7 mars 1991 u rihap Katedralja nga Atë Aleks Baqli ofm, mesha e parë u kryesua nga Dom Zef Simoni me meshtarë të tjerë me praninë edhe të Nënë Terezës së Kalkutës dhe të mijëra besimtarëve. Në Katedralen ende Pallat i Sportit më 21 prill 1991 qe shuguruar meshtar Dom Gjergj Simoni prej Imzot Nikoll Troshanit. Selia e Shenjtë me Imzot Ivan Dias, Nuncin e parë Apostolik në Shqipëri, vendosi dhe financoi restaurimin dhe rindërtimin e saj. Me rihapjen e Katedrales në vitin 1993, pasi përfundoi restaurimi i saj, u vunë përsëri në vendin e tyre qoftë shtatorja e Shën Mhillit që shporon djallin, vepër e çmuar në dru e Kolë Idromenos, qoftë njëra prej dy kupave të mermerta të ujit të bekuar, dhuratë e familjes Pema, vepra këto të konfiskuara prej komunistëve).
Më 25 prill 1993, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, në vizitën e tij historike, vizita e parë e një Pape në Shqipëri, në praninë edhe të së Lumes Nënë Tereza e Kalkutës, kremtoi Meshën e Shenjtë dhe shuguroi katër ipeshkvijtë e parë të Kishës Katolike në Shqipërinë e ringjallur: Imzot Frano Illia, Kryeipeshkëv Metropolit i Shkodrës dhe Administrator Apostolik i Lezhës, i Sapës dhe i Abacisë së Oroshit, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës, Imzot Robert Ashta, Ipeshkëv i Pultit dhe Imzot Zef Simoni, Ipeshkëv Ndihmës i Shkodrës.
Fakte të tjera të rëndësishme
RedaktoMë 26 nëntor 1994: emërimi i Dom. Mikel Koliqit Kardinal; vdekja e tij (28 janar 1997) dhe varrimi në Katedrale. - Më 22 tetor 1997: vdekja e Kryeipeshkvit Imzot Frano Illia. - Më 28 nëntor 1997: Imzot Angelo Massafra, O.F.M, Ipeshkëv i Rrëshenit dhe Administrator Apostolik i Lezhës, emërohet Administrator Apostolik i Shkodrës dhe i Sapës. - Më 28 mars 1998, Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, emëron Kryeipeshkëv Metropolit të Shkodrës Imzot Angelo Massafran, ofm. Më 25 prill 1998, në prani të Nuncit Apostolik, Imzot Giovanni Bulaitis, të Ipeshkvit Ndihmës, Imzot Zef Simoni, të famullitarit të Shkodrës, Imzot Lucjan Avgustini, Kryeipeshkvi Massafra bëri hyrjen e vet në Katedralen e Dioqezës së Shkodrës.
Më pas përfundoi ndërtimi i Kumbonares së ndërtuar me ndihmesën e Z. Kolë Cacaj dhe qe bekuar nga Imzot Angelo Massafra, më 16 nëntor 1999. - Një tjetër ditë shumë domethënëse për Kishën në Shqipëri e që u kremtua në Katedralen e Shkodrës qe shugurimi i meshtarëve të parë dioqezanë e françeskanë pas përndjekjes komuniste, më 29 qershor 2000, pas kryerjes së studimeve filozofiko-teologjike në Seminarin Ndërdioqezan.
Nuk mund të mos vihet re se në Kapelën e të Shenjtërueshmit gjendet një kopje e Sindonës, origjinale, dhuratë e Kryeipeshkvit të Torinos në vitin 2000; po ashtu është edhe Kapela e Vajrave të Shenjta dhe tani me 5 Nentore 2016 e shnderruar ne Altarin e Martirëve Shqiptarë ku gjenden dhe Reliket e 11 prej tyre. - Pas vitit 2005 bëhen shumë ndërhyrje të rëndësishme në Katedrale: ndërrimi i mbulojës dhe lyerja e jashtme; sistemimi i presbiterit, ndërtimi i korit të drunjtë të bërë në Shkodër, dhe mobilimi i Sakrestisë (2005); sistemimi i qendrës së zërit (2006); lyerja (2007).
Lista e famullitarëve 1930-2007
Redakto- Dom Gaspër Thaçi (1930 - 19.03.1936)
- Dom Mikel Koliqi (18.11.1937 - 1991)
- Dom Zef Simoni (1992 - 23.04.1993)
- Mons. Loro Nodaj (1993 -1995)
- Mons. Lucjan Avgustini (14.07.1995 - 26.12.2006)
- Dom Gjovalin Suka (Administrator Famullitar - 22.01.2007).