Amfiteatri i Durrësit


Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ndërtuar në fillim të shek të I të e.s gjatë sundimit të perandorit Trajan.Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.Ky amfiteatër ka arkitekturë romake dhe ndërtimi i tij në qendër të qytetit 350 m larg detit, fillon në rrafshin e arenës 5,5 m mbi nivelin e detit, ndërsa 2/3 mbështetet në kodër. Amfiteatri 2700-vjeçar qëndron mes 30 amfiteatrove të zbuluar të botës antike nga Roma deri në Budapest dhe Lion. Pas viteve 90 një sërë projektesh synojnë të realizojnë zbulimin e plotë të ndërtesës dhe bashkëpunimi me Universitetin e Parmës pritet të formësojë përfundimisht në të ardhmen të gjithë gjeografinë e shkueshme të Amfiteatrit. Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja. Në mënyrë intensive gërmimet janë përqendruar në vitet 1967-1970 të cilat detyruan zhvendosjen e 55 familjeve dhe prishjen e 33 banesave private për t’i hapur rrugë zbulimit të ndërtesës antike.