Pal Kastrioti
Ky artikull është propozuar për tu shpallur artikull i mirë. Një artikull i mirë duhet të ketë një shtjellim të pëlqyeshëm të temës me paanësi, burime të shumta serioze dhe një formatim të saktë nga ana teknike në lidhje me kategoritë, lidhjet e materialet multimediale. Ju lutemi, ndihuni të lirë dhe komentoni.
Pal ose Gjergj Kastrioti ishte një zotues mesjetar shqiptar në pjesën e fundit të shekullit të 14-të në veri të Shqipërisë. Nuk dihet shumë në lidhje me jetën e tij. Ai përmendet vetëm në dy burime historike që përshkruajnë zotimin e tij si të shtrirë në një hapësirë midis Matit dhe Dibrës. Djali i tij ishte Gjon Kastrioti dhe nipi i tij Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar.
Përshkrime burimore
RedaktoNjë figurë e dëshmuar si Kastrioti i Kaninës në Shqipërinë jugore i cili shfaqet në një letër dërguar më 2 shtator 1368 nga Aleksandër Komnenos Asen në senatin e Raguzës është hipotezuar nga një numër autorësh (kryesisht në fillim të shekullit të 20-të) si paraardhës i derës së Kastriotëve. Heinrich Kretschmayr argumentoi se ky Kastriot mund të ketë qenë në të vërtetë Pal Kastrioti, John Fine e konsideroi "të mundshme" që ky Kastriot të ishte paraardhës i Gjon Kastrioti dhe Aleks Buda u përpoq të kapërcejë mospërputhjen gjeografike midis Kastriotit të Kaninës që jetonte në Shqipërinë jugore dhe Kastriotëve që ishin aktivë në veri të Shqipërisë duke argumentuar se pas rënies së Balshajve, ata u kthyen në tokat e tyre stërgjyshore në luginën e Dibrës.[1][2][3] Në historiografinë bashkëkohore, figura e regjistruar si Kastrioti i Kaninës në 1368 konsiderohet se nuk ka lidhje me derën e Kastriotëve.[4] Kastriotët shfaqen vonë në të dhënat arkivore mesjetare në krahasim me familjet e tjera fisnike shqiptare, jo përpara fundit të shekullit të 14-të/fillimit të shekullit të 15-të.[5]
Figura historike e Konstantin Kastriot Mazrekur dëshmohet te vepra e Giovanni Andrea Angelo Flavio Comneno (Andrea Ëngjëlli), Genealogia diversarum principum familjum. Angelo përmend Kastriotit si Constantinus Castriotus, cognomento Meserechus, Aemathiae & Castoriae Princeps (Constantinus Castriotus, i quajtur Meserechus, Princ i Aemathia dhe Castoria). Angelo përdori emërtimin Meserechus në lidhje me Skënderbeun. Ky emërtim shfaqet në burime të tjera dhe riprodhohet në ato të mëvonshme si Historia Byzantina (1680) e Du Cange.[6] Këto lidhje nënvizojnë se Kastriotët përdorën emërtimin "Mazreku" në lidhje me përkatësinë e tyre fisnore (farefisnia).[7] Emri Mazrek (u), ka kuptimin e mbarështuesit të kuajve, pra është term blegtoral dhe gjendet në të gjitha trevat shqiptare.[8]
Djali i Konstantin Kastrioti, i cili ishte i ati i Gjon Kastriotit dhe gjyshi i Gjergj Kastriot Skënderbeut shfaqet në dy burime historike, Breve memoria de li discendenti de nostra casa Musachi nga Gjon Muzaka (1510) dhe Genealogia diversarum principum familumum (1603/1610) nga Andrea Angelo, vepër e cila u riprodhua kryesisht nga Du Cange (1680). Të dyja veprat - si shumë botime të asaj kohe - në lidhje me gjenealogjinë e fisnikërisë - përmbajnë gabime dhe nuk mund të përdoren si burime pa u krahasuar me burime bashkëkohore. Angelo ndërtoi linja të lashta mitologjike të cilat lidhnin figurat e epokës së tij me epokën e Kostandinit të Madh, ndërsa Muzaka në veprën e tij ul rëndësinë e familjeve të tjera feudale shqiptare, përfshirë atë të Kastriotëve.[9] Pavarësisht vlerës së tyre historike, të dy burimet përdoren në krahasim me njëra-tjetren dhe kërkime të tjera historike dhe bashkëkohore. Angelo e quan të atin e Gjon Kastriotit "Georgius Castriotus" (Gjergj), zot (princ) të "Aemathiae, Umenestria" (Mati dhe ndoshta Ujmishti) dhe "Castoriae". Ky toponim është interpretuar si Kastrioti i Dibrës, Kastrati i Hasit, Kastrati i Dibrës ose mikrotoponimi "Kostur" pranë fshatit Mazrek në Has.[10] Muzaka e quan atë "Paulo Castrioto" (Pal) dhe pohon se "ai sundoi mbi jo më shumë se dy fshatra, të quajtur Signa dhe Gardi Ipostesi" (Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, në Çidhën të Dibrës).[11] Emri i tij nuk mund të dihet me siguri. Angelo e quan atë "Georgius" (Gjergj) dhe Muzaka e quan "Paulo" (Pal). Asnjë emër nuk mund të karakterizohet si versioni i saktë për shkak të një mungese shumë të madhe të burimeve. Emri "Paulo" (Pal) përmendet vetëm nga një autor (Muzaka) dhe nuk është përdorur si emri i asnjë prej nipërve (Reposh, Konstantin, Stanisha, Gjergj) apo stërnipërve (Giorgio, Costantino, Ferrante) të tij.[9]
Zotimi tij mbi "vetëm dy fshatra" siç përshkruhet nga Gjon Muzaka është kontestuar sepse nëse është një tezë e vërtetë, kjo do të nënkuptojë që djali i tij, Gjon Kastrioti i cili zotonte mbi një hapësirë shumë më të madhe arriti të përhapi shumë gjërë sundimin e tij në harkun e një brezi. Kjo konsiderohet si një përhapje shumë e rrallë në kontekstin e shoqërisë mesjetare shqiptare sepse derët fisnike shqiptare kishin përhapur ndikimin e tyre gjatë një kohe të gjatë dhe jo brënda një brezi.[12]
Referime
Redakto- ^ Kretschmayr, Heinrich (1920). Geschichte von Venedig (në gjermanisht). Vëll. 2. Gotha: F.A. Perthes. fq. 375. OCLC 39124645.
- ^ Buda 1986, f. 239.
- ^ Fine 1994, f. 357.
- ^ Omari 2014, p. 29
- ^ Omari 2014, f. 46.
- ^ Malaj 2013, p. 43
- ^ Malaj 2013, p. 44
- ^ Malaj 2013, f. 45.
- ^ a b Omari 2014, p. 41
- ^ Bela 2019, f. 229.
- ^ Omari 2014, p. 45
- ^ Muhaj 2015, f. 42.
Referime
Redakto- Bela, Muhamet (2019). "A ishte Skënderbeu nga Hasi?! - Mendime rreth origjinës së Skënderbeut". përmbledhur nga Syla, Sabit; Verli, Marenglen; Asani, Skënder; Berisha, Gjon (red.). Gjergj Kastrioti - Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes: (materiale nga Konferenca shkencore ndërkombëtare "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes", mbajtur në Prishtinë, më 16 tetor 2018) (PDF). Institute of history "Ali Hadri". ISBN 9951409806.
- Buda, Aleks (1986). Shkrime Historike. Shtëpia Botuese "8 Nëntori". ISBN 9992716517.
- Ducellier, Alain (1981). La façade maritime de l'Albanie au Moyen âge: Durazzo et Valona du XIe au XVe siècle (në frëngjisht). Ed. de l'Ècole des Hautes Études en Sciences Sociales.
- Fine, John (1994). The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest (në anglisht). University of Michigan Press. ISBN 978-0-472-08260-5.
- Hodgkinson, Harry (1999). Scanderbeg: From Ottoman Captive to Albanian Hero (në anglisht). London: Centre for Albanian Studies. ISBN 978-1-873928-13-4.
- Malaj, Edmond (2013). "Familje fisnike të Drishtit mesjetar". Studime Historike. 3–4.
- Muhaj, Ardian (2015). "Hulumtimi i origjinës së Skënderbeut përmes historisë së jetës dhe veprës së tij". 610-vjetori i lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Academy of Sciences of Albania.
- Omari, Jeton (2014). Scanderbeg tra storia e storiografia [Skanderbeg between history and historiography] (PDF) (Tezë) (në italisht). University of Padua.