Lejla Dino Ileri (1893-1966), vinte nga një familje me tradita të larta patriotike e atdhetare, ku i kishte të projektuara kërkesat për ardhmërinë e kombit shqiptar. Në emër të komunitetit të gruas shqiptare, ajo iu drejtua Konferencës së Paqës në Paris, për problemet madhore të kombit tonë.

Ishte pra gruaja e parë shqiptare që me kurajo i drejtohet në kohën e duhur, Kryetarit të Konferencës së Paqës në Paris, për çështjen shqiptare. Tamam kur po ndahej gjahu i luftës në mes forcave luftuese. Nuk ishte rastësi ky guxim i një gruaje çame por një vazhdimësi e pjesëmarrjes së familjes Dino në të gjitha ngjarjet e mëdha, të luftës për Liri e Pavarësi.

Familja Dino, ka nxjerrë shumë figura të përmendura, të pushkës e të penës, të cilët kanë hyrë në historinë e artë të kombit tonë. Kështu dhe bija e tyre, Lejlaja, eci në rrugën e të parëve të saj që nuk heshtën kurrë në kërkimin e drejtësisë për identitetin Kombëtar dhe trashëgiminë e trojeve shqiptare.

Babai i saj Rasih Dino, ishte djali i Abedin Dinos, pjesëmarrës ne ”Lidhjen e Prizrenit”. Nën shembullin e të jatit, Rasihi, u bë një luftëtar dhe kontribues në Shpalljen e Pavarësisë. Ishte në krye të delegacionit pjesëmarrës të Shqipërisë në ”Konferencën e Londrës”. I ra botës kryq e tërthur për të lobuar për moscopëtimin e Shqipërisë nga fqinjët grabitqarë.

Kjo ka qenë shtytja që Lejla Dino, në rrethana shumë deçisive për fatet e popullit tone, krijoi në Gjenevë të Zvicrës “Komunitetin e Gruas Shqiptare” në vitin 1919. Më ka tërhequr shumë fakti i kësaj gruaje came, Lejla Rasih Dino, e cila në emër të grave shqiptare, u drejtohet në mënyrë diplomatike autoriteteve të larta botërore për çështjen e trojeve shqiptare të mbetura jashtë kufijëve të 1913.