Radio Koha
Radio KOHA është e para radio private në Shqipëri. Ajo filloi transmetimin me lajme dhe muzikë ditën e 29 qershorit 1997, ditë kur bëheshin zgjedhjet parlamentare. Gazetarët e parë të saj kane qenë Alban Dudushi dhe Ilir Gjini, të cilët mbajtën nonstop me lajme nga zgjedhjet parlamentare të kësaj dite. Selia e parë në kohën kur ishte shtetrrethimi i qershorit 1997 ka qenë një nga dhomat e zotit Lesi, pronar i gazetës "Koha Jonë".
Transmetuesi ishte 1 kW dhe kishte pak pajisje transmetimi dhe regjie. Radio ishte dhuratë e një botuesi italian të medias, Nicola Grauso, i cili kishte parë në RAI djegien e gazetës më të madhe në Shqipëri, gazetës "Koha Jonë" me 3 mars 1997 dhe erdhi me avion çarter duke i dhuruar botuesit Lesi 10 kompjutera Makintosh dhe një stacion modest radioje. Pra këtu nisi "aventura" e radios së parë private në Shqipëri.
Më pas radio u kompletua me dy zyra dhe një dhomë transmetimi në rrugën "Sami Frashëri", pallati 26/2, Tiranë ose edhe më saktë në një prej hyrjeve private (shtëpi) të botuesit Lesi. Radio KOHA gjatë vitit 1997, 1998 dhe 1999 mbeti e para në tregun e mediave private. Më pas dolën konkurrente të tjerë nga fusha e biznesit të cilët filluan transmetime digjitale dhe konkurruese. Gjatë viteve të saja radio KOHA ka pasur gazetarë të shkëlqyer që janë ndër më të njohurit e tregut të medias radiofonike në Shqipëri si Alban Dudushi, Enkel Demi, Mimoza Picari, Eno POPI, Eriona Shehu, Adi Krasta, Anila Jole, Amalia Dhamo, Indrit Cobani.
Në fillim të vitit 2006 radio KOHA i është shitur një kompanie tjetër mediatike.