Pedagogjia kulturore
Pedagogjia kulturore është një drejtim dhe disiplinë e pedagogjisë e cila merret me raportet në mes të individit (personalitetit të njeriut) dhe vlerave kulturore. Njeriu është ai që krijon kulturë, por edhe kultura gjithashtu e krijon (formëson) njeriun, prandaj është e domosdoshme njohja e këtij raporti aq më tepër kur dihet që kultura është ajo e cila e dallon njeriun nga krijesat e tjera.
Detyrë themelore e pedagogjisë kulturore është të studiojë fenomenet dhe trendët aktuale të kulturës: t'i njohë, t'i vlerësojë dhe përfundimisht të nxjerrë mësime prej tyre e të cilat pastaj do të zbatohen në procesin edukativ e arsimor. Një detyrë e rëndësishme është edhe përgatitja e kuadrove të tilla të cilat do të merren me edukimin dhe arsimin e të rinjëve për një përdorim sa më të mirë të kulturës e të cilët do të jenë të aftë jo vetëm për të bërë dallimin në mes të elementeve konstruktive dhe destruktive të kulturës, por që edhe të jenë në gjendje për krijime kulturore duke u mbështetur në vlerat e larta arsimore. Një detyrë tjetër e pedagogjisë së kulturës është të studiojë tendencat kulturore bashkëkohore dhe të nxjerrë përfundime prej tyre për qëllime arsimore dhe pedagogjike.
Pedagogjia e kulturës e formëson njeriun në tre dimensione:
- në kuptimin e trashëgimisë kulturore,
- aftësimin për përdorimin e saj në jetën e përditshme dhe
- krijimin e kulturës për gjeneratat e ardhshme. [1]