Lubisha Georgievski
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Lubisha Georgievski ka lindur më 30 maj 1937 në Manastir dhe është diplomuar në degën e regjisë së teatrit dhe radios në Beograd. Georgievski është dalluar si regjisor teatri dhe filmi dhe si profesor në Fakultetin e Arteve dramatike në Shkup. Lubisha Georgievski ka hyrë në jetën politike pas vitit 1990, si anëtar i VMRO-DPMNE. Ndërsa në vitin 1994 ai ishte kandidat i kësaj partie për postin e presidentit të Maqedonisë. Në vitet 2000-2004, Georgievski ka qenë ambasador i Maqedonisë në Bullgari.
Me datë 1 gusht 2006, Lubisha Georgievski, 69 vjeç, regjisor profesor dhe politikan, u zgjodh Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë. Lubisha Georgievski ishte dhe kandidati i vetëm për këtë post, i propozuar nga VMRO-DPMNE. Georgievski mori votat e shumicës parlamentare të kryesuar nga VMRO-DPMNE. Për kryetarin e ri të Parlamentit të Maqedonisë votuan 69 deputetë nga 120, numër ky, i mjaftueshëm për shpalljen e tij, në këtë post. Posti i nënkryetarit të Kuvendit i takon PDSH, partnere e VMRO-DPMNE për formimin e koalicionit të ri qeveritar, kurse si kandidat i mundshëm për këtë funksion është Besim Dogani, deputet nga Gostivari.
Deputetët e BDI, të pakënaqur nga marrëdhëniet e krijuara në Parlament mes pozicionit të shumicës dhe opozitës, u larguan nga salla dhe nuk morën pjesë në votimin për kryetarin e ri të Parlamentit maqedonas. Deputeti i BDI, Aziz Pollozhani tha se kryetari i Kuvendit u zgjodh në mënyrë jotransparente dhe pa konsensus, që është dëm për shtetin. “Para pak kohësh në Kuvend e shfrytëzova mundësinë time për të shfaqur qëndrimin tonë lidhur me vazhdimin e konstituimit të organeve të shtetit, me një metodë të punës e cila etablohet, ndërsa kjo është jotransparente dhe me çdo kusht ikje nga ndarja e përgjegjësisë me partinë, e cila në bashkësinë tjetër etnike mori pjesë më të madhe të mandateve", tha Pollozhani. Ai shtoi se BDI ka konsideruar se për zgjedhjen e kryetarit duhet të krijohet klimë për qasje konsensuale, duke e marrë parasysh këtë që Kuvendi është vend ku shprehet vullneti i të gjithë qytetarëve. "Na vjen keq që VMRO-DPMNE dhe mandatari për këtë vend vendosi ta miratojë metodën e punës që e promovoi edhe në procesin e krijimit të qeverisë", theksoi Pollozhani, duke mos saktësuar deri kur BDI do t'i bojkotojë seancat kuvendore. "BDI-ja dhe partneri i koalicionit me brengosje dhe çdo ditë i përcjell ngjarjet dhe për çdo hap të ardhshëm do t'i bëjmë të ditur qëndrimet tona", tha Pollozhani.
Pas numërimit të votave dhe shpalljes së Lubisha Georgievski, kryetar të ri të Parlamentit, ai falenderoi mbështetësit e tij, por edhe ata që nuk votuan. Gjatë fjalës së tij përpara parlamentarëve Lubisha Georgievski u shpreh se “kështu krijohet parlamenti i vërtetë demokratik”. Georgievski shprehu habi që grupi i deputetëve të BDI-së u largua nga Parlamenti, por shtoi se ky gjest “nuk ka pse të marrë përmasat e një drame”. Kryetari i Parlamentit Georgievski paralajmëroi se do të veprojë në drejtim të përmirësimit të efikasitetit dhe të imazhit të Parlamentit maqedonas dhe se “do t’i menaxhojë situatat konfliktuale duke u mbështetur në përvojën e tij jetësore dhe profesionale”.
Referime
Redakto- Gazeta Shqiptare, datë 2 gusht 2006. Maqedoni/ Tensione gjatë zgjedhjes së drejtuesve të rinj. Gjeorgjevski në kryeparlamentar BDI braktis seancën e votimit
- http://www.shekulli.com.al/index.php?page=lajmedite&newsID=99232