Maqedonia e lashtë

(Përcjellë nga Maqedonia antike)
This is the stable version, checked on 27 shkurt 2024. 1 pending change awaits review.
Gjendeni tek artikulli Maqedonia e lashtë. Për shprehjet e ngjashme në shkrim, kuptim apo tingëllim, shikoni këtu.

Maqedonia (greqisht: Μακεδονία, Makedonia), ishte një mbretëri e lashtë që shtrihej në veri të Greqisë antike, e kufizuar me mbretërinë e Epirit gjer në perëndim dhe me Trakinë në lindje. Maqedonia antike ekzistoi që nga viti 800 p.e.s. e gjer në vitin 146 p.e.s. kur u pushtua nga romakët. Për një periudhë shumë të shkurtër u bë shteti më i fuqishëm në Lindjen e Afërt antike, kur Aleksandri i Madh pushtoi pjesën më të madhe të botës së njohur duke inauguruar Periudhën Helenike të historisë antike greke.

Maqedonia antike gjatë vitit 336 p.e.s..

Historia

Redakto

Kur përmendim mbretërinë e lashtë të Maqedonisë, ndoshta  njeriu i parë që na vjen në mendje është Aleksandri i Madh, mbreti i famshëm dhe ndoshta pushtuesi më i madh në të gjithë historinë. Populli i tij të njohur si maqedonas, ishin një fis që do të ngriheshin nga skajet e botës helenike në një nga fuqitë më të mëdha të epokës helenistike.

Krahina e Maqedonisë së lashtë shtrihej në veri të Thesalisë, matanë malit Olimp. Zonat e Emathisë, Botiasë dhe Pierisë shërbenin si bërthamë e Maqedonisë së poshtme, e cila përfundimit do të përfshinte disa zona të brendatokës që janë bërë të njohura si Maqedoni e Epërme. Mbretëria e vjetër nuk përmendet nga Homeri në Iliadë, i cili në vend të kësaj shkruan se pasi kalon malin Olimp në veri, arrin në Pieri dhe Emathi para se të mbërrish në malin Athos. Në fakt, territori që do të bëhej Maqedoni me sa duket nuk ka qenë pjesë e Greqisë mikeniane të periudhës së Bronzit, por ka qenë e banuar nga fiset e hershme thrake dhe frigjiane. Përmendja e parë e maqedonasve vjen nga Hesiodi, në poemën epike të njohur si Katalogu i grave, që daton në fillim të shekullit të 8-të pr.e.s. Në gjenealogjinë e tij mitike, poeti na tregon për birin e Zeusit dhe princeshës fthiane Thya, të quajtur Makedon, themeluesi eponim i fisit të maqedonëve apo maqedonasve.[1] Sipas Hesiodit, djali tjetër i Thyas ishte Magni, mbreti eponim i fisit Magnetis. Vëllai i saj Heleni konsiderohej si paraardhës i fisit të Dorëve, Eolëve, Jonëve dhe Akeanëve, ndërsa motrat e saj Pandora dhe Protogenia, krijuan racën e disa fiseve të tjera të lashta. Sidoqoftë, maqedonasit duket se kanë qenë të pranishëm si fis në kohën e Hesiodit, në fillim të periudhës arkaike, që sugjeron që formimi i tyre ndoshta ndodhi në një moment të caktuar gjatë Epokës së Errët Greke. Të dhënat e para historike të Mbretërisë Maqedone vijnë nga Herodoti, i cili ka shkruar në shekullin e 5-të pr.e.s. Ai pohon se themeluesi i dinastisë maqedone ishte Perdikas, që sundoi në shekullin e 7-të pr.e.s, dhe që e kishte prejardhjen nga mbreti heraklid i Argosit, Temenos. Prandaj, dinastia mbretërore e Maqedonisë u quajt Temenidai sipas Temenit, dhe Argeadai, prej qytetit të Argosit. Megjithatë, sipas historianëve të mëvonshëm, si edhe sipas gojëdhënave të vetë maqedonasve, ka pasur disa mbretër të tjerë para Perdikas në Maqedoni. Kjo korrespondon shumë mirë me përmendjen e mëhershme të maqedonasve nga Hesiodi, që daton më përpara se mbretërimi i Perdikas dhe tregon që shkrimtarët e lashtë ishin në dijeni të Maqedonisë përpara shekullit të 7-të pr.e.s. Një gojëdhënë e lashtë thotë se ishte Karanos themeluesi i mbretërisë maqedonase dhe i dinastisë argeade. Karanos thuhet se ishte i biri apo pasardhës i mbretit argiv Temenos, që u largua nga Argosi për të themeluar mbretërinë e vet. Thuhet se Karanusi u konsultua me Orakullin e Delfit, i cili i tha atij të shkonte në veri drejt zonës së Emathisë[2]. Sipas Marsias së Pelas, Karanosi erdhi gjithashtu në Emathi me një grup të madh grekësh, duke qenë i udhëzuar nga orakulli për të kërkuar një vendbanim në Maqedoni. Ai zaptoi qytetin e Edesës kur banorët ndaluan për shkak të një shiu të fortë dhe një mjegulle të dendur.  Ai i dha qytetit të Edesës emrin Aigai (Egjeu), dhe popullit të tij emrin Argeadë në përkujtim të këtij përkushtimi. Prejardhja dhe natyra helenike e maqedonasve është e padiskutueshme, pasi edhe vetë maqedonasve u interesonte kjo. Sidoqoftë, duke qenë në skajet e botës greke, karakteri i tyre helenik ishte nganjëherë i diskutueshëm nga të tjerë, veçanërisht nga ata që ishin në kundërshtim me influencën në rritje të Maqedonisë, dhe në veçanti Athinasit. Madje edhe disa studiues modernë, kanë përdorur këto të dhëna për të rishqyrtuar ndryshe shkallën e lidhjes së maqedonasve me fiset e tjera helene. Për sa i përket autorëve antikë, të dhënat kontradiktore kanë filluar tashmë me Herodotin. Historiani e njihte prejardhjen heraklide të dinastisë maqedone nga Temenosi dhe konfirmon lidhjen e ngushtë me Dorët për sa i përket origjinës. Herodoti na thotë se grekët quheshin maqedonë kur jetonin në malet Pindus, dhe më pas “Dorianë”, kur u zhvendosën në Peloponez. Megjithatë, kështu e quan edhe mbretin Aleksandër I, një grek që sundoi maqedonasit, dhe shënoi që thesalianët ishin të parët e Hellasit që iu nënshtruan Kserksit gjatë pushtimit persian, megjithëse maqedonasit i ishin nënshtruar tashmë më përpara. Tukididi i Athinës, gjithashtu, me sa duket i klasifikon në mënyrë të paqartë maqedonasit, duke përshkruar një ekspeditë të një gjenerali spartan, Brasidas, Tukididi thotë këto fjalë: “në total ishin rreth 3000 këmbësori e rëndë helene, shoqëruar nga e gjithë kalorësia maqedone me kalkidianët, afërsisht 1000 të fortë, përveç një turme të stërmadhe barbarësh”[3]. Duke marrë në konsideratë që edhe kalkidianët ishin grekë, shumë prej qytet-shteteve greke të tyre ishin anëtarë të Ligës Deliane, udhëhequr nga Athina. Nuk duket që Tukididi kishte për qëllim të thoshte se maqedonasit dhe kalkidianët nuk ishin helenë, por thjesht i diferenconte ato nga trupat peloponeziane, dhe Brasidasi. Gjithashtu, Thrasilibi ishte një gjeneral athiniot, i cili luftoi kundër spartanëve, në Luftën e Peloponezit. Maqedonia ishte ndër aleatët e Spartës, dhe kështu qytet armik, duke e bërë të kuptueshme për një athiniot, se pse nuk ishte dashamirë me mbretërinë e Maqedonisë. Ai e pranoi origjinën argive të dinastisë maqedone dhe admironte mbretin bashkëkohor maqedonas të kohës, Arkelaosin I. Megjithatë, jo gjithkush e admironte Arkelaosin, sidomos në Athinë. Trasimaku i Kalqedonisë, një filozof që e kaloi karrierën e tij në Athinë, ishte veçanërisht kundërshtar me sundimtarin maqedonas, dhe shkoi aq larg sa e quajti Arkelaosin barbar, hera e parë që një maqedonas etiketohej si i tillë. Ai njihet të ketë thënë që grekët janë skllavëruar nga barbari Arkelaos. Në dekadat më pas, kur athinasit kundërshtonin zgjerimin e influencës maqedone, përpjekja për t’i paraqitur maqedonasit si të fundit e helenëve apo jo-grekë, vetëm sa rritej.

Burrështetasi i Athinës, Demosteni urrente në mënyrë të veçantë Maqedoninë dhe mbretin e saj Filipin II. Në fjalimet e tij, Demosteni në mënyrë të ndryshme, fyente Filipin, duke e quajtur jo vetëm jogrek, por as të lidhur me grekët, madje as barbar të ndonjë vendi që mund të përmendet me nderim, por një emër vdekjeprurës nga Maqedonia. Dikur nuk ishte ende e mundur asnjëherë të blije një skllav të denjë. Demosteni nuk ishte jo i panjohur për fjalime fyese dhe nuk ngurronte t’i përdorte publikisht edhe kundër shokëve athiniotë. Ai sidomos përdorte fjalën “barbar” për të etiketuar Meidiasin, rivalin më të fortë të skenës republike. Termi “barbar” në fillim përdorej për ata që nuk flisnin greqisht, në Periudhën Arkaike, por në kohët klasike, u bë poshtërues kur përdorej veçanërisht në kontekstin politik midis vetë grekëve.[4] Gramatikani Athinaias, për shembull, etiketonte thesalianët, beotianët dhe elianët si barbarë, pavarësisht se e dinte mirë që thesalianët dhe beotianët flisnin një dialekt eolik grek, ndërsa eleanët (nga Elis) mikpritësit e Lojërave Olimpike, vetë flisnin një formë dorike. Po kështu një filozof jonian Prodikos, i cili jetonte në Athinë si ambasador, e quante dialektin e Pitakut të Mitilenës, një nga shtatë të diturit e Greqisë, i cili fliste vetë eolisht, barbar, për shkak të ndryshimit të Pitakut me stilin atik të të folurit. Ai nuk dinte të dallonte fjalët saktë, duke qenë nga Lesbosi, dhe duke qenë rritur me një dialekt barbar. Është e dukshme që athiniotët, duke qenë ndoshta qendra kryesore e kulturës dhe arsimit te grekët e epokës klasike, kjo gjithashtu ka kuptimin e një epërsie kulturore mbi shumë helenë të tjerë bashkëkohorë, gjë që rezulton shpesh për t’i parë me përçmim grekët e tjerë që nuk janë folës të dialektit atik apo jonik. Për sa i përket maqedonasve apo vetë folësve të helenishtes, ata gradualisht e braktisën dialektin e tyre në favor të dialektit atik grek gjatë shekullit të 4-t pr.e.s, i cili preferohej nga aristokracia maqedone. Vetë dialekti origjinal maqedonas është vërtetuar në disa mbishkrime, veçanërisht në “Pllakën e mallkimit” të Pelas, që zbulon një dialekt grek dorik,[5] sidomos një variant veri-perëndimor të tij, i folur gjithashtu në Epir dhe Etoli. Kjo me sa duket është konfirmuar nga Tit Livi, i njohur më shumë sot si Livy për veprën e tij “Historia e Romës”, sepse ai ka vërtetuar që maqedonasit, etolët dhe akarnianët ishin të gjithë njerëz të të njëjtës gjuhë[6]. Tragjediani Euripides, gjithashtu, ka vërtetuar që maqedonasit ishin helenë, dhe madje shkoi të jetonte në pallatin mbretëror të Pelas, në vitin 408 pr.e.s. Gjeografi Strabon, ka deklaruar gjithashtu se “Maqedonia është sigurisht pjesë e Greqisë, por tani që po ndjek natyrën dhe formën e vendeve gjeografikisht, kam zgjedhur ta klasifikoj veçmas nga pjesa tjetër e Greqisë”[7]. Pra, Straboni ka pohuar që maqedonasit ishin grekë, kur diskutonte për etolët. Për një kohë shumë të gjatë etolët, së bashku me akarnianët, qendruan të vendosur, jo vetëm kundër maqedonasve dhe grekëve të tjerë, por përfundimisht edhe kundër romakëve kur luftonin për autonomi. Shumë shkrimtarë të tjerë antikë që kanë shkruar për maqedonasit, me sa duket nuk e kanë vënë kurrë në dyshim enticitetin e tyre helenik apo trashëgiminë e tyre, një praktikë që ishte disi e zakonshme për athinasit, gjatë kulmit të ndjesive të tyre negative ndaj Maqedonisë. Aleksandri i parë i Maqedonisë, me sa duket kur ishte ende princ në vitin 504 pr.e.s, u regjistrua në garat këmbësore në Lojërat Olimpike, të cilat ishin ekskluzive vetëm për grekët[8]. Pasi paraqiti prova që rridhte nga raca argive e Temenosit, gjykatësit olimpikë i pranuan maqedonasit. Nipi i tij, Arkelaos, mori pjesë gjithashtu në Olimpiadë si dhe në lojërat pitiane në Delfi, duke fituar garën me koçi në të dy konkurrimet. Të paktën nga shekulli IV pr.e.s, maqedonas jashtë famijes mbretërore, garonin në mënyra të ndryshme, dhe fitonin Lojërat Olimpike, në periudhat në vazhdim. Gjatë kohës së Filipit II, maqedonasit bëhen anëtarë të Ligës Amfiktionike të Delfit, një Lidhje e shenjtë, që zotëronte autoritetin më të lartë fetar ndër grekët. Por duke nisur që nga koha e djalit të Filipit, Aleksandrit III, të njohur edhe si Aleksandri i Madh, maqedonasit ishin tashmë fuqia hegjemonike e kontinentit grek, dhe e hodhën vështrimin nga Lindja drejt Perandorisë Persiane. Pushtimi i Persisë nga Aleksandri nuk ishte vetëm një nga arritjet më të mëdha ushtarake në histori, por gjithashtu shërbeu edhe si fillim i një epoke të re historike, njohur si Periudha Helenistike. Kultura, feja dhe gjuha greke u shpërndanë në të gjithë botën e njohur nga Aleksandri dhe gjeneralët maqedonas që e pasuan atë dhe e ndanë perandorinë e tij midis tyre. Që prej asaj kohe e tutje, një dialekt i ri i quajtur koine apo “greqishtja e përbashkët” u bë dominues dhe shërbeu si Gjuhë Standarte e botës së lashtë. Ai bazohej në format atike dhe jonike, përzier me varietete të tjera. [9]

Etimologjia

Redakto

Entonimi maqedonas vjen nga mbiemri i lashtë grek “makednos” që ka kuptimin “i gjatë (në trup)”, që besohet se fillimisht ka pasur kuptimin e malësorëve apo atyre të të gjatëve.[10]

Referime

Redakto
  1. ^ Hesiod. "Catalogues of women". theoi.com (në anglisht).
  2. ^ Herodoti. Historitë (në greqisht).
  3. ^ Thucydides (1960). Peloponnesian war (në anglisht).
  4. ^ Liddell and Scott. The term "Barbaros". A greek-english lexicon (në anglisht). Oxford.
  5. ^ "Pella curse tablet" (në anglisht).
  6. ^ Livy, Titus. History of Rome (në anglisht).
  7. ^ Strabo. Geography (7.7.8) (në anglisht).
  8. ^ Pausanias. Description of Greece (në anglisht).
  9. ^ Enciklopedia Britanike. "Koine (greek)". Britannica (në anglisht).
  10. ^ Wikipedia, britanike. "Makedon (Mythology)". wikipedia (në anglisht).