Llambro Ruci
Llambro Ruci (Dhërmi, 1946 - 7 korrik 2018) ka qenë poet, përkthyes, gazetar dhe studiues shqiptar.
Rrugëtimin e tij në fushën e letrave ai e filloi si poet në vitet ’60 duke botuar me dhjetëra vëllime me poezi, përfshi edhe letërsinë për fëmijë. Poezia e tij shquhej për origjinalitet, ndjeshmëri të lartë, lirizmin e hollë dhe ngrohtësinë njerëzore që transmetonte. Llambro Ruci ka punuar si gazetar dhe kryeredaktor në disa organe qendrore të shtypit letrar, si “Drita”, “Nëntori” (organe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve), revistën “Ylli” etj. Duke qenë se dinte shkëlqyeshëm greqishten ai ishte prej shumë vitesh një ndër përkthyesit më të spikatur nga kjo gjuhë në poezi dhe prozë. Ka botuar librin voluminoz “Himara, Zëra e Akrokerauneve: rrëfime, përshkrime, dokumente dhe këngë”. Ndër monografi, prozë e studime e botuara nga ai në vite veçojmë “Llambro Andoni”, “Ali Pasha, tiran apo reformator”, “Pëshpërima për të tjerë e për vete: esse, prozë e poezi dhe përkthime” etj. U nda nga jeta më 7 korrik 2018.