Historia e librit më të famshëm të Gabriel García Márquez-it fillon në mars të 1952 gjatë një udhëtimi me nënën në Aracataca, fshati i tij i lindjes. Ndoshta pikërisht në ato ditë Macondo filloi të marrë jetë në mendjen e shkrimtarit. Hija e gjyshit, figura më e rëndësishme e jetës së Marquez-it, e ndihmoi të mbyllej me fantazmat e shtëpisë ku kishte jetuar në fëmijëri, për të krijuar botën e tij magjike.

Në kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, fillimisht menduar me titullin “Shtëpia”, përshkruhet ngritja dhe rënia e familjes Buendia dhe e fshatit Macondo, themeluar prej saj në zemrën e Kolumbisë. Gjashtë breza, jetët e të cilëve gërshetohen në një dimension alternativ, në një vend jashtë botës. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i Macondo-s, Josè Arcadio Buendia deri tek fëmija i fundit me të cilin mbyllet romani kalon një shekull, një shekull plot magji dhe misticizëm. Duke u martuar Josè Arcadio me kushërirën e tij Ursula, të gjashta brezat jetojnë të mbytur nga supersticioni dhe nga frika e fëmijëve me bisht derrkuci. Të pakta janë çastet e lumtura në jetën e Mocando-s, shpesh i trazuar nga lufta civile, lulëzimi ekonomik, shfrytëzimi, katastrofat natyrore dhe shkatërrimet nga dora e njeriut. Jeta që zhvillohet në faqet e romanit nuk është vetëm ajo e fshatit por e gjithë Amerikës Latine. Personazhet e historisë janë të shumtë: nipër, fëmijë, vëllezër, me hidhërimet e tyre, ndryshimet e gjeneratave, fantazitë e papërmbushura, vitalitetin e burrave dhe mençurinë e grave të Macondos. Derisa arrijmë në fund, ku tërë fshati shkatërrohet nga një ciklon tropikal.Ky roman u shkrua me nje fryme,brenda tetembedhjete muajve ne nje vetmi te plote.

Mesazhet e autorit në “Njëqind vjet vetmi” janë të shumta. Marquez na thotë psh. që vetmia e ndjek njeriun hap pas hapi; një njeri që lufton për mos arritur pastaj në asgjë, për t’u gjetur sërisht në pikënisje. Koha përsëritet, faktet gjithashtu, duke dhënë jetë akteret e degjeneruara të personazheve pengojnë çdo përmirësim.

Shpesh herë personazhet e romanit kanë të njëjtat emra dhe është e lehtë për lexuesin të gabohet. Do bënte mirë të pajisej me letër e stilolaps për të shënuar tërë emrat e familjes Buendia. Nuk është një libër i thjeshtë dhe kërkon vëmendje në lexim. Por edhe pse i vështirë, jam e bindur që Macondo, ky vend jashtë botës, mes reales dhe fantazisë, mes së vërtetës dhe legjendës, mes misterit dhe ezoterizmit, magjeps çdo lexues me atmosferën e tij magjike.

Në shumë intervista García Márquez ka thënë se është e vështirë që në romanet e tij të mos gjesh gjë që nuk ka lidhje me realitetin. Pra realizmi i tij është magjik sepse real. Edhe pse nuk e ka shpikur Marquez-i atë.

Në fakt është e çuditshme si fjalët “realizëm magjik” në letërsi drejtojnë lexuesin drejt Amerikës Latine në përgjithësi e drejt Marquez-it në veçanti. Gabimisht do thoja, sepse realizmin magjik me siguri nuk e kanë shpikur latino-amerikanët. Ka ekzistuar gjithmonë në letërsi, dhe pa këtë dimension ireal ajo do të ishte e paimagjinueshme. Mjafton ti hedhim një sy tragjedive greke, Dante Alighieri-t, Cervantes për të zhgënjyer naivitetin e atyre që besojnë se realizmi magjik i përket në mënyre specifike Amerikës Latine dhe shekullit të XX. Ama Gabriel Garcia Marquez me realizmin magjik të “Njëqind vjet vetmi” pa pikë diskutimi bëhet pararendësi i kësaj rryme në letërsinë latino amerikane dhe atë botërore të ‘900. Jo për gjë autori fitoi çmimin Nobel për letërsinë në 1982.

Përkthimet në shqip

Redakto

"Njëqind vjet vetmi" Robert Shvarc

Lidhje të jashtme

Redakto

https://exlibris.al/perse-duhej-perkthyer-perseri-ne-shqip-romani-njeqind-vjet-vetmi-2/