Lucio Battisti
Lucio Battisti ( lindi në Poggio Bustone me 5 mars të vitit 1943 dhe vdiq në Milano me 9 shtator 1998) ishte një autor këngësh, kompozitor, multi-instrumentalist dhe producent disqesh muzikore italian.
Në mesin e muzikantëve dhe autorëve të këngëve më me ndikim dhe më inovatorë italianë u konsiderua si njëri prej personaliteteve më të rëndësishme dhe më eminente në historinë e muzikës italiane, qoftë si kompozitor dhe interpretues i vetë këngëve të tij, qoftë si kompozitor për artistë të tjerë. Në tërë karrierën e tij ka shitur më shumë se 25 milionë disqe muzikore.
Kitarist i zoti, i famshëm ndër të tjera edhe për rëndësinë e madhe që u kushtonte detajeve dhe akordeve muzikore, muzika e tij ka shënuar një kthesë vendimtare në muzikën pop\rok italiane. Lucio Battisti e zhvilloi dhe e ripëtriu në çdo pikëpamje këngën tradicionale ose klasike italiane, shpeshherë duke e kombinuar atë me zhanre tjera muzikore si: Rhythm and blues,Progressive rock ,elektropop, Folk music, Soul music, Beat etj.
Falë përshtatjes së përkryer të muzikës së tij me tekstet e shkruara nga Mogol, ku gjendeshin edhe elemente nga letërsia hermetike, Battisti ka krijuar një epokë të re të kulturës muzikore dhe të kostumeve italiane, duke futur në këngët e tij tema që atëherë konsideroheshin të vjetra dhe jashtë mode ( si p.sh ndjenjat e njeriut dhe ngjarjet e jetës së përditshme), me një stil jashtëzakonisht poetik. Lucio Battisti dinte të gjente tema krejtësisht të reja e të pazakonshme, shpeshherë edhe kundërshtuese mes tyre, sidomos në periudhën e suksesshme të bashkëpunimit të tij me Pascquale Panella.
Për këto arsye, Battisti sot me të drejtë njihet si gjeniu i muzikës italiane si edhe pikë referimi për skenën muzikore italiane. Fama e tij duket sikur po shtohet vazhdimisht edhe jashtë kufijve kombëtarë , gjë që është meritë edhe e disa albumeve dhe këngëve solo të tij të incizuara në spanjollisht, anglisht, frëngjisht e gjermanisht, të shkruara e të interpretuara nga vetë ai .
Lucio Battisti kishte një talent të veçantë interpretativ dhe një zë të jashtëzakonshëm. Ai ishte gjithashtu një person i rezervuar dhe i tërhequr në vete. Gjatë karrierës së tij, ka dalur në skenë shumë rrallë para publikut. Më vonë ka punuar për shtypin duke u shfaqur kështu gjithnjë e më rrallë në skenë deri atëherë kur vendosi përfundimisht ta braktisë skenën , duke mos dalë më madje as në kopertinat e albumeve të tij.
Këngët më të njohura të Lucio Battisti-t janë: E penso a te , Con il nastro rosa , Ancora tu, Amarsi un po’, La canzone del sole, Mi ritorni in mente, Un’avventura, La collina dei ciliegi ecc.