Shkolla e Lartë Pedagogjike në Prishtinë

Shkolla e Lartë Pedagogjike në Prishtinë themeluar në vitin 1958, ishte institucioni i parë i arsimit të lartë në Kosovë.[1]

HistorikuRedakto

Shkolla e Lartë Pedagogjike në Prishtinë është themeluar me Vendimin e Kuvendit Krahinor të Kosovës, nr. 378 të dt. 21.11. 1957. Shkolla filloi punën në vitin akademik 1958/59. Në vitin e parë të fillimit të punës ka pasur dy degë mësimore:

  1. Matematikë – Fizikë dhe
  2. Biologji – Kimi.

Në këtë vit të parë të studimeve janë regjistruar 96 studentë të rregullt dhe 53 me korrespondencë. Në vitin akademik 1959/60 janë hapur edhe dy degë mësimore:

  1. Gjuhë Shqipe dhe Letërsi dhe
  2. Arsimi i Përgjithshëm Teknik me Fizikë.

Në vitin akademik 1960/61 hapen edhe dy grupe të reja:

  1. Gjuhë Ruse dhe Letërsi dhe
  2. Gjuhë Angleze dhe Letërsi.

Më vonë, në kuadër të kësaj shkolle janë formuar edhe grupe të reja. Në vitin 1961 në kuadër të kësaj shkolle hapen paralelet e ndara në Prizren për degët:

  1. Grupi i Gjuhës Serbokroate dhe i Letërsisë Jugosllave dhe
  2. Grupi i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe.

Në këtë vit shkollor (1961/62) në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës në Prizren, u regjistruan 100 studentë, 48 prej të cilëve ishin shqiptarë. Më 1962 këto paralele pavarësohen me themelimin e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prizrenit. Shkolla e Lartë Pedagogjike e Prishtinës themeloi edhe Qendrën për Studime me Korrespondencë në Novi Pazar, me 50 studentë.

Në kuadër të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, më vonë janë hapur edhe degë të tjera, si:

  1. Edukatë Fizike dhe Shëndetësore,
  2. Edukatë e Artit Figurativ,
  3. Edukatë Muzikore,
  4. Gjuhë dhe Letërsi Turke dhe
  5. Arti Dramatik.

Prej vitit akademik 1973/74 në këtë shkollë të lartë punojnë këto grupe mësimore:

  1. Gjuhë dhe Letërsi Shqipe,
  2. Mësimi Klasor,
  3. Matematikë,
  4. Fizikë – Kimi dhe
  5. Bazat e Arsimit Politeknik

Deri në vitin 2000, në këtë shkollë kanë diplomuar gjithësej 5.550 studentë,[1] ndërsa deri më 30.09.2004 vetëm në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës kanë diplomuar gjithsej 4465 studentë me mësim në gjuhën shqipe. Në vitin akademik 2004/2005, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës i vazhdojnë studimet 828 studentë të regjistruar më herët, ndërsa në procesin mësimor qenë angazhuar 17 mësimdhënës dhe asistentë në marrëdhënie të rregullt pune dhe 18 me punë plotësuese dhe të angazhuar. Që nga dhjetori i vitit 2004, personeli administrativ - teknik dhe studentët sipas programit të SHLP-ës integrohen në Fakultetin e Edukimit.[2]

Shkolla tjera të larta pedagogjike në KosovëRedakto

Pas themelimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë në vitin 1958, dhe sipas shembullit të saj, në Kosovë themelohen edhe shkolla tjera të larta pedagogjike, qoftë si degë ose paralele të ndara të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, qoftë si shkolla të larta të pavarura pedagogjike.

  • Shkolla e Lartë Pedagogjike "Xhevdet Doda" në Prizren
  • Shkolla e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë
  • Shkolla e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” në Gjilan

Shkolla e Lartë Pedagogjike "Xhevdet Doda" në PrizrenRedakto

Shkolla e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda” në Prizren, si institucion i pavarur, u themelua me Vendimin e KP të KAKM më 7 dhjetor 1962, kurse punën e filloi më 16 shkurt 1963 me Vendimin e Pleqësisë së Arsimit e të Kulturës të miratuar më 31 janar 1963. Në këtë institucion ndër vite kanë funksionuar këto degë:

  • Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Angleze, (1962)
  • Dega e Matematikës me Fizikën, (1962)
  • Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Turke, (1962)
  • Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Ruse, (1962)
  • Dega Kimi-Fizikë, (1965)
  • Dega Fizikë me Matematikë, (1969)
  • Dega Kimi me Matematikë, (1969)
  • Dega e Mësimit Klasor, (1978)

Deri më 30.09.2004 në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prizrenit diplomuan gjithsej 2477 studentë me mësim në gjuhën shqipe. Që nga dhjetori i vitit 2004 personeli administrativ - teknik dhe studentët sipas programit të SHLP-ës integrohen në Fakultetin e Edukimit.[2]

Shkolla e Lartë Pedagogjike "Bajram Curri" në GjakovëRedakto

Shkolla e Lartë Pedagogjike “Bajram Curri” në Gjakovë është themeluar në vitin 1967 me Vendimin e Kuvendit të Komunës së Gjakovës nr. 01-5354/I të dt. 29.07.1967. Punën e filloi më 1.10.1967. Mësimi i rregullt zhvillohej vetëm në gjuhën shqipe. Në këtë institucion ndër vite kanë funksionuar këto degë:

  • Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, (1967)
  • Dega e Matematikës, (1967)
  • Dega e Histori - Gjeografisë, (1967)
  • Dega Biologji–Kimi, (1968)
  • Dega e Mësimit Klasor, (1977)

Deri më 30. 9.2004 në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës diplomuan gjithsej 3940 studentë me mësim në gjuhën shqipe. Që nga dhjetori i vitit 2004 personeli administrativ- teknik dhe studentët sipas programeve të SHLP-ës integrohen në Fakultetin e Edukimit.[2]

Shkolla e Lartë Padagogjike "Skënderbeu" në GjilanRedakto

Shkolla e Lartë Pedagogjike "Skënderbeu" në Gjilan, fillimisht është themeluar si Akademi Pedagogjike me Vendimin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, nr. 01-61-12, dt. 18. shtator 1973, ndërsa punën e filloi më 25. dhjetor 1975. Prej vitit 1978 Akademia Pedagogjike e Gjilanit u shndërrua në Qendër për Arsimin e Lartë të Mësimdhënësve. Ndër vite në këtë institucion kanë funksionuar këto degë (grupe):

  • Grupi për Edukatore të Enteve Parashkollore, (1973)
  • Grupi për Mësim Klasor, (1973)
  • Grupi i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqipe, (1978).

Deri në vitin 2005 në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjilanit diplomuan gjithsej 2901 studentë me mësim në gjuhën shqipe. Që nga dhjetori i vitit 2004 studentët sipas programeve të SHLP-ës integrohen në Fakultetin e Edukimit.[2]

Shih edheRedakto

Lidhje të jashtmeRedakto

ReferimeRedakto

  1. ^ a b Hajrullah Koliqi:Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar, Universiteti i Prishtinës & Libri shkollor, Prishtinë, 2002, fq. 486.
  2. ^ a b c d Monografia:Universiteti i Prishtinës 1970 - 2005, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2005, fq. 200 - 215 Vizituar më 30.08.2016.