Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Delfi ishte më i veçantë nga të gjithë vendet e tjera të lojrave sepse aty zhvilloheshin edhe gara muzikore. Lojrat zhvilloheshin në përkujtim të fitorës së Apolonit ndaj gjarprit Pyton (i cili përfaqësonte errësirën). Fitimtarit i vihej në kokë një kurorë dafine (simbol i dashurisë së Apollonit) e cila këputej në mënyrë ceremoniale nga një djalë i cili ri-konfirmonte vrasjen e Pytonit nga Apolloni. Në vatrën e brendshme të Tempullit të Apollonit, qëndronte gjithnjë ndezur një flakë e përhershme. Pas betejës së Plateas (lufta perso-greke në 479 pr.e.s) qytetet greke shuan zjarrin e tyre dhe sollën një zjarr të ri nga vatra e Greqisë, në Delfi; në historitë e themelimit të disa kolonive greke, kolonistët themelues ishin të parët që iu dedikuan Delfit.[1]

Profetesha e orakullit të Delfit

Delfi njihet kudo për orakullin në faltore që i është dedikuar Apollonit gjatë periudhës klasike. Apolloni fliste përmes orakullit të tij: profetesha që thoshte fatin njihej me emrin Pytia, (Πυθία); ajo duhej te ishte një grua e vjetër, fisnike,dhe pa mëkate e zgjedhur midis vendasve, e cila duhej të hiqte dorë nga angazhimet familjare (ashtu si murgeshat sot) për t’iu kushtuar Apollonit. Ajo ulej në një stol të lartë me tre këmbë pranë një çarjeje tokësore dhe përmes ektazës u parashikonte fatin njerëzve. Sipas legjendës, kur Apolloni vrau Pytonin, trupi i gjarprit ra në këtë çarje të tokës dhe nga trupi i tij i dekompozuar dilte një avull (Pytein në greqisht ka kuptimin “dekompozoj”). E intoksinuar nga avulli, profetesha duhej të binte në ekstazë, duke lejuar Apollonin të posedonte shpirtin e saj. Në këtë gjendje ajo profetizonte. Ishte e lejueshme që vetëm ditën e shtatë të javës (e cila ishte dita e Apollonit) mund t’i bëje pyetje profeteshës gjatë gjithë vitit, përveç tre muajve të dimrit, sepse thuhej se gjatë kësaj kohe Apolloni largohej. Vendin e tij e zinte gjysmëvëllai i tij hyjnor Dionisi, varri i të cilit ishte gjithashtu brenda tempullit. Thuhej se Apolloni do të kthehej në fillim të pranverës, në ditën e 7-të të muajit të muajit të shtatë Bysios (Busios), kur thuhet se kishte dhe ditëlindjen. Është vërtetuar se një gaz me përqindje të lartë etileni (me formulë C2H4), i njohur për prodhimin e ekstazës së fortë, rrjedh nga kjo çarje e tokës. Etileni është një gaz erë-mirë dhe në doza të vogla thuhet se ka aftësinë të shkaktojë gjendje transi (ekstaze). Një nga dëshmitë më të vlefshme të gjendjes trans të orakullit vjen nga historiani i madh grek Plutarku (40-120), i cili, në 30 vitet e fundit të jetës së tij, shërbeu si kryeprift dhe predikues në tempullin e Delfit. Ai ka përshkruar se si gazet erëmira që dilnin nga e çara e tokës, do t’i shkaktonin profeteshës një ekstazë të çuditshme. Dukej se kishte diçka të vërtetë në dëshminë e Plutarkut, pasi kur arkeologët zbuluan rrënojat e tempullit zbuluan disa tipare karakteristike. Për shembull, streha e brendshme ku ulej Pytia (profetesha), gjendej 2-4 metra nën nivelin e katit përreth, dhe kishte një kanal aty pranë për ujin e burimit. Kjo strukturë ishte unike në krahasim me çdo tempull të lashtë grek. E gjitha kjo provonte një gjë – që kishte patjetër diçka të çuditshme që ndodhte në tempullin e Apollonit.[2]

Njerëzit konsultoheshin me Orakullin e Delfit për çështje të rëndësishme, nga politikat publike deri tek problemet personale. Me Orakullin nuk mund të konsultoheshe gjatë muajve të dimrit. Ishte traditë që ata që vinin për konsultim duhej të mbanin një kurorë dafine mbi kokë. Të vije në dyshim orakullin, ishte si të kishe dyshime mbi perënditë. Nuk ishte vetëm populli grek, por kishte dhe udhëheqës të huaj që udhëtonin për në Delfi. Përveç Greqisë, Orakulli respektohej gjithashtu edhe nga vendet gjysëm greke si Lidia, Karia dhe Egjipti. Ai njihej gjithashtu edhe tek romakët e lashtë. Orakulli u sillte dobi edhe mbretërve të Maqedonisë së lashtë. Vetë Aleksandri i Madh dhe perandori Adrian e kanë vizituar atë. Nën ndikimin e deklaratave të Orakullit, Delfi u bë një qytet-shtet i fuqishëm dhe i begatë.

  1. ^ Herceku, Nikolas (2021). Adhurimi i Diellit. ISBN 978-1-4583-5223-1.
  2. ^ "Orakulli i Delfit".