Nuk ka versione të shqyrtuara të kësaj faqe, ndaj mund të mos jetë kontrolluar përputhja e saj me standardet.

Skënder Myslim Peza.

Lindi në fshatin Pezë e Madhe të rrethit të Tiranës, më 15 Shkurt 1926. Ai ishte djali i komandantit dhe themeluesit te Çetës së parë Antifashiste Nacional Çlirimtare në Shqipëri, Ballkan dhe Europë, Heroit të Popullit Myslim Peza.

Që në fëmijëri, për shkak të përplasjeve, përndjekjeve dhe persekutimit të familjes nga regjimi i Ahmet Zogut dhe pushteti i kohës, Skënder Peza së bashku me nënën, motrën, xhaxheshën dhe pjestarët e tjerë të familjes, provoi vuajtjet e burgimit dhe  internimit , dhe për shkak të vajtjes së babait në emigrim, në mungesë të tij, Skënderit i duhej të behej shtylla dhe forca kryesore e familjes, duke iu bërë krah familjarëve dhe shtëpisë në ato momente vuajtjeje dhe sakrificash.

Me pushtimin e atdheut nga Italia fashiste dhe me kthimin e babait pranë familjes, i cili themeloi më 5 Qershor 1940, Çetën e Parë Antifashiste, Skënderi së bashku me nënën, motrën dhe familjarët e të afërm u bënë anëtarët dhe luftëtarët e parë të kesaj çete. Ende në moshë shumë të re, 14 vjeç, ai u angazhua në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare duke qendruar pranë babait të tij dhe duke u bërë krahu i tij i djathtë, fillimisht si anëtar i Çetës së Pezës dhe më pas si pjesë e strukturave të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e Brigadës XXII për çlirimin e vendit dhe deri përtej kufinjve në ish Jugosllavi e deri në Vishegrad. Bashkëluftëtarët dhe ata me të cilët ai ka marshuar e luftuar, tregojnë, se Skënder Peza asnjëhere nuk u kursye, përkundrazi kudo e kurdoherë luftoi si partizan i vijës së parë. Ai dha një shembull të shkëlqyer atdhetarizmi, duke u bërë frymëzim për të gjithë të tjerët jo vetëm në Pezë e në mbarë zonën për rreth, por në krejt Shqipërinë.

Pikërisht për këto e të tjera merita, Skënder Peza është dekoruar nga Ish Presidiumi i Kuvendit Popullor me shumë urdhëra e medalje.

Gjatë pjesëmarrjes në këtë luftë heroike të popullit shqiptar, ai u plagos dy herë.

Më 16 Mars 1941, në luftën e parë të Çetës së Pezës përballë një operacioni ndëshkimor të ndërmarrë nga italianët me 700 karabienierë, ai ishte i  plagosuri i parë në betejën me trupat italiane që kishin rrethuar zonën.Kjo ishte lufta e parë e  organizuar dhe Skënderi ishte dhe i plagosuri i parë dhe në moshën më të vogël vetëm 15 vjeç. Këtu do të fillonte rruga e tij e lavdishme, tashmë e shkruar dhe me gjak.

Plagosja e dytë do të ndodhte në fshatin Selbë të Tiranës më 14 Janar 1944 në përballjen ndaj pushtuesit dhe okupatorit gjerman.

Me krijimin  e Batalionit të  tretë   Komisar  u caktua Skënder Peza.

Në këtë detyrë, ai u dallua për aftësitë e tij si drejtues dhe për virtytet e larta si humanist. Kudo dhe në çdo veprim, ai do të ishte në ballë të luftës dhe në krah të shokëve duke u bërë shembull nxitës dhe frymëzues. Ata që patën fatin të ishin në krah të tij, e kujtojnë komisarin gojëzjarrtë në ato kohë që frymëzonte respekt dhe krenari. Ishte kjo arsyeja që formacioneve partizane iu shtuan me dhjetra e qindra djem duke çuar në formimin e Brigadës XXII Sulmuese Partizane, pjesë e së cilës si kuadër drejtues do të ishte dhe Skënder Peza.

Në 16 Shtator 1942, në shtëpinë e tij, në Pezë të Madhe, do të mbahej Konferenca e Pezës, ku Skënderi bashkë me shumë të tjerë u bënë rojet besnike të ruajtjes dhe të mbarëvajtjes së punimeve të asaj që do të hidhte forcat në luftë “pa dallim feje, krahine dhe ideje”.

Mbas luftës dhe Çlirimit të vendit, Skënder Peza do të shërbente në rradhët e Ushtrisë Popullore dhe do të kryente studimet fillimisht në ish Jugosllavi, duke u diplomuar si oficer dhe më pas përfundoi ato të lartat në degën e ekonomi industriale pranë Universitetit të Tiranës. Ai ishte njohës shumë i mirë i gjuhëve Serbe dhe Ruse.

Menjëherë pas përfundimit të studimeve, në vitet e mëvonshme si profesionist, Skënder Peza u angazhua në disa poste dhe detyra në Ministrine e Ndërtimit si Drejtor Kuadri dhe në dikastere e institucione të ndryshme dhe së fundmi punoi si shef i zyrës ekonomike në ndermarrjen e Asfaltimit të Rrugëve pasi dha dorëheqjen për arsye shëndetësore nga Ministria e Ndërtimit, duke qendruar gjithmonë në lartësinë e kërkuar të detyrës dhe duke dhënë profesionalizmin dhe kontributin e tij në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Detyra në të cilat ai qe dalluar për përkushtimin atdhetar, pasionin e profesionalizmin, drejtësinë dhe korrektësinë e treguar. Ai do të ishte jo vetëm një drejtues i denjë por gjithashtu edhe një qytetar aktiv dhe veprimtar i palodhur shoqëror.

I martuar me Afërdita Xhanin, mbesën e Heroit Mustafa Xhani, Skënder Peza do të krijonte një familje të shëndoshë dhe do të ishte një shembull i gjallë i njeriut, birit, vëllait,  babait, bashkëshortit e prindit me virtyte të larta fisnikërie dhe njerëzore. Ai ishte babai i dy fëmijëve djalit Sokol dhe vajzës Edlira, të cilët i rriti dhe edukoi me të njëjtat virtyte dhe karakter si të tijin.

Pas daljes në pension, Skënder Peza iu perkushtua detyrave shoqërore. Ai shkroi një seri kujtimesh dhe ishte anetar i Komitetit Kombetar te Organizatës se Veteranëve të LANÇ dhe gëzonte statusin e veteranit të luftës. Gjithashtu ai ishte një ndër themeluesit e Shoqates Patriotike “Myslim Peza” dhe nën kryetar i saj.

Skënder Peza u shua në Tiranë në 2 Janar 2002.

Ai ishte dhe mbetet një shembull i lartë frymëzimi, fisnikërie e qytetarie për familjen, pasardhësit dhe të gjithë ata që patën fatin ta njihnin nga afër dhe bashkëpunonin me të. Për virtytshmërinë, fisnikërinë, shembullin dhe kontributin e tij janë shkruar vargje e libra e artikuj nga media, shtypi i shkruar dhe autorë të ndryshëm.