Kultura ilire
Kultura ilire u formua me tiparet e saj karakteristike që e dallojnë nga kulturat e popujve fqinjë në periudhën e zhvilluar të epokës së hekurit. Ajo ishte një kulturë autoktone që u krijua në truallin historik të ilirëve, në procesin e formimit të vetë etnosit ilir, mbi bazën e zhvillimit të brendshëm social-ekonomik të shoqërisë ilire dhe pa dyshim edhe të marrëdhënieve me popujt fqinjë. Tiparet themelore të saj janë shprehur në arritjet më të rëndësishme të ilirëve në fushën e zhvillimit të tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën e të jetuarit dhe të kuptuarit të botës që i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit të kësaj bote në artin e botëkuptimin e tyre.[1]
Hyrje
RedaktoKrahas tipareve themelore të përbashkëta të kësaj kulture, që janë karakteristike për gjithë truallin ilir, vihen re edhe veçanti lokale. Në kushtet e një territori të gjerë, me larmi të theksuara fiziko-gjeografike, siç ishte pjesa perëndimore e Gadishullit të Ballkanit, me lidhje fqinjësie e marrëdhënie me krahina që i karakterizonte një zhvillim i ndryshëm social-kulturor, sidomos i theksuar midis veriut të prapambetur qendërevropian dhe jugut më të përparuar egjeo-mesdhetar, këto ndryshime lokale në kulturë janë po aq të kuptueshme sa edhe zhvillimi jo i njëjtë social-ekonomik që njohën ilirët e kësaj kohe. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për ndryshime lokale edhe në aspekte të veçanta të jetës dhe të krijimtarisë së ilirëve, ndryshime të cilat janë thjesht të karakterit etnografik. Sipas të dhënave arkeologjike, në truallin ilir dallohen në epokën e hekurit disa grupe kulturore: grupi jonik ose epirot, që përfshin krahinën e banuar nga kaonët, thesprotët, molosët dhe fiset e tjera më të vogla të viseve më jugore; grupi adriatik-jugor ose taulanto-ardian, që shtrihet në gjithë ultësirën bregdetare nga Vjosa në Naretva dhe që banohej nga këto dy fise të mëdha si dhe fise të tjera më të vogla rreth tyre; grupi devollit ose dasaret në krahinën juglindore të Shqipërisë me qendër pellgun e Korçës; grupi pelagon në Maqedoninë Perëndimore dhe ai paion në atë lindore, grupi i Matit ose pirust, që përfshin krahinat e brendshme të Shqipërisë Verilindore (Mat, Dibër Kukës) dhe ai dardan në Kosovë; grupi i Glasinacit me qendër rrafshnaltën me të njëjtin emër në lindje të Sarajevës dhe rreth saj, që i përgjigjet krahinës së banuar nga autariatët; grupi dalmatin, që përfshin krahinën midis lumenjve Naretva e Krka; grupi japod në territorin e sotëm të Likës dhe grupi verior-adriatik ose liburn, që shtrihej në territorin midis lumenjve Krka e Zrmanje.
Çdo njeri nga këto grupe kulturore i përgjigjet kryesisht territoreve të banuara nga fiset ose bashkimet e mëdha fisnore ilire. Sa më të afërta gjeografikisht ishin këto grupe, aq më të mëdha ishin ngjashmëritë kulturore midis tyre. Kështu, p.sh., grupi japod paraqet mjaft paralele me atë fqinjë liburn. Në Ilirinë Qendrore grupi i Matit lidhet aq ngushtë me atë të Glasinacit dhe atë dardan saqë inkuadrohen me një kompleks të gjerë kulturor Mat-Glasinac; ndërsa në Ilirinë e Jugut grupi devollit afron në shumë aspekte me atë pelagon dhe epirot.
Këto ndryshime dhe ngjashmëri lokale, që burojnë nga baza e përbashkët etnike, kushtet herë të përafërta e herë të ndryshme të zhvillimit social-ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkrahinore, shkrihen në tërësinë e bashkësisë kulturore ilire, të cilën e vërejmë si në gjuhë, ashtu dhe në kulturën materiale (vendbanimet, veglat e punës, armët, qeramikën, stolitë etj.) e atë shpirtërore (artin e botëkuptimin) të saj, pa kërkuar një unitet të plotë për këtë shkallë të zhvillimit të ilirëve. Veçoritë lokale etnografike në kulturë, ashtu sikurse dhe ato dialektore në gjuhë, nuk cenojnë unitetin e kulturës ilire dhe të bartësve të saj, ato janë shprehje e larmisë dhe e ndryshimeve brenda së njëjtës kulturë.
Gjuha
Redakto- Artikulli kryesor: Gjuha ilire
Ilirët flisnin një gjuhë që dallohej nga gjuhët e popujve të tjerë të kohës së lashtë të Ballkanit. Ajo ishte një gjuhë e veçantë indoevropiane, që kishte lidhje afërie ku më të largët e ku më të afërt me gjuhë të tjera të gadishullit dhe jashtë tij. Janë konstatuar elemente të përbashkëta sidomos me trakishten. Lidhur me vendin e ilirishtes në mes të gjuhëve indoevropiane është diskutuar mjaft dhe janë dhënë mendime të ndryshme.
Një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sintezën më të plotë, të shoqëruar me vështrimin kritik të mendimeve për origjinën e gjuhës shqipe, e ka dhënë gjuhëtari i shquar prof. Eqrem Çabej, i cili ka sjellë dhe argumentet e tij shkencore, në mbështetje të tezës ilire. Disa nga argumentet e parashtruara prej tij janë këto:
- Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar popullsi ilire;
- Në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera në trojet e sotme;
- Një pjesë e elementeve gjuhësore: emra vendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe.
- Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse;
- Marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit;
- Të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm.
Nga të gjitha këto argumente, del si përfundim se teza e origjinës ilire të gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore. Nga ilirishtja e Ballkanit gjer tani nuk është gjetur gjë e shkruar dhe është menduar se nuk ka qenë e shkruar. Dëshmohet e shkruar mesapishtja e Italisë Jugore, që është mbajtur e mbahet përgjithësisht si një degë e ilirishtes, në njëfarë mase si një dialekt i saj i zhvilluar më tej në kushtet e një veçimi prej disa shekujsh nga trungu i saj gjuhësor kryesor. Prej saj kemi rreth 2 000 mbishkrime të shkruara në një alfabet grek (dorik) me disa ndryshime për të riprodhuar disa tinguj të posaçëm të gjuhës së tyre. Një mbishkrim i Kalasë së Dalmaces afër Pukës, që për dekada të tëra qe mbajtur si i vetmi mbishkrim ilir, u provua nga gjuhësia e re shqiptare se nuk ishte tjetër veçse një mbishkrim greqisht i shek. VI-VII. Nëse do të kurorëzohen me sukses përpjekjet që po bëhen për leximin e një mbishkrimi të Muzeut të Shkodrës me prejardhje nga Dobraçi, shkruar me një alfabet të panjohur dhe të një mbishkrimi të gjetur në Bugojë të Bosnjës Perëndimore, mund të sillen të dhëna të reja e të hapen perspektiva. Zbulimet e mëtejshme arkeologjike mund të japin ndonjë tekst ilir të shkruar me alfabet të veçantë ose me alfabet grek a latin. Gjuhët greke dhe latine që hynë më parë në Iliri si gjuhë kulture, tregtare ose si gjuhë zyrtare administrative, nuk u bënë kurrë gjuhë të të gjithë popullit, i cili vazhdoi të ruajë në jetën e tij të përditshme të folmen amtare. Njoftimi i historianit grek të shek. II p.e.sonë, Polibit, për bisedimet e mbretit Gent me delegatët maqedonas përmes përkthyesit që njihte ilirishten, dëshmon se kjo gjuhë u praktikua edhe si gjuhë zyrtare deri në fund të jetës së pavarur politike të ilirëve.
Nga gjuha e ilirëve kanë mbetur disa materiale, por që nuk janë të mjaftueshme: elemente leksikore shumë të pakta të së folmes së përditshme përbërë nga disa glosa ilire, dhe sidomos një numër i madh (rreth 1 000) emrash të përveçëm, emra personash, perëndish, fisesh, vendesh dhe disa emra lumenjsh e malesh. Fjalët ilire i kemi në formën që na janë dhënë prej autorëve grekë e latinë, jo në formën autentike të tyre. Ndër ato fjalë mund të përmenden rhinos = mjegull, sabaia = birrë meli etj. Emrat e përveçëm ilirë që na janë transmetuar në burimet e shkruara antike (autorë grekë e latinë, mbishkrime greke e latine, monedha të territorit ilir) përbëjnë materialin kryesor që kemi prej ilirishtes së Ballkanit. Ato lejojnë që të nxirren disa elemente të fjalëformimit emëror të ilirishtes e ndonjë tipar fonetik i saj, ndonjë element i leksikut të saj dhe material krahasimi me gjuhët e tjera indoevropiane, po nuk japin mundësi të njihen gramatika dhe leksiku i saj.
Studiues të ndryshëm kanë përcaktuar si ilire edhe një numër fjalësh të ndeshura në gjuhët e tjera të lashta ose në gjuhët e sotme të Evropës, duke i marrë ato si huazime nga ilirishtja ose si të trashëguara prej saj. Shumica e tyre janë të diskutueshme, po disa kanë gjasa vërtetësie. Ndër to përmendim: lat. mannus = kalë i vogël, krhs. shqipen maz/mëz; gr. balios = i bardhë, me pulla të bardha, krhs. shqipen balë; gr. kalibe = kasollë; disa fjalë pararomane etj.
Material më të pasur jep mesapishtja e Italisë Jugore. Prej saj kanë ardhur një numër mbishkrimesh zakonisht të shkurtra e shpesh fragmentare të shek. VI-I p.e.sonë, që japin edhe fjalë, trajta e ndonjë frazë, përveç emrave të përveçëm që përmenden në to, por që janë kuptuar dhe shpjeguar deri më sot në një masë të vogël. Kemi disa glosa si brendon = bri, bilia = bilë, bijë etj., dhe shumë emra të përveçëm njerëzish, fisesh e vendesh.
Janë vënë re gjithashtu edhe bashkëpërkime të rëndësishme midis mesapishtes dhe shqipes në sistemin fonetik dhe gramatikor, si p.sh. reflektimi i |o|-së së shkurtër indoevropiane në |a|, evolucioni ?|-m|>|-n| i mbaresës së rasës kallëzore njëjës të emrave në të dyja këto gjuhë etj.
Arti dhe botëkuptimi
Redakto- Artikulli kryesor: Arti ilir
Arti ilir në periudhën e hershme të hekurit karakterizohet me stilin e tij dekorativ të theksuar të epokës së bronzit, por lulëzimin e arrin në fillim të epokës së plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII p.e.sonë në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Kjo vihet re qartë sidomos në grupin e kulturës së Devollit, në atë të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar jo vetëm në objektet e veçanta metalike, kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe në materialet që nuk i rezistuan kohës si në dru, kockë etj.
Në një stil të pjekur arkaik të kohës janë paraqitur në këto monumente pamje nga jeta e përditshme e ilirëve, në mënyrë të veçantë e shtresave të pasura të shoqërisë së tyre, midis të cilave skena argëtimesh, siç është rasti i një valleje grash lidhur dorë për dore, apo i një procesioni funeral, ku përcjellja është dhënë nëpërmjet një vargu të gjatë kurorash luftarake dhe kalorësish që marrin pjesë në ceremoninë solemne.
Përsa u përket besimeve të ilirëve të epokës së hekurit, ato nuk ndryshonin prej atyre të epokës së bronzit. Një rol të madh vazhdon të luajë kulti i tokës mëmë i lidhur me pjellorinë e saj dhe me zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi. Shumë e përhapur tek ilirët ishte heliolatria (adhurimi i diellit). Gjurmët e shumta të saj shprehen përmes motiveve të ndryshme, që zbukuronin objektet e veçanta dhe që në mënyrë grafike simbolizonin diellin. Të tilla ishin, p.sh.: rrathët bashkëqendrorë, svastikat, spiralja etj. Ky kult diellor tek ilirët shprehej dhe përmes varëseve të ndryshme në formë kali, kaprolli, zogu etj.
Një kult tjetër shumë i zhvilluar tek ilirët, sidomos tek ata të krahinave jugore, ishte dhe gjarpri si simbol i pjellorisë si totem, si qenie mbrojtëse nga syri i keq (apotropeike) etj.
Ilirët besonin edhe në ekzistencën e fuqive mistike, që rronin midis tyre dhe u shkaktonin njerëzve sëmundjet dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore. Për t’i larguar këto të këqija, ilirët sajuan forma të ndryshme varësesh (amuleta), me karakter apotropeik etj.[1]
Shih edhe
RedaktoLiteratura
Redakto- Ceka, Neritan (2014) Ilirët deri te shqiptarët, Migjeni, Tiranë
- Metais, Serge (2006) Histori e shqiptarëve nga ilirët deri te pavarësia e Kosovës
- Stipçeviq, Aleksandër Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultit
- Andrea, Zhaneta (1985) Kultura ilire e tumave në pellgun e Korçës
- Koka, Aristotel (2012) Kultura ilire e tumave të Shtojit, Shkodër
- Përzhita, Luan (2009) Mbretëria Dardane, histori e shkurtër e shtetit 2400 vjeçar
- Korkuti, Muzafer (2003) Parailirët, ilirët, arbërit : histori e shkurtër
- Grup autorësh (1965, 1979, 2002) Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë, Prishtinë
- Grup autorësh (1974) Kuvendi I i studimeve ilire, Tiranë
Referime
Redakto- ^ a b Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 2. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 977–978. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
Lidhje të jashtme
Redakto- Luso - Illyrian (Culture) Universidade dos Valores