Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë
Marrëdhëniet Shqipëri–Kanada i referohen marrëdhënieve ndërkombëtare mes Shqipërisë dhe Kanadasë.[1]
Shqipëria |
Kanadaja |
---|
Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë, janë vendosur më 10 shtator të vitit 1987. Deri në vitin 1992, Ambasada e Kanadasë në Beograd, Jugosllavi, mbulonte edhe Shqipërinë. Më pas deri në vitin 1999, ky juridiksion i kaloi Ambasadës së Kanadasë në Budapest, Hungari dhe që prej vitit 1999 e në vazhdim Kanadaja përfaqësohet në Shqipëri nëpërmjet ambasadorit të saj në Romë, Itali. Këto marrëdhënie kanë marrë zhvillim më të madh pas vendosjes së demokracisë pluraliste në Shqipëri. Ato tashmë bazohen në dialogun e mirë politik dhe në partneritetin e ngushtë si aleatë në NATO, duke u karakterizuar gjithashtu nga një miqësi e konsoliduar.
Në prill të vitit 2001, u hap për herë të parë ambasada e Republikës së Shqipërisë në Otavë, e cila i dha një impuls të ri forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Viti 2012 u shënua nga disa momente kyçe me rendësi e klimës së shkëlqyer të marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze. Përmendim "Vitin e Shqipërisë" në Kanada, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë; Paketën e gjerë të veprimtarive, e cila evidentoi potencialin e jashtëzakonshëm të miqësisë dhe lidhjeve mes dy popujve; Fjalimi i Kryeministrit Stephen Harper mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët; 25 Vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Diaspora e mirëintegruar me rreth 28 270 qytetarë kanadezë me origjinë shqiptare, mbështetur në censusin e vitit 2011 është një faktor i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet vendeve. Vizitat e ndërsjella të personaliteteve politike ndër vite: Në prill të vitit 2001, zhvilloi një vizitë në Kanada Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, z.Paskal Milo; Në tetor të vitit 2007, zhvilloi një vizitë në Kanada Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj.Jozefina Topalli; Në nëntor të vitit 2007 zhvilloi një vizitë në Kanada Kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha; Në tetor të vitit 2009, zhvilloi një vizitë në Shqipëri Kryetari i Senatit të Kanadasë, z.Noel Kinsella; Në maj të vitit 2012, zhvilloi një vizitë në Kanada Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, z.Edmond Haxhinasto; Në tetor të vitit 2014, zhvilloi një vizitë në Shqipëri Ministri i Punëve të Jashtme të Kanadasë, z.John Baird; Në prill të vitit 2015, zhvilloi një vizitë në Kanada Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, z.Ditmir Bushati. Mbajtja e konsultimeve diplomatike është gjithashtu një tregues i vullnetit të përbashkët për të konsoliduar bashkëpunimin politik, në të mirë të avancimit të marrëdhënieve dhe zgjidhjes së çështjeve që mund të lindin mes palëve përmes një interlokuimi të hapur dhe të bazuar në argumenta. Bashkëpunimi ekonomik Kanadaja është cilësuar nga Agjensia Shqiptare e Zhvillimit dhe Investimeve si investitori kryesor në Shqipëri me 810 milionë euro investime.
Objektiv kryesor në marrëdhëniet dypalëshe, mbetet forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht përmes thithjes së mëtejshme të investimeve kanadeze në sektorë jetikë, siç janë nafta e gazi, minierat, energjia hidrike e administrimi i burimeve ujore dhe industria e turizmit në vendin tonë.
Marrëveshjet dypalëshe
Në kuadër të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe, dy vendet kanë nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi në fusha të ndryshme si:
Memorandum i Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kanadasë për ndërtimin e vendqëndrimit të ri të avionëve civilë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, nënshkruar më 16.02.2001; Memorandum i Mirëkuptimit midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë lidhur me trajnimin e personelit ushtarak të Forcave Shqiptare në Kanada, nënshkruar më 20.04.2005;
Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjensisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve dhe Export Development CANADA (EDC), i cili u nënshkrua në Maj 2012.
Po koordinohet me vullnet të përbashkët avancimi i marrëveshjeve në proces, me synim plotësimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit normativ me Kanadanë.
Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore është në proces përfundimi ndërsa Marrëveshja për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve të Huaja, ka përfunduar. Plotësimi i kuadrit ligjor, do të përbëjë një garanci të mëtejshme për nxitjen e ndërsjellë të shkëmbimeve dhe investimeve dypalëshe.
Shih edhe
Redakto- Marrëdhënieve me jashtë të Shqipërisë
- Marrëdhënieve me jashtë të Kanadasë
Referime
Redakto- ^ Marrëdheniet dypalëshe, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada