Mozaiku i Orfeut në Durrës

monument kulturor në Shqipëri

Mozaiku i Orfeut është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Durrësit, në qarkun e Durrësit, Shqipëri [1]. Ky mozaik është zbuluar vetëm pjesërisht në vitin 1988, në bodrumin e një shtëpie. Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në pah vetëm një pjesë të kësaj vepre që paraqet figurën e Orfeut, rrethuar me motive bimore dhe gjeometrike. Ky është vlerësuar si një vepër me vlera të rralla për nga pasuria e figurave dhe realizimi i tij. Mozaiku i përket shekullit II pas Krishtit.

Mozaiku i Orfeut
Mozaiku i Orfeut në Durrës is located in Earth
Mozaiku i Orfeut në Durrës (Earth)
LlojiArkeologji
VendndodhjaDurrës, Durrës, Shqipëri
Koordinatat41°19′15″N 19°26′35″E / 41.3207°N 19.442956°E / 41.3207; 19.442956
NdërtuarShek. II - III e.s
Organi drejtuesDRKK Durrës
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI
Përcaktuar22, 18.01.2010
Nr. i referencësDR015
TipologjiaMozaik

Mozaiku i Orfeut shpallet monument kulture

Redakto

Projekti është zbuluar në bodrumin e një shtëpie private në vitin 1988. Mozaiku i Orfeut në qytetin e Durrësit i shtohet listës së monumenteve të kulturës. I zbuluar në bodrumin e një shtëpie private në vitin 1988, gjatë këtyre viteve mozaiku ka qenë thuajse i fshehtë. “Me njohjen si monument kulture, mozaiku do të bëhet i vizitueshëm për qytetarët durrsakë, për turistët e huaj dhe vendas që kalojnë nëpër Durrës”, është shprehur drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës në Durrës, Ermion Arapi. Ky mozaik është zbuluar në lagjen 9 të qytetit bregdetar, te Lagjja e Re. Gjatë këtyre 22 viteve, mozaiku ka qëndruar i fshehur dhe njëkohësisht i ruajtur në bodrumin e shtëpisë private, ndërsa përmes një marrëveshjeje me familjen që e mban, do të bëhet i vizitueshëm. Në librin “Durrësi” të arkeologut durrsak Afrim Hoti, thuhet se gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë vetëm një pjesë të kësaj vepre që prezanton figurën e Orfeut, rrethuar me motive bimore dhe gjeometrike. Monumenti i fundit që i shtohet listës së objekteve të rëndësishme të kulturës dhe historisë, ndonëse ai është konsideruar i tillë dhe para shpalljes, është punuar me gurë kubikë polikrom në teknikën opus tasselatum. Ngjyrat që mbizotërojnë në mozaik janë e kuqja, e bardha, jeshilja dhe e zeza, por janë përdorur dhe të tjera. Sipas arkeologut Hoti ka shumë mundësi që në këtë rast figura e Orfeut të jetë paraqitur si personifikim i figurës së Krishtit. “Pasuria e figurave dhe realizimi i tij artistik na bën ta vlerësojmë këtë mozaik si punim me vlera të rralla brenda gjinisë së tij. Mozaiku duhet të jetë punuar aty nga fundi i shekullit III pas Krishtit”, thotë Hoti. Në Durrës, qytet, dhe periferitë e tij, janë zbuluar disa nga mozaikët më të bukur në vend, të cilët i përkasin periudhave të ndryshme historike. Përveç mozaikut të njohur “Bukuroshja e Durrësit” që i përket shek. IV para Krishtit dhe është ekspozuar në Muzeun Kombëtar Historik në Tiranë, i vizitueshëm është dhe mozaiku i Amfiteatrit, që vetëm në raste të veçanta hapet, dhe ai i bazilikës së Arapajt. Ndërkohë mozaiku i Hipokampit ose Kalit të Detit, ai i Pallatit të Sportit, mozaiku pranë depos së ujit etj., do të ngelen të konservuar, në pritje të një kohe tjetër dhe të të tjera kushteve për ekspozim.[2]

Referime

Redakto
  1. ^ LISTA E MONUMENTEVE: RRETHI I DURRËSIT. Instituti i Monumenteve të Kulturës - Ministria e Kulturës. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 28 tetor 2019. Marrë më 29 dhjetor 2016.
  2. ^ Mozaiku i Orfeut shpallet monument kulture, Infoarkiva, Publikuar më 09 mars 2010

Lidhje të jashtme

Redakto