Shpresa Hoxha
Shpresa (Raça) Hoxha është studiuese dhe profesoreshë universitare nga Mitrovica.[1] [2]
Biografia
RedaktoShpresa lindi në Mitrovicë, Kosovë më 26 mars 1953. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Studimet e gjuhës dhe të letërsisë angleze i regjistroi në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës, Katedra e gjuhës dhe e letërsisë angleze 1970-71 dhe diplomoi më 21 qershor 1974.
Më 4 qershor 1986 mbrojti me sukses punimin e magjistraturës me titull: “Funksionet e kohëve të shkuara të foljeve të anglishtes e të shqipes dhe përkthimi i tyre në romanin Oliver Tuisti të Ç. Dikensit, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Temën e doktoraturës me titull Kontributi i William Martin Leake-ut në fushën e studimeve albanologjike e mbrojti po ashtu në Fakultetin e Filologjisë, Universiteti i Prishtinës më 25 qershor 2003. Që nga viti 1974 punon në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, mësimdhënëse e gjuhës angleze I & II edhe pas pensionimit në mars të vitit 2018.
Ka qenë e angazhuar në mësimdhënie në Fakultetin e Makinerisë (Inxhinierisë Mekanike) të Universitetit të Prishtinës, pas dëbimit të mësimdhënësve të UP nga pushteti serbosllav nga viti 1994-2005, në lëndën Gjuhë angleze I & II. Që nga viti 2005 është e angazhuar në Katedrën e gjuhës dhe të letërsisë angleze pranë Fakultetit të Filologjisë të UP. Është shpërblyer me shumë mirënjohje për punën e saj rreth 45 vjeçare në Universitetin e Prishtinës.
Ka botuar 66 punime shkencore, në mesin e tyre një monografi: Kontributi i W.M. Leake-ut në fushën e studimeve albanologjike dhe Fjalor fjalësh e shprehjesh turke të cilat përdoren në gjuhën shqipe. Në dy mandate ka qenë senatore e Universitetit të Prishtinës 2009-2012 dhe 2012-2015. Ndërsa në mars 2005 është zgjedhur Prodekane për çështje materiale në Fakultetin Ekonomik Prishtinë në periudhë 3 vjeçare; në shkurt 2016 Prodekane për shkencë në Fakultetin Ekonomik Prishtinë, detyrë të cilën e ushtroi deri në pension. Në maj 2010 u zgjodh Kryetare e Institutit “Alb-Shkenca” Prishtinë, Kosovë, dhe organizatore kryesore e Takimeve të mbajtura në Prishtinë, detyrë të cilën e mbajti deri në tetor të vitit 2019. Ka marrë pjesë në shumë konferenca vendore dhe ndërkombëtare në vend dhe jashtë si dhe ka kryer një varg aktivitetesh të ndryshme humanitare.[3]
Shih edhe
RedaktoReferime
Redakto- ^ https://www.researchgate.net/profile/Shpresa-Hoxha
- ^ https://www.researchgate.net/publication/323572355_THE_USE_OF_STANDARD_ALBANIAN_IN_THE_SCHOOL_AND_UNIVERSITY_TEXT-_BOOKS
- ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 79, ISBN 9789951518208