Koili
Koili, Koyili ose Kovili, (që do të thotë: vendqendrimi i zotit[Shpjegimi 1]) është termi tamil për një stil të veçantë Tempulli hindu të Arkitekturës Dravidiane. Të dy termat, koyil (në gjuhën tamile: கோயில் - kōyil) dhe kovil (në gjuhën tamile: கோவில் - kōvil)[1] përdoren si sinonime. Në gjuhën tamile kōvil (கோவில்)[2] është fjalë e rrejdhur, sipas rregullave të gramatikës tamile.
Në gjuhën bashkëkohore tamile, termi përdoret gjithashtu për tiu referuar edhe kishave të krishtera. Madje vendet jo fetare të konsideruara të shenjta quhen kovilë nga tamilët, si për shembull faltoret e ndërtuara në përkujtim të Thiruvalluvarit (poet dhe filozof i shekullit të II), ose Tamil Thait (e përkthyer si Nëna Tamil, e nderuar si personifikimi i gjuhës tamile) quhen përkatësisht Thiruvalluvar Koil dhe Tamil Thai Koil. Në të folurën formale moderne, kovilët referohen si aalayamë nga shumë hindu dhe si devaalayamë nga të krishterët. Ambalam është një tjetër term i përdorur nga besimtarët e murgut tamil të shekullit të XIX Vallalar. Për shaivitët (sekt hindu), kovilët kryesorë janë Tempulli i Chidambaramit dhe Tempulli i Koneswaramit ndërsa për vaishnavitët (sekt tjetër hindu), Tempulli Sri Ranganathaswamy në Srirangam dhe Tempulli Tirumala Venkateswara në Tirupati konsiderohen njëlloj të rëndësishëm. Për të krishterët koilët e konsideruar shumë të rëndësishëm janë Arokkiya Madha Koili (Bazilika e Zonjës Sonë të Shëndetit të Mirë) në Velankanni, Santhome Devaalayami (Bazilika e Shën Thomait) në Chennai dhe Poondi Madha Koili (Bazilika e Poondi Madhas) në Thiruvaiyaru. Koilët në Tamil Nadu dhe kovilët në Sri Lanka kanë histori të gjatë dhe kanë qenë gjithmonë të lidhur me sunduesin e kohës. Shumica e mbretërve përkrahnin ndërtimin e tempujve në mbretëritë e tyre dhe bashkangjisnin ujëmbledhës dhe fshatra për ti administruar. Tempujt jo vetëm që vepronin si vende adhurimi, por edhe si qendra qytetare për popullsinë, duke u ofruar shërbime bashkësive vendore në formën e spitaleve, institucioneve arsimore, sporteve dhe shkollimet artizanale. Tamilët e lashtë ishin mes ndërtuesve më të mëdhenj të tempujve. Literatura Sangame e shkruar para erës sonë përmend disa nga tempujt që ngritën mbretërit e Tamilakamit (Vendi i lashtë i tamilëve). Këngët e shenjtëve të vlerësua të Shaiva Nayanarëve dhe të Vaishnava Alvarëve që datojnë që nga periudha midis shekullit të VI dhe të IX ofrojnë referime të gjera për tempujt e asaj periudhe. Mbishkrimet në gurë, të gjetura në shumicën e tempujve tregojnë patronazhin e gjerë ndaj tyre të sunduesve të ndryshëm. Tempujt më të lashtë u ndërtuan prej tullash dhe llaçi. Deri në vitin 700 tempujt ishin kryesisht të llojit të skalitur në shkëmb. Mbretërit Pallava ishin ndërtues të mëdhenj tempujsh në shkëmb. Dinastia Chola (850-1279) la një numër të madh monumentesh të tyre siç është Tempulli Brihadeeswarar në Thanjavur. Sunduesit Chola shtuan shumë mandapa të zbukuruara ose salla tempujsh dhe ndërtuan kulla të mëdha. Stili Pandya (deri në vitin 1350) pa shfaqjen e kullave të stërmëdha, rrethimeve me mure të larta dhe portikë të stërmëdhenj me kulla gopuramë. Stili Vijayanagar (1350 - 1560) është i famshëm për stërhollimin dhe bukurinë, veçanërisht për kolonat e dekoruara monolitike. Stili Nayak (1600 - 1750) vihet në pah për shtimin e prakaramëve të mëdhenj (oborre të jashtme) korridoret rrethpërshkruese të shenjtëroreve dhe sallave me kolona.
Shiko edhe
RedaktoShpjegime
Redakto- ^ Fjala moderne tamile per tempullin hindu është kōvil (në gjuhën tamile: கோவில்) që do të thotë "vendqendrimi i zotit". Në Tamil Nadunë e lashtë, mbreti (në gjuhë tamile: கோ, Kō) konsiderohej si ‘përfaqësues i zotave në tokë' dhe jetonte në një kōvil, që donte të thoshte gjithashtu "shtëpia e mbretit". Fjala e vjetër për mbret Kō (në gjuhën tamile: கோ - "mbret"), Iṟai (në gjuhën tamile: இறை - "perandor") dhe Āṇḍavan (në gjuhën tamile: ஆண்டவன் - "pushtues") tani përdoren kryesisht për tiu referuar zotave.