Revista TEUTA (revistë) është revista e parë profesionale, që u themelua dhe në tregun medial u plasua nga gazetarja më me përvojë në Kosovë dhe në rajon, zonja Sanije Gashi.

Numri i parë i revistës TEUTA është publikuar në vitin 1995, në një periudhë të vështirë për popullatën kosovare. Atëherë, ajo bëri kthesë në jetën e errësuar mediatike - duke shndritur si një fanar në errësirë të plotë, duke qenë revista e parë e pavarur, dhe u shndërrua në hit të vërtetë. Ishte me përmbajtje pozitive dhe optimiste për shpëtim nga errësira dhe po paralajmëronte një epokë të re jo vetëm për gratë. Revista TEUTA lindi, pra, në kohën e okupimit të vendit, prandaj edhe botimi i saj ishte me shumë rrezik. Numri i parë doli në vitin 1994, ndërsa qëllimi i saj ishte, në plan të parë, të ndihmonte gruan në mirëmbajtjen e familjes në ato rrethana të krijuara, të kujdesej për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve, që bëhej jashtë objekteve të uzurpuara shkollore, të luftonte për të drejtat njerëzore, që i mohoheshin… Është kjo kohë kur shumë familje, jo vetëm të rinjtë, merrnin rrugën e mërgimit, për t’u shpëtuar represioneve të hegjemonisë serbe.

Gjuha e pastër, shkrimet korrekte, të bazuara në të dhëna të vërteta, intervistimi i personaliteteve me ndikim në jetën shqiptare, kanë bërë që TEUTA të ketë shtrirje në tërë vendin dhe të jetë revistë reprezentuese e me autoritet, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë hapësirën shqiptare.

Fuqia me e madhe e revistës TEUTA qëndron tek lexuesit besnikë ndër vite dhe ka një imazh të përparuar. Së pari, botimet që ofron revista janë të cilësisë së lartë dhe të shkruara nga gazetarë me përvojë në gazetari, ndërsa interesimi i lexuesve mbase është thelbësor për suksesin e vazhdueshëm të revistës. Emri i revistës TEUTA ka domethënien e mbretëreshës së parë ilire/shqiptare, që ka vepruar midis viteve 231 dhe 227 para erës sonë, ndaj edhe sot, revista TEUTA me imazhin modern, në tregun shqiptar njihet si simbol i edukimit dhe avancimit të gruas.

Lidhje të jashtme

Redakto

http://www.revistateuta.com