Mark Kakarriqi (Shkodër, 1884 - Tiranë, 24 qershor 1942) ka qenë reshper, koleksionist arti dhe kryetar i bashkisë Shkodër.

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër, i biri i Nikollës dhe Ages.

Ka qenë anëtar i Komitetit të Podgoricës, bashkëjetoi me malësoret në lëvizjen e MbiShkodrës, duke lënë raporte për kryengritjen dhe Dedë Gjo Lulin.

Fillim marsin e 1913 qe pjesë e punimeve të Kongresit të Triestes.

Gjatë bllokadës greke të portit të Vlorës, qe pjesë e eskortës së Dukës Monpensier, së bashku me princin rumun Albert Gjika dhe beratasin Petro Koxhamani, të gjithë në bordin e jahtit "Mekong" me flamur anglez që çau bllokadën dhe me të cilin Ismail Qemali arriti të dalë për të punët diplomatike.[1]

Është organizator dhe pjesëmarrës i Kongresit të Triestes. Më 1913-n u vendos në Vjenë të Austrisë dhe u bë aksioner në “Viena Bank” me një shumë të madhe prej 400 mijë sterlinash ari.

Shkëlqen si tregtar gruri, edhe kur Rusia gëlonte nga luftrat civile mes ushtrisë së kuqe e asaj të bardhë, ai shkarkonte grurë në Shën Pjetërburg. Arrestohet në Rusi si antikomunist, lirohet pas pak ditësh, pasi doli garant për të gruaja e ministrit të Brendshëm të Rusisë, me të cilën kishte pasur njohje nga jeta mondane në Vjenë. Në atë kohë Rusia përjetonte një krizë të madhe. Mark Kakarriqi bleu disa vepra arti, si pikturën “Çifuti shëtitës” që i takon Rembrandit ose shkollës së Rembrandit, por ndoshta edhe Venerën e Kanovas. Mbas shumë aventurash kthehet në Shkodër, ndërton shtëpinë e tij prej 2500 metrash katrorë, si dhe solli që nga Holanda strukturën e një varri monumental për veten e tij, të cilën e vendosi para vdekjes në varrezat katolike të Shkodrës.


Më 26 dhjetor 1926, u dekretua një koncension mes qeverisë shqiptare dhe firmës vll. Kakarriqi për ndërtimin e një fabrike birre në Shkodër. Pas një viti koncesionari ka formuar shoqërinë anonime në emrin “Birra Kakarriqi Shkodër” me një kapital 750 mijë franga ari dhe ka hartuar edhe statutin e saj, që u dekretua në 1 mars 1928.

Një periudhë qe edhe kryetar i Dhomës së Tregtisë në Shkodër.[2]

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia në 1939, Kakarriqi qe pjesë e delegacionit shqiptar kryesuar nga kryeministri Vërlaci dhe ministri Ypi që i dërguan kurorën e Skënderbeut monarkut italian Viktor EmanuelitRomë.[3] Gjatë pushtimit Kakarriqi u bë kryebashkiak i qytetit të Shkodrës deri në vdekjen e tij. Varri i tij monumental ndodhej në Shkodër, më pas u prish dhe eshtrat iu shpërndanë.

Veprat e artit të grumbulluara prej Markut u shpërndanë, u prishën, ose humbën. Me një fjalë u shkatërrua një muze arti i klasit të parë që do ta nderonte si asnjë muze tjetër Shqipërinë. Më 1967-n, piktori Kujtim Buza, që ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, bleu në familjen e Valentin Kakarriqit (nip i Mark Kakarriqit, i cili studioi nga viti 1936 deri në 1943, kur vdiq Marku, në Brera të Italisë për Arte të Bukura), portretin e quajtur “Çifuti shëtitës” për 6000 lekë të reja, të barabartë me vlerën e 600 $ amerikanë. Kjo vepër, edhe sot gjendet në fondin e veprave të rralla të Galerisë Kombëtare të Arteve. Koleksionet e porcelanit, mobiliet u ndanë nga ana e pushtetarëve komunistë, por padituria e tyre e frikshme bëri që shumica e tyre të humbasë. Në vitin 1993, Venera u ble nga koleksionisti i njohur shijakas Fahri Kaçanolli, i cili sot e ka në galerinë e tij private të artit të quajtur Galeria F. Shtëpia e Mark Kakarriqit është blerë më 1995-n nga “Sigal”, shoqëri sigurimi me qendër në Vjenë.

Referime

Redakto
  • Moikom Zeqo: Kryevepra skulpturore e Venusit të Antonio Kanovas marrë nga gazeta "Shqip" 21/06/2011
  • Sebi Alla: Dilemat e Rembrandt-it shqiptar
  1. ^ Csaplár-Degovics, Krisztián (2014). "The policy of the Qemali government between December 1912 and April 1913" (PDF). Albanien Yearbook (në anglisht): 16.
  2. ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet v. I. Shkodër: Idromeno. fq. 102. OCLC 645720493.
  3. ^ Kaloçi, Dashnor. "Fotot e panjohura të prillit 1939 në gazetat italiane dhe shqiptare të delegacionit që dorëzoi kurorën e Skënderbeut". memorie.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)