Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2016/31
Hasan Prishtina (lindi më 1873, Vushtrri - 13 gusht 1933, Selanik), deputet, aktivist shqiptar nga Kosova (Perandoria Osmane). Ishte patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë e pavarësinë e atdheut, për demokratizimin e jetës së vendit, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.
Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 Prill 1873, por ka edhe mendime se ai ka lindur në vitin 1878. Deri në vitin 1908 është quajtur Hasan Berisha – Polanci, gjegjësisht Hasan Vuçitërni, kurse nga ky vit, kur zgjedhet deputet i Prishtinës në parlamentin turk, nënshkruhet Hassan Prishtina. Fëmijëria e tij dallonte nga ajo e fshatarëve të vet.
Mësimet e para (mejtepin) dhe disa klasë të progjimnazit (iptida) i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe i guximshëm, duke kundërshtuar disa herë hoxhën. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi, Hafëz Arifin, nga i cili edhe u frymëzua me ide atdhedashurie.