Nasho Xani
Nasho Xani lindi në Sarandë. Në moshën 16 vjeç doli partizan dhe kryente detyrën e korrierit në Batalionin 4 të Brigadës së 12 Sulmuese. Komandant i Batalionit 4 ishte Shyqyri Ajazi.
Merr pjesë në luftimet për çlirimin e Sarandës. Gjatë një sulmi kundër forcave gjermane në Qafën e Gjashtës plagoset rëndë në gjoks me datë 9 tetor 1944. Plumbi i kishte kaluar 2 cm afër zemrës. Ushtarët anglezë që kishin zbarkuar pranë Sarandës e transportojnë menjëherë për mjekim në Itali.
Ka marrë pjesë në incidentet e Kanalit të Korfuzit si ushtar i thjeshtë në Rojen Bregdetare, me detyrën e mitralierit, në Ksamil. Në një artikull në gazetën Gazeta Shqiptare ai tregon për këto dy ngjarje:
"Dinim që heqjen e minave nga Kanali i Korfuzit do ta bënin grekërit, ndaj ishim porositur të ishim gati t'i përgjigjeshim çdo provokacioni. Në maj të 46-ës, dy anije pa flamur i afrohen bregdetit, shumë afër postës sonë. U hapëm në pozicione luftimi dhe kur ato u afruan në një largësi që ma mori syri se i kapte plumbi i mitralozit, hapa zjarr ndaj tyre. Zjarrin e drejtova direkt mbi njërën nga anijet. Para kësaj situate, ekuipazhi ngriti flamurin anglez dhe u larguan. Unë nuk qëllova më.
Më 22 tetor të po këtij viti, katër luftanije angleze po vinin drejt brigjeve tona, pa na paralajmëruar më parë për misionin. Kishim urdhër të mos qëllonim edhe nëse ato do të afroheshin shumë afër. Një oficer, këshilltar sovjetik na porosiste orë e çast që të mos qëllonim edhe sikur anijet të preknin bregun. Po ndiqnim me sy çdo lëvizje të anijeve, kur dëgjuam një shpërthim dhe pamë, se dy nga anijet kishin marrë flakë. Kishin rënë në mina.
Sipas mendimit tim, minat nuk ishin vendosur nga autoritetet tona, pasi nuk kishin as mundësi për një gjë të tillë, por as jugosllavët siç përflitej në atë kohë. Ato mina janë vënë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga gjermanët, për të penguar sulmin aleat kundër tyre e për të bllokuar hyrjen në Kanalin e Korfuzit. Praninë e minave në kanal dhe në gjithë detin Mesdhe e dëshmon edhe ngritja e Komitetit të Pastrimit të Minave.
Shqipëria u akuzua kot dhe pas 60 vjetësh deklaroi se e drejta ishte me popullin shqiptar."
Referime
Redakto- Gazeta Shqiptare, 24 tetor 2006:“Unë, partizani që qëllova kundër anglezëve”, Dëshmitari i fundit i incidentit të Kanalit të Korfuzit.