Konaku i Tahir Begut
Konaku i Tahir Begut është një monument i trashëgimisë kulturore në Pejë, Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkitekturor", i miratuar me numër 610/55.
Konaku i Tahir Begut | |
---|---|
Lloji | Arkitekturore |
Vendndodhja | Pejë, Kosovë |
Ndërtuar | Viti 1800 |
Emri zyrtar: Monument /Ansambël | |
Lloji | Nën mbrojtje |
Përcaktuar | 610/55 |
Nr. i referencës | 964 |
Historia
RedaktoKonaku i Tahir Beut i ndërtuar në vitin 1800 gjendet në Pejën e vjetër. Deri në vitin 1960 ishte në qendër të qytetit (ndërmjet objektit të komunës dhe postës), mirëpo më pas u dislokua në Sheshin “Haxhi Zeka”, për tu destinuar kohësisht më vonë për Muze etnografik. Konaku i Tahir Beut në gjendjen fillestare në kuadër të saj kishte muret rrethuese të oborrit, që ishin vazhdimësi e konceptit të mureve rrethuese të insulave në antikitet. Posedonte edhe hajatin e shtëpisë mesjetare, si hapësirë e lirë dhe e hapur në përdhese, ngritur mbi shtylla druri, që duhet parë si një vazhdimësi të tremes-peristilit të shtëpisë antike. Kjo shtëpi e vjetër, në përbërjen e saj arkitektonike dhe funksionale të strukturës hapësinore-kompozicionale, përkon me tipare të shumë shtëpive mesjetare të Pejës. Me etazhitet P+1, skema e bazës së konakut është e tipit “G” me dimensione 14.62 X 13.71m, struktura e ndërtimit të Konakut është nga druri, guri dhe llaçi. Muret e përdheses janë të punuara nga guri me trashësi 60 cm. Përderisa kati i parë është ndërtuar nga guri dhe pjesërisht nga qerpiçi. Një fasadë e ndërtesës është e orientuar kah rruga kryesore, përderisa tri fasadat tjera gjenden kah oborri. Shkallët e jashtme nga përdhesa të qojnë në katin e parë në çardak, i cili është punuar me bondruk. Konzola e çardakut mbahet në pesë shtylla druri. Konakun e Tahir Beut e karakterizon kurora e kulmit e punuar nga druri, mbuluar me tjegulla tradicionale. Dritaret harmonike dhe divahanja e sipërme përfaqësojnë një kreacion klasik me interes të lartë, me vlera të larta qoftë ndërtimore apo arkitektonike. Oborri është i rrethuar me grila. Vlerësohet si aset me rëndësi arkitektonike, historike, materiale e shpirtërore. Ndaj me vjetërsinë dhe origjinalitetin e ruajtur deri ne ditët e sotme, paraqet një dëshmi te zhvillimeve kulturore dhe arkitekturore gjate shekullit XVIII –të në qytetin e Pejës. Sa i takon aspektit komparativ themi se ndërtesa të ngjashme kemi pasur vetëm në qytetin e Pejës, por shumica janë shkatërruar gjatë luftës, ndaj mbetet si ekzemplar i ruajtur e me integritet të pa cenuar dhe thuajse i vetmi i këtij lloji në gjithë regjionin, përderisa në qytetet tjera të Kosovës ndërtesat e këtij lloji më nuk ekzistojnë. Pas luftës ndërtesa është konservuar por konservimi i saj solli edhe vështirësi, veçanërisht në rregullimin e rrethinës së shtëpisë. Konaku është nën mbrojtje të ligjit që nga viti 1955.[2]
Galeria
RedaktoShih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016.
- ^ "Konaku i Tahir Beut". dtk.rks-gov.net (në anglisht dhe shqip). Marrë më 2024-12-06.
Lidhje të jashtme
Redakto- Databaza e trashëgimisë kulturore të Kosovës Arkivuar 26 mars 2016 tek Wayback Machine