Leonora Bajraktari
Dasmat kuksiane
Dasmat kuksiane janë një nga ceremonitë më të rëndësishme të kulturës së këtij qyteti. Ato përbëjnë një nga zakonet dhe traditat më të bukura të tij, prandaj dhe mënyra se si ata e festojnë është e veçantë sidomos në zonën e Borjes. Ata kryejnë një sërë veprimesh të njëpasnjëshme që nga kërkimi i dorës së vajzës deri tek marrja e nuses dhe thirrja e saj për drekë nga të afërmit e djalit.
Fejesa
RedaktoFejesa e dy të rinjve zakonisht bëhej kur djali mbushte moshën për të shkuar ushtar (18-19 vjeç).Familja e djalit që është në dijeni se cilën vajzë do djali dhe ka kryer ritet paraprake sipas adetit, i dërgon familjes së vajzës shkuesin, person që ka lidhje krushqie ose farefisnore me të dy familjet dhe ka aftësi ndërmjetësimi.
Ai, në një ditë të caktuar, shkon te prindërit e vajzës dhe u kërkon dorën e vajzës së tyre. Kur kërkesa e të dërguarit pranohet, caktohet dita se kur do të priten prindërit e djalit për të marrë fjalën. Kur propozimi pranohet, në ditën e caktuar, babai i djalit, vetë i tretë, me dajën e djalit dhe me shkuesin në mbrëmjen e të enjtes ose të hënës shkon në shtëpinë e vajzës dhe kërkon dorën e vajzës për djalin. Pasi bisedojnë, babai i djalit i thotë babait të vajzës: " Unë të kam pëlqyer si mik, po ashtu edhe djali dhe vajza duhen me njëri-tjetrin, prandaj e kërkoj që me izën e zotit t'i lidhim në fejesë". Babai i vajzës i jep dorën krushkut duke i thënë: " Për hajr na qoftë, të na trashëgohen, me muhabet të mirë e jetë të gjatë!".
Hizmetqinjtë sjellin kafen e "përhajrit". Babai pasi e pi kafen hedh në fixhan një sasi lekësh të barasvlefshme me një monedhë floriri turke "Tristarnik". Pas kësaj vijnë në dhomë edhe gratë e shtëpisë që urojnë për fejesën. Në fund bisedohet për ditën, kur dhe si do të merret shenja e fejesës, e cila zakonisht merret mbas 10-15 ditësh që nevojiten për përgatitjen e saj.
Marrja e mahramës
RedaktoNë ditën e caktuar për marrjen e mahramës (Kërpa), shkuesi ose daja i djalit i shoqëruar me 5-6 vetë, shkojnë për të marrë shenjën e fejesës. Duke kaluar nëpër rrugën kryesore të fshatit të përcjellur nga kureshtarët e çojnë marhamën në shtëpinë e djalit, ku priten me këngë, valle e urime për çitin e ri. Ata e vendosin mahramën në një vend, ku të shihet nga të gjithë. Për të pranishmit shtrohet buka. Shenjën e fejesës, pas 3-4 ditësh ekspozimi, nëna e djalit e fut në arkën e saj për t'ia nxjerrë djalit ditën e martesës, të cilën kur vishet dhëndër e vendos në anën e majtë, nën kindën e xhamadanit. Në rastet e prishjes së fejesës mahrama i kthehet vajzës.[1]
Përgatitja për martesë
RedaktoDitën e fejesës caktohet edhe zgjatja e kohës së saj, periudhë që zgjat 2-3 vjet, kohë e nevojshme për përgatitjen e pajës. Dy-tre muaj pas fejesës nëna e djalit çon harxhet e para (pafte, muline, mëndafsh për qëndisje, beze per këmisha, 2-3 kg për të përgatitur çorape e norta për pokllonin e dytë, shami koke që t'i mbajë gjatë kohës së fejesës, basma të ndryshme për jelek e mitan). Ky ritual në Borje quhet "Përf Pokllon".
Nëna e djalit me 5-7 gra e vajza (nuse të shtëpisë, bija ose kunata), përgatit pogaçen dhe në një ditë feste (natë e madhe, dita e dytë e Bajramit ose dita e tretë e Shëngjergjit, një ditë e hënë ose e enjte) niset për t'i çuar harxhet dhuratë, nuses së ardhshme të djalit. Ceremonia kryhet paradite.
Dërgimi i peshqesheve të nuses
RedaktoGratë që shkojnë për të çuar harxhet shoqërohen deri në dalje të mahallës së tyre me këngë. Në hyrje të mahallës së nuses i presin krushka me të vetët, që i shoqërojnë po me këngë deri në shtëpi. Aty hahet buka dhe pasi marrin peshqeshet, që ka përgatitur vajza për shtëpinë e të fejuarit, nisen të përcjellur me këngë duke i ekspozuar peshqeshet që ka përgatitur nusja. Në pokllonin e dytë pala e djalit i çon të fejuarës së tij, fondin themelor të lëndëve të para me të cilat përgatitet paja. Atë e çon publikisht e me këngë nëna e djalit, e shoqëruar me bijat, hallat, tezet dhe nuset e shtëpisë. Në këtë pokllon, familja e djalit i çon nuses: lesh, boja për ngjyrosje, penj për vekun dhe harxhe të tjera që nevojiten për përgatitjen e qilimit, sixhadeve, mbështjellseve, brezit, çorapeve, xhybeve, terlikut. Më përpara vajzat përgatisnin 5-6 ndresa komplete dhe shtroje për vete, sexhade për vjehrrin, çarçaf për vjehrrën, 15-20 palë çorape leshi, 8-10 triko leshi për t'ia falur më të afërmve.
Përgatitja e pajës
RedaktoGjatë kohës që vajza përgatit pajën përjashtohet nga punët në bujqësi. Në vek ndihmohet nga motrat e martuara dhe kunatat, për krehjen dhe tjerrjen e leshit e ndihmojnë gjyshet, halllat, tezet ose gra të tjera që thirren argat për shprishjen dhe tjerrjen e leshit.
Koha e fejesës është periudha më e lumtur për çiftin e lidhur, ata takohen shpesh, e më shpesh ndërrojnë dhurata. Vajzat zakonisht dhurojnë lule dhe shami dore të qëndisura me simbole dashurie, ndërsa djemtë sipas mundësive u dhurojnë vajzave gjerdan, shami Stambolli etj. Kështu ndodh për ata që ndodhen në vendlindje, ndërsa djemtë e fejuar që ndodhen në kurbet ose në shërbimin ushtarak, mallin e shprehin me letra dashurie.[2]
Ndarja e ditës për martesë
RedaktoPasi ka mbaruar koha për zgjatjen e fejesës dhe nusja ka përgatitur pajën, caktohet dita e dasmës. Babai i djalit, i shoqëruar me gruan e tij, dajën ose axhën e djalit, shkojnë te krushu për të ndarë ditën e dasmës. Pas përshëndetjeve të rastit, babai i djalit i propozon krushkut një ditë optimale për të, që ka lidhje me mbledhjen e bereqeteve, kthimin e farefisit nga kurbeti dhe nisjen e fëmijëve nëpër shkolla. Krushku paraqet variantin e tij dhe mbasi i shoshisin opsionet, arrijnë të vendosin ditën e dasmës. Pas kësaj fillon biseda për përcaktiminn e modaliteteve të dasmës , siç janë dajallëku, dhuratat nga të dy palët, pagesa e "majmaricës" (gruas që do të rregulloj nusen), Hërka (veshje dimërore) e gjyshes etj.
Në këtë bisedë marrin pjesë edhe dy krushkat, vendosja e ditës së dasmës bëhet me mirëkuptim, nuk ka kushtëzime ekstreme nga palët, por tolerime e marrëveshje bazuar në mundësitë financiare të palëve. Vendosja e ditës së dasmës zakonisht bëhet 1-3 muaj para ditës së paracaktuar për dasëm. Pas kësaj, dhëndrit dhe nuses së ardhshme u kufizohet lëvizja të pa shoqëruar. Një ose dy javë para dasmës fillon lyerja e shtëpisë. Dhoma e dhëndrit mbyllet për të evituar magjitë.[3]
Dasma
RedaktoDasma është një nga zakonet dhe traditat më të bukura të Kukësit dhe veçanërisht Borjes. Në të shfaqen shumë vlera shpirtërore dhe materiale të këtij fshati. Ajo është shprehje e dashurisë për jetën dhe ripërtëritjen e saj; është institucioni i bashkëjetesës miqësore brenda fshatit, është kupa më e ëmbël e optimizmit dhe mirëbesimit. Por është edhe një spektakël i jashtëzakonshëm i folklorit dhe traditave të Kukësit.
Ceremonia e martesës bëhet ditën e enjte ose të dielë. Gjashtë ditë përpara dhëndri dhe nusja shkojnë në komunë për të bërë celebrimin. Nusja shoqërohet nga vëllai dhe kunata, ndërsa dhëndri nga 3-4 shokë si dëshmitarë. Katër ditë para, djemtë dhe vajzat shkojnë për të mbledhur fier të njomë, të cilin e shtrojnë në dhomën e dhëndrit dhe dhomat ku rrinë gratë. Këto ditë caktohet edhe shoqëruesi i dhëndrit, i cili duhet të jetë më i madh në moshë se dhëndri, rishtaz i martuar, me të dy prindërit të gjallë. Po këto ditë caktohen shërbyesit, kuzhinierët, ndihmësit e tyre. Drejtuesin e dasmës e bën vetë i zoti i shtëpisë ose një nga djemtë që i vjen për dore për këto punë.[4]
Hapja e dasmës, zënia e kulaçit
RedaktoKy rit bëhet ditën e hënë ose të enjten në mëngjes, në prezencën e familjes së ngushtë të dhëndrit. Nëna e dhëndrit në një govatë hedh miell gruri, sheqer dhe ujë dhe e thërret dhëndrin që ta përziej brumin me grykën e revoles apo të pushkës, paksa në mënyrë simbolike. Pasi e përzien, del në dritare ose në ballkonin e shtëpisë dhe shtien tre herë në ajër, për të lajmëruar hapjen e dasmës. Pas kësaj nëna përfundon gatimin e kulaçit, duke futur në brumë një monedhë metalike. Ndërkohë dhëndri, me mbarëstorin, të ndihmuar nga djemtë e fisit, ngrejnë në sofatet e derës së jashtme të oborrit ose në ballkonin e shtëpisë, flamurin kombëtar dhe flamurin e dasmës.
(Flamuri i dasmës përgatitet nga familja e një të riu fatkeq, që ka vdekur mbas caktimit të dasmës ose në ditët e dasmës. Në të vihen reliket e të ndjerit,si kapuçi, shamia e fejesës, kutia e duhanit, shamia që vënë krushqit në kapele etj. Ai mbahet nga familja e të ndjerit dhe merret në të gjitha dasmat. Bërja e flamurit nga familja e një të riu që nuk ka arritur të gëzojë ditën e dasmës dhe përdorimi nga shokët në dasmat e tyre, është një nga ritet më të çuditshme, më prekëse, është një sfidë e përbashkët ndaj vdekjes që ka prerë në mes jetën dhe gëzimin e një djaloshi.)
Qëndisja e shamisë së dhëndrit
Në këtë moment në shtëpinë e nuses dërgohen 2-4 arka ku janë jane vendosur jorganët, rrobat e blera etj, për t'i bashkuar me pajën që ka përgatitur nusja. Gratë fillojnë qëndisjen e shamisë së dhëndrit, që pasi e qëndisin e varin në mur për ta shikuar e darovitur të afërmit.
Hapja e dyerve të shtëpisë për vizitorët
RedaktoTë hënën në mbrëmje hapen dhomat për vizitorët, veç për burrat dhe veç për gratë, që vijnë për të uruar. Në hyrje të portës së madhe i presin djemtë e fisit që i drejtojnë për në konaket e caktuar për pritje. Burrat pasi përshëndeten me të pranishmit e urojnë të zotin e shtëpisë. Pasi kalon vala e urimeve fillojnë batutat e kënga dhe më pas loja filxhanash. Në ditën e dytë të dasmës bëhet grumbullimi i enëve të kuzhinës, pasi nuk është e thënë që një familje të ketë enë për të gatuar për 150-200 veta, për tre vakte.[5]
Pritja e lodrave
RedaktoTë premten, mbasdite rreth orës 16 vijnë lodrat që janë lajmëruar më parë. Përpara u del i zoti i shtëpisë, i shoqëruar nga burrat e farefisit, dhëndri me shoqëruesin, shokët e tij etj. Pasi u urojnë mirëseardhjen fillon rënia e parë e lodrave ose ndryshe nibeti, që i kushtohet të zotit të shtëpisë. Të afërmit u hedhin bakshish lodraxhinjve duke ua vënë kartëmonedhat në vrimat e curleve, nën kapuç ose në rripat e lodrës.
Pasi mbaron nibeti, nisen drejt shtëpisë së dhëndrit të prirë nga më i vjetri i fisit e pas tij të tjerët në një kolonë sipas moshës. Pas tyre vjen dhëndri me mbarëstorin dhe në fund lodrat. Kur mbërrijnë në oborrin e shtëpisë u dalin përpara të dy prindërit e dhëndrit dhe gjithë farefisi, me këtë rast të dy prindërve u kushtohet një nibet, të ciliin e dëgjojnë të kapur dorë për dore, anash u rrinë dhëndri me mbarëstorin, hallat, tezet, axhallarët. Ndërsa vajzat dhe gratë u këndojnë:
Të qoftë, për hair, nënë e dashur,
Për hair, përjetësisht, nënë e dashur,
Për miradin, që ke arritur, nënë e dashur!
Kemi pritur, me vite, nënë e dashur,
Dhe tani ka ardh dita, nënë e dashur,
Kemi qenë, hasret, nënë e dashur
Darovitja e lodraxhinjve
RedaktoGjatë kohës që lodraxhinjtë luajnë nibetin, babai i darovit me kartëmonedha. Nëna mban në duar peshqeshet që i ka ndarë për të darovitur lodraxhinjtë. Pasi përfundon nibeti lodraxhinjtë marrin mekamin e valles së "Brodit', të cilën e prin babai, pas tij nëna, dhëndri, mbarëstori, motrat e me radhë sipas afërsisë. Pasi i kalon radha e heqjes së valles, nëna u jep bakshish lodraxhinjve duke u dhuruar çorape, peshqira etj. Vallja nuk pushon derisa t'u kalojë radha të gjithë pjestarëve të familjes së ngushtë.
Pas kësaj lodraxhinjtë shkojnë në konakun e caktuar për ta, ku u serviren petulla që nëna e djalit i ka gatuar enkas për ta dhe buka e darkës me pak raki. Pasi pushojnë pak dalin në oborr për të vazhduar ahengun, ku kërcejnë së bashku djem e vajza, burra e gra. Ndërkohë në dhomat e caktuara vijnë njerëzit për urim, këndohen këngë e luhet filxhanash. Ahengu i kësaj nate mbyllet me vallëzimin e burrave. Në këtë ditë caktohen 10-15 djem, të cilët të nesërmen në mëngjes duhet të shkojnë në mal për të mbledhur drutë e nevojshme për kuzhinën e dasmës.
Dita e shtunë është pika kulmore e dasmës. Në këtë ditë zhvillohet një spektakël i vërtetë gjigand, ku protagonistë kryesorë janë familjarët e dhëndrit, të gjithë të ftuarit dhe fshatarët të cilët shkojnë për të parë këtë festë të përtëritjes së jetës.[6]
Mishi i dasmës
RedaktoNë mëngjes,para së të nisen druvarët në mal, 3-4 djem të ngarkuar si ndihmësa në kuzhinë, marrin kaun e bagëti të tjera, që janë të caktuar për t'u therur për mishin e dasmës. I mbulojnë me sixhade e lule,u vënë në kokë kurora me lule, në qafë shamia e të shoqëruar nga dhëndri e shoqëruesi i tij, me lodra i çojnë ne çezmen më të afërt për t'u dhënë ujë për herë të fundit.
(Therja e bagëtive me ceremoni bëhet, pasi konsiderohen si kurban të përtëritjes së familjes). Pasi pinë ujë, bëhet therja nga kasapi, ndërsa copëtimi dhe ndarja e mishit nga kuzhinierët e dasmës. Pas kësaj menjëherë kuzhinierët përgatisin saxhakët dhe vendosin kazanët për të përgatitur drekën për druvarët dhe darkën për dasmorët.[7]
Zgjimi i nuses
RedaktoNjë ditë para se të dalë nga shtëpia e prindërve, vajza rri në shtrat e mbuluar me një gëzof. Asaj i rrinë pranë shoqet më të afërta që nuk i ndahen deri sa ta përcjellin të hipur në kalë dhe i këndojnë.
Të enjten ose të dielën në ditën e dasmës, pa u gdhirë, dhëndri me mbarëstorin të shoqëruar nga lodrat shkojnë te shtëpia e nuses për ta zgjuar nga gjumi i natës së fundit të vajzërisë. Te dera e shtëpisë i presin babai i vajzës, nëna, motrat dhe shoqet më të afërta. Pas përshendetjes, lodrxhinjtë luajnë nibetin e babai i vajzës i darovit ata. Pas nibetit, vajza del me shami të lëshuar mbi sy, me rrobat e vajzërisë, pa opinga, vetëm me çorape. Futet në valle, të cilën e prin ose e heq njëra nga motrat e saj. Në këtë valle ajo shoqërohet vetëm nga motrat dhe 10-15 shoqet më të ngushta. Pas pak ajo e nxitur nga shoqet merr shaminë dhe heq vallen e fundit të vajzërisë.
Pas 2-3 vallesh, dhëndri ia merr shaminë nga dora, me të cilën nusja e heq vallen dhe i prin në valle. Ky është një moment mallëngjyes, që shoqërohet me këngë, por edhe me lot mallëngjimi e gëzimi, pasi vajza nga familja dhe kalon në një situatë tjetër shoqërore. kur fillon të dalë drita dhëndri kthehet me gjithë lodrat në shtëpi, ndërsa vajza futet në shtëpinë e saj, heq rrobat e vajzërisë që ia fal motrës më të vogël ose ndonjërës prej shoqeve më të ngushta dhe përgatitet për tu bërë nuse, punë të cilën e bën parukierja.[8]
Marrja e nuses
RedaktoPërgatitja për marrjen e nuses
RedaktoGjatë gjithë ditëve të dasmës, bukën e dhëndrit e përgatit vetëm nëna e tij, ajo ia servir në një tepsi në dhomën e caktuar si "gjerdek". Kjo bëhet nga frika e helmimit ose e futjes së magjive në ushqimin e dhëndrit. Pasi ka përfunduar drekimi, lodrat me melodi të veçantë lajmërojnë mbledhjen e krushqve. Dy djem të fisit i heqin bajrakët nga dera e shtëpisë. Me anë të një rripi të vendosur në qafë që përfundon në një dru të shpuar në mes, ku vendoset fundi i shtizës së flamurit i ngrejnë lart flamujt dhe u prijnë krushqve. Pas bajrakëve në kolonë për një, vijnë: Imami i xhamisë së fshatit, me radhë sipas moshës dhe në fund të kolonës që lëviz me rregull vendosen babai i djalit i hipur në kalë të bardhë, në të cilin në kthim do të hipë nusja. Dhe pas tij 2-3 veta të fisit me kuaj të zakonshëm, ku kanë hipur daja dhe axha i djalit. Në kthim në këta kuaj do të ngarkohen arkat e nuses. Pas tyre vijnë lodrat dhe disa të rinj duke kënduar.
Dhëndri me shoqëruesin i përcjellin krushqit deri në hyrje të mahallës së nuses, pas kësaj ata kthehen në shtëpi. Ka ardhur koha që dhëndri të vishet e të bëhet gati për të pritur nusen. Rituali i marrjes së nuses kryhet duke përshkruar unazën e vogël të fshatit. Në hyrje të rrugicës që të çon në shtëpinë e nuses, në një vend të hapur lodrat ndalojnë dhe bëhet pritja e krushqve nga përcjellësit. Ata i presin të radhitur për një.
Babai i dhëndrit shkon në shtëpinë e mikut dhe pret daljen e nuses nga shtëpia. Tre kuajt me të cilët do të merret nusja dhe paja i marrin në oborrin e shtëpisë së nuses. Lodrat fillojnë të bien, duke i ftuar në valle përcjellësit e vajzës, ndërsa krushqit rrinë dhe shikojnë. Pas kësaj ftohen në valle krushqit që kërcejnë disa valle e në fund vallëzojnë së bashku krushqit dhe përcjellësit. Pasi kanë vallëzuar të gjithë del nusja, e cila pasi përshëndetet me të afërmit hipën në kalë e mbuluar me duak të kuq.
Largimi i nuses
RedaktoKur nusja hipën në kalë, babai i djalit nxjerr nga xhepi një qese të mbushur me oriz e monedha metalike dhe i hedh mbi duakun e nuses, e ciila e përkul kokën tre herë. (Hedhja e orizit dhe e monedhave metalie mbi duakun e nuses bëhet që çifti i ri të shtohet me fëmijë). Nusja del nga shtëpia e përcjellur nga prindërit e shoqet, me lot gëzimi e dhimbjeje e me këngë që improvizohen nga shoqet e saj.
Kalin e nuses e mbajnë dy vëllezërit e saj. Anash i rrijnë dy nga kushrinjtë, atyre u prin vjehrri, i cili tani ecën në këmbë 5-6 hapa para kalit të nuses. Pas nuses vijnë 2-3 kuaj të ngarkuar me sëndukut e pajës e të mbuluar me qilim e sixhade, që i përgatit nusja. Kuajtë shoqërohen nga djemtë e fisit të nuses deri në hyrje të mahallës së dhëndrit, pas kësaj i marrin djemtë e fisit të djalit. Në momentin që del nusja nga shtëpia, krushqit shitnë tri herë në ajër.
Mbërritja e nuses
RedaktoPasi përshkojnë për rreth dy orë harkun e gjatë të unazës së fshatit, i afrohen mahallës së dhëndrit, aty u dalin 5-6 djem nga fisi i dhëndrit dhe marrin kuajt e ngarkuar me sënduk për t'i vendosur në dhomën ku do të qëndrojë nusja. Përcjellësit e përcjellin nusen deri në oborrin e shtëpisë së dhëndrit. Kur nusja vjen në oborrin e shtëipsë, halla e madhe u del përpara me një govatë me ujë në dorë dhe me një tufë lulesh i spërkat me ujë të gjithë krushqit. Para hyrjes në shtëpi nusen e zbresin nga kali vëllezërit. Kalin e bardhë e kapërcen një djalë tre herë duke kaluar mbi shalë e nën bark. Dy vëllezërit e shoqërojnë motrën duke e mbajtur për krahu dhe të prirë nga prindërit e djalit ajo e kalon prakun e shtëpisë me këmbë të djathtë. Vjehrra i nxjerrë tre bukë, të cilët nusja i puth tre herë.
Pas kësaj nusen e çojnë në dhomën e saj, për disa momente prindërit e djalit dalin nga dhoma, vëllezërit ia heqin duakun dhe çizmet që ka mbathur, e vendosin motrën tek sëndukët me pajë, që janë të mbuluar me qilima, ia drejtojnë rrobat, i japin të pijë pak ujë nga ibriku, që është vendosur enkas aty dhe e porositin për herë të fundit, që mos t'i turpërojë dhe thërrasin prindërit e djalit të hyjnë në dhomë. Nusja në shenjë respekti për vjehrrin dhe vjehrrën përkul kokën tre herë, ua puth dorën dhe përqafohet me vëllezërit.
Përcjellja e miqve
RedaktoPlaku del për të përcjellë miqtë, ndërsa nëna merr një djalë të vogël, me të dy prindërit të gjallë, i vë një shami të kuqe në kokë dhe e çon tek shtroja e nuses, që të rrokulliset dy-tre herë, kjo bëhet me qëllim që martesa të jetë pjellore. Vëllezërit e shoqëruar nga babai i djalit, dalin të përlotur dhe të kënduar nga gratë dhe vajzat.
Dy vëllezërit, pasi bashkohen me përcjellësit e tjerë, kthehen në shtëpinë e tyre. Në këtë kohë në dhomën e nuses futen dy shoqërueset, që do ti rrijnë anash gjatë gjithë nusërimit. Njëra nga hallat e copëton bukën që ka puth nusja dhe ua jep fëmijëve që ndodhen në oborrin e shtëpisë. Pasi pushon pak dhe i largon emocionet e ndarjes nga prindërit, nusja fillon nusërimin në shoqërinë e vizitorëve dhe këngëve që nuk pushojnë, ku i vihen në pah: hiret, bukuria fizike dhe shpirtërore e nuses, por shpesh i këndohet edhe me fjalë provokuese.
Takimi i dhëndrit me nusen
Pas një ore, në dhomën e nuses vjen dhëndri për t'ia hapur sytë. I shoqëruar nga mbarëstori, vendoset përballë saj në distancë të afërt dhe i thotë tre herë hapi sytë, nëse ajo nuk i hap atëherë ai bashkon gishtin e madh me gishtin e mesit dhe e godet lehtë tre herë në lule të ballit. Nusja i hap sytë dhe shikon partnerin që e ka zgjedhur vetë. Ky i fundit i hedh ndonjë batutë përkëdhelëse. Pas këtij momenti dhëndri del në portën e shtëpisë, ku e presin nëna, babai, motrat, hallat, tezet etj. Aty i dedikohet nibeti, lodraxhinjtë daroviten me kartëmonedha dhe dhëndri u prin familjarëve në valle. Pas kësaj del dhe bën xhiro në rrugën kryesore të fshatit i shoqëruar nga mbarëstori.[9]
Futja e dhëndrit në gjerdek
RedaktoPër mbrëmjen e futjes së dhëndrit në gjerdek, shtohen 2-3 sofra me bukë, ku marrin pjesë vetëm burra. Kjo bukë emërtohet sofra e hoxhës, ku marrin pjesë njerëzit më të afërt të familjes së dhëndrit. Me këtë rast gatuhen gjellërat me të mira që të mbetet i kënaqur hoxha. Ndërkohë që shtrohen sofrat, vajzat i këndojnë nuses. Pasi mbaron darka bëhet riti i futjes së dhëndrit në gjerdek. Rreth orës 20:00, pasi kanë dalë shoqëruesit e nuses nga gjerdeku dhe nusja ka mbetur vetëm në dhomë, thirret dhëndri për t'u futur në gjerdek.
Para derës e presin dy prindërit, bijat e shtëpisë, kunatat dhe kushërinjtë. Hoxha i këndon duan e posaçme për këtë rast. Dhëndri i veshur me gëzof, përqafohet me babain dhe nënën dhe i shtyrë nga mbrapa shpine nga të pranishmit futet në gjerdek, ku pas dere e pret nusja në këmbë. Pasi e mbyll derën e përqafon dhe e puth nusen. Ulet në karrige që t'ia heq këpucët nusja. Ajo ia heq këpucët, i shtron në tokë gëzofin, që dhëndri të ulet dhe të falë tre "reçate" namaz. Jashtë para dere i këndojnë:
Pa dëgjo, oj nuse, ç'po të themi
Çfarë gafe, oj nuse, ti bëre
Ti ke kapur, oj nuse, dorën e majtë
Ti ke zbathur, oj nuse, këmbën e majtë?!
Ndërsa dhëndri dhe nusja kanë rënë në shtratin bashkëshortor, nëna rri roje gjithë natën tek dera e gjerdekut, kurse vajzat dhe nuset u këndojnë.[10]
Ngrënia e kulaçit
RedaktoNë mëngjes duke dalë drita, nëna troket në derën e gjerdekut, nusja që është kujdesur që trokitja e derës ta gjejë të veshur, i hap derën. Nëna i jep kulaçin, të gatuar kur kanë hapur dasmën. Dhëndri dhe nusja të ulur në gjunjë hanë nga kulaçi i dasmës. Ndërkohë janë ngritur të gjithë pjestarët e familjes, të cilëve u serviret nga ky kulaç. Personi që e gjen monedhën e vendosur në kulaç konsiderohet fat.[11]
Gostia e parë
RedaktoNjë javë pas dasmës 10-12 veta, burra dhe gra, nga familja e vajzës vijnë për ta marrë bijën në gostinë e parë. Ajo rri atje 2-3 ditë. Në ditën e tretë prindërit e djalit së bashku me dhëndrin shkojnë për ta marrë. Dhëndrit me këtë rast i kurdiset një rreng. E nxjerrin në oborr dhe i japin një sëpatë dhe e provojnë nëse mund ta çajë drurin, që i kanë nxjerrë duke e ngacmuar me batuta: "Do të ta mbajmë nusen, mbasi ti nuk je i zoti i punës" etj. Kjo situatë kalohet me të qeshura. Pas 2-3 muajsh bëhet gostia e vogël. Nusja rri tek familja e saj dy javë dhe në dimër gostia e madhe që zgjat pesë javë.[12]
Buka e nuses
RedaktoDy deri në tre javë pas gostisë së parë, të afërmit e djalit, axhallarët, dajallarët, hallat, tezet dhe të tjerë e thërrasin nusen në bukë, ku marrin pjesë vetëm gratë. Nuses i prin vjehrra dhe dy ose tre pjestarë të familjes, njëra prej të cilave mban sahanin me petulla dhe peshqeshet që u ka sjellë nusja. Në këtë gosti marrin pjesë sipas rastit dhe fisit 25-30 gra, të cilave u shtrohet drekë me gjellëra karakteristike dhe zhvillohen muhabete grash. Gjatë gjithë kohës nusja rri në këmbë për të nderuar pjesëmarrëset, pasdite kthehen në shtëpi.[13]
Referencat
Redakto- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 350-352
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 352-356
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 356
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 357
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 358-361
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 361-365
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 366
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 379
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 385
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 404
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 405
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 406
- ^ "Borje dhe Borjanet", Elmaz Dokle, Prizeren, 2010, fq 407