Mestan Ujaniku
Mestan Musabelliu Ujaniku (Ujanik, 1902 - korrik 1948) qe bujk, kaçak, themelues dhe kryetar i çetës "Plakë" të Skraparit, oficer me gradën nënkolonel pas çlirimit.[1]
Jeta
RedaktoU Lind në Ujanik, fshat në gji të Tomorrit, në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit dhe shumë pranë vendit të shenjtë të Abaz Aliut. Fshati ishte i tëri një fis dhe mbante mbiemrin Musabelliu. Mestani ishte i biri i Hatemit dhe i Hurmasë.[1]
Që në moshën 18 vjeç, Mestani radhitet në ata 300 burra skraparllinj që nën udhëheqjen e Riza Cerovës dhe Ali Koprenckës morën pjesë në luftën e Vlorës. Në vitin 1924 atë e gjejmë përkrah forcave fanoliste në Lëvizjen e qershorit, ndërsa në vitin 1935 arrestohet si pjesëmarrës në Lëvizjen e Fierit, një nga organizatorët e së cilës ishte Riza Cerova.[2]
Pushtimi fashist i 7 prillit të vitit 1939 e gjeti në burgun e Beratit për një vrasje banale në fisin e tij. Në rrëmujën e atyre ditëve ai del nga burgu dhe në vend të shkojë në shtëpi, bashkë me shumë patriotë të tjerë nga Berati dhe Skrapari krijon një çetë me 15 vetë, ku merr edhe djemtë dhe kushërinjtë e tij. Kjo çetë e vogël e krijuar që në vitin 1941 është bërthama e çetës së madhe që u krijua më 14 mars të vitit 1942, që u quajt Çeta Plakë e Skraparit dhe ku komandant u caktua Mestan Ujaniku. Partia Komuniste nëpërmjet Qarkorit të Korçës sa mori vesh këtë, dërgoi menjëherë përfaqësuesin e saj në këtë çetë, anëtarin e Grupit Komunist të Korçës, Gjin Markun për ta mbajtur këtë çetë nacionaliste në krahun dhe nën ndikimin e saj.[3]
Më pas, me shkrirjen e çetave në formacione të tjera partizane, Mestani emërohet komandant i Shtabit të Qarkut të Beratit, ku komisar i këtij shtabi ishte Kahreman Ylli. Pas çlirimit caktohet në detyra të ndryshme, emërohet nënkolonel pranë Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, më tej transferohet nga Tirana në Shkodër, por s’kalon shumë dhe dënohet nga regjimi i atëhershëm për pjesëmarrje në të ashtuquajturin "Grupi i deputetëve". Vdes në burg dhe ende nuk i është gjetur varri!
Referime
Redakto- ^ a b Dervishi, Kastriot (2010). Plumba Politikës - Historitë e përgjakjes së politikanëve shqiptarë. Tiranë: 55. fq. 145. ISBN 978-99943-56-43-0.
- ^ https://www.youtube.com/watch?v=oEdj8UxoN_Y
- ^ https://telegraf.al/kulture/mestan-ujaniku-komandant-qe-asgjesoi-milicet-e-merlikes/