Përkrenaret ilire - Në armatimin e luftëtarëve të pasur bënin pjesë, sipas të gjitha gjasave, kur përdoreshin edhe kallçijt, gjithashtu edhe përkrenarja e bronzit. Me siguri për shkak të rëndësisë shumë më të madhe në armatim, përkrenarja haset shumë herë nëpër varrezat ilire. Qysh prej shek. VII para e. re. përkrenaret e bronzit prodhoheshin në qarkun e kulturës së Alpeve lindore. Në këtë kohë, e ndoshta edhe më herët, hasen përkrenare me formë konike të cilat në mënyrë tipologjike lidhen drejtpërdrejt me ato të kulturave të urnave me djegie. Më vonë paraqitet në këto vise tipi shmarjet i përkrenares (i quajtur sipas vendit Shmarjet në Novo Mesto), i punuar në mënyrë shumë rustike, i ngjashëm me kapelat e rrumbullakta të japodëve. Bëheshin prej skeletit nga shkurre që lyheshin me argjilë. Mirëpo përkrenares së këtillë i viheshin disa pllaka më të mëdha të rrumbullakta të bronzit. Meqenëse tani janë zbuluar ekzemplarët (gjithsej nja tridhjetë) të gjetur nëpër varreza luftëtarësh, nuk ishte vështirë të përfundohet se me të vërtetë shërbenin si përkrenare lufte, e jo si kapelë.[1]

Përmbledhje

Redakto

Po në këto vise zhvillohet më tutje përkrenarja e bronzit me dy rrathë të gjerë dhe me dy brinjë në kalotë. Në rreth me thumba kapej një shirit i gjerë prej lëkure, i cili e mbronte qafën e luftëtarit. Sipas Gabrovcit ky tip përkrenareje ishte në përdorim në shek. VI para e. re.[2]

Nga fundi i periudhës së vjetër dhe fillimi i së resë (shek. V-IV para e. re.) nën ndikimin direkt të përkrenares etruske-italike, paraqitet përsëri në ato vise, përkrenarja shumë e bukur e bronzit, i ashtuquajturi tip negoves (e quajtur sipas vendit Negova në Sllovenska Gorica).[3]

Përkrenaret në Gllasinac paraqiten në shek. VI para e. r. si gjëra të importuara, kurse në rajonin e gjerë në jug të Savës paraqitet një përkrenare shumë e rëndësishme që mund të konsiderohet karakteristike për ilirët. Fjala është për përkrenaren me dy paragnatide dhe me vrima katrore përpara ; kalota është e forcuar me dy brinjë plastike, ndërsa në ballë gjindet kapsja që shërbente për vënien e xhufkës. Përkrenaret e këtij tipi janë zbuluar në shumë lokalitete në Shqipëri, në Bosnje dhe në Hercegovinë, në Kroaci (pranë bregdetit), në Maqedoni, në Serbi. Janë gjetur gjithashtu, në një numër më të vogël edhe në Rumani, bile edhe në Rusinë e jugut. Shumë përkrenare të tilla burojnë nga Greqia (Olimpi etj.) Disa shkencëtarë i caktojnë datat e këtyre ekzemplarëve më të vjetër nga Greqia qysh nga shek. VII para e. re. dhe sipas tyre këta ekzemplarë që paraqiten te ilirët e jugut (shek. VII) ishin importuar nga Greqia. Më vonë ilirët vetë i punonin përkrenaret duke pasur si mostër ato përkrenare.[4]

Megjithatë, ekspertët e tjerë, sipas arkeologut shqiptar Hasan Ceka, paraqesin argumente në dobi të proveniencës ilire të kësaj përkrenareje. Sipas Cekës kjo përkrenare u paraqit te ilirët si prodhim origjinal ilir në shek. VII para e.re. dhe u përdor deri në shek. II para e.re. e jo vetëm deri në shek. IV para e.re. siç kanë menduar disa autorë të tjerë. Si vërtetim i një përdorimi të vonshëm i shërben këtij arkeologu fakti se pamja e kësaj përkrenareje shihet në monedhat e qyteteve ilire, Skodra, Lissos dhe të mbretit Genc.[5]

Nga shek. VI para e. re. e deri me okupimin romak ilirët nuk pushojnë duke importuar përkrenare nga Italia dhe nga Greqia. Përkrenarja e Korinthit nga tuma e Ararit në Gllasinc (shek. VI para e.re.) përkrenarja etruske nga kalaja Çungarte Cazini, mandej edhe një përkrenare etruske nga Vrankameni te Krupa, janë ekzemplarët më të mirë të përkrenareve të prejardhjes së huaj në truallin ilir.[6]

Është e zakonshme të konsiderohen të importuara, që sipas të gjitha gjasave në shumicën e rasteve edhe është e saktë. Mirëpo, ekzemplari i përmendur nga Vrankameni që u gjet në një grumbull së bashku me monedhat afrikane dhe italike, të cilat i përmendëm më parë (fq. 162) mund të ishte plaçkë e piratëve, na bën të supozojmë se shumë përkrenare ilirët kanë mundur t'i sigurojnë edhe me aksionet e tyre luftarake, kryesisht pirate, kundër grekëve ose italikëve.

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Këtij tipi interesant të përkrenares një studim të gjerë ia kushtoi Stane Gabrovec, Halstatske celade jugovzhodnoalpskega kroga, Arheoloski vestnik, 13-14/1962-1963, fq. 293-305.
  2. ^ Stane Gabrovec, Halstatske celade... fq. 305-316.
  3. ^ Stane Gabrovec, Kronologija celad negovskega tipa, Situla, 8,1965, fq. 177-186. Studime shumë të hollësishme për përkrenaret e këtij tipi shkroi arkeologu gjerman, Paul Reinecke, Der Negauer Helmfund, Bericht der Romische-Germanischen Kommission, 32/1942, fq. 117-195; Po ai, Ein neuer Helm der Negauer Reihe aus Unterkrain, Vjesnikza arheologiju i historiju dalmatinsku, 56-57/1954-1957, vol. 1, fq. 72-75.
  4. ^ Me një mendim të këtillë pajtohet edhe Milutin Garasanin, Uirsko-grcki slem iz Razane, Vjesnik Vojnog muzeja, 4/1957, fq. 37-51. Për këtë shkak ai edhe propozon që kjo përkrenare të quhet "ilire-greke". Në literaturën profesionale për këtë tip të përkrenares përdoren edhe emrat "thrakas", "korinthas", "ilir" e të tjerë. Një studim shumë të hollësishëm për këtë përkrenare, me përshkrimin e vendit ku u gjet dhe me bibliografinë e dha Vasil Lahtov Ilirskiot borecki grob od seloto Recica-Ohridsko i problemot na grcko-ilirskiot slem, Situla, 8, 1965, fq. 48-59.
  5. ^ Hasan Ceka, Atdheu i përkrenares ilire. (La patrie d'origine du casque illyrien), Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, 17/1963 nr.l, fq. 98-109; Po ai, Questions de numismatique illyrienne, Tiranë, 1972 fq. 167-177.
  6. ^ Një pasqyrë pak të vjetëruar, por ende më të mirën të këtyre përkrenareve, me ilustracione shumë të bukura, e dha Ciro Truhelka, Kulturne prilike Bosne i Hercegovine u prehistoricko doba, Sarajevë, 1914, fq. 126-